Raporti i KE: Luftoni krimin e korrupsionin , arrestoni “peshqit e mëdhenj”

“Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por kushtëzon ecurinë e këtyre negociatave me mbarëvajtjen e mëtejshme të Reformës në Drejtësi, të procesit të vettingut si edhe me betejën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kërkesat janë të renditura në raportin prej 37 faqesh, që pritet të publikohet sot, ku pasi thuhet se është bërë përparim në pesë prioritetet kyçe, kërkohet angazhim i plotë në kërkesat e mësipërme duke vënë në dukje se korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. Në këtë drejtim edhe KE ka si kërkesë arrestimin e zyrtarëve të rangjeve të lartë të cilët e ushqejnë korrupsionin, këtë dukuri gërryese në Shqipëri.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar

Duke u ndalur tek korrupsioni dhe krimi i organizuar, përfshirë këtu edhe kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, Komisioni vëren se gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje, por thotë se duhet më shumë punë për çmontimin e grupeve kriminale, ndëshkimin e krerëve të këtyre grupeve dhe pastrimin e parave. “Përgjithësisht ka patur një progres gjatë kësaj periudhe, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit (2017). Shqipëria duhet të përshkallëzojë punën në konfiskimin e pasurive kriminale dhe të vazhdojë me sekuestrimin dhe shkatërrimin e të gjithë hashashit të mbetur stok në vend. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë ka vend për përmirësim dhe ka patur pak progres në çmontimin e grupeve kriminale, numri i të dënuarve si koka të grupeve kriminale vazhdon të jetë shumë i ulët. Më shumë përpjekje nevojiten në luftën kundër pastrimit të parave, për goditjen e aseteve kriminale dhe të pasurive të pajustifikuara”, thuhet më tej në raport. Edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, Komisioni njeh pak përparësi.

“Progres domethënës u krye me amendimet e Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir organizmash antikorrupsion, përfshirë edhe një prokuror të posaçëm pritet të ngrihen. Numri i të dënuarve mes zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm u rrit në krahasim me periudhat e mëparshme. Ndëshkimi i korrupsionit në rangun e zyrtarëve të lartë ndodhi përgjithësisht në sistemin e drejtësisë, megjithatë, numri i të dënuarve mbetet mjaft i ulët. Korrupsioni mbetet prevalues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, vëren KE.

Pesë prioritetet

Ruajtja dhe thellimi i këtij momenti reformash në fushën kyçe të sundimit të ligjit, e veçanërisht 5 prioriteteve kryesore, dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete e të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, pra procesi i vettingut, do të jenë vendimtare për progresin e mëtejshëm të vendit. Në mbështetje të kësaj, vazhdon dokumenti, Komisioni Europian do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit. E njëjta formule sipas EUObserver do të përdoret dhe për Maqedoninë, por rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha gjigantit mediatik gjerman DW se po të implementohet siç duhet reforma e thellë shqiptare e gjyqësorit, ajo do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar mes shteteve në procesin e zgjerimit, e ndoshta edhe më serioze se në rastin e disa vendeve anëtare të BE. Në vlerësimet e tij Komisioni Europian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në fillim të vitit, kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker e pat pohuar se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës.

Reforma në Drejtësi

“Duke marrë parasysh progresin e bërë, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë për të ruajtur dhe thelluar ritmin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, sidomos rreth pesë prioriteteve kyçe dhe rezultateve konkrete gjatë vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm”, thotë raporti i Komisionit.

Në raport vlerësohet ecuria në reformën në drejtësi dhe aty reflektohen të gjitha zhvillimet kryesore, që nga nisja e procesit të vettingut. Komisioni përmend dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të profilit të lartë, mes të cilëve ishte edhe një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas Komisionit, reforma në administratën publike për rritjen e profesionalizimit, efikasitetit dhe sidomos depolitizimit të saj ka ecur me hapa të kënaqshëm.

Basha, mesazh nga Berlini

Kryetari i Partisë Demokratike pas takimeve në Bundestagun gjerman u shpreh se ka kërkuar mbështetjen e grupit CDU-CSU për hapjen e negociatave. “Jemi në Bundestag, ku zhvilluam takime me ekspertët e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Nga zyra e Kancelares Merkel te grupi i CDU-CSU gjerman kërkuam mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendim i cili do të merret pas rekomandimit të Komisionit Europian. Kjo është edhe një përpjekje e shtuar për të plotësuar kriteret e paplotësuara në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, të reformës në drejtësi, reforma e administratës publike, por edhe të të drejtave të njeriut. Në emër të PD kemi garantuar ta shohim këtë si proces, i cili mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit nga krimi. Për të çliruar ekonominë nga monopolet”, -tha Basha. Mesazhi i Bashës erdhi pas një deklarimi politik të bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se shpreson të flasë mirë për vendin e vet. “Unë iu përgjigja pyetjes së koleges tuaj që më informoi që zoti Basha është në Berlin për takime me përfaqësues të politikës gjermane dhe nisur nga ky fakt dua të them që do të ishte mirë që si çdo politikan shqiptar, qytetar i përgjegjshëm shqiptar kur të flasë në anglisht apo gjermanisht të flasë për të mirën e vendit të vet”, -tha Balla.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debati për “Çmimin Kadare”: Kontestimet dhe kritika e munguar

Në katër vite jetë çmimi letrar Kadare ka provokuar debate mbi letërsinë...
Read More