Reagim i  AlbKalustyan: Papërgjegjshmëria e katër televizioneve anullon kontratat për 3,7 milion dollarë eksporte! *

Shqipëria, tashmë si një ishull, i cili njihet në botë si Columbia Europiane, po përballon ose më mirë të themi po merr mbi supet e lodhura edhe keqinformimet mediatike vizive. Këto keqinformime fale link-eve të portaleve shpërndahen në të gjithë botën shumë shpejt. 

Kur Kryeministri i Shqipërisë i quajti KAZAN unë u revoltova dhe më erdhi keq, por kur kronikat mediokre të  ABC News, Ora News, News24 dhe Report Tv fokusonin në planin e parë fabrikën e bimëve medicinale AlbKalustyan, e cila ka 26 vite që eksporton në Europë; Kanada; Indi, SHBA dhe Australi; duke dhënë lajm mbi shiritat e bllokimit të magazinës së bananeve.

Duke parë fokusimin gjigand të AlbKalustyan në një keqinformim mendova se Kryeministri kishte tej mase të drejtë, se ato lloj mediash mund të barazoheshin edhe më ndryshe me ndonje emërtim të atyre që ndotin ambientin dhe ajrin e pastër. 

AlbKalustyan nuk ka , nuk ka patur dhe as nuk do ketë, jo vetëm probleme të tilla, por nuk do të ketë kurrë probleme me ligjin. 

AlbKalustyan është nderuar me Çmime Ndërkombëtare në Gjeneve, New York; me Çmime Kombëtare dhe do t’i mbajë ato si simbol drejtimi. 

AlbKalustyan është e çertifikuar nga organizma ndërkombëtare që njihen botërisht si BRC e të tjera. 

Ishin si  BOMBA e-mailet dhe telefonatat e partnereve nga SHBA deri në Austri, të cilët, me keqardhje, njoftonin anullimin e kontratave për 2018, sepse, falë kolegëve “dashamirës”, link-et e kronikave të dhëna nga kazanët mediatikë vizivë tani kryqëzonin botën. 

Deri tani janë anulluar 3,7 milion dollarë kontrata shitje të sherebelës, trumzës,  rigonit dhe timusit. 

Pyes ABC News, Ora News, News24 dhe Report Tv  kush do të përgjigjet për këtë humbje?! 

Kush do të përgjigjet për këtë imazh të dëmtuar?! Kush do të kthejë tregun në normalitet përsëri? Kush do t’i përgjigjet 300 fermerëve?!

Unë i këshilloj këto media t’i vënë gishtin kokës, të dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm për çfarë bëjnë! Shqipëria dhe bizneset kanë hallet e veta të cilat janë reale, të trashëguara apo të prodhuara nga politikat jo të drejta, mediat duhet të ishin ato që të ndihmonin biznesin jo ta “shpartallonin“ atë me gënjeshtra e sajesa. Si mund të jepet një kronikë mediokre e dikujt tjetër me pamjet e një biznesi i cili njihet botërisht për cilësi, novatorizëm dhe korrektesë?! Si mund të jepet kronika nga ABC News “i vihen shiritat magazinës së bananes” dhe del në pamjen e kronikës AlbKalustyan?! Si mund të thuhet  në kroniken e Report TV me audio “Është shpallur në kërkim pronari i kompanisë” dhe të fokusohet logoja e AlbKalustyan?!

Këtë e bëjnë vetëm ata të çmendur ose ata mjeranë, të cilët duan lajm për të thënë “e bëmë një punë” dhe për të bërë shfaqje me jetën dhe të ardhmen e të tjerëve. 

Gjithsesi Shqipëria ka nevojë për media informative të sakta, ku të pasqyrohet realiteti i bardhë apo i zi!

Kurrësesi nuk i shërbejnë këtij vendi mediat informative për shoë dhe gënjeshtra! Këto janë kazane dhe mbetje, të cilat shumë shpejt do të mblidhen në landfill-et që do të krijojë Lali Eri. Ne bizneseve shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi na duhen media serioze, të cilat nuk mungojnë për të paraqitur edhe ato shumë gjëra të mira që ka Shqipëria. 

Kazanët më shumë se kushdo  tjetër me gënjeshtrat dhe kronikat e zeza e kanë bërë Shqipërinë një Kolumbi të njohur në botë!

O njerëz, që vetëm gazetarë nuk jeni e nuk do të bëheni kurrë, mos u mundoni të ndërtoni karrierën në baza gënjeshtrash, sepse është njësoj si të mbetesh pa shtyllë kurrizore!

Përmes këtij artikulli ju bëj thirrje kolegëve të mi biznesmenë të ndershëm, gazetarëve të ndershëm profesionistë, organeve të akuzës e të gjyqësorit shqiptar si edhe Qeverisë Shqiptare që të jemi në një bllok që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë këtyre njollave të zeza që zvarriten si krimbat e plehut dhe të ndërtojmë një Shqipëri në këtë vend të begatë që na ka dhuruar natyra e po e dhunojne padrejtësisht njerëz të ulët.

Siç duken nga fotot, në pamjen e parë del se AlbKalustyan është pjesë e kësaj historie, por në fakt nuk ka asnjë lidhje me të. 

Unë kam besim të plotë tek Drejtësia Shqiptare dhe mbase edhe Gjykata Europiane se dëmshpërblimin e kompanisë AlbKalustyan do ta paguajnë një për një, në bazë të ekspertizave që do të kërkohen! Nga ana tjetër këto media do t’i kenë një borxh të madh kompanisë time dhe rreth 300 fermerëve që furnizojnë këtë kompani që nuk mund t’ia paguajnë dot kurrë imazhin dhe pasojat e së ardhmes të këtij biznesi!

3.7 milion dollar eksporte të anulluara do të japin efektet e veta jo vetëm tek AlbKalustyan, por edhe tek këto media që gatuan këtë katastrofë me qellim apo nga injoranca të paguar apo nga pakujdesia! Këto do t’i zgjidhë Drejtësia Shqiptare!

                                                                                    Xhevit Hysenaj

*Artikull i paguar

 

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Eleni Foureira: Çfarë më ka mbajtur larg muzikës shqiptare

Për pak sa nuk fitoi Eurovisionin, por të paktë ishin ata që...
Read More