Reforma ngec në finish



Xhafa dhe BylykbashiBylykbashi: “Ne i bëmë propozimet tona, pala tjetër qëndron në atë që është një sistem kapjeje deri më sot. Me punën tonë, ne kontribuojmë që ky sistem kapjeje të çmontohet. Këtu u mbyll si fazë diskutimesh nen për nen, tani i mbetet hapësirës për të negociuar një zgjidhje të përbashkët, qoftë në aspektin politik, qoftë dhe në atë teknik…”

Mazhoranca dhe opozita nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët për ato pika të draftit të ri të PD-së.

Në mbledhjen e radhës të komisionit, aty ku diskutimet janë përfshirë tashmë në pika të nxehta që preken në propozimet e reja të PD-së, debatet nuk kanë qenë të pakta e po aq, edhe mungesa e dakordësisë.

Nënkryetari i komisionit, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, është shprehur pas mbledhjes se negociatat janë fokusuar te domosdoshmëria e një zgjidhjeje të përbashkët për disa çështje, si në aspektin politik ashtu edhe teknik.

“…Diskutuam për Vetingun, në të njëjtën linjë si më parë, u diskutua nen për nen. Ne pozicionuam përsëri qëndrimet tona, mbeten çështje që janë të karakterit të sistemit. Zgjidhja që ne propozojmë në kuadër të këtij diskutimi gjatë gjithë kësaj kohe, përfshirë dhe çfarë thotë Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë, është një zgjidhje e cila një pjesë të funksioneve ua transferon institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë, pra procesin e Vetingut do ta bëjë një mekanizëm ndërkombëtar për sa i përket majave të sistemit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas do të jenë këto që do të bëjnë të gjithë pjesën tjetër, pasi janë pastruar dhe është siguruar integriteti…”, -tha Bylykbashi.

Ai nënvizoi se kundrejt propozimeve të PD-së, mazhoranca nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Ne i bëmë propozimet tona, pala tjetër qëndron në atë që është një sistem kapjeje deri më sot. Me punën tonë, ne kontribuojmë që ky sistem kapjeje të çmontohet. Këtu u mbyll si fazë diskutimesh nen për nen, tani i mbetet hapësirës për të negociuar një zgjidhje të përbashkët qoftë në aspektin politik, qoftë dhe në atë teknik, sa i përket nevojës për në tekst kushtetues që është vërtet për t’u përqendruar të gjithë ne. Si çdo proces, ka vështirësitë e tij si në aspektin teknik ashtu dhe politik, me rëndësi është angazhimi. Nëse mazhoranca ngul këmbë në qëndrime që çojnë drejt këtij sistemi kapjeje, sigurisht vështirësohet. Ne jemi shumë të hapur që të gjejmë një zgjidhje që do t’u shërbejë shqiptarëve për një periudhë afatgjatë…”, -tha dje Bylykbashi.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj, tha se e vetmja çështje që është mirëfilli diskutim politik është ajo e shumicës së cilësuar, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë, se negociata do të ketë vetëm për këtë çështje.

“…Natyrisht, ka një çështje që është mirëfilli diskutimi politik, siç është çështja e shumicave të cilësuara për formatimin e institucioneve. Në vlerësimin tonë, por edhe në vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë, Venecia ka lënë vetëm një çështje që mund të diskutohet politikisht, që është çështja e shumicave të cilësuara. Pra, si do të zgjidhen Këshillat Gjyqësore, Këshilli i Lartë të Prokurorisë, pra të institucioneve të tjera. Venecia e ka bërë të qartë që vetëm kjo është çështje politike, ndërsa çështjet e tjera janë teknike. Versioni që diskutuam sot më duhet të them se është një kontribut trepalësh, një kontribut i ekspertizës vendëse, e Komisionit të Venecias, por është edhe kontribut i Brukselit dhe Uashingtonit. E thanë sot ekspertët e tyre në Komision dhe deklaruan se ky kapitull është hartuar edhe me kontributin e agjencive përkatëse në Bruksel dhe në Uashington. Kjo tregon angazhimin e lartë të dy partnerëve strategjikë dhe natyrisht, angazhimi i tyre do të thotë paanshmëri në proces dhe qëndrueshmëri në zbatimin e tyre…”, tha ai.

Për pasojë, Xhafaj ngriti pyetjen se pse propozimet e PD-së duhet të ishin më të mira sesa ato që kanë propozuar ekspertët ndërkombëtarë.

Për këtë arsye, ai kërkoi reflektim nga ana e opozitës, duke e lënë thuajse të mbyllur mundësinë e një zgjidhjeje të përbashkët përveç pikës që i bashkon për t’u diskutuar, asaj që lidhet me zgjedhjen e institucioneve të drejtësisë me shumicë të cilësuar.

“Unë mendoj se duhet të sillemi si ligjvënës në raport me përgjegjshmërinë e lartë që kërkon kjo detyrë; hartimin e një projekti kushtetues. Si me thënë, duhet të sillemi edhe pak me mendjen tonë, e thënë kështu. Mbetet në çmimin e tyre që të kapin këtë pozicion që kanë kapur. Unë kam për ta një pyetje publike. Një projekt, të cilin e kanë punuar ekspertë nga më të mirët vendës dhe ndërkombëtarë, si thoni ju, gjithë këta kanë gabuar dhe ka të drejtë vetëm Partia Demokratike? Unë besoj se do të reflektojë Partia Demokratike mbi këtë kontribut të gjithë kësaj ekspertize euroatlantike. Shpresoj shumë që të reflektojnë”, -tha ai.

SHBA: S’ka kohë për ndryshime, përfundoni reformën

Zëvendës/ambasadori amerikan: “Ka ardhur tashmë koha që parlamenti ta miratojë reformën pa vonesë. Ndërsa ka negociata që duhen zhvilluar para se të hartohet varianti përfundimtar dhe të paraqitet për votim, tashmë është shumë vonë për ndryshime thelbësore të pjesëve kryesore të reformës”

Për ndërkombëtarët nuk ka më kohë për t’u humbur lidhur me përmbylljen sa më parë të Reformës në Drejtësi. Zëvendës/ambasadori amerikan David Muniz, tha dje se është vonë për ndryshime thelbësore në pjesët kryesore të Reformës në Drejtësi.

“Ne jemi tashmë në një fazë kritike të Reformës në Drejtësi. Komisioni i Venecias e ka dhënë mendimin e tij dhe komisioni i posaçëm parlamentar është duke shqyrtuar projektligjet përkatëse. Kjo reformë është kritike dhe për projektin e tanishëm kanë punuar shumë ekspertë për shumë muaj. Ka ardhur tashmë koha që parlamenti ta miratojë reformën pa vonesë. Ndërsa ka negociata që duhen zhvilluar para se të hartohet varianti përfundimtar dhe të paraqitet për votim, tashmë është shumë vonë për ndryshime thelbësore të pjesëve kryesore të reformës”, -tha zëvendës/ambasadori amerikan, duke shtuar se në këtë çështje duhet të bëhet përparim dhe ajo të përmbyllet pasi “nuk ka më kohë për vonesa dhe debate pa fund”.

Zëvendës/ambasadori foli në një takim të zhvilluar për ndikimin që do të ketë Reforma në Drejtësi tek investimet e huaja.

Ndërkohë, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, u shpreh se ka individë që nuk e duan Reformën në Drejtësi, por pa specifikuar emra konkretë.

“Ka grupe dhe individë që nuk e duan këtë reformë. Dhe ne e dimë këtë. Ne dimë arsyet dhe frikën e tyre. Ata përpiqen dhe do të përpiqen deri në fund ta shtyjnë reformën, ta ndryshojnë dhe ta pamundësojnë atë. Por nuk ka më kohë për të luajtur kukafshehtas. E ardhmja e vendit është më e rëndësishme se ata individë të zhytur në korrupsion. Presim Kuvendin para qershorit”, -tha Vlahutin.

Por pse këmbëngulin fort ndërkombëtarët te Reforma në Drejtësi. Një ndër arsyet u shpërfaq edhe në aktivitetin e djeshëm.

“…Vitin e kaluar ne kemi biseduar me disa kompani që do të investonin 250 milionë dollarë, por këto kompani vendosën të investojnë tjetërkund, për shkak të frikës se nuk do të kishin një gjykim të drejtë në gjykatat shqiptare”, -tha David Muniz.

Ndërsa Silvio Pedrazzi, president i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, tha se çdo ditë, anëtarët e shoqatës së investitorëve të huaj përballen me vendime të sistemit të drejtësisë që janë befasuese për ta.

“Kështu nuk mund të vazhdohet. Është thelbësore për ne. Zbatimi korrekt i ligjit është shumë i rëndësishëm për investimet e huaja të reja që mund të vijnë dhe për të mbajtur ato që janë aktualisht”, -shtoi ai.

PD iu përgjigjet ambasadorëve: Vetëm durimi dhe arsyeja na çojnë përpara

Partia Demokratike e ka një përgjigje për ultimatumin amerikan lidhur me mbylljen sa më parë të Reformës në Drejtësi.

Zëvendës/ambasadori amerikan deklaroi dje se nuk ka më kohë për ndryshime thelbësore.

Por nënkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se vetëm durimi dhe arsyeja çojnë në ecjen me shpejtësi përpara.

“Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet e paarsyeshme mbi zgjidhje specifike që janë problematike. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë ne të ecim me siguri dhe shpejtësi përpara”, -tha ai.

Prej disa ditësh, PD-ja ka paraqitur një draft të ri për Reformën në Drejtësi mbi ato çështje, që sipas saj Venecia ka nënvizuar për zgjidhje politike.

Kështu, nga 11 institucione që parashikohen në draftin aktual të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë, demokratët kërkojnë të heqin 4 prej tyre

. Konkretisht, opozita propozon që të fshihet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe kompetencat e këtij institucioni ia ngarkon Gjykatës Kushtetuese, propozohet gjithashtu shkrirja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, dhe Tribunalit Disiplinor.

Për sa i përket procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, opozita kërkon që të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi anëtarët e këtyre dy institucioneve të vlerësohen nga ndërkombëtarët.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Asnjë ambasador nuk mund të na shpëtojë nga vetja!!

Nga Ervis Iljazaj* Duket se për Shqipërinë është një moment historik, një...
Read More