Raporti i policisë holandeze: Grupet kriminale shqiptare, kërcënim serioz

Policia Holandeze në raportin konfidencial ku sugjeron heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë thotë se pothuajse të gjithë shqiptarët që qëndrojnë në Holandë janë për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale. Ambasadorja e Holandës: Raporti aktualisht është duke u studiuar nga Ministria Holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht në Ministri.

Një raport i policisë dhe prokurorisë holandeze për grupet kriminale shqiptare ka hapur debatin e rikthimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Autoritetet shqiptare në disa reagime sporadike janë treguar të kujdesshme të deklarojnë se nuk është policia apo prokuroria që merr vendimet për rikthimin e vizave, por pohojnë se situata e kriminalitetit është çështje bashkëpunimi mes dy vendeve. Edhe pse u vu në dyshim ekzistenca e këtij raporti, të dhënat tregojnë se një kërkesë e tillë ekziston, është zyrtare dhe i është përcjellë qeverisë holandeze për shqyrtim.

“Abc News” ka siguruar raportin që këshillon rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, pasi bandat kriminale janë një kërcënim serioz për shoqërinë holandeze. Në raportin e detajuar thuhet se elementet kriminalë shqiptarë janë fuqizuar se tepërmi vitet e fundit në Holandë, dhe për ketë arsye Policia në bashkëpunim me prokurorinë holandeze ka këshilluar Qeverinë për të pezulluar lëvizjen e lirë me Shqipërinë.

“Kriminelet shqiptarë shihen si një kërcënim serioz për shoqërinë Holandeze pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash. Roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet, dhe ka marrë një rol prominent në Holandë. Ka një mbiprezencë të madhe te shqiptarët në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”,- thuhet në raport.

Këto konkluzione mbështeten edhe nga të dhënat policore, të cilat pohojnë se për momentin trafikantët e drogës dhe ata të qenieve njerëzorë përbëhen kryesisht nga shtetas shqiptarë, janë destinuar si rreziku më i serioz për rendin publik në Holandë. Sipas Policisë, në vitet e fundit të paktën 5800 persona janë regjistruar në sistemin policor në lidhje me veprat penale të kryera në territorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Shqiptarët janë të implikuar kryesisht në trafikun e drogës, trafikimin njerëzor si dhe pastrimin e parave. Megjithëse raporti citon të dhëna të policisë holandeze, sërish ka të dhëna që nuk janë shumë të besueshme. Një faktor shqetësues për policinë holandeze është fakti se në Shqipëri është relativisht e lehtë të ndryshosh emrin dhe mbiemrin, gjë që sipas raportit është bërë nga rreth 700.000 në Shqipëri.

Sipas raportit, kjo do të thotë që rreth 1 në 3 shqiptarë ka bërë ndryshime në identitet, gjë që vështirëson punën e Policisë në Holandë. Shqipëria nuk ka publikuar shifra të sakta mbi numrin e shtetasve që kanë ndryshuar identitet, por gjithsesi kjo shifër duket e ekzagjeruar. Sipas raportit, përveç ndryshimit të emrit që mund të bëhet në një mënyrë legale në Shqipëri, ka dhe raste ku një person ka mundur të ndryshojë dhe atësinë dhe datëlindjen e tij në pasaportë, diçka që në asnjë vend nuk do të ishte e mundur.

Në raport përshkruhet se nga vëzhgimet e Policisë së Amsterdamit, shumë rrallë shihen shtetas shqiptarë që qëndrojnë si turistë legjitimë në Holandë.

Pothuajse të gjithë shqiptarët që qëndrojnë në Holandë janë për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale. Raporti tregon se pas liberalizimit të vizave, puna e kriminelëve shqiptarë në Holandë është lehtësuar. Por sipas raportit rritja e faktorit të krimit në Holandë është diçka e viteve të fundit dhe Qeveria e këtij vendi për këtë arsye duhet të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për të mos lejuar që krimi shqiptar të forcohet dhe stabilizohet strukturalisht në Holandë. Për këtë arsye i është kërkuar Qeverisë të pezullojë lëvizjen e lirë për shtetasit shqiptarë në zonën Schengen.

Një pjesë e përmbajtjes së këtij raporti është konfirmuar edhe nga ambasada holandeze në Tiranë, i cili është duke u shqyrtuar nga autoritetet e këtij vendi. Ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd shprehet se raporti i zbuluar pjesërisht në mediat holandeze ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht.

“Ne jemi të vetëdijshëm për artikujt e shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial të policisë holandeze në lidhje me shkallën e krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Raporti aktualisht është duke u studiuar nga Ministria Holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë, por ende nuk është paraqitur zyrtarisht në Ministri”,- thekson ambasadorja holandeze për Report Tv.

Pas publikimit të përmbajtjes së raportit reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nëpërmjet një statusi në Facebook me titull “Për Noriegen, më të madhin e Tiranës dhe Ditziun e tij”, thotë se Shqipëria është vendi i parë për të cilin kërkohet rikthimi i vizave. “Miq, Shqipëria është kështu vendi i parë për të cilën një vend anëtar i BE kërkon rikthimin e vizave ndërkohë që Hollanda ishte vendi i vetem i BE që nuk dërgoi ekip për verifikimin e arritjes së kritereve për heqjen e vizave pasi ishin të bindur se Shqipëria i kishte plotesuar ato!”,- shkruan Berisha.

Sipas tij, “tani jo vetëm kërkon kthimin e vizave por kontrollon edhe kryeministrin e Noriegën e Shqipërise si suspect”?! Më herët për këtë çështje reagoi edhe ish-presidenti Bujar Nishani, i cili tha se raporti i policisë holandeze është një kambanë alarmi për të gjithë, pasi nga dhjetori i vitit të shkuar Këshilli i Ministrave të BE ka miratuar mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet jo anëtare.

Pas deklaratave politike për këtë çështje reagoi edhe ministri i Jashtëm, i cili në një status në Twitter shkruante se “Gjinkallat e dëshpëruara të 25 qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave”.

Ndërsa drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, Aida Hajnaj, tha se nuk ka patur asnjë ankesë nga autoritetet holandeze për rikthimin e vizave. Deri më tani, Policia Holandeze apo dhe qeveria e Holandës, nuk ka shprehur asnjë shqetësim rreth shtetasve shqiptarë që udhëtojnë në këtë vend apo dhe që qëndrojnë përkohësisht në kushtet e Shengenit”,- është shprehur Hajnaj.

Por pavarësisht akuzave dhe qëndrimeve të palëve politike në Shqipëri, ambasadorja e Holandës në vendin tonë konfirmoi se dy ministri të qeverisë holandeze po studiojnë raportin që sugjeron heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Stafi i ProCredit Bank në aksion për pastrimin e plazhit nga mbeturinat

Mbrojtja e mjedisit dhe kontribuimi aktivisht në zhvillimin ekonomik, me përgjegjshmëri sociale...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.