“Referendumet, një model që zëri i njerëzve të dëgjohet”

Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, ishte i ftuar në ciklin e Forumeve UET në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë 

Demokracia e drejtpërdrejtë e perspektivës zvicerane mund të ketë forma të zbatimit zviceran dhe për Shqipërinë. Kështu beson Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Tiranë, i cili mbajti një leksion të hapur në Universitetin Europian të Tiranës, i ftuar në ciklin e Forumeve UET.

Zoti Graf foli mbi dobinë e referendumeve në demokraci, duke sjellë shembullin e vendit të tij, ku njerëzit janë të lirë të propozojnë referendum për çdo çështje që atyre iu intereson.

Po kur vjen çështja te përvoja shqiptare nuk ka shumë shembuj që të tregojnë forcën e njerëzve në vendimmarrje.

“Mbase një lloj frymëzimi nga vendi ynë mund të kontribuojë në pasurimin e debatit mbi një ligj më praktik mbi referendumet në Shqipëri”, -tha ndër të tjera ambasadori Graf. Ai foli për modelin zviceran të referendumeve, si një mënyrë për të fuqizuar mendimin e njerëzve në çështje të ndjeshme për ta.

Ju folët për organizimin e referendumeve në disa nivele. Unë doja të dija një informacion se sa i kushton e gjithë kjo në vit buxhetit zviceran? Kjo për të kuptuar a mundet një vend si Shqipëria t’i afrohet Zvicrës apo është i kushtëzuar edhe në këto çështje për të aplikuar demokracinë direkte?

Do të thoja po, varet nga numri i referendumeve që do të bëni. Nuk mund të bëj një llogaritje të kostove për referendumet që janë bërë në Zvicër, por kjo pyetje nuk është shtruar kurrë atje, sepse është e qartë, ne e kemi këtë të drejtë dhe kjo nuk vihet në dyshim. Nëse shoh shpenzimet në total të vendit nuk do të jenë më shumë se 1%. Edhe këtu në Shqipëri nuk do të ishte shpenzim tepër i madh të printosh zarfet dhe letrat. Mendoj se pjesa më e rëndësishme është të informosh, të kesh një debat dhe mendoj se kostoja nuk është çështje edhe për Shqipërinë sepse ju keni një buxhet të madh të qeverisë, mendoj se nuk përbën problem për qeverinë.

Dispozitat ligjore që kanë mbetur mbi referendumet e kufizojnë të drejtën e popullit për të marrë pjesë në referendume. Qëllimi është që aktorët politikë, pra aktorët partiakë të kenë të gjithë vendimmarrjen për të qeverisur këtë vend. Meqë ju keni një program shumë të madh siç është “LëvizAlbania” ku keni sjellë një kontribut goxha të madh ekonomik, çfarë mund të bëni ju për të hapur shtegun përmes një ligji për referendumet në mënyrë që qytetarët të ulen në tavolinën e vendimmarrjes? Sepse sot vendimmarrja është midis asaj që quhet klasë politike dhe ndërkombëtarëve që negociojnë bashkë me ta në emër të qytetarëve. Ka një shkëputje totale midis këtyre politikanëve dhe popullit.

Sigurisht që ju e njihni më mirë situatën në vendin tuaj. Unë nuk jam avokat, por gjithashtu mendoj se qytetarët zviceranë nuk udhëhiqen kaq shumë nga mendësia e ligjit. Ne kemi një kod sjelljeje dhe nuk na pëlqejnë shumë detajet që ka nëpër ligje. Ligjet janë shumë të ndërlikuara dhe unë nuk mund t’i lexoja dot të gjitha detajet mbi ligjet e referendumit. Por edhe nga komentet që kam marrë nga kolegët e mi këto ligje për referendumin janë goxha të ndërlikuara. Sugjerimi im është që të thjeshtojmë gjërat në mënyrë të atillë që të jenë të kuptueshme. Por besoj se me ligjet apo me ligjet për referendumin nuk mund të zgjidhësh çështjet demokratike. Përmes projektit “LëvizAlbania” bashkëpunimi zviceran përpiqet që t’i përfshijë njerëzit në vendimmarrje. Sigurisht që nuk është e mundur që të 2.8 milionë qytetarët të debatojnë të gjithë së bashku, por mund të ketë vende të ndryshme ku mund të organizohen këto debate. Kam marrë pjesë në debatet që janë bërë nëpër komuna mbi planin lokal territorial ku jepeshin edhe sugjerime. Mendoj se ky interaktivitet duhet të jetë më i shpeshtë dhe më i fortë. Jo gjithmonë ka nevojë që të ndryshohen ligjet dhe rregullat për referendume por mendoj se është një hap i mirë në drejtimin e duhur, që ju jep më shumë mundësi për t’u dëgjuar zëri juaj, por është hapi i fundit dalja në rrugë për të tërhequr një ligj. Debati duhet të jetë pika kryesore dhe hapi i parë ashtu është, parlamenti ka edhe platforma të tjera ku mund të debatohet por duhet kohë dhe përkushtim nga të gjitha palët.

Ka ndonjë fushë ose çështje që nuk mund të shtrohet në referendum në Zvicër? Jo rastësisht të gjitha vendet që kanë formë qeverisjeje federale janë ato më të zhvilluarat. Dua të pyes sipas gjykimit tuaj a ka ndonjë defekt federalizmi si mënyrë qeverisjeje?

Ju mund të kërkoni dhe mund të ndryshoni çdo gjë me demokracinë e drejtpërdrejtë, nuk ka asnjë limit. Do t’ju tregoj një shembull. Rreth 20 apo 30 vite më parë u bë një kërkesë, që të shpërndahej ushtria zvicerane. Kishte një iniciativë që kërkonte votën popullore për të shpërndarë ushtrinë. Në atë kohë u konsiderua si një ide e çmendur. Në fund shumica e refuzoi këtë ide. Pra ju mund të kërkoni çdo gjë me referendumin. Nga eksperienca ime në Zvicër njerëzit janë të zgjuar, ata dinë çfarë nuk duhet bërë. Ndonjëherë vota është e ngushtë me 50.2 % etj., por njerëzit e dinë që mund të shtrojnë çfarë kërkese të duan. Ju keni ligje që mund të ndryshoni edhe kushtetutën. Do t’ju jap dhe një shembull të kohëve të fundit, i cili nxiti një debat me BE-në. 3 vite më parë kishte votime mbi emigrimin. Ekziston një marrëveshje e quajtur shengen, e cila është lëvizja e lirë në Europë dhe pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Zvicra. U miratua me një përqindje prej 50.2 që të bëhej limitimi i emigrantëve nga BE. Por BE-ja tha se ajo nuk ishte në rregull me politikat që ata kanë dhe kështu ne e ndamë këtë marrëveshje. Kështu njerëzit vendosën në një nivel kushtetues që të jenë me konflikt me rregullat e BE-së. Dëshiron të jesh i drejtë, apo të implementosh Kushtetutën apo do të biesh dakord me BE-në? Ky ishte një konflikt i madh, i cili nuk është se ishte i pazgjidhshëm. Pati shumë debate, konsensus dhe filluan platforma të ndryshme. Pastaj parlamenti vendosi që ta dhunojnë kushtetutën dhe të biem dakord me BE-në. Sigurisht që ka zgjidhje të vogla , si rikorrigjimi i Kushtetutës në këto 2-3 vite mbi të cilën ne po mbështetemi sërish. Mendoj se këta janë shembuj që mund të bësh çdo gjë. Mund të kesh konflikte interesi por që duhet t’i zgjidhësh me konsensus. Pjesa më e rëndësishme është që ne debatojmë dhe mundohemi të gjejmë zgjidhje praktike. Në këtë rast ishte një zgjidhje jo kushtetuese, megjithëse ishte në mbrojtje të popullit. Zvicra ka adaptuar një sistem shumë të drejtpërdrejtë të demokracisë. Mendoj se njerëzit mund të shprehin mendimet e tyre dhe me zgjedhjet që bëhen. Megjithatë kjo është në varësi të shteteve ku ata bëjnë pjesë. Çdo shtet ka disa karakteristika tipike të qytetarëve të saj. Le t’i hedhim një sy Shteteve të Bashkuara, ku çdo qytetar mendon se ka të drejtën për të zhvilluar një referendum. Zviceranët thonë, të gjithë janë njësoj, kanë të njëjtat të drejta dhe në atë çfarë vendosim. Kur organizoj këtu pritje për Ditën Kombëtare Zvicerane, njerëzit presin në radhë dhe përshëndesin njëri-tjetrin. Por ndodh që një ministër apo dikush tjetër të vijë me një limuzinë të zezë dhe vendos të futet para të tjerëve. Zviceranët zemërohen dhe thonë se çfarë është kjo, mos kemi një shoqëri me dy radhë pasi të gjithë po presin. Në Zvicër janë të gjithë të barabartë dhe ju shikoni foto nëpër media ku një ministër pret trenin si çdo qytetar tjetër normal. Doja vetëm t’ju tregoja nocionin se çdo kombësi ka identitetin e vet dhe sjelljet e veta bazike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Rebelimi i femrës shqiptare fillon me kthimin te vetja”

Me një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur...
Read More