Raporti/ Në 2016 Gjykata e Lartë, 2.2 vite mesatarisht për një çështje

INFOCIP shpalli dje gjetjet e Raportit Special Monitorues për Gjykatën e Lartë për afatet. Në 2016 vetëm 2 çështje morën vendim brenda afatit ligjor prej 90 ditësh. Raporti ka llogaritur se për të gjitha çështjet për të cilat është marrë vendim në 2016 gjykata ka tejkaluar afatin kohor me 27 shekuj

Gjatë vitit 2016 vetëm dy çështje gjyqësore kanë mundur të marrin vendim përfundimtar nga Gjykata e Lartë brenda një harku kohor prej tre muajsh. Ndërkohë që për shumicën dërmuese mesatarja e shqyrtimit të një çështjeje gjyqësore dhe marrjen e një vendimi për të shkon nga 2 deri në 3 vjet.

Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOCIP, shpalli dje gjetjet e Raportit Special Monitorues për Gjykatën e Lartë për afatet, procedurat e shqyrtimit gjyqësor dhe dorëzimit të dosjeve nga Kolegji Administrativ i kësaj gjykate për vitet 2015–2016.

Të dhënat e këtij monitorimi ekspozojnë për herë të parë për publikun shqiptar situatën shqetësuese të vonesave në shqyrtimin e çështjeve dhe dorëzimin e vendimeve në Gjykatën e Lartë. Sipas këtyre gjetjeve, koha e konsumuar nga kjo gjykatë përtej afatit ligjor për vendim të rekurseve administrative gjatë 2015-2016 përllogaritet në rreth 27 shekuj e gjysmë për të gjitha çështjet e marra së bashku (1284 çështje të vendimuara).

Të dhëna këto që flasin qartë për mungesën e eficiencës në dhënien e drejtësisë në vend dhe çka justifikon më së miri nevojën për zbatimin e Reformës në Drejtësi sa më parë.

Raporti për 2016

Gjykata e Lartë shqyrton çështjen brenda 90 ditëve nga data e ardhjes së rekursit dhe akteve bashkëlidhur prej gjykatës ku është depozituar rekursi. Ndërkohë që gjatë vitit 2016, Kolegji Administrativ i kësaj gjykate dha gjithsej 604 vendime gjyqësore. Prej tyre në analizë për efekt të këtij vlerësimi u morën 575 vendime nga ku rezultoi se vetëm 2 nga 575 çështjet e vendimuara në 2016-ën janë shqyrtuar brenda afatit ligjor 90-ditor, pra më pak se 0.3%. ndërkohë që nga studimi i afateve për të gjitha vendimet e marra në shqyrtim ka rezultuar se kohëzgjatja mesatare e shqyrtimit të një çështje në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë gjatë 2016-ës rezulton 820 ditë ose 2.2 vjet.

Kjo shifër e tejkalon mbi 9 herë afatin që parashikon ligji 49/2012, i ndryshuar për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative në Gjykatën e Lartë prej 90 ditësh. Thënë më konkretisht, nga 575 vendime të marra në shqyrtim, 230 prej tyre kanë përfunduar me vendim brenda një afati kohor që varion nga 700 deri në 1000 ditë. Ndërkohë që koha më e gjatë e shqyrtimit gjyqësor për çështjet e vendimuara në vitin 2016 nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë është 2080 ditë ose 5.7 vjet nga data e regjistrimit të rekursit.

Nga analiza e të dhënave, rezulton se, përtej afatit ligjor të lejuar (90 ditë), Kolegji Administrativ konsumoi më e pakta 419724 ditë për çështjet që vendimoi në vitin 2016 . Këto janë afërsisht 1150 vjet. Me fjalë të tjera, subjektet të cilat morën një vendim në dorë gjatë vitit 2016 për çështje administrative në vitin 2016, iu desh më parë të prisnin të gjithë se bashku (për 599 çështje rekursi) mbi 11 shekuj e gjysmë që drejtësia të shërbehej për ta nga Gjykata e Lartë. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, paracakton se brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore.

Nga vlerësimi për vitin 2016, rezulton se brenda afatit ligjor prej 10 ditësh janë dorëzuar në sekretarinë e Gjykatës së Lartë vetëm 82 nga 595 vendime të analizuara, 14% e totalit. Pjesa tjetër prej 513 vendimesh ose 86% e totalit dalin jashtë këtij afati. Kjo do të thotë se për vitin 2016, dispozitat e nenit 6 pika 3 e ligjit 49/2012, të ndryshuar kanë gjetur zbatim në masën 14% në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë.

Raporti për 2015

Gjatë vitit 2015, Kolegji Administrativ i Gjykatës së lartë dha 710 vendime gjyqësore. Por vetëm 4 nga 710 çështjet e vendimuara në 2015-ën janë shqyrtuar brenda afatit ligjor 90-ditor, siç parashikon ligji. Kohëzgjatja mesatare e shqyrtimit të një çështje në Kolegjin Administrativ të GJL gjatë 2015-ës rezulton të jetë 954 ditë, ose 2.6 vjet.

Pra, siç shihet situata ka ardhur duke u përmirësuar në 2016 në krahasim me 2015, por prapë ajo mbetet tepër negative. Koha më e gjatë e shqyrtimit gjyqësor për çështje të vendimuar në vitin 2015 nga Kolegji Administrativ është 1889 ditë ose 5.3 vjet nga data e regjistrimit të rekursit.

Ndërkohë që rezulton se shumica e çështjeve të vendimuara në vitin 2015 (rreth 81%) janë të grupuara në fashat kohore midis 600 dhe 1400 ditësh.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Teksas, vazhdojnë shirat dhe përmbytjet apokaliptike

Stuhia Harvey pritet të godasë sërisht nesër Teksasin. Sipas parashikimeve disa zona...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.