Raporti i plotë: 1100 punësime gjatë fushatës zgjedhore

Ministrat e dorëhequr kanë publikuar dje raportin e plotë prej 129 faqesh për monitorimin e zgjedhjeve. Raporti konstaton se gjatë zgjedhjeve pati 3.600 lëvizje në kundërshtim me ligjin në administratë gjatë fushatës, rreth 1100 emërime dhe afro 110 raste të krimeve elektorale. Në të evidentohet përdorimi i policisë dhe lidhjet me grupe kriminale që ndikuan në zgjedhje, si dhe përdorimi i aseteve publike. Ministri i MSR-së përdori 7500 litra karburant

Shtatë ministrat teknikë që zyrtarizuan dje aktin e tyre të dorëheqjes kanë bërë dje publik edhe raportin e tyre mbi monitorimin e procesit zgjedhor dhe të sjelljes së administratës dhe aseteve publike gjatë fushatë elektorale. Raporti prej 129 faqesh dhe që shoqërohet me një sërë tabelash të tjera informuese, evidenton që në krye të tij se, nga të dhënat jo të plota dhe të pjesshme, rezulton se gjatë zgjedhjeve pati shitblerje të votës dhe përdorim për qëllime elektorale të administratës dhe burimeve financiare të institucioneve shtetërore. Raporti përmend 3.600 lëvizje në kundërshtim me ligjin në administratë gjatë fushatës, rreth 1100 emërime dhe afro 110 raste të krimeve elektorale. Por siç edhe vihet re nga të dhënat që jep ky raport, rastet e evidentuara përveçse janë shumë të pakta, janë në shumicën e rasteve të paprovuara dhe që burimin e tyre e kanë vetëm në denoncimet e ndryshme që kanë ardhur në drejtim të Task-Forcës. Për këtë “dështim” ministrat teknikë kanë sjellë në raport si shkak disa arsye që ndikuan drejtpërdrejt në mosarritjen e qëllimit për të cilin edhe u ngrit kjo Task-Forcë. Por pavarësisht se raporti që mban firmën e zëvendëskryeministres, Ledina Mandia, u paraqit si një produkt i Task-Forcës së zgjedhjeve, qeveria dje e ka konsideruar atë raport të paligjshëm pasi ai nuk është miratuar nga anëtarët.

Pengesat

Që në krye të tij raporti “Mandia” për zgjedhjet dhe që u është shpërndarë edhe partnerëve ndërkombëtarë, paraqet plot 5 arsye që çuan Task-Forcën në mosarritjen e qëllimit për të cilin u krijua. Sipas këtij raporti kjo strukturë kishte në dispozicion vetëm 20 ditë për realizimin e monitorimit dhe koha e shkurtër pamundësoi një monitorim efektiv, duke penguar në këtë mënyrë parandalimin e abuzimeve me pushtetin dhe pasojave të tjera negative në zgjedhje. Gjithashtu theksohet se, Task-Forcës nuk iu vunë në dispozicion mjetet e nevojshme financiare apo logjistike, për të kryer një proces real monitorimi. “Të gjitha këto shkaqe, bënë të vështirë, deri në pamundësi, përmbushjen e misionit të ngarkuar”, thuhet në raport. Gjithashtu, në këtë material voluminoz thuhet se në mbledhjet e Task-Forcës nuk kanë marrë pjesë në asnjë mbledhje Ministrat e mazhorancës, anëtarë të Task-Forcës, si dhe përfaqësuesi i Prokurorisë dhe KQZ, në cilësinë e subjekteve të ftuara. Gjithashtu, zëvendëskryeministrja e dorëhequr thekson se një arsye tjetër që bëri të pamundur arritjen e qëllimit të Task-Forcës ishte se informacioni nuk është përcjellë në formën e kërkuar dhe në cilësinë e duhur dhe në disa raste ka rezultuar i pavërtetë, duke penguar diskutimin e problematikave në mbledhjen e Task-Forcës sa i takon objektit të monitorimit. Ndërkohë që raporti thekson se ministrat teknikë janë përballur me mungesë të vullnetit politik të demonstruar nga pengesa artificiale në ushtrimin e detyrës së tyre në funksion të monitorimit, të krijuar nga nëpunës civil apo funksionarë politikë, të cilët kishin si qëllim të pengonin punën e ministrave. “Gjejmë me vend të theksohet se fryma e marrëveshjes politike në nivel të lartë është përcjellë me mosbesim të theksuar në nivele më të ulëta, konkretisht në rang zëvendësministrash dhe nëpunësish civilë të nivelit të lartë e të mesëm duke krijuar situata artificiale konfliktesh dhe mosbashkëpunimi, duke penguar kështu drejtpërdrejt arritjen e qëllimit të marrëveshjes politike”, thuhet në raport.

Zgjedhjet

Nga procesi i monitorimit të veprimtarisë së administratës gjatë fushatës zgjedhore nga ana e Task-Forcës ka rezultuar se janë angazhuar në mënyrë masive burime të dyshimta financiare në shitblerjen e votës nga subjekte politike të mazhorancës ose persona të lidhur me këto subjekte, e raportuar kjo nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkohë që Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave nuk ka raportuar raste të tilla. Raporti thekson se kursi i këmbimit i monedhës Euro kundrejt asaj Lek, referuar Bankës së Shqipërisë, filluar nga data 19.05.2017 ka pësuar rënie domethënëse deri në datë 27.06.2017, pas të cilës ka nisur përsëri rivlerësimi i Euros, duke arritur kështu nivelin më të ulët prej shumë vitesh. Kjo sjellje e kursit të këmbimit të euros sipas këtij raporti është tregues i lëvizjes së sasive të mëdha të parave në zgjedhje, të cilat mund të jenë përdorur për shitblerje votash. Nga raportimet e DPPP rezulton se është identifikuar vetëm një rast i një kandidati për deputet me iniciale T.V., i cili në 2 muajt e fundit ka bërë tërheqje parash për të cilat nuk dihet destinacioni dhe që nuk janë karakteristikë e sjelljes financiare të këtij personi. Gjithashtu, në këtë dokument theksohet se janë angazhuar grupime të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike të mazhorancës në fushatën elektorale, veçanërisht në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Berat, Fier dhe Gjirokastër. Ndërsa punonjës të Policisë së Shtetit, sipas raportit kanë mbështetur subjekte elektorale të mazhorancës në bashkëpunim me elementë kriminalë. Gjithashtu, raporti bën të ditur se në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga ana e qytetarëve kanë mbërritur 484 denoncime lidhur me veprat penale në fushën zgjedhore, të cilat i janë përcjellë për trajtim Policisë së Shtetit ku kjo e fundit vetëm 69 prej tyre i ka adresuar në Prokurori. Një tjetër konstatim që bën raporti është edhe ai fenomenit të përhapur të shitblerjes së votës. “Nga 484 denoncimet e mbërritura në MPB, 315 raste i përkasin ‘Korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje’, për të cilat Policia e Shtetit nuk ka dhënë informacion lidhur me masat e marra për verifikimin e tyre. Policia ka dështuar të japë një shifër të saktë të çështjeve të adresuara në Prokurori për shitblerjen e votës gjatë fushatës elektorale, por ka raportuar vetëm 10 raste të verifikuara dhe të dërguara për veprime të mëtejshme në Prokurori në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në raport. Ndërkohë që nga institucionet shtetërore – kryesisht ministra teknikë – janë dërguar në organin e prokurorisë rreth 110 raste të dyshuara për kryerje të veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të cilat janë në proces hetimi. Ministrat e PD-së theksojnë në këtë dokument se puna e Policisë së Shtetit, në parandalimin e korrupsionit zgjedhor dhe parandalimin e angazhimit të grupimeve kriminale në procesin zgjedhor, për shkaqe objektive dhe subjektive, ka qenë joefektive. Raporti bën të ditur gjithashtu se është përdorur veprimtaria institucionale për qëllime elektorale dhe politike, çka ka krijuar një pabarazi midis forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Gjithashtu është konstatuar përdorimi i aseteve në mbështetje të subjekteve elektorale nga Ministri, institucione varësie dhe Bashkitë. Raporti konstaton ndërmjet të tjera se gjatë këtij viti elektoral janë tenderuar vlera të cilat tejkalojnë disa herë buxhetin e miratuar të një ministrie të caktuar, ndërsa nëpunës të administratës publike, të regjistruar si kandidatë në zgjedhje, nuk kanë përmbushur detyrimin për të kërkuar pezullimin apo largimin nga detyra. Gjatë fushatës zgjedhore sipas të dhënave zyrtare nga ana e organeve tatimore janë kryer rreth 3600 lëvizje të burimeve njerëzore në administratë publike në kundërshtim me nenin 88 të Kodit Zgjedhor. Në të gjitha rastet e verifikuara nga Task-Forca ka rezultuar që vetëdeklarimet nga institucionet e monitoruara kanë qenë të rreme.

Tabelat

Në raportin e saj, Task-Forca ka përfshirë të dhëna edhe për përdorimin e mjeteve dhe të burimeve financiare shtetërore nga administrata. Kështu ajo ka marrë dhe krahasuar konsumimin e karburantit nga institucionet para dhe gjatë zgjedhjeve. Në përgjithësi raportohet për një përdorim konstant të karburantit nga administrata shtetërore gjatë periudhës së fushatës elektorale, me përjashtim të institucioneve të veçanta, që kanë pasur rritje të lehtë të konsumit të karburantit. Kështu bën dallim drejtoria e burgjeve, e cila ka një rritje të lehtë të konsumit të karburantit, Ministria e Mirëqenies Sociale ka një rritje, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Bujqësisë ka patur të dhëna të paqarta për të përcaktuar nëse ka pasur rritje të konsumit të karburantit. Raporti evidenton rastin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku për periudhën janar-maj 2017, sasia e karburantit të konsumuar është në total 14.491 litra, nga të cilat 7.500 litra janë konsumuar vetëm nga ministri, ndërkohë që administrata ka konsumuar 5.791 litra, ndërsa për kaldajën janë harxhuar 1.200 Litra. Një tjetër element që përmbajnë tabelat shoqëruese të këtij raporti është edhe pjesëmarrja e administratës në komisionet zgjedhore dhe grupet e numërimit. Kështu vihet re se numrin më të madh të punonjësve që janë angazhuar në komisionet zgjedhore e kanë ato institucione që janë edhe më të lakmuara për punësime. Vendin e parë e zë Drejtoria e Rrugëve, e cila ka pasur në komisionet zgjedhore plot 93 punonjës të saj, në vend të dytë ALUIZNI me 73 persona, në vend të tretë drejtoria e tatimeve me 34 persona, doganat me 21 persona dhe pastaj hipotekat, me 20 persona.

Ministritë raportuan të dhëna të rreme, në fushatë u punësuan 1100 persona

Një fenomen tjetër që konstaton ky raport në tabelat e veta shoqëruese është edhe punësimi në kohë fushate, ku bien në sy se institucione krejt të parëndësishme kanë bërë punësime masive. Kështu bie në sy se Qendra e Pushimit të Ministrisë së Brendshme ka punësuar 60 persona, Agjencia e Pronave ka punësuar në fushatë 40 persona, QSUT 20 persona. Por ajo që konstaton ky raport është se të dhënat e raportuara nga vetë institucionet nuk janë të sakta, pasi numri i të punësuarve ka qenë shumë më i madh. Kështu sipas raportit në total sipas informacioneve të vetë institucioneve janë punësuar 368 persona, ndërkohë që sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Tatimeve janë punësuar plot 1098 persona. Një tablo tjetër paraqitet sa i përket situatës së punësimeve gjatë fushatës nga bashkitë. Kështu numri i punësimeve të referuara nga vetë bashkitë është 290 në total, ndërkohë që sipas Drejtorisë së Tatimeve vetëm 128. Gjithashtu, rezulton se si rrjedhojë e punës gati 1-mujore gjatë fushatës zgjedhore të Task-Forcës është bërë e mundur edhe marrja e një numri të vogël masash disiplinore ndaj punonjësve për pjesëmarrje në fushatë. Në total bëhet fjalë për 47 persona, nga të cilët 22 janë larguar nga puna, 24 janë pezulluar dhe 1 është transferuar. Ndërkohë që 29 persona të tjerë janë pezulluar nga detyrat që kanë pasur pasi kanë qenë kandidatë për deputetë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Korrupsioni, kjo fatkeqësi kombëtare për shqiptarët

Nga Spartak Ngjela Korrupsioni i sotëm shqiptar i liderëve politikë nuk është...
Read More