Raporti i OSBE/ODIHR: Marrëveshja garantoi garë të lirë, jepini fund blerjes së votës 

Raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit evidenton sërish një problem që mbetet ende i pazgjidhshëm në çdo palë zgjedhje; blerjen e votës.

Megjithatë, ajo e shoqëron këtë fenomen bazuar mbi akuza të shumta.

“…Fushata u karakterizua nga akuza të shumta të blerjes së votës, shqetësime mbi abuzimet me resurset shtetërore dhe presione për vendin e punës në këmbim të votës. E gjitha kjo uli ndjeshëm besimin e publikut”, thuhet në raport.

Në raport evidentohet edhe një problematikë tjetër që lidhet me shqetësimin se, “individë me të kaluar kriminale kanë luajtur rol sinjifikues gjatë fushatës, qoftë si kandidatë, qoftë si mbështetës”.

Raporti i vëzhguesve citon se zgjedhjet u zhvilluan pas një marrëveshjeje politike midis PS dhe PD-së që siguruan pjesëmarrjen e opozitës. Sipas vëzhguesve, garuesit ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe liritë themelore u respektuan.

Raporti evidenton se dita e zgjedhjeve vazhdoi në mënyrë të rregullt, megjithatë parregullsi janë vërejtur.

Sipas vëzhgimeve, rezulton se ka pasur mosverifikim të bojës shënuese në mbi 25 për qind të rasteve të vëzhguara, mosvendosje e bojës në gisht në 12 për qind të rasteve të vëzhguara, votim në grup në rreth 11 për qind të rasteve të vëzhguara, si dhe votim për të tjerë në 5 për qind të rasteve të vëzhguara. Raporti vëren se persona të paautorizuar kanë qenë prezentë në 10 për qind të qendrave të vëzhguara, ndërsa janë vërejtur ndërhyrje në proces nga vëzhguesit e partive në 8 për qind të qendrave të vëzhguara.

Vëzhguesit provuan votim negativ në të paktën 7 për qind të qendrave të vëzhguara, kryesisht bazuar mbi procedura jo të rregullta dhe influenca e vëzhguesve të partive në proces.

Sipas raportit, sekreti i votës mund të jetë komprometuar në 4 për qind të qendrave të votimit të vrojtuara për shkak se ambientet e votimit ishin joadekuate për kryerjen e votimit, si rezultat i hapësirave të vogla dhe të mbipopulluara.

Për më tepër, sekreti i votës nuk ishte gjithnjë i siguruar në 10 për qind të vëzhgimeve ku votuesit shënuan votën jashtë kutisë së votimit, dhe në 6 për qind të vëzhgimeve, votuesit nuk i kanë hedhur votat e tyre siç e kërkon ligji.

Shqetësimet lidhen me hartimin e fletëve të votimit, të cilat vazhdojnë të përmbajnë

një bar kod një numër serial vijues, duke dhënë një mundësi teknike për të lidhur një votë të caktuar me votues të veçantë.

Raporti citon gjithashtu se në shumë raste vëzhguesit e partive mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç shënoheshin në listat e votuesve.

Për pasojë, në kapitullin e fundit të rekomandimeve, (por i pari për nga rëndësia), vëzhguesit e OSBE/ODIHR nënvizojnë se, shteti duhet të garantojë të drejtën për zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. “Çdo formë e presionit për të zbuluar

se si votuesit kanë ndërmend të votojnë ose se si kanë votuar duhet të parandalohet”, thuhet në raport.

Sipas raportit, autoritetet duhet gjithashtu të ndërmarrin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR.

Volitet gjithashtu përpjekje për të adresuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi dhe ndjekjeve penale, në mënyrë që të rritet besimi në procesin zgjedhor.

Raporti rekomandon se duhet angazhim konkret nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës. “Përveç kësaj, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me një të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve”, thuhet në raport.

Edhe qeveria ka detyrat e saj. Në raport thuhet se ajo duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve për të luftuar abuzimin e burimeve shtetërore dhe presionet lidhur me punësimin.

“Qeveria duhet të konsiderojë krijimin e një organi transparent, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, me detyrën dhe kompetencën për të vepruar nëse raste të tilla vihen re në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Një strukturë e tillë mund të përsëritet në nivel rajonal dhe të krijohet në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në raport.

Sipas vëzhguesve, ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

Duhet gjithashtu të merret në konsideratë futja e mekanizmave alternativë për emërimin e KQV-së dhe anëtarëve të ekipit të numërimit, kur partitë politike nuk propozojnë kandidatët e tyre.

Pas publikimit të raportit secila prej palëve politike ka reaguar sipas këndvështrimit të saj politik.

“…Raporti i sapopublikuar i OSBE-ODIHIR për zgjedhjet e qershorit konfirmon se në këto zgjedhje vota e qytetarëve u kërcënua, u dhunua dhe u ble.

OSBE pohon se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të mungesës së thellë të besimit të qytetarëve te procesi zgjedhor dhe mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira…”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha në faqen e tij në Facebook.

Ndërsa kryeministri Edi Rama komentoi: “Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Qershorit rrëzon katërcipërisht alibitë e humbësve”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Neo-komunistët shqiptarë në shërbim të kapitalizmit

Nga Klementin Mile Neo-komunizmi në Shqipëri është stil jetese. Si i tillë, ai...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.