Reforma në Drejtësi, kronikë e një bllokimi të paralajmëruar

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit ka nisur debati mbi përfundimin e mandatit të Kryeprokurorit, si dhe për mënyrën e emërimit të personit që do të mbulojë mandatin e ri të organit të akuzës, për shkak se gjendemi në një fazë tranzitore si pasojë e reformimit të të gjitha organeve në drejtësi. Debate të nxitura nga politika, në favor të njërës apo tjetrës palë, të cilat mund të krijojnë ngërç për këtë institucion.

Në të njëjtën mënyrë, ndërtimi i disa organeve të tjera të rëndësishme të drejtësisë, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor, janë ende pezull, dhe po bllokojnë zbatimin e plotë të kësaj reforme thelbësore për Shqipërinë.

Ky bllokim po vjen si pasojë e përplasjeve të afateve në raport me mandatin e organeve të drejtësisë, si dhe për mënyrën e komplikuar që parashikohet për t’i formuar ato. Një formulë e cila kishte si synim që të krijonte një drejtësi të pavarur, por që në një mënyrë apo tjetër po kthehet në një pengese të qëllimshme për ta stopuar atë. Aq e vërtetë është kjo, saqë disa prej këtyre organeve iu ka kaluar tashmë afati i parashikuar në Kushtetutën e re për të hyrë në fuqi.

Të gjitha këto arsye, e kanë kthyer aplikimin e Reformës në Drejtësi në frymë dhe në germë, pothuajse të pamundur, dhe kjo shihet qartë çdo ditë e më shumë.

Megjithatë, pengesa më e madhe e Reformës në Drejtësi, nuk është teknike, por politike. Të gjithë mekanizmat që parashikohen në Kushtetutë për ta vënë në jetë atë, kanë domosdoshmëri aksionin dhe vullnetin politik, nga ku burojnë të gjitha pushtetet në rendin kushtetues shqiptar.

Prandaj, 140 votat që aprovuan Reformën në Drejtësi, praktikisht janë kthyer në 140 vota kundra saj. Nuk mund të ndodhte ndryshe duke parë raportin problematik që një pjesë e politikës shqiptare ka patur me drejtësinë. Kështu që deputetët e Parlamentit të Shqipërisë nuk mund të votonin një Reformë, që me shumë gjasa do të bëheshin “viktima” të saj.

Teatrit të 140 votave pro Reformës në Drejtësi, tashmë i ka rënë maska. Duket qartë që vota unanime për të, ishte një votë e sforcuar dhe e detyruar si pasojë e presionit të aleatëve ndërkombëtarë dhe sidomos SHBA-së. Të vendosur edhe përballë presionit të qytetarëve shqiptarë, të cilët presin me padurim drejtësinë në këtë vend, klasa politike nuk kishte rrugë tjetër përveçse ta votonte atë në bllok.

Politika dhe drejtësia duken si dy rrugë paralele që nuk takohen kurrë, duke na dhënë përshtypjen e një bashkëpunimi, që në shumë raste është më shumë iluzion se sa e vërtetë. Ashtu sikurse drejtësia nuk heziton të vendosë instrumentet e saj në shërbim të politikës, në të njëjtën mënyrë politika, në emër të mbrojtjes së lirisë dhe realizimit të drejtësisë arrin deri në eliminimin e kundërshtarit politik. Dy pushtete të ndryshme, që historikisht janë në përplasje me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë pashmangshmërisht të lidhura po aq fort.

Në këtë kuptim, marrëdhënia midis politikës dhe drejtësisë në Shqipëri, duket si një marrëdhënie pashmangshmërisht e lidhur aq fort, saqë është e pamundur t’i ndash. Është marrëdhënia e 27 viteve tranzicion, dhe për ta formatuar këtë raport në shinat e një shteti ligjor, është e pamundur me një të rënë të lapsit, në të kundërt, nuk do të kuptohej se përse politika shqiptare bën çdo gjë për të penguar zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jane Austen: Krenaria dhe paragjykimet, një “shembull i keq”?!

Është historike mbledhja e tre autorëve të famshëm për të kujtuar shkrimtaren...
Read More