Reagimi ndaj përmbytjeve si një test civilizimi


Nga Gentian Kaprata – 
 Memo Sovranit!

Broçkullat e elitës politike mbi përmbytjet, këtë javë, i lanë vendin ca të tjerave për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Vlerësuar nga pikëpamja e interesit publik asgjë nuk ndryshon dhe shoqëria shqiptare mbetet në udhëkryqin e zakonshëm, ku duhet të zgjedhë midis të mosbërit asgjë për të pritur përmbytjen e radhës, apo nxjerrja e mësimeve nga pësimet dhe të marrë masa që “krimet natyrore” të mos na dëmtojnë kaq shumë.

Nuk e di cilën rrugë do të zgjedhë shoqëria shqiptare, por shpresoj shumë të jetë kjo e dyta e cila starton me përcaktimin se cilat janë fazat e reagimit të shoqërive të civilizuara, dhe cilat janë rrugët që duhen ndjekur për suksesin e tyre.

Faza e parë ka të bëjë me marrjen e masave përpara se shkaktari të ndodhë. Kjo bëhet për çdo lloj sulmi natyror, përfshirë tërmetet e zjarret, por në rastin e reshjeve është më e thjeshtë sepse ato mund të parashikohen.

Pra, nëse në rastin e tërmeteve dhe zjarreve mund të parapërgatitemi vetëm duke përdorur teknika për zhvillime të planifikuara dhe të projektuara në përputhje me dijen shkencore, në rastin konkret mund të reagojmë edhe brenda një sezoni. Na duhet thjesht të ndërgjegjësohemi që qeveria nuk është Zoti, dhe t’u kthehemi praktikave që kemi përdorur për largimin e ujërave që nga koha e Skënderbeut (shembuj gjenden me lehtësi në fshatrat e Bregut).

Faza e dytë është përballja me sulmin natyror përgjatë kohëzgjatjes së tij. Sa më mirë të jemi investuar në fazën e parë aq më lehtë kalohet e dyta, edhe pse teknikat e përdoruara që nga mesjeta kanë evoluar shumë. Sidoqoftë as në këtë fazë qeveria nuk është Zoti, por si entiteti i vetëm i organizimit shoqëror ajo mban përgjegjësi për ato çështje që shoqëria i ka të përbashkëta.

Pas mbrojtjes prej sulmeve nga shoqëri të tjera (ushtri), dhe nga individë të këqij të shoqërisë sonë (polici), mbështetja e civilëve nga sulme të tilla është funksion bazik qeverisës. Kështu që, ajo duhet të investohet seriozisht në ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes civile nga fatkeqësitë.

Faza e tretë dhe e fundit është kthimi i gjendjes fizike të territoreve dhe zhvillimeve në të, në gjendjen e para sulmit natyror. Nëse duam që jeta të vazhdojë edhe në këto territore dhe të vërtetojmë që ne dominojmë, duhet të ndërmarrim veprime rikuperuese.

Kjo na bën më superiorë se të parët tanë të tre apo katër mijë viteve më parë, që në një sulm të tillë largoheshin nga ato territore duke lënë mbrapa edhe humbjet që kishin pësuar. Por ajo që do na projektonte si një shoqëri të aftë të planifikojë zhvillimet e saj, të paktën sa 200-300 vjet më parë (Mangalem Berat), është arsyetimi mbi logjikën minimale që po ndërtove në të njëjtën kuotë me lumin, përmbytesh.

Variantin tjetër, atë që e përdorim prej 25 vjetësh, atë të zëvendësimit të humbjeve dhe marrjes së disa masave për sulmet natyrore në të ardhmen, duhet ta harrojmë. Është kjo mënyrë që, falë cektësisë së arsyetimit dhe ndryshimeve klimatike, na ka çuar nga përmbytja në përmbytjen më të madhe.

Ajo që do na projektonte si një civilizim bashkëkohor është trajtimi i fazës së tretë si një aktivitet, së pari, planifikues. Ai duhet të jetë jo vetëm i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, por mbi të gjitha, i zgjuar. Aq i zgjuar sa të mos limitohet vetëm duke trajtuar këtë temë specifike, por duke e konsideruar këtë temë si një nga elementet e shumta të problematikave territoriale.

Adresimi i dëmeve dhe disbalancave që kemi pësuar nga: ndërtimtaria e fragmentarizuar në qendrat e banuara; zhvillimet pa leje (për shkak të karakteristikave); popullimi disproporcional i territorit kombëtar (imigracioni); emigracioni masiv; dhe ndryshimet klimatike, duhet të jenë korniza e këtij lloj planifikimi.

Ai jep perspektivat për zgjidhje të të gjitha çështjeve urbane dhe territoriale, përfshirë edhe çështjen e përmbytjeve. Sepse këta janë shkaktarët e vërtetë, sikurse për shumëçka, edhe për përmbytjet. Pa përfshirë këto, nuk mund të kemi zgjidhje të qëndrueshme në kohë, gjithëpërfshirëse në kontribute dhe përfitime, dhe të zgjuar në rendimentin ekonomik.

Falë kësaj mënyre të menduari, faza e kthimit të territoreve në gjendjen fillestare (3) përfshin në vetvete edhe fazën e marrjes së masave paraprake (1), dhe ajo që mbetet jashtë është vetëm faza e përballjes me sulmin ndërsa ai është duke ndodhur.

Sepse investimet e zgjuara për kthimin në gjendjen para dëmtimeve orientohen drejt masave që minimizojnë efektet e sulmit. Kur kjo kthehet në sistem, është ai që punon për shoqërinë dhe ne kemi mbërritur në pikën ku duhet të ishim 25 vjet më parë. Në pikën ku ndërtesat dhe aktivitetet njerëzore, sikurse shkenca e zhvillimit territorial na mëson, lokalizohen vetëm në territore të përshtatura më parë për zhvillim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Elisabeta Imeraj, prokurorja “e hekurt”

Ajo u shfaq sot në Komisionin e Mandateve e prerë dhe e...
Read More