Rasti i paprecedentë: Ekrani dhe përthyerja e realiteteve

Ekrani ka veti që realitete të njëjta t’i përthyejë dhe përkthejë bazuar në qëllimin e ndërtuesit të të gjithë rrëfimit, në këtë rast emisionit. Nëse formula e poshtërsisë në realitetin pa kamera është se ka gjithnjë një dorë e cila pasi hedh gurin fshihet, në realitetin e filmuar na mjafton ekzistenca e gurit dhe asgjëje më shumë; duart mund të mos jenë aspak të pranishme apo thënë ndryshe, mund të hedhin pafundësisht gurë në goditje të shumëfishuara me kompromisin paraprak që të filmohet vetëm goditja

Nga Klajd Bylyku*

Mbrëmjen e së shtunës së shkuar në televizionin Top Channel u transmetua seria e radhës e emisionit të ri “Dua të të bëj të lumtur” e drejtuar nga gazetarja Arbana Osmani. Siç ndodh shpesh dhe pafajësisht në anët tona, emisioni është një kopje identike e të famshmit “C’e posta per te” drejtuar nga Maria de Filippi. Si rregull, emisioni merret me persona apo familje që kanë histori dhe probleme të pazgjidhura. Përafërsisht e njëjtë ishte dhe historia që na tërhoqi vëmendjen e që e menduam të udhës të thoshim dy fjalë, duke theksuar që në fillim se shumë më tepër sesa te rasti konkret me të cilin u mor, qëllimi kryesor qëndron te dukuria që emisioni në fjalë transmetoi.

Emisioni hapet me një çift rreth të gjashtëdhjetave i cili vjen në studio dhe prezantohet si një familje bamirëse e fokusuar kryesisht te fëmijët. Ishin misionarë të kishës protestante dhe i shërbenin kauzës së tyre kryesisht në zonën e Plazhit të Durrësit. Ata kishin ardhur për të ftuar babanë e dy vajzave të vogla, një mesoburrë të varfër që jetonte në një fshat pranë Vlorës, i cili nga pamundësia ekonomike kishte qenë i detyruar t’i dërgonte vajzat (të cilat ishin rreth nëntë a dhjetë vjeç) në shtëpinë e fëmijës. Fillimisht kishin qenë në jetimoren e Elbasanit, më pas në atë të Vlorës dhe së fundmi jetonin në atë të Sarandës. Pastori dhe bashkëshortja e tij ishin njohur me vajzat pikërisht në jetimoren në fjalë, në rrethana që në emision nuk u bënë të qarta. Ata i kishin ftuar vajzat edhe në shtëpinë e tyre. Duke i marrë herë pas here, ato ishin miqësuar edhe me vajzën dhe djalin e zotërinjve dhe në këtë afrimitet e sipër, pastori i kishte kërkuar të atit të vajzave të lejonte që t’i merrte ato në shtëpinë e tij për të banuar së bashku. Ai vazhdimisht i mëshonte faktit se nuk bëhej fjalë aspak për një adoptim, edhe pse më vonë dolën të dhëna që komprometonin vërtetësinë e kësaj fjale, por për një ndihmë të sinqertë në emër të Zotit. Kërkesa ishte bërë disa herë dhe babai kishte refuzuar vazhdimisht. Madje arsyeja kryesore e këtij refuzimi kishte ardhur si pasojë e një ftohjeje që ai kishte ndjerë se kish nisur të lindte mes tij dhe vajzave. Ai u shpreh qartë se sidomos njëra prej tyre i mbante një qëndrim të prerë dhe kur natën e Vitit të Ri kishte dashur t’i merrte në shtëpinë e tij, ajo kishte refuzuar, edhe pse më pas kishte shkuar. Me të gjithë këtë prapavijë, pastori dhe bashkëshortja vijnë në emision dhe ftojnë babanë me qëllim që pas tentativave të dështuara për ta bindur, të provonin kartën e fundit: shndërrimin e çështjes në publike.

Babai ftohet dhe vjen në emision. Në çastin kur i sheh, pyetjes se a i njeh apo jo ai i përgjigjet se i njeh dhe më pas fjala i jepet pastorit Alfred. Me një gjuhë pothuajse të rafinuar ai përshkruan atë që bën prej vitesh. Në një çast që ia vlen për t’u vënë në dukje, pastori vë theksin mbi të drejtën që fëmijët kanë për t’u shkolluar, edukuar dhe integruar në shoqëri. Por i gjithë diskursi shoqërohet me një mimikë dhe një gjestikulacion që përçon fodullëk, sidomos kur përmend se tashmë fëmijët e vet i ka rritur me sukses. Babai nga ana e tij ia kthen se këto biseda tashmë janë ezauruar dhe se ka kohë që ua ka bërë me dije se çifti bamirës i ka shkaktuar një përçarje familjare, duke sjellë mohimin e të drejtave të tij atërore. Dhe ekzaktësisht këtu fillon spektakli. Ai u kërkon me të drejtë zotërinjve që të mbajnë njëfarë distance dhe se kjo çështje nuk ka kurrfarë rëndësie për t’u diskutuar këtu, në publik. Por moderatorja e emisionit ndërhyn duke u shprehur se është pikërisht këtu, mes të gjithëve, ambienti ku këto çështje duhen rrahur e diskutuar, me arsyetimin banal dhe të turpshëm se ne që të gjithë kemi nevojë të dimë se si qëndron puna. Babai vijon të këmbëngulë se ai ka të drejtë të jetë baba i vajzave të tij duke ritheksuar se midis zotërinjve përballë dhe vajzave kërkon distancë. Por në këtë moment moderatorja i jep fjalën pastorit dhe ai nis të flasë me një ligjërim akoma dhe më absurd. Pa as kokëçarjen më të vogël ai shprehet se çdo herë që i ka takuar vajzat në fjalë, gjithnjë këtë e ka bërë më lejen e babait të tyre. Madje edhe për Vitin e Ri, kur babai i kishte kërkuar ato në shtëpinë e tij, pastori shprehet se ai dhe bashkëshortja e tij kishin qenë tërësisht dakord. Kjo është absurde po aq sa dhe e turpshme. Natyrshmëria e shenjtë e marrëdhënies së lindur e të përligjur midis prindit dhe fëmijës, nga zotëria në fjalë, e shprehur përmes një ligjërimi shpotitës, shitet si favor dhe dhuratë karshi babait të varfër! Thënë ndryshe, narrativa kthehet përmbys dhe pastori kërkon të fitojë pikë duke u shprehur se ai nuk u ndje aspak keq që vajzat takuan të atin, në një kohë kur askujt nuk i intereson dhe nuk ka kurrfarë peshe se si një i huaj ndihet në raport me një marrëdhënie që duhet të mbetet tërësisht brenda kufijve familjarë! Babai vazhdon të ritheksojë se dëshiron që t’i marrë vajzat sa më parë në shtëpi, por moderatorja e pyet se a e ka tani këtë mundësi, në një kohë kur e di shumë mirë se mundësia nuk ekziston; ndaj meqë këtë mundësi nuk e zotëron, përse të mos ia lejosh pastorit, vijon të pyesë e ajo, me sa duket më tepër e shqetësuar rreth fateve të kërkesës së pastorit sesa atyre të të atit. Por narrativa e poshtër e moderatores rëndohet nga pyetja e radhës, “a i keni pyetur ndonjëherë vajzat se mos ndoshta janë më të lumtura në familjen e pastorit sesa në jetimore?”. Kjo meriton vëmendje. Duke qenë se e dinë se babai në fjalë është i vetmi që është i huaj për ambientin në fjalë – ai zotëron një shqipe të kufizuar, është hera e parë që është i pranishëm në një studio televizive, është i varfër, nuk mund të arsyetojë dhe nuk mund t’i kundërshtojë gjatë zotërinjtë që ka përballë, madje nuk dëshiron të bëjë polemikë për një të drejtë të shenjtë që i takon apriori – diskursi i emisionit në mënyrë pothuajse të natyrshme nis të paraqesë se midis varfërisë dhe këmbënguljes kokëfortë dhe të dënueshme të babait ekziston një lidhje gjenealogjike. Ai nis të pyetet jo më me tolerancë, por me këmbëngulje, a thua se me patjetër duhet të pranojë duke u shfajësuar nga qëndrimi që po mban. Po të shfajësohet për cilin faj? Pyetjet aspak legjitime e të njëpasnjëshme të moderatores, shoqëruar me buzëqeshjet ironike të bashkëshortëve përballë dhe rënkimet e pakënaqësisë së publikut, rëndojnë psikologjikisht në përgjigjet e babait. Por nuk vonon shumë dhe pyetja e radhës vjen papritur, “a nuk mendoni se vajzat do kenë më pak dhembshuri për ju në momentin që ju nuk i lejoni të shkojnë ku ato duan dhe ku ndihen mirë? Sepse ndoshta ato do t’ju shohin si ai që i pengoi që të jetojnë në një familje normale, sepse në institucion ato nuk janë duke jetuar në një familje”. Kjo është e rëndë; dhe do të ishte edhe më e rëndë nëse nuk do të na dukej e tillë. Kësisoj narrativa, tashmë në mënyrë të përshkallëzuar, po fiton një perspektivë të re. Babai tashmë është armik i vetë vajzave të tij, duke iu vrarë mundësinë e jetesës në një familje të lumtur. Çfarë ironie! Emisioni prezantohet si një nismë për të dhuruar lumturi dhe për të bërë njerëzit të lumtur, ndërsa tani flitet për internim. Babait i kërkohet të lejojë deportimin e vajzave nga institucioni që nuk u dhuron dashuri dhe ku ai i ka lënë, drejt gjirit të ngrohtë të familjes së pastorit. Kjo heshturazi nënkupton se ai do të jetë përhershmërisht i pamundur për t’iu dhuruar atyre një jetë të lumtur familjare, ndaj gjendet përballë dy mundësive: ose të vulosë fatin e tyre fëminor në jetimoren e trishtë, ose të lejojë që ato të rendin drejt gjirit të ngrohtë të zotërinjve përballë. Por ngado që ta shohësh, kjo ka një çmim të shtrenjtë. Në rastin e pranimit, babai humb vajzat dhe kjo nuk duhet bërë kurrsesi; por sipas narrativës së moderatores, në mos humbtë babai, humbin vajzat! Por nëse pranon, vërtet që ai do të humbë, ama vajzat do të fitojnë. Dhe a ka prind që nuk sakrifikon për fëmijët e tij? Është pikërisht ky dyshimi i rremë i moderatores, teksa i pyet se mos ndoshta ato do ta akuzojnë si mohues të lumturisë familjare.

Sikur të mos mjaftonin këto, pyetja e radhës është gati, “mirë që nuk pranon, por po sikur zotërinjtë t’jua kërkonin vajzat për festa, a do t’jua lejonit?”. Siç e thamë, perspektiva duke qenë se tashmë ka nisur të zhvendoset, po arrin të zërë vend. Babai në mënyrë ironike na kujton “Armikun e Popullit” të Ibsenit. Si pasojë e një shqipeje që ai nuk e zotëron, si pasojë e një sërë pyetjesh që atij i drejtohen me buzëqeshje, si pasojë e lajtmotivit bazë të çështjes – lumturisë së vajzave të tij – si pasojë e karrierës së gjatë bamirëse të pastorit, refuzimi i dobët, por këmbëngulës i tij, shndërrohet në refuzues të një të mire kaq të madhe që e parashtruar në mënyrë të sofistikuar – shoqëruar me buzëqeshjet dhe gjuhën e pastër të moderatores në sfondin e dritave, ngjyrave, pastërtisë dhe hijeshisë së studios, që të gjitha efekte estetike në kundërshtim të hapur me varfërinë, errësirën dhe dobësinë ligjërimore dhe arsyetuese të babait – na jep përshtypjen se tashmë është pikërisht i ati ai që po i privon të bijat nga lumturia! Kjo ndihet edhe nga toni i zërit dhe vështirësia në të cilën ai gjendet. Situata manipulative, rrjedhojë e një orkestrimi dhe simulimi perfekt i ndërthurjes dhe gërshetimit të pyetjeve të moderatores me arsyetimet e pastorit, e detyron atë të vuajë goditjet e pahijshme nën brez, goditje që intensifikohen nga dy forca të freskëta në betejë: dy ndihmëskomisionere për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, të dërguara nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Zonjushat prezantohet si mbrojtëse dhe promovuese të të drejtave të fëmijëve. Pyetja e së parës është menjëherë e turpshme, “a i ke pyetur vajzat në janë të lumtura?”. Dhe përsëri menjëherë, një pyetje e përsëritur tri herë, në një kornizë shumë të shkurtër kohore: “Atje shkuan vetë?”. Skandali thellohet nga vetëshpallja e institucionit të Avokatit të Popullit si institucion që prodhon lumturi. Marrëdhënia intime e babait me të bijat meriton të jetë një çështje publike. Pyetja e dytë legjitimon paturpësinë e së parës. Duke qenë se babai i ka dërguar me vullnetin e tij të plotë në shtëpinë e fëmijës, ai tashmë ka shpallur kapitullimin e statusit të tij. Ai mund të jetë baba biologjik, këtë nuk ia mohon askush, por tashmë është shoqëria, pastori, Arbana, Avokati i Popullit, publiku dhe e gjithë bota, ata që duhet të kujdesen për to. Ai merret me të mirë, fyhet vazhdimisht kur teksa i drejtohen pyetjet, fjalët ia shqiptojnë të ndara në rrokje, shenjë e një prepotence që zonjushave u vjen nga statusi (ato përfaqësojnë një institucion), nga përvoja (ato promovojnë dhe mbrojnë fëmijët dhe nuk i lënë nëpër jetimore), nga veshja (babai është diskredituar që në fillim teksa filmohet në portën e vjetër të shtëpisë së varfër), nga gjuha (fjalët e drunjta e të pakta që disponojnë i artikulojnë rrjedhshëm), nga pozicioni (janë pjesë e publikut dhe për çdo rast përgjegjësinë e shpërndajnë me të), nga komoditeti i asaj që do të vijojë (sido që të shkojë rrjedha e ngjarjes, në fitoftë pastori apo babai, atyre aq u bën). Atij i përsëritet se “as ligji dhe as e drejta e Zotit nuk ia pengon që të jetë babai i tyre biologjik”. Skandali thellohet sepse e drejta e shenjtë i shitet si favor, ndërkohë që të jesh baba përfshin shumë e shumë më tepër! Gjithëpranishmëria e legjitimuar që zotëria në fjalë duhet të merrte – apo më saktë duhet t’i jepej – reduktohet në të drejtën e tij sterile për të qenë thjesht shkaku njerëzor që i ka sjellë në jetë! Sfondi shpirtëror, institucioni i atësisë, e drejta e tij për të vendosur atë që gjykon si më të drejtë për fëmijët e tij, e drejta e fëmijëve të manipuluar për t’u lënë të rriten krah prindit të tyre, pasojat e rreziqeve që mund të vijnë nga ftohja tashmë e nisur që ai e përsërit vazhdimisht, që të gjitha këto as që merren në konsideratë. Ajo që ka më shumë peshë është jetesa e vajzave në një familje, familje në të cilën babai i tyre biologjik ka të drejtë të shkojë t’i shohë sa herë të dëshirojë. Këtu perspektiva e re përmbyll rrotullimin dhe qëllimi mbërrihet: akti më sublim që duhet bërë është zhvendosja e vajzave te pastori, për këtë janë të gjithë dakord, pastori, bashkëshortja, fëmijët e tyre të dashur, publiku, Arbana dhe ndihmëskomisioneret; i vetmi që kundërshton – më i dobëti, më i varfëri, më pak i dituri, thënë ndryshe, i huaji mes tyre – është babai. Atëherë ai joshet, apo më mirë të themi turpërohet edhe më tej, duke iu dhënë e drejta për t’i vizituar ato sa herë që të dojë. Pra, nëse ai nuk pranon as me këtë lëshim, as më këtë favor, as me këtë dhuratë që shoqëria po i bën në këmbim të lumturisë së vajzave të tij, atëherë është vërtet i pamëshirshëm. Madje moderatorja ulet krah tij dhe i thotë se kur i ka pyetur vajzat se si ndihen në familjen e pastorit, janë shprehur se ndihen shumë të lumtura. “Se ti vajzat mund t’i duash dhe ne e dimë se i do, por nuk ke mundësinë Gëzim, nuk ke mundësinë t’i duash siç duhet”. Përtej paturpësisë tashmë evidente, këtu prishet edhe formati i emisionit. Babait të gjorë i jepet të kuptojë se nuk ka të drejtë, përndryshe duhet ta mbrojë qëndrimin e tij me një çmim: të shpallë dhe pranojë publikisht padrejtësinë që po u bën fëmijëve të tij! Dhe pas kësaj publiku pyetet se si do të sillej në këtë situatë dhe ai njëzëri brohoret kundër babait të gjorë dhe pro vlerave, jetës, lumturisë së vajzave. Kjo pasohet nga deklarata e ndihmëskomisioneres së dytë, e cila shprehet se “Vajzave po iu mohohet fëmijëria sot!”. Poshtërsia mbyllet me ofrimin e një makine përmes së cilës ai mund t’i vizitojë ato dhe më pas nga pyetja edhe më e ulët e lëshuar po nga moderatorja: “Në rastin që do të kesh ndihmë ekonomike, a do t’i marrësh vajzat në shtëpinë tënde?, pyetje e pasuar menjëherë nga ndërhyrja e fundit e njërës prej ndihmëskomisionereve, “Është tjetër gjë të duash fëmijën, dhe është tjetër gjë të dish të duash fëmijën. Ju lutem”. Babai refuzon për të fundit herë, dhe pasi e kanë linçuar publikisht, i shkaktojnë talljen e fundit: “Meqë ju nuk pranoni që ato të shkojnë te pastori, së paku të vijnë te ju” dhe në emër të kësaj ai ndihmohet me një milion lekë të vjetra. Babai largohet. Perdja bie.

Arsyeja përse gjithçka që ndodhi është në mënyrë të shumëfishuar një turp dhe skandal, gjendet në faktin se e gjithë kjo ndodhi në publik. Sikur kërkesat e vazhdueshme të të gjithë të pranishmëve të ishin bërë në një tryezë të rrumbullakët, pa kamera, pa publik, pa praninë e të gjithëve, gjithçka do të ishte ndryshe. Ekrani ka veti që realitete të njëjta t’i përthyejë dhe përkthejë bazuar në qëllimin e ndërtuesit të të gjithë rrëfimit, në këtë rast emisionit. Nëse formula e poshtërsisë në realitetin pa kamera është se ka gjithnjë një dorë e cila pasi hedh gurin fshihet, në realitetin e filmuar na mjafton ekzistenca e gurit dhe asgjëje më shumë; duart mund të mos jenë aspak të pranishme, apo thënë ndryshe, mund të hedhin pafundësisht gurë në goditje të shumëfishuara me kompromisin paraprak që të filmohet vetëm goditja, procesi i saj, çasti kur ajo ekzekutohet, pa u shoqëruar nga filmimi i dorës, pa u shoqëruar me filmimin e identitetit që goditi. Në këtë kuptim mund ta interpretojmë publikun. I ftuar aty si tejzgjatim i turmës së përditshmërisë – me dallimin e vetëm se vishet dhe pispilloset në cilësinë e një dekori estetik të studios dhe aspak të një zëri që përfaqëson shoqëroren – ai nuk përbëhet nga identitete të shqueshme, por nga elemente amorfe që pamundësinë e të paturit një formë e konsiderojnë standard dhe natyrshmëri. Të konceptuar paraprakisht dhe qëllimisht kështu, ata nuk ndihen aspak përgjegjës për përgjigjet që japin – sepse ata nuk identifikohen, nuk prononcohen, nuk paguajnë çmimin e individualizimit – ndaj dhe brohorasin njëzëri në mes të procesit të linçimit televiziv të babait. Por ka edhe më: ata janë ftuar aty për një qëllim, janë ftuar në cilësinë e një pakice që përfaqëson një shumicë, janë ftuar si përfaqësues të asaj që në gjuhën tonë të gazetarisë e etiketojmë si opinion publik. Tendenca për të shpallur, përkufizuar apo ravijëzuar identitetin dhe moralin e një kombi apo shoqërie përmes disa trupave fizikë që më tepër sesa identiteteve njerëzore me dinjitet dhe shpirt, u ngjajnë kukullave me kurdisje, drita dhe muzikë, është një narrativë mesa duket e zgjedhur qëllimisht nga Televizioni në fjalë. Sepse që publikimi i privatësisë së njerëzve është një mënyrë ideale për asgjësimin e tjetrit këtë e dimë të gjithë, por ajo që e kemi disi të vështirë ta kuptojmë, është pyetja se kujt i duhet dhe cilit i bën dobi kjo maskaradë televizive e familjeve tona të varfra dhe të dobëta? Ekranizimi i linçimit të babait duhet të na ndihmojmë që të gjithëve të reflektojmë rreth mënyrës se si media, pikërisht përmes ekranizimit të gjithçkaje, ka prirjen të relativizojë bindje morale dhe qëndrime institucionale të cilat në mënyrë konservatore kanë qenë pjesë identitare e këtij populli, e këtij kombi. Lidhjen me moralin individi e ka humbur përherë në luftë me armiqtë e tij, qofshin ata të brendshëm – dëshira për të zotëruar gjithçka është e destinuar të të shkatërrojë – apo të jashtëm – modelet e reja kulturore të paraqitura si emancipim dhe shenjë qytetërimore – por ajo që media bën është diçka më e lehtë, e paprecedent dhe karakterizohet nga një efektivitet asgjësues: ajo të zhduk intimitetin dhe të hedh në mejdanin e turmave interpretuese. Është ekzaktësisht ky pozicionim që e gjithë perspektiva e emisionit u mundua t’ia mvishte me çdo kusht babait. Dhe në çastin që ai u ndodh midis turmës dhe kredos së tij morale kishte vetëm dy zgjidhje: ose të shndërrohej në pre të linçimit të saj duke shtrënguar fort fitoren – sepse ajo nuk arsyeton, nuk reflekton, nuk mban përgjegjësi – ose të manifestonte disfatën në të njëjtat kushte, në publik, në ekran, sy të gjithëve. Babai ynë bëri të dytën, i shpëtoi linçimit duke rezistuar fort. Por jemi pikërisht ne, që kemi guximin të pretendojmë disponimin e një ndërgjegjeje, ata që duhet ta vendosim nëse ai u largua i mbuluar me turp apo si hero dhe pa asnjë çmim: dhe ne nuk kemi tjetër rrugë përveçse ta konsiderojmë hero, duke marrë përsipër peshën e turpit të turmave që na përfaqësojnë verbërisht.

*studiues/ Titulli është redaksional, origjinali është: Armiku i popullit.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjyqi: 19 provat e Krimeve të Rënda për Shullazin dhe bandën

Prokuroria depozitoi në Gjykatë 19 prova që sipas akuzës tregojnë implikimin e...
Read More