Realitete të edukimit: Edukimi në udhëkryqin ndërmjet dy sistemeve

Nga Marina Prifti

Edukimi është një fjalë që përmbledh dy kuptime, të jesh i edukuar do të thotë të jesh i socializuar në atë masë sa të respektosh dhe zbatosh rregullat e shoqërisë dhe të ekzistencës humane dhe nga ana tjetër, do të thotë të jesh i mirinformuar me një sasi të caktuar dijeje e cila të jetë e aftë për ta specializuar individin në një profesion të caktuar dhe të jetë e vlefshme për t’u ruajtur si dije e grumbulluar. Që këtej rrjedh edhe qëllimi i dyfishtë i komunikimit, edukimi është aftësim i individit për të funksionuar në shoqëri si pjesëtar i suksesshëm i saj dhe nga ana tjetër është aftësimi i tij për të hyrë në zinxhirin e punës ose integrimit si qelizë e domosdoshme në raportet e shkëmbimit të vlerave të krijuara në procesin e punës. Nga ky përcaktim dalim te dy problematikat kryesore që ka edukimi në Shqipëri, e para është aftësimi social i individit dhe e dyta, aftësimi intelektual dhe profesional i tij.

Edukimi nuk është fenomen i shkëputur social apo krijim abstrakt i shoqërisë, por është fenomen social i bashkangjitur me fenomenet e tjera sociale siç janë organizimi politik dhe ekonomik, fenomene të cilat sa ndikojnë në arsim, aq janë të ndikuar prej tij.

Ndryshimi i organizimit politik në Shqipëri solli si pasojë ndryshimin ideologjik dhe filozofik të programeve shkollore, sidomos të atyre të shkencave sociale. Arsimi profesional u orientua kryesisht drejt profileve joindustriale të shoqërisë dhe u mbulua më së shumti nga sektori privat përmes ofrimit të njohurive të profileve estetike, kulinare etj. Në këtë pikëvështrim shohim se arsimi profesional është ai që i përgjigjet në mënyrën më direkte nevojave të tregut, pavarësisht se ai orientohet dhe përmbushet shpesh nga sektori privat i arsimit.

Sot ekonomia e tregut ka përjashtuar barazinë e dikurshme arsim-punë. Arsimi sot shihet si një mënyrë për t’u punësuar jo me planifikim shtetëror, por me vullnet personal dhe vlera edukative të cilat shpesh bëhen komerciale. Ekonomia e tregut e ka utilizuar arsimin në nevojat më imediate të pajisjes me një diplomë ose profesion, ka minimizuar profesionet e konsideruara të papreferuara ose “punë të vështira” dhe ka komercializuar vlerën sociale të individit.

Sot arsimi në cilësinë e një dijeje të grumbulluar për efekt kulture, e ka humbur rëndësinë e vet dhe ka marrë përparësi arsimi si grumbullim dijesh në funksion të ekonomisë së tregut. Kjo duket qartë edhe në preferencat e maturantëve që i drejtohen arsimit të lartë. Degët e zgjedhura prej tyre janë kryesisht profesionet e suksesshme sot në Shqipëri, si: ekonomia, avokatia, shkencat politike. Në mënyrë intuitive kjo tregon orientimin e ekonomisë sot, por parë me syrin e shifrave kjo tregon për mungesë balance në përgatitjen e individëve në disa profile dhe boshllëkun e krijuar në profile të tjera më pak të kërkuara në treg. Kjo tregon që arsimi nuk është i kontrolluar më nga shoqëria në masën e një funksioni social, por ka një liri relative e cila mbaron aty ku arsimi nuk e gjen veten në tregun e punës. Për aq kohë sa shoqëria do të lejojë lëvizjen e lirë të individëve nëpër profesione të ndryshme, i vetmi orientim social që ajo bën është ekonomia e tregut, prandaj problemet e arsimit sot janë ekonomike përpara se të jenë intelektuale.

Orientimet ekonomike të shoqërisë duhet të pasqyrohen në një planifikim të përafërt për nevojat e tregut të punës dhe profilizimit të individit sepse mungesa totale e orientimit krijon ose mungesë specialistësh, ose tepricë, gjë e cila pavarësisht se testohet në tregun e punës është pothuajse e pamundur të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër, prandaj politikat arsimore duhet të jenë afatgjata dhe vizionare, në mënyrë të tillë që arsimi të përfitojë prej tyre dhe jo të jetë mungesë ose pasojë e mospasjes së strategjive arsimore. Në arsim këta njëzet vjet janë marrë reforma të rëndësishme dhe radikale për sa u përket teksteve, metodave, ndarjes së ciklit në nëntë plus tre, si dhe ndarjes së arsimit të lartë në tre plus dy.

Tekstet përdorin metoda të tipit amerikan të shkollës, ku sistemi spiral nënkupton cekjen e shumë njohurive, pa përsëritur kapitujt njëri-tjetrin. Kjo metodë mësimdhënieje është prezantuese dhe jo përforcuese, gjë e cila shkakton njohuri të ndërprerë dhe të palidhur si edhe lodhje dhe konfuzion mendor te nxënësit, të cilët testohen vazhdimisht për kujtesë mekanike dhe jo logjike, e cila zhvillohet mbi bazë të mësimeve të lidhura dhe të rimarra deri në përvetësim të plotë të dijes.

Tekstet sot në Shqipëri janë në një fazë krejtësisht eksperimentale, me përkthime shpesh të dobëta dhe të keqshqipëruara, me mungesë testimi të IQ-së së nxënësve dhe me orientim të përgjithshëm drejt nxënësit të mirë dhe jo atij të nivelit mesatar. Kjo po bën që shumë nxënës t’iu drejtohen kurseve private në pamundësi për të ndjekur vështirësinë e tekstit, gjë e cila përsëri dobëson sektorin shtetëror në arsim dhe forcon atë privat. Si rrjedhojë, arsimi po bëhet gjithmonë e më shumë i shtrenjtë, gjithmonë e më shumë privilegj i një pjese të shoqërisë dhe po dëmtohet seriozisht masivizimi i tij, pavarësisht se është masivizuar ndoshta në mënyrë të gabuar në arsimin e lartë.

Universiteti i dyerve të hapura ishte reforma më e thellë arsimore që është ndërmarrë në Shqipëri, duke krijuar një sërë problematikash të reja në arsimin jo vetëm të lartë, por në të gjitha hallkat arsimore, sepse zhvlerësimi i rezultatit të shkollës së mesme përballë dyerve të Universitetit zbeh interesin e nxënësve për ato rezultate dhe pa motivim real siç është nota, shkolla e humbet karakterin e saj klasifikues dhe kthehet në konstatuese të një numri gjithmonë e më të madh të rinjsh të painteresuar për dije, por që përsëri hyjnë në Universitet. Kjo ndryshon në mënyrë radikale edhe konceptin e universitetit, si institucion i arsimit të lartë. Universiteti është kthyer në institucion të arsimit masiv, ndërsa ka humbur masivitetin e vërtetë të kërkesës së dijes së kualifikuar dhe të specializuar si dije e nivelit të lartë. Ky sistem arsimi dobëson shkollën nëntëvjeçare dhe të mesme sepse askush s’ka pse lodhet, në Universitet do shkojnë të gjithë. Unifikimi i vlerës në këtë rast stimulon vlerën subjektive duke demotivuar vlerën reale sepse individi do kërkojë rrugën më të lehtë për të marrë një diplomë duke komercializuar vlerën e diplomës, komercializim i cili nga ana tjetër, dobëson qëllimin edukativ të arsimit, arsimi në këtë rast nuk formon, por deformon.

Demokratizimi i hyrjes në universitet duhet të ndiqet nga reforma përshkallëzimi të nivelit të diplomave, duke përcaktuar nivele dhe shkallë të ndryshme të diplomës, në përputhje me rezultatet e arritura. Një kriter i tillë vlerësimi nuk mund të lihet në dorë të tregut të punës, por duhet të institucionalizohet, në mënyrë të tillë që të mos ketë fenomene korruptive në arsim, ku mungesa e cilësisë kompensohet me vlerë monetare.

Ulja e interesit për dijen sot te shqiptarët vjen si pasojë e korruptimit të tregut të punës, i cili korrupton me radhë edhe sistemin arsimor. Nga ana tjetër, hapja e Shqipërisë ndaj botës mundëson arsimin e shqiptarëve në universitete ndërkombëtare, gjë që sjell konkurrencën e diplomës shqiptare me atë të huaj. Kthimi i shqiptarëve të diplomuar jashtë në Shqipëri, krijon një ekuivalencë të re të vlerësimit të diplomës, në favor të të diplomuarve jashtë. Kjo ul vlerën e diplomës dhe universitetit shqiptar jo për faj të studentëve të pasionuar që mund të mbarojnë me nota të shkëlqyera, por për faj të strukturave universitare ende delikate dhe të paqëndrueshme të cilat do favorizojnë përsëri atë që paguan më shumë. Kjo do çojë në polarizim të mëtejshëm të vlerave sociale, që do komandohen përsëri nga ekonomia e tregut.

Nga kjo panoramë e përmbledhur e problemeve më kryesore të arsimit sot, vërejmë se arsimi është hallkë e politikës sociale dhe si i tillë problematikat e tij nuk zgjidhen me reforma arsimore, por sociale. Nga ana tjetër, arsimi është pasojë sociale dhe krijues pasojash, i krijuar prej politikës dhe krijues politikash. Përballja e arsimit me politikat sociale do e reformojë arsimin në atë shkallë sa do ta lejojnë politikat sociale të reformohet dhe do ndikojë mbi këto të fundit në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe testimin e arsimit në tregun e punës, që do të thotë se në të ardhmen qëllimi i arsimit për të aftësuar individin nga ana sociale, do anashkalohet në favor të qëllimit utilitar të tij, punësimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vatikan 1968, kur meshohej shqip për Skënderbeun

Kronika e plotë e aktiviteteve të përkujtimit të 500-vjetorit të vdekjes së...
Read More