Rama rriti taksat për të gjithë qytetarët, “oligarkët” nuk paguajnë kurrë taksa

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e rritjes së taksave është bërë një çështje shumë e ndjeshme për qytetarët shqiptarë. Dhe Kryeministri e di fare mirë këtë gjë. Për këtë arsye, në takimet e ditëve të fundit me “popullin” në stil totalisht populist, ashtu sikurse janë vetë këto bashkëbisedime, nuk lë rast pa përmendur se taksat janë rritur vetëm për “oligarkët”.

E vërteta është se, nuk ekziston asnjë dallim midis rritjeve të taksave për qytetarët apo oligarkët, ekziston vetëm rritja e taksave dhe e barrës fiskale totale. Kryeministri e di fare mirë këtë koncept fillestar të ekonomisë, por arsyet politike dhe elektorale të fushatës konstante në të cilën ndodhet e bëjnë të shprehet në këtë mënyrë.

Çfarë domethënë të rrisësh taksat për oligarkët dhe jo për qytetarët?

“Oligarkët” që përmend Kryeministri, nuk janë gjë tjetër përveçse disa biznese të mëdha. Në këtë kuptim, Rama po na thotë që iu ka rritur taksat bizneseve. Mirëpo, edhe një student i vitit të parë të ekonomisë e di që, rritjen e taksave nuk e paguajnë asnjëherë bizneset, por ato shkarkohen te qytetarët, pasi për bizneset taksat janë kosto në bilancin e tyre. Kështu që, nëse rriten kostot e bizneseve nëpërmjet rritjes së taksave, ato nuk i mbajnë për vetë po ua kalojnë këto shpenzime konsumatorëve nëpërmjet rritjes së çmimeve apo në mënyrë të tjera.

Prandaj, të thuash që kam rritur taksat për oligarkët dhe jo për qytetarët është një shprehje që nuk ka asnjë kuptim. Nëse i rrit taksat për oligarkët i ke rritur në mënyrë automatike edhe për qytetarët.

Por, natyra e një shprehjeje të tillë pa asnjë kuptim, është si pasojë e natyrës së “llogaridhënies” së qeverisë ndaj qytetarëve. Nuk mund të jesh racional në takime të tilla, janë thjesht emocionale dhe populiste.

E megjithatë, duket qartë që çështja e taksave e shqetëson shumë Edi Ramën, sepse është një nga gjërat që ka ndikim të drejtpërdrejtë te jeta e qytetarëve, dhe aty, nuk ka strategji komunikimi që të shpëton. Për këtë arsye, kohët e fundit, Edi Rama një pjesë të barrës fiskale ia ka ngarkuar pushtetit lokal ose Lali Erit, por duke e justifikuar këtë rritje të barrës fiskale me punën që po bën ky i fundit në Bashki.

Një nga problemet më të mëdha me të cilat duhet të përballet qeveria Rama dy është pikërisht çështja e barrës fiskale.

Është e vërtetë që disa taksa janë shtuar si pasojë e formalizimit të ekonomisë. Taksa që më parë nuk paguheshin, sot paguhen, por askush nuk mund të mohojë që barra fiskale është rritur. Vetë shprehja e Kryeministrit që taksat janë rritur vetëm për oligarkët e tregon këtë. Sepse, siç e thamë nuk ekziston rritja e taksave për oligarkët, por për qytetarët.

Po të shtosh këtu edhe disa prej shërbimeve që kjo qeveri kërkon t’i bëjë me pagesë, atëherë situata bëhet më e komplikuar. Sepse, në këtë mënyrë qytetarët paguajnë dy herë. Taksa të larta, që presupozojnë shërbimet ofrohen nga shteti, dhe pagesa shtesë për shërbime të ndryshme, siç është ajo e rrugës së kombit. Qeveria duhet të zgjedhë ose njërën ose tjetrën mënyrë. Ose taksa të ulëta dhe shërbime me pagesë, ose taksa të larta dhe shërbime falas të ofruar nga shteti. Të dyja bashkë janë të papërballueshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fushata pas fushatës: Pse i duhet Edi Ramës aksioni pas fitores

Fushata e çuditshme e bashkëqeverisjes me popullin pas fitores së zgjedhjeve dhe...
Read More