‘Reading Balkans’ në Tiranë: Intelektuali në kushtet e “hapësirës nën thonj”

Tirana i bashkohet kryeqyteteve të Evropës Juglinore në projektin Reading Balkans 2018. Në Shqipëri këtë udhëtim në krijimin e hartave letrare e drejton poeti Arjan Leka, dhe emra të tjerë të njohur të skenës letrare të rajonit; Në intervistën e mëposhtme Leka tregon kontekstin e “Reading Balkans”, si raporti me lexuesin dhe autorin kanë krijuar një hapësirë të re marrëdhënieje, edhe pse rajoni nuk ka luftra, urrejtje por vazhdon të përcjellë me hezitim njëri tjetrin.

Intervistoi: Violeta Murati

Po të huazojmë përballjen që poeti kroat Marko Pogaçar vendos individin, poezia e tij është një histori sipas të cilit çdo individ lufton, historia është një gjë intime, është “hapësira nën thonj”. Në këto kushte shfaqet intelektuali që fiton lirinë e tij. Në këtë hapësirë sollëm një figurë kyçe në skenën poetike të Evropës Juglindore, ku Pogaçar pritet të jetë i pari në projektin Reading Balkan, dhe hera e dytë që viziton Tiranën, ku në fillim të këtij muaji nisi rrugëtimin programi letrar Reading Balkans 2018. Ky program, që do të zhvillohet gjatë këtij viti në kryeqytetin shqiptar, i bashkohet projektit që sapo ka nisur njëkohësisht edhe në disa kryeqytete të tjerë të Europës Juglindore.

Projekti përmban lexime publike, leksione, urdhëtime në krijim të hartave letrare, ëorkshop dhe masterclass mbi shkrimin krijues, do të drejtohet nga shkrimtari Arian Leka dhe të ftuarit e tjerë që do të vizitojnë Tiranën, emra të njohur të skenës letrare të rajonit, të tillë si Marko Pogaçar, Lidija Dimovska, Emina Zuna etj. Programi Reading Balkans 2018  i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë. Reading Balkans organizohet nga Poeteka, si pjesë e Programit “Creative Europe” të Bashkimit Europian, duke vazhduar traditën që Poeteka vijon prej gjashtë vjetësh me rezidencen për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë “Tirana in Betëeen”, mbështetur nga rrjeti Traduki. Projekti Reading Balkans 2018, dhe rezidencat letrare në kuadër të programit Reading Balkans 2018 vijnë si bashkëpunim i Shtëpisë Botuese Goga (Slloveni), Goten Publishing (Maqedoni), Udruženje Krokodil (Serbi), Udruga Kurs (Croaci), Poeteka (Shqipëri), Qendra Multimedia (Kosovë), PEN Qendra (Bosnjë-Hercegovinë) dhe partnerë të tjerë. Në intervistën e mëposhtme Leka tregon kontekstin e “Reading Balkans”, si raporti me lexuesin dhe autorin kanë krijuar një hapësirë të re marrëdhënie, edhe pse rajoni nuk ka luftra, urrejtje por vazhdon të përcjellë më hezitim njëri tjetrin.

– Ç’është programi “Reading Balkans”, ky term do një shpjegim; si është përfshirë në këtë hartë kryeqyteti shqiptar?

Siç edhe shpallet dukshëm që në titull, programi kulturor e letrar “Reading Balkans” përfaqëson një projekt kulturor që zhvillohet përmes shkrimtarëve dhe letërsisë. Ky zhvillim i ri ka dy njësi vepruese. Së pari dhe më kryesorja, mbetet prania e gjallë e shkrimtarëve në shtatë kryeqytete dhe qendra kulturore të rajonit tonë. Së dyti, por jo me më pak rëndësi, krijimi i një platforme digjitale përmes së cilës autori komunikon jo vetëm me ata që ndodhen pranë por, falë teknologjisë edhe përmes komunikimit të audienceve në distancë. Çdokush që interesohet se cili autor ndodhet në Tiranë, Split, Beograd apo Prishtinë, për shembull, mund të informohet rreth tij, të marrë informacione, por edhe të hyjë në komunikim. Projekti është një formë propozimi që letërsia e Jugut dhe Lindjes europiane të shkojë drejt njëra tjetrës dhe njëkohësisht të takohet me Perëndimin. Kjo platformë promovon idenë e letërsisë me prani, pra jo vetëm të njohim librat, por edhe autorët dhe përkthyesit e tyre. “Reading “Ballkans” i kushtohet autorëve dhe letërsive të shoqërive pas konfliktit. Ky trem kërkon një  shpjegim. Duket sikur rajoni ynë  i ka lënë pas konfliktet e hapura, nuk ka më luftra, dhunë, vrasje, varre masive. Sigurisht që të tilla nuk ka më, por konflikti ka mbetur, madje është po aq i mprehtë dhe shkatërrues, pasi konflikti është drejtuar në kulturë. Mospranimi i tjetrit, shpërfillja kulturore, keqkuptimet stereotipet dhe klishetë me prirje nacionaliste janë të pranishme në rajonin tonë. Forma më e dukshme e tyre është mosbesimi se në kulturën fqinje, të kulturën e “tjetrit”, mund të ketë letërsi të mirë. Ky konflikt mban në këmbë mitet kulturore, ushqen modelet e superioritetit në kulturë dhe trajtimit të tjetrit si kulturë inferiore. Të gjitha këto dhe format e tyre të ngjashme bëhen parakushte për rikrijimin e konflikteve të dhunshme. Programi është i hapur dhe ka mirëpritur shkrimtarë, poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Shqipëria, të cilët, falë konkurimit, tashmë kanë filluar të jetojnë në “shtëpinë e tjetrit”.

Rezidencat letrare të programit të lexojmë Ballkanin dhe shkrimtarët ballkanikë ka futur në bashkëpunim elementë të pasur të skenës alternative kulturore dhe kjo është me mjaft rëndësi. Pra nuk kemi të bëjmë me një program të “privatizuar nga shteti”, siç ndodh shpesh  me shtetin a me qeveritë në vendet e rajonit tonë, të cilët pushtojnë dhe zhdukin çdo hapësirë publike dhe alternative. Programi “Reading Balkans” ka bashkuar në një platformë disa shtëpi botuese, si “Goga” në Slloveni dhe “Goten” në Maqedoni, Qendrën Multimedia në Kosovë, e njohur për kontributin e vet në botime, festivalin “Polip” dhe sidomos në punën me teatrin si mjet i drejtpërdrejtë komunikimi, PEN Qendra në Bornjë dhe Hercegovinë Shoqatën kulturore “Krokodil” në Serbi dhe “Kurs” në Kroaci, dhe “Poeteka” në Shqipëri. Bëhet i rëndësishëm edhe fakti se autorët e fitues të bursës për rezidencën letrare dhe ata që do të fitojnë, do të kenë një agjent letrar, që do t’u krijojë atyre mundësi komunikimi, kontakte dhe publikimi. Ky element, përveçse është risi dhe koncept lehtësues për autorët, bëhet edhe ndihmë për të kuptuar se si mund dhe duhet të funksionojë një skenë e pavarur letrare, e pasponsorizuar dhe e painvestuar nga kontribute jashtëletrare.

-Ju jeni drejtues i këtij projekti, dhe mund të themi një  nga njerëzit që në përpjekjet tuaja lexojmë një veprimtari dinamike për njohjen reciproke të autorëve, letërsive në rajon. Ne këtë, si lexues shqiptarë e ndjejmë, mbase jemi vend i vogël, ose kryeqyteti është një rreth i qendërzuar sa njihen më shpejt njerëzit e marrin më shumë rëndësi. Si ka qenë kjo ndërsjellje letrare, pritshmëria në vendet ku ka shkuar letërsia shqipe?

E kemi shqiptuar tanimë se, me gjithë një hapje paksa më të madhe dhe përpjekjet me ngulmim që kemi bërë, letërsitë e rajonit tonë ende pak të njohura, për shkak të botimeve të kufizuara edhe mungesave që i kemi përmendur, qoftë mungesa e prkthyesve të shumtë, qoftë mungesa e mendimit. Por mbi këto fakte unë do të theksoja fort se letërsia e rajonit tonë mund të jetë e palexuar, por jo e palexueshme, pasi prej kësaj letërsie, vetëm kohët e fundit janë botuar kryevepra të mirëfillta letrare.

Një rast i tillë, ndër më të fundit, është ai i autores kroate Daša Drndić, prej të cilës është botuar vepra e shquar “Sonnenschein” dhe është në projekt “Belladona”, që pasi ka hyrë në listën e ngushtë prej 3 kandidatë, vetëm pas pak ditësh, më 10 Prill 2018, mund të shpallet autore fituese për veprën më të mirë letrare të përkthyer nga gjuha origjinale në anglisht dhe të botuar nga një botues në Mbretërinë e Bashkuar.

Me këtë dua të them se nuk ka “letërsi të vogla dhe të mëdha”, “kultura të vogla dhe të mëdha”, “gjuhë të vogla dhe të mëdha”, ka vetëm autorë, botues, përkthyes dhe lexues të mirë, që “përgjojnë” kryeveprat letrare dhe që e kthejnë në qëllim futjen e këtyre kryeveprave në fondin e artë të letërsisë së një vendi. Letërsia shqiptare, larg çdo entusiazmi dhe euforie, por merr pak më shumë vëmendje, pra nuk është një ishull utopik, por po zë pak më shumë vend në hartën reale të përkthimeve.

Në perceptimin e lexuesit të huaj  ajo mbetet e lexuar pak dhe vetëm përmes disa emrave që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthore, falë rrugëve institucionale dhe punës gjurmuese të shtëpive botuese apo saje njohjeve njerëzore të llojit shortcut, ka mundur të përkthehet në gjuhë të ndryshme të Europës. Ka ftesa dhe lëvizje, por letërsia që shkruhet në gjuhën shqipe duket si e gozhduar (jo e kryqëzuar, se nuk e ka mbërthyer kush, siç edhe nuk na ka shenjtëruar) në termat “e vogël” / “e panjohur”.  Pra, lutje për më pak eufori për përpjekjet e pamjaftueshme, por sidomos më pak zhurmë e zulmë, por sidomos për arritjet e pakta, të cilat bëjnë më shumë zhurmë sesa punë.

– Creative Europe, Traduki, apo çmimet letrare që vijnë nga Europa si projekte të BE-së, a nuk “selekton” letërsinë, nuk i jep liri lexuesit, ose dyshoj se bëhet më politike?

Çdo iniciativë, çmim e vlerësim është dhe do të mbetet e mirëpritur, përderisa prej nesh, pra prej faktorit shqiptar që merret me to në nivelin e partnerit lokal, do të ketë përkushtim, sinqeritet dhe marrëdhënie të sinqertë me veten dhe jo me çmimin letrar, me bursën a me projektin. Të gjitha këto janë rekomanduese, jo detyruese, lexuesi nuk futet në asnjë shtrëngim të lexojë një autor me çmim prej stukturave të tilla apo të marrë pjesë në një veprimtari të mbështetur nga rrjete si këto.  Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo demonstron sjellje asociale, mungesë vetëvlerësimi e përfaqësimi dhe vazhdon të rrijë e strukur brenda zonës së saj gjuhësore, duke mos marrë pjesë sa duhet dhe sa mundet në përfaqësimet që zhvillohen në rajon dhe në Europë. Në këtë lëvizje, rrjeti Traduki dhe iniciativat “Creative Europe” kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë dhënë ndihmesë domethënëse, pa shpërfillur nisma të brendshme, si ajo Ministrisë së e Kulturës mbi përkthimin e letërsisë shqiptare, që po zë vend.

– Përkundër letërsisë që përpiqet të gjejë të ngjashmit mes vendeve të Ballkanit, politika sheh në të kundërt, dhe roli i shkrimtarëve duket sa vjen e bëhet më i zbehtë. Po të nisemi konkretisht nga ne, vendi ynë a nuk ndjen të njëjtën gjë?

Suksesi ndahet më lehtë se dështimi. Ndodh pak a shumë si me plaçkën e luftës nga Antikiteti në Mesjetë, secilit nga pak. Por pas çdo dështimi priremi të gjejmë jo rrugëzgjidhje, përmirësime apo zgjerim të bashkëpunimit, por fajtorët dhe armiq që na pengojnë të shkëlqejmë. Pas fqinjëve, “armiqve të përhershëm kulturorë”, që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë, shteti, politikat kulturore dhe qeverisja mbetet të jenë fajtori ideal. Dhe pse jo?

A nuk ka dashur vetë politika ta marrë rolin “protektor” dhe a nuk ka zgjedhur ajo të jetë jo partner, por investitori dhe koncesioneri kryesor i “produktit kulturor shqiptar”? Faktorët e tjerë kontribues në fushën e librit, me gjithë nismat, nuk kanë ofruar ende modele alternative të qëndrueshme e të pavarura, që nuk do ta lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese, që josh dhe shpërblen vetëm “artistët e tij”. Madje vetë faktorët e skenës alternative të librit dhe të përurimit, priren të imitojnë shtetin, duke prikuar edhe ata listat me “artistët e tyre”. Kjo reminishencë ka shije të hidhur, jo vetëm për kujtesën dhe lidhjen me totalitarizimin e artit dhe çdo strukture të tij. Me shumë për simetrinë, për përsëritjen e përhershme të të njëjtit gabim, edhe kur e kemi provuar se kjo skemë nuk do të na çojë larg.

-Poeteka, apo Festivali i Ndërkombëtar i Letërsisë, që organizoni, mbahet mbi leximet publike. U jemi drejtuar dhe herë të tjera për këtë raport me lexuesit, dhe mjaft herë ka pasur debat sa lexojnë shqiptarët. A nuk krijojnë një “hartë” të izoluar, qoftë hapësirave por edhe interesit për librin?

E kemi prekur edhe herë të tjera së bashku këtë temë dhe këtë çështje a problematikë, quajeni si të doni në një intervistë. Në vend të fjalës publike do të përdor fjalën lexime autori apo lexim autorial. Ka një dallim të dukshëm tek ajo që kemi bërë, që po bëjmë dhe që dëshirojmë ta bëjmë edhe në vijim. Nxitjen e leximit nga autori. Leximin e autorit, ku autori lexon përballë publikut të tij, kjo është prirja jonë. I jemi drejtuar atij publiku që vjen i pashtrënguar drejt këtij autori dhe pa asnjë detyrim a kushtëzim, i palistuar dhe i paskeduar, dhe që nuk i kërkohet llogari nëse vjen vetëm një herë apo që  është vizitor i shpeshtë dhe që nuk ia thërrasin publikisht emrin të lexojë, me komandë apo me urdhër, plus një buzëqeshje, si një spektakël. I kemi dhënë rëndësi leximit pa ndërmjetësim. Pra jo thjesht lexim publik, apo lexim në publik apo leximi i njerëzve publikë për lexuesit që dinë të lexojnë dhe që nuk kanë nevojë për këshillim. Autori, shkrimtari lexon, as aktori për autorin, as iniciativat politike, prej të cilave shpesh nuk kemi të dhëna se sa për qind u rrit leximi, as leximet rituale, për të cilat kujtohemi sa herë që vjen 21 marsi, 22 prilli apo 32 gushti…Autori lexon, përderi sa kemi mundësinë dhe luksin e madh ta kemi përballë autorin. Tingëllon bukur edhe kur lexuesi a përkthyesi lexon autorin e tij, sidomos në prani të vetë autorit. Këto prirje kemi përuruar. Dhe jo shumë javë më parë, në çelje të iniciativës “PoetryCard”, ku në “Hemingway Bar ”u përurua rishtasi revista “Fryma” e vitit 1944, Rilke në mbërritjet e tij më të para në shqip  dhe Arshi Pipa përkthyes, apo kur  në “Friend’s Book House” u përurua përmes leximesh autor-përkthyes lexues krijimtaria e shkrimtarit Miroslav Čurćič apo leximi e creative-ëriting me poetin kroat Marko Pogaçar, që do të zhvillohet këtë muaj. Por përsëri është pak, ndonëse mund të jetë një fillim i mirë. Me gjasë.

 

Marko Pogaçar, i pari në Reading Balkans

Poeti kroat Marko Pogačar është autori i parë që çel programin e Shkrimtarëve në Rezidencë Reading Balkans 2018. Është hera e dytë që ky autor viziton Tiranën. Hera e parë i takon qëndrimit të tij njëjavor, ku ai, me ftesë të Festivalit Ndërkombëtar të letërsise Poeteka dhe me rastin e “DadaFestLiterature 2016”, performoi poezitë e tij në disa pika të rëndësishme për kujtesën historike dhe kulturore të kryeqytetit, si te  “BunkArt 1” në “PostBllok” dhe te “Reja”, ndërkohë që rikthimi i Marko Pogačar në vitin 2018 lidhet me angazhime për bashkëpunime më të gjera letrare. Marko Pogačar (Split, 1984) studioi letërsi të krahasuar dhe histori në Universitetin e Zagrebit. Ai është autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, ese dhe prozë, për të cilët është vlerësuar me çmime letrare në Kroaci dhe çmime të tjerë ndërkombëtarë. Mes të tjerësh janë të mirënjohur librat me poezi “Pijavice nad Santa Cruzom” (2006, 2009), “Poslanice obicnim ljudima” (2007) “Predmeti” (2009) si dhe libri me ese “Atlas glasova” (2010).  Nga motivet e natës, zjarrit, erës, tymit dhe ziftit autori thur një labirint të zymtë të kohës së sotme. Libri “Crna pokrajina” (Vend i Zi) i Marko Pogačar-it  është botuar në gjermanisht me titull “Schëarzes Land”, në përkthimin e Alida Bremer-it, pranë botimeve “Edition Korrespondenzen”, Vjenë. Në vitin 2014 Marko Pogačar përgatitit antologjinë e “Lirikës së re kroate”. Ai është redaktor i revistës së njohur letrare “Quorum” si dhe i revistës online për çështje kulturore dhe sociale “Proletter.me”. Marko Pogačar është ndër të tjera bashkëpunëtor Literarische Colloquium Berlin, Passa Porta, Internationales Haus der Autoren Graz, Civitella Ranieri, Récollets-Paris, Milo Dor, Brandenburger Tor, Krokodil Beograd dhe Literaturhaus NÖ. Libra dhe tekste e tjerë nga Marko Pogačar janë përkthyer dhe botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Poezitë dhe tekste të tjerë të autorit kroat Marko Pogačar janë përkthyer në shqip nga Ben Andoni, Anton Berishaj, Suadela Balliu janë në revistën letrare “Poeteka”, partner me Eurozine. Brenda një kohe shumë të shkurtër Marko Pogačar është bërë një figurë kyçe në skenën poetike të Europës Juglindore. Vëllimi i tij me titull “Crna pokrajina” është një përballje sensuale dhe njëkohësisht intelektuale me kushtet në të cilat njeriu fiton lirinë. Historia, tregon  Pogačar, është detyra e çdo individi, një gjë intime, për të cilën duhet të luftosh – është “hapësira nën thonj”.

 

 

 

 

Marko Pogačar

 

REVOLUCIONI PERMANENT I GJUHËS SË POEZISË SË DASHURISË

TROCKISTËVE TË LODHUR

Si, në vitin 2007, të shkruash poezi dashurie?

kjo është kohë e dendur nga dashuria.

 

të gjithë, në të vërtetë, na duan me masë.

teoria flet për mungesën e plotë të lëvizjes.

 

tregu thotë: nëse flet për dashurinë,

flet për zotin, ose anasjelltas.

 

Pogaçari është i mendimit: gjithçka është zot , zoti është asgjë.

bombardues përplot domethënie të rrezikshme.

 

por diku në cepin e asaj dashurie, kur ta mbërthesh pas murit,

del diç e papërmbajtur.

 

rezervat i marrjes dhe dhënies.

dhe në të një baobab nëpër kurorën e të cilit ngjitesh në qiell.

 

në fund e di: e vemja gjë më e tmerrshme se fashizmi

është fashizmi i matur.

Përktheu: Anton Berishaj

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Poeteka”: Dy novela botërore në shqip

Botimet Poeteka sjellin në shqip dy botime, Novela botërore 1 dhe 2,  përkthyer nga...
Read More