Reforma fiskale: Ekonomia dhe taksat, modeli i ri kërkon sinqeritet

Gjithë elita që është në drejtimin politik dhe ekonomik të vendit duhet të propagandojë me sjellje personale se po del kundër të kaluarës si dhe kundër mentalitetit informal të deritanishëm.

Nga Eduart Gjokutaj

Faktorët, që një biznes zgjedh të rri në ekonominë informale janë të lidhura si me përfitimet që rrjedhin nga të qenit i paregjistruar, po ashtu dhe me uljen e kostos për të përballuar gjithë morinë e kërkesave të administratës publike. Këta faktorë mbartin mbi vete disa nga problemet e adresuara të kohës sonë dhe janë të përzier edhe me ADN e trashëguar të ekonomisë shqiptare.

Së pari, problemi i korruptimit politik, dhe vijueshmëria e këtij formati të shtrembër edhe në procesin e administrimit përbën nxitje të madhe, që bizneset pranojnë të informalizojnë të ardhurat e tyre. Fshehja e të ardhurave krijon tundimin e korruptimit, më shumë se e anasjella. Ndryshimi i këtij modeli, që vjen si një prodhim vendas do të mund të ndodhte vetëm nga zbatimi i një vullneti të përbashkët politik të përçuar në ambientin e shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit qytetar.

Modeli i ri i ndryshimit kërkon sinqeritet. 

Morali i mbarsur nga ky vullnet i sinqertë mund të lejojë që ekonomia dhe shoqëria të kalojë në një nivel më të lartë. Së dyti, shuma e të ardhurave të informalizuara ka një lidhje me koston e mbajtjes fshehur të tyre. Kostoja e të qëndruarit në informalitet, gjithsesi i lë bizneset dhe individët në situatë distrofike pasi qëndrimi i biznesit në hije nuk mundëson koncentrimin e kapitaleve dhe burimeve njerëzore. Nga ana tjetër, aktiviteti informal vetëkufizohet në marrëdhënie me partnerë seriozë dhe konfidentë dhe rrit kostot për të arritur një vend në botën globale. Edhe pse mund të kenë mbështetje politike bizneset nuk munden dot të jenë të forta dhe të besueshme për botën e kapitalit. Nisur nga fakti që ligji nuk është bërë ende normë e përhapur në vendin tonë nevojitet pikërisht që kjo status quo të ndryshojë sa më shpejt dhe me strategji të qarta dhe të kuptuara mirë nga menaxherët publikë dhe privatë. Gjithë elita që është në drejtimin politik dhe ekonomik të vendit duhet të propagandojë me sjellje personale se po del kundër të kaluarës si dhe kundër mentalitetit informal të deritanishëm. Mentaliteti i informalitetit do të thosha se nuk është i paqenësishëm në vendet ballkanike, ku bën pjesë dhe vendi ynë. Ky mentalitet nuk është uniform, por gjurmë të tij gjen në çdo vend. Administratat kanë qenë të sunduara për shume vite nga sisteme totalitare, por akoma më herët nga pushtime e sundime të panatyrshme, që nuk i ka lejuar të forcojnë elementet e ekonomisë së pavarur dhe me baza.

Problemi i mentalitetit antitaksa, nga ana tjetër është një problem politiko-social, që kërkon kohën e tij të zgjidhet. Eliminimi i këtij faktori do të vijë, kur politika dhe oligarkia financiare do të parashtrojnë te tatimpaguesit qëllimin e përbashkët, që duhet të jetë qartësisht në favor të interesave të zhvillimit të kombit shqiptar. Së treti, modernizimi fiskal ndihmohet shumë pak me diskutime që prekin pjesë, por jo thelbin e administrimit fiskal. Debati i qenësishëm për administrimin fiskal në vendin tonë duhet të ketë një lidhje të qartë dhe shumë të plotë me betejën ndaj evazionit, që është derivat i sistemit dhe aleat i korrupsionit. Një debat në lidhje me ngushtimin e evazionit dhe ekonomisë informale në vend do të ishte thembra e Akilit, pasi u jep edhe përgjigje parimeve të administrimit të lidhura me neutralitetin, thjeshtësinë dhe transparencën.

Ku bazohet ky mendim?

Shkallët tatimore të larta (apo niveli i tyre progresiv, regresiv apo proporcional), teorikisht do të ishin ato që do të ndikonin direkt në shmangien e deklarimit të të ardhurave në organet fiskale. Zyrtarisht, shkallët tatimore shqiptare kanë mbi 5 vite që janë të ulëta dhe konkurruese me vendet përqark. Ndërkohë studime të ndryshme pasqyrojnë se në këto vende ka infomalitet më të ulët se në vendin tonë dhe kjo situatë ka qenë në këto nivele krahasuese edhe 10 vite më parë. Pra, trajtimi i ekonomisë vetëm nëpërmjet stimulit të shkallëve tatimore të ulëta nuk bën e vetme dot efektin e pritur të shërimit të informalitetit. Nuk ka nevojë të përmenden tabela krahasuese për mosbesuesit, pasi ato janë bërë prezente në shumë shkrime e prezantime punimesh të kolegëve të ndryshëm. Por, mund të thuhet me zë të lartë se nuk mjafton vetëm politika e shkallëve tatimore (ulje apo heqje e pjesshme e tyre) si argument për të ndikuar në mbi uljen e informalitetit të ekonomisë. Së fundmi, ajo që ka ndodhur në procesin e administrimit fiskal të viteve dhe në luftën ndaj evazionit ka treguar se informaliteti në ekonomi nuk mund të luftohet vetëm nëpërmjet objektivit buxhetor të rritjes vjetore të të ardhurave për administratat fiskale (plan buxhetor). Kjo mënyrë e të administruarit ka arritur të ngushtojë territoret e ekonomisë informale, por natyrisht që lufta ndaj saj është shumëformëshe. Ndërkohë, administrata fiskale si rrjedhojë e aktivitetit që kryen ka arritur të guxojë të shikojë në sy se çfarë nuk ecën me të dhe ka përqafuar me kurajë modelet më të reja të administrimit nëpërmjet nxitjes së ekonomisë informale që t’i krijojë mundësinë dhe shanset për të amnistuar vetveten në raport me të kaluarën dhe të tashmen e saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tirana e Erion Veliajt, metropoli i taksave të larta

Rritja drastike e taksave dhe tarifave e ka bërë Tiranën një qytet...
Read More