Rasti i Koresë së Veriut dhe kërcënimet (reale) të regjimeve


Nga Angelo Panebianco

Dihet se Shteti i Izraelit, edhe pse nuk e ka pranuar asnjëherë zyrtarisht, zotëron bombën atomike. Por edhe armiqtë e tij më të tërbuar nuk mendojnë se Izraeli mund të lëshojë “papritmas” një sulm bërthamor kundër Shtetesh (si Irani), që çdo ditë bëjnë thirrje për shkatërrimin e tij. Ndërsa zotërimi i raketave ndërkontinentale, të pajisura me mbushje bërthamore, nga ana e Koresë së Veriut iu kall datën të gjithëve: amerikanëve (Guami është një shënjestër e mundshme), Japonisë, Koresë së Jugut. Si është e mundur?

Natyrisht, ky ndryshim qëndrimesh e pritjesh ka një shpjegim të thjeshtë, varet nga natyra e ndryshme e dy regjimeve politike. Njëri është një demokraci e nënshtruar detyrimeve të brendshme e të jashtme: mund të përdorë armën bërthamore vetëm në prani të një kërcënimi ushtarak shkatërrues, të një rreziku konkret asgjësimi nga ana e armiqve të tij. Ndërsa armët bërthamore të një regjimi totalitar, në të cilin diktatori është i lirë të bëjë çfarë t’i teket (deri tani kinezët e kanë lejuar) shtijnë frikë gjithsesi.

Ky shpjegim mund të duket i natyrshëm, i thjeshtë, por nuk është ashtu. Së paku nuk është për shumë europianë. Shumë duket se mendojnë se nuk ka asnjë lidhje mes natyrës së një regjimi politik dhe mënyrës së të qëndruarit në bashkësinë ndërkombëtare. Vërejnë se edhe demokracitë udhëhiqen nga interesat e tyre e, shpesh, e ndjekin atë duke shkelur interesat e të tjerëve. Kjo është shumë e vërtetë, por nuk përjashton që ndryshimet të jenë e të jenë të dukshme.

Për shembull, ka mjaft njerëz në Europë që, duke urryer amerikanët, do të parapëlqenin që të zëvendësonin aleancën me Shtetet e Bashkuara me një aleancë me Rusinë, t’i besonin sigurinë e tyre rusëve. Bëjnë gjoja se nuk e dinë (ose nuk e dinë) që të kalohet nga aleanca me një demokraci të vërtetë – që mbetet e tillë madje edhe në epokën e Trumpit – në një aleancë me një regjim autoritar (ose, siç pëlqehet të thuhet, me një demokraci iliberale, do të thotë të pranohet që, me kohë, të vërtetohen ndryshime në cilësinë e vetë jetës publike, të pranohet që aleati i ri të shtjerë helme autoritare. Ashtu sikurse Rusia, në versionin carist, sovjetik apo pas komunist ka bërë gjithmonë në shekuj.

Nga ana tjetër, a nuk është një fakt që Turqia laike e farkëtuar nga Atatürku (themeluesi i Turqisë bashkëkohore), kishte një politikë të jashtme filoperëndimore e që ajo ka ndryshuar energjikisht si pasojë e ri(islamizimit) të detyruar dhe zhvillimeve autoritare të imponuara Vendit nga partia e Erdoganit?

Natyrisht, jo gjithmonë në nënvlerësimin e këtyre ndryshimeve, luan vetëm padija. Nganjëherë peshon edhe ligësia. Ka njerëz, për të cilët edhe regjimi më mizor, edhe ai që pavarësisht nga politika e jashtme e tij, i bën shumë keq nënshtetasve të tij (duke i vrarë, duke i dënuar me uri, duke i bërë të jetojnë me frikë) është gjithsesi më i mirë se sa demokracia perëndimore. Është kundërshtia për qytetërimin liberal që drejton gjykimet. Mendoni për simpatitë që gëzon, në disa mjedise perëndimore, Hamasi.

Është e vërtetë se jo të gjithë regjimet iliberale janë agresive e të rrezikshme. Ndonjëherë agresiviteti kundrejt së jashtmi është vetëm me llafe. Por kjo nuk do të thotë se ata janë të denjë për respekt, aq më pak se mund të tregohen si model për t’u imituar. Nuk ishte nevoja të priteshin veprimet e fundit të kryetarit Maduro për të kuptuar se çfarë ishte bërë Venezuela, se çfarë ishte që në epokën e Chávesit. Por meqë caudilliot e lartpërmendur i kundërviheshin “kapitalit financiar ndërkombëtar” ose Shteteve të Bashkuara, për disa ishin gjithsesi të denjë për duartrokitje. Ka qenë gjithmonë sa tragjike aq edhe ironike të shiheshin aq të vetëquajtur antifashistë të duartrokisnin çfarëdo regjimi fashistoid, mjafton që të ishte armik i betuar i “demokracive plutokratike e reaksionare” (copyright i Benito Mussolinit). Ajo duartrokitje është justifikuar gjithmonë se bëhej fjalë për një zotim të supozuar të regjimit në dobi të “drejtësisë shoqërore”. Në fakt, ndodh shpesh që autoritarizmat, të së djathtës e të së majtës, të marrin përsipër – me politika populiste – “të varfrit”, të “descamisados” (pa këmishë), aq të dashur për peronistët argjentinas. Nëse don të shkatërrosh pa u ndëshkuar liritë qytetare e politike, duhet të shpërndash zorile rezerva masivisht në dobi të “popullit”. Në afatet e mesme, kjo do të shkaktojë varfërimin e përgjithshëm (edhe populli do të jetë më keq se më parë), por në kohën e shkurtër do t’i japë regjimit miratimin për të cilin ka nevojë.

Kjo, sa i përket regjimeve totalitare, të cilët nuk përfaqësojnë ndonjë rrezik të menjëhershëm për fqinjët e tij. Por kur, në politikën e jashtme, kalohet nga fjalët në faktet (si Koreja e Veriut që është armatosur në mënyrën që është parë) regjimi në fjalë i fut frikën të gjithëve. Askush nuk mund të dijë nëse diktatori do ta tërheqë apo jo këmbëzën. Nga ana tjetër nuk mund të jetë një zgjidhje ndonjë sulm parambrojtës, i ashtuquajtur “kirurgjik”, me qëllim për të shkatërruar aftësinë bërthamore. Sepse është gjithmonë e mundur, në këta raste, që diktatorit apo klikës së tij t’i mbetet një mundësi të fillojë një sulm shkatërrues kundër popullsisë civile të një Vendi tjetër.

Për kinezët Koreja e Veriut ka patur gjithmonë një kuptim të dyfishtë strategjik, mbrojtës dhe sulmues. Është shteti jastëk (dhe satelit), që i ndalon Koresë së Jugut, aleate e amerikanëve, të vendoset në kufi me Kinën. Por është edhe gjembi, që nga kohët e luftës së Koresë (1950 – 1953) ata e mbajnë të futur në ijet e Shteteve të Bashkuara.

Tashmë që gjembi i sipër përmendur i ka hyrë në ije dhe atyre, shpresohet se do të gjejnë mënyrën për të zgjidhur problemin. Neve, këtu, ndërsa presim me ankth zhvillimet e një krize që rrezikon të degjenerojë, shpejt a vonë, në një përballim bërthamor, nuk na mbetet tjetër veçse të përsiasim mbi ndryshimet që janë mes demokracive e të tjerëve./Corriere della Sera/

E shqipëroi: Eugjen Merlika

Shkruar Nga
More from Redaksia

Basha me NDI: Kanabizimi ishte projekt elektoral i Ramës

Në një takim me përfaqësues të Insititutit Demokrat Amerikan (NDI), kryetari i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.