Raporti: Vota u ble, opozita të jetë në qeveri 6 muaj para zgjedhjeve

Çfarë konstatuan ministrat teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit dhe rekomandimet që japin për të përmirësuar procesin zgjedhor në vend. Blerja e votave, përfshirja e administratës në zgjedhje, implikimi i grupeve kriminale dhe mosndërhyrja e policisë, disa nga “gjetjet” e ministrave teknikë.

Ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike nxjerrin raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit dhe përveç pjesës që ngrenë problemet, japin rekomandimet si mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pjesa më e madhe e problemeve lidhet me evidentimin dhe dyshimet e blerjes së votave dhe angazhimit të grupeve kriminale në proces.

Në raportin e siguruar nga News 24, ministrat teknikë të propozuar nga PD kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme opozita të përfshihet në qeveri gjashtë muaj para zgjedhjeve, në mënyrë që të ketë kohën dhe forcën për të vepruar.

Pavarësisht se në qeveri ishin gjashtë ministra teknikë, pjesa më e madhe e problematikës i është referuar “gjetjeve” të ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj, i cili thekson se në disa raste policia nuk ka ndërhyrë për të larguar nga detyra punonjës që dyshoheshin për implikim me subjekte politike, apo edhe me grupe kriminale gjatë fushatës elektorale. Katër qarqet më problematike të renditura në raport janë Dibra, Elbasani, Lezha dhe Shkodra.

Për sa i përket përfshirjes së administratës në zgjedhje raporti konstaton se gjatë fushatës ka pasur favore në dhënien e lejeve të legalizimit, certifikatave të pronësisë apo edhe deri ndërhyrje në maturën shtetërore për përmirësim note.

Të gjitha gjetjet e konstatuara nga ministrat teknikë pritet të bëhen publike gjatë ditës së sotme, dhe bashkë me raportin të propozuarit e opozitës do të japin edhe dorëheqjen.

Pjesë nga Raporti

Nga informacionet e Ministrisë se Brendshme rezulton se në zgjedhje janë angazhuar grupe të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike, kryesisht në Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër. Policia e shtetit, jo efektive në parandalimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit zgjedhor. Koordinimi mes policisë së shtetit dhe ministrive dhe institucioneve të varësisë nuk ka qenë në nivelin e duhur sa i takon monitorimit të sjelljes së administratës gjatë fushatës elektorale.

-Punonjës të nivelit të lartë të administratës dhe punonjës të policisë, të përfshirë në shitblerjen e votës. Rekomandohet të merren masa për të gjetur përgjegjësit në strukturat e policisë të cilat nuk kanë mundësuar zbatimin e masave operacionale të dakordësuara nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit.

-Ministri i Brendshëm ka raportuar punonjësit e policisë që kanë mbështetur subjektet elektorale apo kanë bashkëpunuar me elementë kriminalë. Ministri i ka kërkuar drejtorisë së policisë largimin nga detyra të këtyre punonjësve, por drejtori i përgjithshëm i policisë nuk ka marrë masat e kërkuara. Nga institucionet shtetërore, kryesisht zv.kryeministri dhe ministrat teknikë si dhe policia e shtetit kanë dërguar në prokurori rreth 110 të dyshuar për kryerje të veprave penale në fushën e zgjedhjeve të cilat janë në proces hetimi. Kërkohet fuqimisht një hetim eficient dhe inkurajohet prokuroria të procedojë sa më parë në hetim të plotë të çështjeve të adresuara dhe të realizojë ndjekjen deri në fazën finale të gjykimit.

-Është konstatuar përdorimi i aseteve në mbështetje të subjekteve elektorale nga Ministri, institucione varësie dhe Bashkitë. Janë përdorur aktivitete në kopshte, shkolla, inaugurimin e shesheve dhe rrugëve për fushatë elektorale të subjekteve elektorale në qeverisje, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore janë shpërndarë ftesa për të votuar një subjekt elektoral në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër shkolla, kopshte, ambiente të institucioneve janë vënë në dispozicion të subjekteve elektorale. Rekomandohet që në të ardhmen të jetë e ndaluar me ligj mundësia që aktivitete të tilla të jenë në shërbim të një subjekti elektoral si dhe të ndalohet me ligj shpërndarja e ftesave për të votuar një subjekt elektoral të caktuar në ditën e heshtjes zgjedhore.

Është konstatuar dhënia e privilegjeve të ndryshme gjatë fushatës elektorale si certifikatë pronësie, legalizime, premtim i vendeve të punës, premtim i vlerësimit të së kaluarës ose me të lartë gjatë procesit të maturës shtetërore.

Rekomandohet që rastet e dhënies së privilegjeve në rastin e maturës shtetërore, bursave të ekselencës, rastet e denoncimit të kontrabandës së kafesë, të rimbursimit të TVSH apo të subjektivitetit gjatë vlerësimit tatimor si dhe listat e ndihmës ekonomike duhet të jenë subjekt i auditit nga KLSH apo edhe e hetimit të mëtejshëm nga prokuroria me përfundime konkrete.

-Përfshirja e opozitës në qeverisje gjatë vitit elektoral, në funksion të garantimit dhe monitorimit të procesit zgjedhor është një praktikë shumë e mirë në kushtet e një demokracie të brishtë në Shqipëri, shpesh e shoqëruar me tensione politike, megjithëse kjo përfshirje për të qenë efektive duhet të ndodhë më parë, konkretisht nga 1 janari i vitit zgjedhor dhe jo pak javë para zgjedhjeve për kuvendin. Rekomandohet, 3-6 muaj para zgjedhjeve.

Në këtë mënyrë procesi i monitorimit dhe masat e marra apo rekomandimet e dhëna nga Task-Forca do të mund të kryhen me një ritëm normal punë. Njëkohësisht institucionet dhe entet apo shoqëritë shtetërore do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të mbledhur apo për të përpunuar informacionin dhe për t’ia referuar atë Task-Forcës të plotë e të saktë për çka kërkohet. Gjithashtu nisja e punës më herët nga Task-Forca do të mundësonte edhe një monitorim më të mirë dhe më të hollësishëm të enteve publike dhe shoqërive shtetërore në drejtim të mospërdormit të aseteve të tyre në funksion të fushatës politike apo mos lidhjes së kontratave të reja të punës si mekanizëm për të shtuar zgjedhësit që votojnë për një subjekt të caktuar politik, dhe deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve.

– Nëpunësit e administratës shtetërore janë përfshirë në fushatë elektorale për subjekte të caktuara në kundërshtim me ligjin. Rekomandohet që KLSH të auditojë të gjitha punësimet apo shkarkimet e kryera gjatë periudhës zgjedhore, në pushtetin qendror dhe vendor. Rekomandohet ndryshim ligjor që të ndalohen lëvizjet në administratë 6 muaj para zgjedhjeve. Kërkohet vijimi i hetimit nga ana e prokurorisë për të gjitha rastet e evidentuara për lëvizjet në administratë 6 muaj para zgjedhjeve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Kur Gjergj Bubani dhe Kuteli adhuronin zonjushë Merin”

Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *