Reforma në Drejtësi, reforma që afroi dhe largoi negociatat

Nga Ervis Iljazaj

Për Reformën në Drejtësi, e cila është një nga reformat më të rëndësishme që ka bërë vendi përgjatë gjithë tranzicionit, ka shumë debate. Që nga mënyra se si u aprovua, te skepticizmi që ekziston rreth saj, apo mënyra se si do të ndikojë ajo në politikën shqiptare.

Pro, askush nuk mund ta mohojë, që nëse ka një arsye se përse Komisioni Europian dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, kjo është vetëm për shkak të Reformës në Drejtësi.

Vetë Komisioneri Kukan u shpreh atëherë se Reforma në Drejtësi, është një nga Reformat më të rëndësishme dhe më të mirat në Rajon, në disa raste edhe krahasuar me vende anëtare të Bashkimit Europian.

Pra, me gjithë kritikat që ekzistojnë rreth kësaj reforme, apo tentative për ta ndalur nga klasa politike, me ndihmën e ndërkombëtarëve, që tani ka filluar të japë efektet, edhe pse nuk ka mbaruar ende. Sepse, është mirë të kuptojmë që, Reforma në Drejtësi vetëm sa ka filluar si proces, dhe nuk ka përfunduar. Shumë organe që parashikohen në të janë në fazën e ndërtimit. Prandaj, rezultatet e saj duhet t’i presim në fund të këtij procesi.

Me sa duket, më zbatim të Reformës në Drejtësi, Institucionet e Bashkimit Europian nënkupton hetimin dhe arrestimin e njerëzve të pushtetshëm. Prandaj, vullneti për t’i shkuar deri në fund çështjeve gjyqësore të rëndësishme ku përfshihen njerëz me pushtet, do të jetë kyç për hapjen e negociatave.

Deri më tani ka një tentativë të Prokurorisë për të hapur disa hetime kundrejt disa ish-pushtetarëve. Por, kjo nuk është ajo që kërkon Bashkimi Europian për ta konsideruar drejtësinë e re shqiptare të pavarur. Nuk maten me punën e Arta Markut efektet e Reformës në Drejtësi. Këtë gjë e kanë për detyrë ta bëjnë organet e reja si SPAK Dhe Byroja e Hetimit Kombëtar. Organe të cilat po pengohen për t’u ngritur me çdo mjet nga klasa politike shqiptare, e cila po ndjen se drejtësia është duke u ikur nga duart, dhe, për këtë arsye, është në konflikt dhe tension konstant.

Megjithatë, për shkak se kjo Reformë është një investim tërësisht europian dhe amerikan, tashmë, rruga drejt përfundimit të plotë të saj është e pandalshme, me gjithë përpjekjet për t’i vënë shkopinj nën rrota.

Në fakt, kjo Reformë është më shumë një instrument diplomatik se sa juridik për politikën ndërkombëtare dhe sidomos për atë amerikane. Drejtësia është duke u përdorur nga politika amerikane si instrument diplomatik. Po të shohim me kujdes, në shumicën e vendeve të rajonit, Amerika po bën politikën e jashtme të saj nëpërmjet drejtësisë.

Kështu që, nëse aprovimi i kësaj reformë bëri që Komisioni Europian të japë dritën jeshile për Shqipërinë, është pikërisht vonesa e saj që po shtyn datën e negociatave për vitin e ardhshëm. Sepse, ajo po pengohet, sepse nuk ka vullnet nga politika për të ngritur organet e reja të drejtësisë, sepse kushti kryesor për Shqipërinë është shtet i së drejtës.

Në këtë kuptim, është absurde të mendosh që Bashkimi Europian do çelte negociatat me Shqipërinë në këtë moment. Sepse, Shqipëria sot, është praktikisht një shtet pa pushtet gjyqësor. Shumë nga hallkat e pushtetit gjyqësor, duke filluar që nga Gjykata Kushtetuese, janë të bllokuara. Prandaj, nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk ka kushte. Ka kushtin të ndërtojë një drejtësi të pavarur, deri atëherë, do të na shtyhet data për negociatat për çdo vit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“S’më la Rama të sqaroj: Teatri të ndërtohet vetëm nga shteti, jo me privat”

Projekti për godinën e Teatrit Kombëtar mbledh sërish aktorët, jo të gjithë,...
Read More