Rasti i Saimir Tahirit si shenjë e një procesi të pakthyeshëm të pastrimit të politikës

Nga Ervis Iljazaj

Lënia e mandatit të Saimir Tahirit është gjest tepër i vonuar. Këtë akt Saimir Tahiri duhet ta bënte që sapo nisën hetimet ndaj tij. Në këtë mënyrë do t’i hapte rrugën drejtësisë pa patur asnjë mbrojtje politike, mbrojtje e cila ishte koraca e tij gjatë gjithë këtyre muajve.

Duhet ta theksojmë që Saimir Tahiri në këtë moment që po flasim është njeri i pafajshëm deri sa mbi të nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë deri në shkallën e drejtësisë.

Megjithatë, nëse vërtet është i sigurt për pafajësinë e tij, ishte shumë më dinjitoze nga ana e tij të dorëzonte mandatin e deputetit që në krye të herës për të zhvilluar atë që vetë e quan beteja për të vërtetën.

Të njëjtat argumente që dha sot Tahiri për lënien e mandatit fare mirë mund t’i paraqiste që në krye të herës.

Por çfarë ndodhi që ky gjest erdhi pikërisht tani?

Me siguri për rastin e Tahirit ka një koniunkturë të re politike dhe nuk ka të bëjë shumë me gjetjen e provave apo me vullnetin politik dhe të drejtësisë shqiptare. Koniunktura e re është pikërisht takimi i Ramës në Gjermani. Gjermania është një vend i cili nuk mund ta perceptojë që të miratojë vendimin për hapjen e negociatave me një ish-ministër që i rëndojnë akuza të tilla dhe ka mbrojtjen politike për të penguar arrestimin e tij.

Prandaj, si presion i opinionit publik, si presion i ndërkombëtarëve, për herë të parë një politikan lë karrierën në mes si pasojë e drejtësisë. Në këtë kuptim rasti i Saimir Tahirit përbën një precedent, një proces të pastrimit të politikës shqiptare, që tashmë duket e pakthyeshme.

Debatet nëse Tahiri ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Ramën apo jo, janë deri më tani hipotezat që nuk bazohen në fakte, por në hamendësime. Të kuptohemi janë hamendësime që edhe mund të qëndrojnë, por e rëndësishme në këtë rast është fakti që rasti i Tahirit është precedent që do të shqetësojë të gjithë politikën shqiptare. Sepse, korrupsioni politik 25-vjeçar i Shqipërisë nuk mund t’i ngarkohet një personi të vetëm. Për këtë arsye ndihet qartësisht tensioni që ka kapluar politikën në këto momente. Është tensioni i një grupi njerëzish që po ndihet se drejtësia po i ikën nga duart.

Nëse mendojmë se me arrestimin e Tahirit, do t’i hedhim hi syve Europës për hapjen e negociatave gabojmë rëndë. Ajo që ndërkombëtarët presin nga ne është një çështje përtej asaj të Tahirit, që e përfshin sigurisht, por nuk mjafton.

Për këtë arsye “loja” që hapet me rastin e Tahirit është një lojë që ka shqetësuar të gjithë politikën shqiptare.

Ta themi njëherë e përgjithmonë, politika shqiptare është gjithmonë e më shumë e pavarur. Zhvillimet politike që ndodhin në Shqipëri nuk do të vijnë aspak si pasojë e politikës shqiptare, por si pasojë e një force të jashtme, kundrejt të cilës nuk kanë asnjë ndikim aktorët polikë të brendshëm. Kështu që, hapja e negociatave, afrimi i Shqipërisë me Europën, do të sjellë një politikë gjithmonë e më shumë procedurale, një politikë që aksionin e saj do ta ketë pothuajse të përcaktuar. Dhe, kjo është në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si i shpëtoi sigurimit Mons. dr. Zef Oroshi!

Historia dhe peripecitë e jetës së Mons. dr. Zef Oroshit, i lindur...
Read More