Rama: Ruçi kryetar Kuvendi. Do të jem në betimin e Metës

Kryeministri tha se shpresonte që marrëveshja me PD të vijonte, pavarësisht situatës zgjedhore atje. Rama u dha fund spekulimeve për betimin e presidentit më 22 korrik, kur tha se do të jetë në Kuvend

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund spekulimeve për raportin e tij dhe të PS me presidentin e zgjedhur Ilir Meta. Kreu i socialistëve edhe pse e cilësoi Metën një President që tashmë vjen qartësisht nga radhët e opozitës, ka deklaruar gjatë intervistës së tij në “Top Story” se ai as që e ka vënë në diskutim se do të jetë i pranishëm në seancën plenare të Kuvendit, më 24 korrik kur Meta do të betohet si President. Rama po ashtu ka deklaruar qartësisht se vendin e Metës në krye të Kuvendit do ta zërë Gramoz Ruçi. “Për mua 100 për qind po, vetëm se ka shumë mundësi të më vijë pas emisionit telefonata që të më thotë nuk më ke pyetur mua”, -tha Rama duke e lënë në dorë të Gramoz Ruçit vendimin përfundimtar.

Qeverisja

Kryeministri Edi Rama tha se fitorja e plotë e PS është në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi e plotë. “Unë e kam përjetuar si një peshë të madhe përgjegjësie që nuk është se zvogëlohet, por ndihet gjithmonë e më shumë ditë pas dite. E besoj thellësisht që fitorja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa e imja është barra e përgjegjësisë”, -tha Rama. Po si do të jetë qeverisja e Ramës dhe me kë do të qeverisë ai? “Ne do të kemi një qeveri të re në shtator dhe ajo që thashë vlen më shumë se sa emrat, për të cilët nuk kam menduar pasi besoj shumë te mënyra si ndërtohet një sistem, jo emrat”, thotë kryeministri. Por ajo të cilën ai e ka deklaruar prerë do të jetë një reformë e thellë strukturore e qeverisjes. “Ka ardhur koha që ne mund të bëjmë atë që kam thënë para 4 vitesh që nuk do të ketë më ALUIZNI veç, hipoteka veç dhe Agjenci Kthimi Pronash veç. Do të punojmë që çdo qytetar që shkon në një zyrë për të marrë një shërbim”, -tha Rama.

Bashkëpunimi

Rama tha se do të bashkëpunojë me të gjithë forcat politike, përfshirë edhe Tom Doshin. Sipas tij nuk ka më mundësi për të humbur energji me luftë politike të pakuptimtë. “Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë sepse për mua është mbi të gjitha e rëndësishme që të çojmë përpara një proces ku fiton Shqipëria, shqiptarët. Nuk jam i interesuar për luftëra dhe konflikte, polemika dhe ndërkohë edhe unë vetë kur them që duhet të shohim nga vetja, të kërkojmë çfarë mund të përmirësojmë te vetja. Ne duhet që të mobilizojmë maksimumin dhe ta gjejmë këtë te vetvetja. Për sa më takon, ne do të kemi dorën e shtrirë të bashkëpunimit në mënyrë konstante dhe politika që do të bëjmë do të jetë politikë e punës. Ne do të flasim me punë”, -tha Rama.

Taksat dhe investimet
Kryeministri Edi Rama tha se do të nisë të plotësojë premtimet për taksat që në paketën fiskale të vitit që vjen. Fjala është së pari, për uljen e taksës së dividentit në 6 për qind siç është premtuar në fushatë. Por Rama ka shtuar se ai do t’i qëndrojë taksës progresive dhe se ajo nuk do të preket. “Ajo që ne garantojmë është se rritje të taksave nuk do të ketë, do t’i mbajmë kështu siç janë se më poshtë nuk kanë ku të shkojnë më”, -tha Rama. Ndërkohë sa u takon investimeve Rama tha se në muajin shtator do të nisë zbatimi i projektit të rrugës së Arbrit. Sipas tij, me paketën “1 miliard” do të investohet edhe për shumë rrugë të tjera, si edhe për shkollat dhe shëndetësinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jane Austen: Krenaria dhe paragjykimet, një “shembull i keq”?!

Është historike mbledhja e tre autorëve të famshëm për të kujtuar shkrimtaren...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.