Rama replikon me Bashën, ekspertët: Rritje çmimesh e falimentime

Kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës e nisën ditën duke debatuar për çështjen e TVSH-së në bizneset e vogla.

“Opozita front në mbrojtje të informalitetit. Ne mbrojmë njerëzit e zakonshëm. Asnjë biznes pa TVSH = FUND mashtrimit me lekët e popullitBiznesi i Vogël do të vijojë të ketë ZERO Tatim Fitimi, por do të duhet të marrë çdo mall me faturë dhe të shesë çdo mall me kupon. Askush nuk mund të hajë më pas shpine as konsumatorin, as shtetin; gjithkush atë që meriton, gjithkujt atë që i takon,”shkroi kryeministri Edi Rama.

Kurse kreu i PD, Lulzim Basha tha se Rama po zhvat njerëzit e thjeshtë.

“Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.

Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit.

Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij,” tha Basha.

Kurse ekspertë të ekonomisë e taksave, pohojnë për Monitor se nëse skema e TVSH-së jetësohet, do të kemi një rritje masive të çmimeve.

Rritja e çmimeve do të rritet 20 përqind automatikisht për shërbimet dhe më pak për produktet, të cilat në hallkën e fundit të zinxhirit do të paguajnë vetëm diferencën e çmimit.

Por kostoja do të paguhet e gjitha nga konsumatorët, pasi faturimi në TVSH në pakicë do të transferohet në çmime.

Skema

Ja si do të funksionojë skema. Nëse një produkt hyn në doganë me 100 lekë, menjëherë për këtë produkt do të paguhet TVSH 20 % dhe tarifë doganore nëse ka. Kur ky produkt magazinohet ndaj tij faturohet kosto transporti 10 lekë dhe vlera totale me TVSH shkon 130 lekë. Distributori nga ana e tij, në këtë çmim do të llogarisë 20 lekë kosto operacionale dhe 20 lekë fitim. Në total çmimi i produktit shkon në 170 lekë. Më pas kur ky produkt nga distributori shkon te pika e pakicës, çmimi i produktit do të llogaritet çmim final plus TVSH (17 lekë +TVSH 20% që në këtë rast është 34 lekë). Duke qenë se TVSH është paguar njëherë në doganë, distributori do t’i paguajë TVSH shtetit diferencën 34 lekë minus 20 lekë që ka paguar në doganë, pra 14 lekë. Në këtë mënyrë do të funksionojë edhe pakica. Deri më tani TVSH nuk aplikohej në shkallën e fundit. Tani vlera e produktit nga distributori te pika e pakicës shënon 210 lekë. Duke i shtuar koston dhe fitimin prej 30 lekësh që do të ketë ambulanti, i bie që çmimi ndaj konsumatorit të jetë 240 lekë plus TVSH. TVSH në këtë rast është 48 lekë. TVSH që i paguhet shtetit nga biznesi i vogël është 48 lekë minus 34 lekë, pra 14 lekë. 

Efektet

Ekspertët pohojnë se përfshirja në TVSH do të rrisë çmimet për të gjitha produktet dhe shërbimet deri në 20 për qind. Por kjo rrezikon të nxjerrë nga tregu gati 80 për qind të bizneseve të vogla, të cilat nuk do të mund të përballojnë konkurrencën nga qendrat tregtare dhe supermarketet që tashmë shesin me TVSH. Përfshirja e tyre në TVSH do të bëjë që shumë nga këto biznese të kalojnë pragun e xhiros, dhe ky është një shkak tjetër që ata të paguajnë tatimin mbi fitimin.

Ekspertët pohojnë se gjithashtu skema ka kosto shtesë në aktivitetin e bizneseve të vogla pasi ato do të duhet të paguajnë ekonomistët më shumë për mbajtjen e llogarive të tyre. Një biznesi do t’i kushtojë së paku 10-15 mijë lekë në muaj për mbajtjen e llogarive, nga 5 mijë lekë që ishte aktualisht. Kjo reforma shpjegojnë ekonomistët rrezikon të nxjerrë nga tregu 80 për qind të bizneseve të vogla. Kjo hallkë e biznesit ka shumë rëndësi në vetëpunësim. Kjo kategori zë 36 % në strukturën e punësimit në vend.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rrushi i thatë, efektet e jashtëzakonshme në organizëm

Rrushi i thatë është një ndër ushqimet më të pasura me vlera...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.