Rama: Sivjet e mbyllim ‘filmin’ e kanabisit! Do pastrojmë detin

Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët në Velipojë, deklaroi se ky është viti ku i jepet fund atij që e quajti “film” të kanabisit.

“Jemi në një fazë përmbyllëse të kësaj beteje dhe ne faktikisht e kemi fituar këtë betejë, të dhënat janë kokëforta dhe propaganda është propagandë. Dhe përpjekja që bëhet për ta shpërndarë gjithandej këtë lloj propagande është përpjekje pak e turpshme. Sot jemi në kushtet që siç e konfirmojnë partnerët tanë territori është krejtësisht e pastruar nga kjo mortje. Të gjitha këto që ndodhin në pikëpamje të transportit dhe luftës që zhvillohet për të penguar trafikuesit është një inerci që do vazhdojë dhe për një kohë të shkurtër dhe do të minimizohet dhe kjo. Kjo është një histori që nuk do të përbëjë më asnjë lajm dhe asnjë aktualitet”.

Një koment kryeministri e pati edhe për deklaratën e Ambasadores së BE, Romana Vlahutin, e cila e cilësoi luftën ndaj kanabisit si një nga kushtet për hapjen e negociatave.

Ka thënë thjesht që kjo temë është një temë e rëndësishme që do të konsiderohet patjetër edhe në momentin kur do të vazhdojë procesi për hapjen e negociatave. Nuk është çështje kushti por konstatime që lidhen me gjendjen e vendit. Unë nuk e shoh atë që tha Ambasadorja asht siç e kanë komentuar por thjesht si një vendosje të një çështje në qendër të vëmendjes duke pasur parasysh që edhe KE dhe BE janë të mirëinformuar në kohë reale që progresi i bërë në këtë aspekt është i jashtëzakonshëm dhe që ky vit e mbyll këtë film. Kush ka hyrë në këtë rol për të luajtur në këtë film duhet të gjejë rol tjetër pasi ky film mbaron këtë vit”.

Kreu i qeverisë tha se me shumë mundësi, Emergjencat Civile do të kalojnë te Ministria e Mbrojtjes pasi “kanë nevojë për ristrukturim”.

Në lidhje me turizmin, Rama deklaroi se “ka shumë aspekte që kërkojnë adresim dhe besoj se vitin tjetër do të ketë një turizëm më cilësor në shumë aspekte”. 

“Do të mbyllet problemi i derdhjes së ujrave të zeza në det. Është një investim jo i madh për hotelet. Nëse vazhdojnë të hedhin ujrat e zeza në det, nuk do të kenë mundësi të presin klientë. Do të ngremë një sistem pastrimi të ri për të gjithë vijën bregdetare, që do të ketë bashkitë partnere dhe nuk ua lë vetëm bashkive përgjegjësinë”, theksoi Rama.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arratia e drejtuesve të policisë, akti i fundit i një procesi të dështuar

Nga Ervis Iljazaj Lajmi i arratisjes të disa ish-drejtuesve të policisë, për...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.