Reforma në Drejtësi: Nis vettingu për 776 gjyqtarë e prokurorë

Inspektorati i Pasurive kërkon informacion nga hipoteka për pronat dhe transaksionet e pasurive për 776 gjyqtarë e prokurorë, ku të parët që do kalojnë procesin e kontrollit janë kandidatët për KLGJ e KLP. Edhe pse Reforma në Drejtësi ka nisur me hapa konkretë, sërish institucionet e reja nuk kanë nisur nga puna. Kuvendi rihap garën për kandidatët jogjyqtarë dhe joprokurorë për dy institucionet e reja, ndërsa Kushtetuesja ka nisur shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarëve për shfuqizimin e tri ligjeve të drejtësisë së re. 

Një vit pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ka nisur të marrë formë reformimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Edhe pse nuk janë ngritur ende institucionet e drejtësisë së re, (përveç komisioneve të vettingut) hallkat përgjegjëse të ngarkuara me kryerjen e procesit të vettingut kanë nisur nga puna.

Institucioni i parë që ka nisur mbledhjen e informacioneve për gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i nënshtrohen procesit të vettingut është Inspektorati i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive.

Ky institucion pasi ka administruar deklaratat e fundit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur kërkesat për informacion në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive për subjektet që do t’i nënshtrohen të parat procesit të vettingut.

Në dy shkresa që mbajnë datën 30 qershor të këtij viti, ILDKP kërkon të dhëna nga hipoteka për kandidatët që do të garojnë për dy nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Në letrën zyrtare të dërguar pranë hipotekës, ILDKPI kërkon që të nisë menjëherë Vettingu për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, pasi puna për ta fillon në shtator.

Pas tyre, radha e verifikimeve do të jetë për magjistratët e tjerë.

Kërkesa e firmosur nga kryeregjistruesi për anëtarët e këtyre organeve mban datën 30 qershor, ndërsa kërkon të dhëna për pasuritë që kanë krijuar deri në 16 janar 2017, kohë kur ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e formularit të Vettingut.

Përveç regjistrimit të pronave në emër të tyre dhe pjesëtarëve të familjes, ILDKPKI kërkon informacion edhe nëse ka patur shitje apo ndryshime të pronësisë gjatë kohës kur kanë dorëzuar të dhënat.

Në urdhrin që kryeregjistruesi i ka dërguar administratës së hipotekës, kërkohen që të gjitha të dhënat të dokumentohen brenda 5 ditëve, përndryshe do të merren masa të rrepta administrative.

Pas tyre në radhë për verifikim janë rreth 775 gjyqtarë dhe prokurorë, përfshi familjarët e tyre, të cilët gjithashtu do t’i nënshtrohen procesit të kontrollit të pasurive.

Për gjithë subjektet e tjera, ILDKP ka nisur procesin e mbledhjes së të dhënave qysh prej vitit të kaluar, kur i dërgoi Hipotekës një listë me mbi 3 mijë emra për të cilët kërkonte informacion mbi transaksionet dhe gjendjen e pronave.

Kjo listë përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve përmban edhe emrat e familjarëve të tyre, të cilët gjithashtu do të jenë në proces verifikimi.

Por pas dorëzimit të deklaratave të fundit të pasurisë, ILDKP ka nisur përditësimin e informacionit, i cili do të krahasohet me të dhënat e deklaruara nga vetë subjektet, që do t’i nënshtrohen më parë procesit të kontrollit aritmetik logjik.

E ndërsa ky proces është në vijim, në këtë periudhë me interes dhe përparësi shihet kontrolli i anëtarëve të dy institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Anëtarët e këtyre institucioneve do të zgjidhen pasi kandidatët të kenë kaluar procesin e vettingut dhe të kenë rezultuar të pastër.

Dy institucionet e reja konsiderohen si të rëndësishme, pasi do të kontrollojnë dy hallkat kryesore të drejtësisë sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorin.

Edhe pse ILDKP thotë se ato do të nisin punën në shtator, Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur garën për kandidatët që vijnë nga bota akademike, shoqëria civile dhe avokatia, pasi kandidaturat e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për nisjen e garës përzgjedhëse.

Këto dy institucione janë konceptuar në mënyrë të tillë ku shumica përbërëse do të jenë gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve do të vijnë nga bota akademike, shoqëria civile dhe avokatia, të cilët do të kenë përfaqësuesit e tyre.

Ky proces duket ende i papërmbyllur, pasi të vetmit kandidatë në garë janë ata që vijnë nga prokuroria dhe gjyqësori të cilët do të votohen nga kolegët e tyre në mbledhjet e posaçme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pas përfundimit të këtij procesi, kontrolli do të kalojë në radhët e përfaqësuesve të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë subjektet e tjera që do t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë, integritetit dhe aftësisë profesionale.

Më pas procesi do të zbresë në shkallët e tjera të gjyqësorit duke përfshirë mbi 700 gjyqtarë dhe prokurorët që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Por teksa procesi i vettingut dhe reformimi i drejtësisë ka nisur me hapa konkretë, edhe gjyqtarët si subjekte të këtij procesi kanë nisur të reagojnë qysh pas miratimit të ligjeve të reja.

Fillimisht ata depozituan tri kërkesa të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonin shfuqizimin si antikushtetues të ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, ligjit për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit, si dhe ligjin për Rivlerësimin dhe kontrollin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kërkesa e fundit u rrëzua nga Kushtetuesja pas një opinioni të dhënë nga Komisioni i Venecias, ndërsa për dy ligjet e tjera u shfuqizuan disa nene.

Por pavarësisht këtyre vendimeve, gjyqtarët nuk hoqën dorë nga pretendimet e tyre se tri ligjet thelbësore të Reformës në Drejtësi janë në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.

Ata depozituan një tjetër kërkesë duke renditur argumente kundër tri ligjeve, por tashmë në një kërkesë të vetme.

Një ndër pikat që kundërshtojnë gjyqtarët ka të bëjë me ndëshkimin e tyre për shkak të lidhjeve me persona të dënuar për krime të ndryshme apo edhe mundësinë e dhënies së dorëheqjes përpara fillimit të procesit të vettingut.

Kjo pikë në fakt ishte parashikuar në ligj duke ju dhënë të drejtën të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të hiqnin dorë nga detyra përpara dorëzimit të dokumenteve mbi pasurinë e tyre pranë ILDKP.

Por këtë të drejtë të ligjit e shfrytëzuan vetëm disa gjyqtarë dhe prokurorë të cilët ishin në prag pensioni.

Pjesa tjetër dorëzoi dokumentet justifikuese të pasurisë duke pranuar kontrollin nga ILDKP, DISIK dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Tashmë që procesi ka nisur gjyqtarët kërkojnë të paktën mundësinë e dorëheqjes përpara kontrollit të pasurisë, çka tregon frikën e tyre përballë një kontrolli të imtësishëm të pronave dhe pasurisë që disponojnë ata dhe familjarët e tyre.

Kjo çështje është ende duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese e cila është vënë përpara presionit të politikës dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë vijimin e reformës në drejtësi, pavarësisht tentativave për ta penguar atë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Alle Da”: Që fëmijët të përfshihen si qytetarë europianë

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.