Raporti i Freedom House rihap me themel çështjet e demokracisë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Pasi kaluan disa vite nga tranzicioni, shumë prej nesh menduan se disa çështje të rëndësishme të tij morën zgjidhje përfundimtare, duke filluar që nga gara politike, qeverisja e vendit në mënyrë institucionale, alternativa opozitare apo vendosja e drejtësisë njëherë e përgjithmonë. Raporti i djeshëm i Freedom House, na solli edhe njëherë me këmbë në tokë, duke na kujtuar se gjendja e demokracisë shqiptare është në stanjacion, ose e thënë ndryshe, paraqitet me të njëjta probleme, të cilat kanë nevojë për t’u rishqyrtuar nga e para. Pra, si të thuash jemi në pikën zero.

Shumë politologë, panoramën që paraqet Freedom House për Shqipërinë, e quajnë me termin frozen democracy (demokraci të ngrira), term i cili nënkupton vende ish-komuniste që paraqesin po të njëjtat probleme si në momentin e ndryshimit të regjimit nga totalitar në demokratik.

Nëse shohim me kujdes të gjithë raportin e Freedom House, problematikat që ai paraqet për Shqipërinë, janë po të njëjtat. Problemi i pavarësisë së drejtësisë, autoritarizmi kryeministror apo korrupsionin të cilin sipas atij raporti është në krye të shtetit shqiptar, janë problematika që kanë shoqëruar gjatë gjithë tranzicionit politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Megjithatë ky raport duhet marrë me rezervat përkatëse, pasi në pjesën më të madhe të tij bazohet në opinioni dhe perceptimi dhe pa asnjë studim shkencor domethënës. Për shembull shkruhet në këtë raport që: sipas mendimit të disa qytetarëve, Presidenti i Republikës simbolizon korrupsionin politik në Shqipëri.

Vetëm nga kjo fjali e kupton që, përtej rëndësisë që mund të ketë ky raport, ngjan më shumë me një opinion sesa një e vërtetë absolute.

E megjithatë, është një opinion që përputhet me pjesën më të madhe të opinionit publik.

Sepse, të gjitha çështjet që shtron si problematika janë çështje që qëndrojnë. Raporti ka rikthyer në qendër të vëmendjes rrezikun e autoritarizmit, duke u nisur nga ideja e një partie në pushtet. Në fakt, që kur Rama e kërkoi pushtetin e vetëm kishte një shqetësim për këtë rrezik që i kanosej qeverisjes. Në një realitet si ai shqiptar, një parti e vetme në pushtet mund të qëndrojë dhe është një plus për qeverisjen e vendit pasi rrit vendimmarrjen dhe si pasojë llogaridhënieje, mund të jetë e mundur vetëm me një drejtësi të pavarur. Edhe kjo një nga çështjet e trajtuara në raportin e Freedom House, i cili nën shembullin e çështjes Tahiri shprehej skeptik për pavarësinë e saj.

Kohët e fundit, drejtësia ka hapur disa hetime për pushtetarët të ndryshëm, por që janë të gjithë ish-pushtetarë, dhe deri më tani asnjë nga radhët e mazhorancës. Për të na bindur dhe për të hedhur poshtë pretendimet e raportit, organet e reja të drejtësisë do të duhet të hetojnë pa dallim ngjyre politike, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.

Prandaj, për të gjitha këto arsye, raporti i Freedom House, edhe pse nuk është një studim shkencor, ngre përsëri pikëpyetje të mëdha për realitetin politik shqiptar. Realitet i cili duket në stanjacion në të gjitha drejtimet, dhe me problematika të cilat nuk po arrijmë t’i kapërcejmë. Ky stanjacion ka bllokuar dhe dialektikën politike. Duket sikur politika shqiptare nuk mund të prodhojë më asgjë, dhe i vetmi lajm politik mund të vijë nga drejtësia.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pas ishemive, aksidenteve dhe tumoreve, terapitë që përmirësojnë të folurën

Logopediste Antigoni Bullari: Ndërhyrja e vonë te këta të sëmurë, mund të...
Read More