Rama-Meta: Darka e fundit apo fillim i ri?

Dy aleatët kanë darkuar së bashku dje te “Pazari i Ri”. Pjesë e tryezës kanë qenë Veliaj dhe Vasili. Temë e bisedimeve, gjetja e zgjidhjes për të dalë nga ngërçi politik dhe marrëveshja e re për bashkëpunimin në koalicion. Rama përplaset me Tahirin në Asamble për qëndrimin ndaj LSI-së

Ndoshta është rastësi, por ashtu si edhe 4 vite më parë, kur edhe hodhën bazat e koalicionit në një darkë në Gjirin e Lalzit, edhe dje dy aleatët në bashkëqeverisje, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kanë zgjedhur sërish të diskutojnë për koalicionin nën shoqërinë e një darke me prodhime të detit.

Ata kanë darkuar në një nga lokalet e prodhimeve të detit që janë hapur rishtazi në zonën e Pazarit të Ri, duke mbartur kështu jo vetëm simbolikën e marrëveshjes së 4 viteve më parë, por edhe atë të një “pazari të ri” për koalicionin.

Pjesë e kësaj tryeze ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që ka me kryetarin e Kuvendit, duket se ka qenë edhe ndërmjetësi i kësaj darke, si dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, i cili gjithashtu njihet për marrëdhëniet e tij të moderuara me socialistët.

Darka ka zgjatur për më shumë se dy orë dhe duket se dy aleatët janë angazhuar në gjetjen e një zgjidhje të ngërçit që ka përfshirë politikën edhe për shkak të protestës së opozitës, si dhe kanë diskutuar mbi mundësinë e vijimit të bashkëpunimit në një marrëveshje konkrete edhe për 4 vitet e tjera.

Nuk dihen ende se cilat ka qenë produkti i këtyre bisedimeve, teksa rezultatet do të duken në ditët në vijim, kur LSI do duhet të përcaktojë nëse do regjistrohet në një koalicion me PS-në për të garuar së bashku në zgjedhjet e 18 qershorit.

Gjithsesi bisedimet mësohet se kanë qenë të vështira për shkak të pozicionimit që ka marrë tashmë LSI për nevojën e një dialogu me opozitën si dhe përcaktimin se mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën do ishte një farsë.

Asambleja

Vetëm pak orë para se dy aleatë të darkonin së bashku, përkundër kërkesave të vazhdueshme të opozitës, por edhe qëndrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka këmbëngulur se nuk mund të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e të gjitha palëve, Partia Socialiste shpalosi dje në mbledhjen e zgjeruar të Asamblesë Kombëtare, platformën e vet zgjedhore, duke qenë e bindur jo vetëm për të hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit, por edhe për t’i fituar ato.

Pavarësisht kësaj socialistët vijojnë ta konsiderojnë LSI-në si forcën me të cilën duan të dalin sërish në zgjedhje dhe të fitojnë një mandat të dytë. Por nëse kjo nuk është e bindur për këtë gjë, ata janë gati që të shkojnë në zgjedhje edhe vetëm.

Në fakt këto janë edhe dy linjat që janë përvijuar ditët e fundit nga eksponentët e lartë socialistë dhe që janë konfirmuar edhe një herë dje në Asamble si dy rryma që megjithëse e vlerësojnë daljen me LSI-në si të nevojshme, ndahen te sjellja që duhet të ketë PS ndaj saj.

Rryma e parë është ajo që përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili në një fjalim të gjatë por korrekt nga ana politike, ka shprehur edhe një herë publikisht ftesën për LSI-në për të dalë bashkë në zgjedhje në kërkim të një mandati të dytë.

Ndërkohë që rryma e dytë është ajo që përfaqësohet nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe që mbështetet edhe nga numri dy i socialistëve Gramoz Ruçi, e cila edhe dje ka kërkuar një sjellje më të drejtpërdrejtë dhe reciproke ndaj LSI-së, duke vlerësuar se më i rëndësishëm se koalicioni me LSI-në është ai me qytetarët.

Rama

Para mijëra socialistëve që kishin mbushur dje fushën dhe shkallët e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë i qartë për dëshirën e Partisë Socialiste për të fituar së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim një mandat të dytë qeverisës.

“Ne as e kemi diskutuar, as e diskutojmë dhe as do ta diskutojmë deri në çastin e fundit, koalicionin ku jemi, si opsionin tonë më të pëlqyer”, – u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.

Më tej ai pranoi ekzistencën brenda socialistëve edhe të atyre që e konsiderojnë partneritetin me LSI-në si të ezauruar dhe penalizues për PS-në, por gjithsesi ai theksoi se efektiviteti dhe nevoja e një bashkëpunimi të tillë duhet të matet vetëm me nevojën dhe rezultatet e reformave që kërkojnë edhe votën e LSI-së.

“Partneritetin me LSI-në, ka ndër ne që e përjetojnë si një martesë të ezauruar, ka të tjerë ndër ne që e përjetojnë si një bashkëjetesë rraskapitëse, ka të tjerë akoma që e përjetojnë si një mëkat ndaj familjes sonë politike. Arsyet e këtyre përjetimeve janë nga më të ndryshmet. Por, sa për mua, cilësia e këtij partneriteti në funksion të interesave të vendit nuk matet me gjërat që nuk shkojnë në bashkëqeverisjen e sotme, nuk matet as me sasinë e helmit që hera-herës, më shumë kohët e fundit, hedhin partnerët tanë të vegjël në ujin e bashkëqeverisjes, por matet me sa shumë reforma reale kemi kaluar se bashku, për të bërë shtet për Shqipërinë që duam”, u shpreh Rama.

Ndaj theksoi Rama bashkëpunimi dhe bashkëqeverisja me LSI-në është i nevojshëm për vijimin e këtyre reformave edhe në 4 vitet e ardhshme.

“Nuk ka asnjë diskutim, për ne, vlera dhe rëndësia strategjike e partneritetit tonë me LSI. Por të gjithë këto shkojnë bashkë me peshën më të madhe të përgjegjësisë për fatet e vendit. Për vetë fazën ku janë reformat dhe ku është procesi historik i të bërit shtet, nuk do të ishte më e mira për Shqipërinë që duam, që partneriteti ynë qeverisës të ndërpritej; pavarësisht se ne do të shkojmë në këto zgjedhje më te vendosur se asnjëherë, për të marrë çdo votë të mundshme për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, shtoi Rama.

Por ndërsa PS është e qartë në këtë drejtim, kreu i socialistëve ka thënë se i takon palës tjetër, pra LSI-së të vlerësojë pozicionin e vet dhe të vendos për bashkëpunimin e mëtejshëm.

“Duke qenë se pala jonë është e qartë, i takon palës tjetër të këtij partneriteti, LSI-së, që të vendosë në ditët në vijim pozicionin e saj për katër vitet e ardhshme”, – tha Rama.

E ndërsa LSI mendohet, Rama ka bërë të ditur se PS ka nisur të diskutojë me aleatët e tjerë, të vjetër dhe të rinj për të qenë bashkë më 18 qershor.

Por pavarësisht këtij predispozicioni, kreu i socialistëve duket se i ka përcjellë dhe një mesazh të qartë për të gjitha ato forca që vazhdojë të mbështesin linjën që tashmë përfaqëson opozita, për të mos patur zgjedhje pa një qeveri teknike, se rrezikojnë shumë që të penalizohen së bashku me opozitën.

Dhe këtu mesazhi duket qartë që shkon për LSI-në, e cila jo vetëm që nuk është shprehur e gatshme që të shprehet për të qenë në një koalicion me PS-në, por edhe ka vënë në dyshim bërjen e zgjedhjeve pa opozitën.

“Kështu që asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes se mund të mbytet në atë lumë”, – mbylli fjalën e tij Rama.

Tahiri

Por ndërsa kreu i qeverisë është gati të presë deri në limitet kohore që përcakton ligji për regjistrimin e koalicioneve përgjigjen e LSI-së për vijimin e koalicionit, për Saimir Tahirin kjo nuk ka asnjë rëndësi, pasi sipas tij PS mund t’i fitojë zgjedhjet edhe vetëm në rast se arrin të krijojë bashkëpunimin e duhur me qytetarët.

Duke çelur takimin e Asamblesë Kombëtare, në cilësinë edhe të kreut të PS-së së kryeqytetit, Tahiri edhe një herë është shfaqur para socialistëve “radikal” dhe i bindur se për PS-në nuk ka rëndësi asnjë aleat përfshi këtu edhe LSI-në veç aleancës së qytetarëve.

“Nuk ka ditë e takim të mos dëgjoj një kërkesë nga socialistët. Mos hyni në zgjedhje me këtë apo atë parti. Mos bëni koalicion me këtë apo atë parti, e plot të tjera të ngjashme. I kuptoj të gjithë. Kur nga kutia e TV të dalin ca që duan pushtet në çadër e ca që duan pushtet në tavolinë, rrëmuja bëhet më e madhe. Gjëegjëza e koalicioneve bëhet për të hutuar secilin prej jush nga puna. Sepse në e dimë e të gjithë e dinë se nuk ka koalicion më të rëndësishëm se ai që kemi me çdo qytetar në çdo qendër votimi; se nuk ka parti më të rëndësishme se qytetarët, nuk ka aleat më të fortë se burrat dhe gratë, të rinjtë e të rejat në çdo qendër votimi. Në qendrën e votimit, në çdo lagje, në çdo rrugë, në fshat apo qytet, ndajeni mendjen, nuk kemi asnjë aleat tjetër veç qytetarëve”, -tha Tahiri në fjalën e tij.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria do shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit, Tahiri theksoi se PS është sot jo vetëm forca më e madhe politike në vend, por edhe ka mundësinë që në koalicion me qytetarët t’i fitojë e vetme zgjedhjet edhe pa LSI-në.

“PS është më e fortë se kurrë, e bashkë me shqiptarët, do fitojmë më shumë se kurrë. Kush ka dyshim, ta marrë vesh se edhe vetëm fitojmë e do fitojmë. Me të gjithë përballë, PS do fitojë. Me të gjithë përballë, qytetarët do fitojnë. Në Tiranë e në gjithë Shqipërinë, nga Tropoja deri në Vlorë”, theksoi Tahiri.

Ai nuk nguroi që edhe gjatë këtij fjalimi të etiketojë në mënyrë indirekte LSI-në, duke theksuar se forca të caktuara ashtu si edhe opozita po përpiqen që me anë të protestës dhe kërkesave për të shtyrë zgjedhjet dhe qeveri teknike, po përpiqen që të pengojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Le të mos harrojmë kurrë sa shumë kemi për të humbur, n.q.s. bëjmë vetëm një hap të vogël pas. Përballë, herë në SHQUP, herë në çadër e jo vetëm, kemi të njëjtët që vetëm para 3 vjetësh, ishin për vite me radhë në pushtet. E që sot mbajnë njëri-tjetrin për t’u fshehur nga drejtësia, sepse çdo punë e jona ka bërë bashkë të gjithë të korruptuarit që në çadër apo në ndonjë zyrë, fusin kokën për t’u mbrojtur nga drejtësia. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre, ne tonën”, theksoi Tahiri.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjëra që ndodhin…!

Nga Dr. Mirela Oktrova Më në fund ajo që shumëkush thoshte se...
Read More