Rama shpall projektin ‘PS+’: Pasardhësi duhet ta fitojë parinë


Kreu i qeverisë ka zhvilluar dje një mëngjes pune me gazetarët në Llogara. Rama ka konfirmuar shkurtimet në administratë, ndërsa ka deklaruar se qeveria nuk mund të trajtohej si skuadra kombëtare e futbollit. Ai ka shpallur projektin politik PS+, ndërsa ka thënë se është diskutuar me Bashën për të vijuar takimet periodike

Fundi i mandatit të parë qeverisës të socialistëve duket se ka qenë fundi edhe i asaj që gjatë këtyre 4 viteve u konsiderua si “Rilindja”. Kryeministri Edi Rama ka shpallur dje nga Llogaraja, ku zhvilloi një mëngjes pune me disa gazetarë të medias vizive dhe të shkruar në vend, projektin e ri politik të cilin e quajti si PS+. Megjithëse nuk e ezauroi si ide, ai theksoi se synon që në fund të këtij mandati qeverisës të realizojë këtë projekt, që sipas tij do të garantojë vazhdimësinë e PS-së si një forcë kryesore politike në vend.

“Problemi ynë kryesor sot është që PS-ja të mos bjerë në tundimin që të gllabërojë gjithçka dhe të mbyllet karshi njerëzve. E prandaj ajo që është kryesorja, sot për ne është që ky proces i ri të fillojë edhe si proces i projektit të ri politik. Ne duhet të dalim nga ky mandat me një forcë të re politike, PS plus”, -tha Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, duke lënë të kuptohet se “plusi” është pikërisht hapja e partisë ndaj qytetarëve.

LSI

Gjatë kësaj bisede ai ka folur për marrëdhëniet me ish-aleatin e tij, sot Presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke theksuar se retorika që shoqëroi zgjedhjet e shkuara parlamentare nuk do të ndikojë në vijimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve më të rëndësishme në vend. E këtu ai theksoi se nuk sheh asnjë arsye që Presidenti të nxjerrë probleme në dekretimin e qeverisë së re. “Presidenti tha në një moment pasi u zgjodh, nëse nuk gabohem, se nuk e kam parë vetë, që “gjithçka kam thënë deri në orën 18:00 të datës, nuk e di, nuk e mbaj mend”. Kështu që, as unë nuk e mbaj mend çfarë ka thënë deri në orën 18:00 të asaj date edhe jam i bindur që nuk do të ketë probleme të tilla, nuk diskutohet.

Domethënë, gjithkush gabon, jemi njerëz nuk jemi robotë. Gjithkush gabon. Natyrisht që, ka lloj-lloj nivelesh të gabimeve që mund të kenë, lloj- lloj kostosh, por nga pikëpamja e mënyrës sesi do zhvillohet kjo marrëdhënie unë nuk shikoj shqetësime”, u shpreh Rama. Nga ana tjetër, ai deklaroi se LSI gaboi taktikisht në qëndrimin e saj para zgjedhjeve duke mos pranuar që të dalë në një koalicion me PS-në.

Ai u shpreh i bindur se LSI nëse do ishte në një koalicion me PS-në do kishte marrë më shumë deputetë se sa mori e vetme. “Shkoi në opozitë si rezultat i gabimeve trashanike strategjike të vetat. Nëse ne do të kishim pasur një koalicion dhe nëse Ilir Meta do të kishte rënë dakord, shumë kohë përpara kur ju e dini shumë mirë që unë insistoja që duhej formalizuar koalicioni, sigurisht që rezultati do të ishte tjetër pastaj. Do ishte më i favorshëm për LSI-në për shkak të sistemit, më i pafavorshëm për ne, në aspektin numerik. E nuk do kishim dy opozita, por do kishim një koalicion që do ta bënte të pamundur atë që ne po bëjmë sot”,- deklaroi Rama.

Marrëveshja

Ndërkohë që ai ka folur edhe për marrëdhëniet me PD-në, të cilën e konsideron si forcën kryesore opozitare në vend, por edhe për marrëveshjen e 18 qershorit që i dha fund krizës politike. Rama është shprehur se dëshiron që ajo marrëveshje të vazhdojë të ekzistojë. Për këtë ai është shprehur i gatshëm që t’iu përmbahet pikave të saj dhe të ulet me kreun e opozitës në takime periodike për të diskutuar dhe për t’u marrë vesh për çështjet madhore.

“Jo të përjavshëm, nuk besoj se do jetë nevoja, po edhe nuk është se është diskutuar për një takim të përjavshëm. Është diskutuar për një takim periodik, që mund të jetë i përdymuajshëm, i përtremuajshëm, s’ka nevojë për të përjavshëm dhe po ashtu është diskutuar për të pasur një qasje të re në kuptimin e çështjeve. Kemi pasur shumë kohë të humbur edhe shumë energji të humbura për përplasje të natyrës politike, të natyrës personale që nuk kanë lidhje me çështjet konkrete, me zgjidhjet konkrete. Kështu që në këtë kuptim unë mendoj që është plotësisht e mundur”,- tha Rama.

Por sipas tij, kjo nuk do të pengojë PS-në dhe qeverinë që ta konsiderojë PD-në ashtu si LSI-në si opozitë. “Opozita është dyngjyrëshe sot, por sigurisht që PD-ja është partia kryesore dhe partia opozitare në kuptimin e një kufiri të qartë alternativash, nga pikëpamja e programit, nga pikëpamja e qasjeve për shumë gjëra. Ndërsa partia tjetër është opozitë nga halli po themi, në rastin konkret, po natyrisht është opozitë edhe s’diskutohet që nga pikëpamja e përpjekjes për të komunikuar, për të bashkëvepruar, për të marrë vendime në të mirë të vendit neve bëjmë përpjekje me të dyja opozitat. Nuk diskutohet ajo”,- u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, ai i ka dalë në krah Bashës në debatin brenda partisë, duke theksuar se marrëveshja e 18 majit nuk mund të konsiderohet si tradhti. “Besoj se, nëse Lulzim Basha ka bërë një gjë që s’ka lidhje me tradhtinë dhe s’ka lidhje me dëmtimin e asetit të Partisë Demokratike, është pikërisht marrëveshja”, shtoi kryeministri. Një nga çështjet për të cilat ai pret që të merret vesh me opozitën është edhe çështja e reformës administrative, për të cilën ai pranoi se nuk ka dhënë rezultatet e duhura, të paktën sa i përket ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Mund të ketë vend, po ne do të ishim të gatshëm ta rishikonim për të ulur numrin e bashkive, ata duan ta rishikojnë për ta rritur numrin e bashkive, kështu që këtu s’kemi përputhshmëri fare. Ndërkohë që ka një pikë ku ata kanë të drejtë që niveli i shërbimeve në njësitë administrative ka rënë sipas tyre. Unë nuk mendoj që ka qenë më i mirë në kohën e komunave”,- tha Rama. E ndërsa e konsideron të pamundur mirëkuptimin me dy forcat kryesore opozitare në kuvend, Rama pati tjetër qasje sa i përket PDIU-së, me të cilën ai shikon mundësi bashkëpunimi.

Qeveria

Kreu i qeverisë foli edhe për çështjen e kabinetit të ri qeveritar dhe sfidat e tij. Kështu, ai ka deklaruar se ideja e një kabineti të vogël ishte diskutuar gjatë, ndërsa tha se emra të njohur, përfshi edhe Saimir Tahirin mbetën jashtë qeverisë për të fuqizuar jetën parlamentare dhe atë partiake. “Kjo nuk është si puna e skuadrës kombëtare të futbollit. Nuk është qeveria seleksioni i atyre që do hyjnë në fushë e të tjerët janë në stol, sepse ne kemi nevojë shumë të madhe që t’i kemi të fortë të tre komponentët, edhe partinë, edhe grupin, edhe qeverinë. Nëse komponenti i grupit do të na dobësohej e një pjesë e kapaciteteve tona, që fare mirë mund të ishin ministra nuk do të investoheshin për grupin, ne do të kishim problem shumë të madh. Jo thjesht për përmasën e grupit, por dhe për vetë qeverinë”,- deklaroi Rama.

Ai ka mbrojtur edhe shkurtimet e disa ministrive, përfshi edhe atë të Integrimit, duke theksuar se për këtë çështje do të ketë një zëvendësministër që do të angazhohet totalisht në koordinimin e institucioneve në plotësimin e detyrave që lindin nga procesi i integrimit. “Në këtë rast, ne thjesht do ta spostojmë të gjithë pjesën e problematikave të integrimit që kanë të bëjnë me koordinimin e të gjithë dikastereve dhe me përgatitjen e negociatave, te Ministria e Jashtme dhe është një praktikë që e kanë pasur disa vende”, tha Rama duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se në momentin e hapjes së negociatave të anëtarësimit do të emërohet një kryenegociator. Kryeministri Rama ka shprehur edhe një herë qëllimin se në këtë mandat të dytë administrata shtetërore do jetë më e vogël, duke paralajmëruar shkrime.

“Unë besoj që do jetë më e vogël. Jo shumë më e vogël, sepse e thashë, ne kemi një numër punonjësish, më të voglin në rajon. Bëmë goxha shkurtime në 2013, por përsëri do bëjmë shkurtime sepse bashkimi i Ministrisë së Financave me Ministrinë e Ekonomisë dhe komponentit të Punës te mirëqenia nuk do të thotë që do bashkohen mekanikisht të gjitha bashkë e të jenë si federatë ministrish. Do jetë një ministri, kështu që do funksionoje si një ministri dhe faktikisht numri do shkurtohet në mënyrë drastike”, u shpreh Rama. Në fund ai ka folur edhe për pasuesin e tij në drejtimin e PS-së në momentin që ai do të largohet, duke bërë të qartë se ai që do kërkojë ta pasojë do duhet ta fitojë atë vend.

“S’është mbretëri dhe unë nuk kam trashëgimtar për Partinë Socialiste. Kur të vijë koha Zaho do ta vendosë vetë nëse do të jetë i interesuar për politikë apo jo, kështu që Partia Socialiste nuk trashëgohet, fitohet. E pavarësisht, d.m.th. për shkak të detyrës të eksperiencës, të leximit të gjërave në mënyrë të caktuar, sot, së brendshmi njëherë, por edhe faktikisht se marrëdhënia ime me Fatos Nanon është me një cilësi komplet tjetër nga ajo që ishte deri përpara disa kohësh, e vërteta është që unë nuk e kam marrë Partinë Socialiste në trashëgim. Kështu që kush do vijë mbrapa duhet ta fitojë, s’mund ta marrë në trashëgim”,- deklaroi Rama.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Republika e legalizimeve

Nga Gentian Kaprata  -Memo Sovranit Këtë të martë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.