Rama: Shfaqjen e dha opozita, faturën e merr Shqipëria


Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se opozita dha një shfaqje të turpshme, me qëllim bllokimin e reformës në drejtësi. Rama tha se faturën e merr në shpinë Shqipëria.

“Dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve, pa dallim, por edhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, të shfaqjes së dëshpëruar për bllokimin e reformës në drejtësi.

Shfaqjen e sotme e dha opozita, por faturën e merr e gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim dhe nuk meriton as baltën, as tymin e kësaj opozite, e cila prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e reformës në drejtësi.

As kërkesat e SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim nuk mjaftuan për të sjellë opozitën në tryezën e dialogut.

Zgjedhja e Prokurorit të Përkohshëm me vetëm votat tona, ishte plotësisht kushtetuese, e konfirmuar shkresërisht nga misionet e BE dhe SHBA, që miratojnë prej ditës së parë procesin e reformës në drejtësi.

Por nuk ishte zgjidhja e dëshiruar prej meje. Ne kërkuam dialog me opozitën deri në fund. Për ne kishte rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim bashkërisht me opozitën.

Jemi në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, presim çeljen e negociatave për anëtarësim. Çdo shfaqje bashkëpunimi është një pikë e fituar dhe çdo shfaqje si ajo e sotmja janë një pikë e humbur.

Opozita zgjodhi rrugën e dëshpëruar të baltës dhe tymit, ku siç janë të gjithë dëshmitarë, nuk kurseu as përfaqësuesit e SHBA dhe BE, duke akuzuar vetë ambasadorin e SHBA për konflikt interesi në këtë çështje, i akuzuar për korrupsion nga ish-kryeprokurori tashmë.

Adriatik Llalla është i pari që largohet nga detyra pa asnjë konflikt me shumicën.

Maks Haxhia, Arben Rakipi, Dhori Sollaku, Ina Rama, janë zgjedhur me miratimin e Sali Berishës, dhe të gjithë u masakruan publikisht, u shanë, fyen, baltosën nga po Sali Berisha dhe partia e tij sepse u munduan të bëjnë detyrën duke respektuar detyrën dhe ligjin.

Llallën dua ta falenderoj sot publikisht, prokuroria në më shumë se një rast ka vepruar kundër eksponentëve të PS, nuk u sulmua kurrë nga qeveria që unë drejtoj.

Ne kurrë nuk e përdorëm fuqinë e pushtetit për të bërë presione të hapura ose të fshehta ndaj organit të akuzës.

Për ne nuk ka dy standarde, nuk ka dy drejtësi, pavarësisht faktit se ai pushtet është i korruptuar deri në palcë dhe është pjesë e një reforme që ka nisur dhe nuk e ndal askush as me baltë, as me thirrje të dëshpëruara kundër reformës në drejtësi.

Ka dy vjet që bëhemi gaz i botës. I vetmi rast unik në historinë e procesit të integrimit kur opozita dhe jo shumica, i kundërvihet reformës në drejtësi,” tha Rama.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Cilat janë sëmundjet që ju kanosen në qoftë se nuk merrni mjaftueshëm vitaminë D

Me siguri keni lexuar nëpër artikuj të ndryshëm që mosmarrja mjaftueshëm e...
Read More