Rama: Ulje të çmimit të energjisë, kompensim TVSH për të varfrit



Edi RamaKreu i qeverisë ka paralajmëruar dje se pritet që si pasojë e suksesit të Reformës në Drejtësi, të bëhet dhe një ulje e çmimit të energjisë. Ai nuk ka dhënë afate, por ka folur për plotësim të një premtimi elektoral

Kryeministri Edi Rama nuk ka përjashtuar mundësinë që çmimi i energjisë vitin e ardhshëm të ulet.

Nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me fushatën e ardhshme elektorale, por ai gjatë një takimi ku u inaugurua qendra e re e Dispanserisë së Energjisë, bëri të ditur se çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë do të pësojë ulje.

Sipas tij, si pasojë e reformës në fushën e energjisë, situata ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm, duke ulur ndjeshëm humbjet dhe duke rritur po ashtu arkëtimet.

Ndaj, ka shtuar ai, fitimi dhe suksesi i arritur në këtë drejtim duhet të përkthehet edhe në përfitime për vetë konsumatorët dhe ekonominë e vogël familjare.

Kjo, si nëpërmjet një shërbimi dhe furnizimi më të mirë me energji, ashtu edhe me politika favorizuese të uljes së çmimit.

“Ne jemi gjithashtu shumë krenarë për faktin se e bëmë këtë reformë pa e rritur çmimin e energjisë. Fakt ky, i konstatuar botërisht nga organizma ndërkombëtarë. Fakt ky, i konstatuar publikisht edhe nga ERE, në një analizë profesionale të qartë: Nuk është rritur çmimi i energjisë, përkundrazi, ka pësuar një ulje të lehtë. Por a mjafton? Nuk mjafton. A jemi të kënaqur? Absolutisht jo. Ne duam të shkojmë më tutje; duam të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit dhe drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë së konsumatorëve familjarë”, – tha Rama, por pa bërë të ditur se kur do jetë koha që do të zbatohet një politikë e tillë dhe se cila do jetë ulja konkrete.

Gjithsesi, nisur pikërisht nga ajo që ai u shpreh lidhur me përmbushjen e premtimit për TVSH e energjisë, rezulton se kemi të bëjmë me kompensimin e saj për familjet e varfra.

Më konkretisht, në programin politikë të PS-së të vitit 2013, lidhur me çmimin e energjisë, theksohet “kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër”.

Ndërkohë që sa i përket vendimmarrjes, ajo pritet të merret në fund të vitit, atëherë kur ERE shqyrton edhe kërkesat e operatorëve sa i përket çmimit të energjisë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se gjendja e sektorit në këta 32 muaj ka ndryshuar rrënjësisht.

“Reforma tarifore në sistemit elektroenergjetik, zgjidhja me dinjitet, por edhe me seriozitet përpara gjithë partnerëve ekonomikë në treg, e konfliktit me CEZ-in dhe operacioni historik për të vendosur në binarët e ligjshmërisë marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes, na kanë sjellë në një pozicion jashtëzakonisht më të favorshëm. Jemi krenarë për këtë, por kjo nuk do të thotë që jemi të kënaqur”, -tha Rama.

Prandaj theksoi ai, një tjetër lëshim që qeveria do bëjë në drejtim të konsumatorëve është edhe heqja e aforfe-s.

“Për vitin 2015, konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë për nivelin deri në 300 kw është ulur në 42%. Ja se çfarë ka sjellë heqja e fashës! Kemi shumë për të bërë dhe mezi pres që brenda qershorit t’ju japim shqiptarëve një lajm që e kanë pritur 25 vjet. Do të paguajnë atë që konsumojnë dhe faturat aforfe nuk do ekzistojnë më. Është një lajm me rëndësi të madhe, jo thjesht ekonomike, por mbi të gjitha me një rëndësi të madhe për barazinë përpara ligjit dhe detyrimeve të secilit. Nuk mundet të ndërtojmë një shtet serioz dhe të bëhemi një vend serioz, me një shoqëri serioze, me fatura aforfe dhe duke i faturuar dikujt që është i rregullt, më shumë sesa ka konsumuar”, -u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, ai theksoi se një pjesë e këtij suksesi do të përkthehet edhe në më shumë investime në rrjet.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Nga Pacolli te Kouchner: 10 vite UET në 10 “Honoris Causa”

Cilat janë personalitetet shqiptare e ndërkombëtare që janë nderuar me titullin më...
Read More