Reforma strukturore, qeveria riformaton Buxhetin 2017

Buxheti do të ndryshohet për të financuar ndryshimet që kryeministri Rama ka shpallur në strukturën e re qeverisëse, që ul ndjeshëm numrin e ministrive dhe institucioneve shtetërore.

Ndryshimi i thellë në strukturën qeverisëse të vendit e bën të domosdoshme edhe ndërhyrjen e menjëhershme në Buxhetin e Shtetit të këtij viti. Kështu qeveria, vetëm një muaj pasi ka bërë një ndërhyrje në buxhet, po përgatit ndryshimin e radhës të ligjit më të rëndësishëm financiar të vitit. Sipas burime të Ministrisë së Financave, riformatimi i buxhetit konsiston në ndryshimet për të përshtatur financat me strukturën e re të administratës publike të vendit. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama shpalli strukturën e qeverisë së re, e cila parashikon shkrirjen dhe bashkimin e disa ministrive, dhe në përfundim është e ndërtuar me tre ministri më pak. Por ndryshimet e buxhetit shkojnë edhe më tej për faktin se reforma strukturore e qeverisjes “Rama 2” planifikon në të njëjtën kohë edhe përgjysmimin e agjencive publike, që sipas saj do të krijojë një aparat publik më efikas për t’ju përgjigjur nevojave të zhvillimit të vendit. Sipas Ministrisë së Financave, kjo e bën të domosdoshme ndryshimin e buxhetit të shtetit për të financuar agjencitë dhe institucionet e reja që do të krijohen me strukturën e re qeverisëse, ndërkohë që treguesit makroekonomikë, si borxhi apo të ardhurat nuk do të preken.

Ndryshimet e korrikut 2017

Në korrik qeveria ndryshoi buxhetin 2017 që në pjesën e dërrmuese të tyre ishin për gjetjen e fondeve për importin e energjisë dhe shuarjen e zjarreve. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, janë bërë 8 ndërhyrje në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe rialokime brenda zërave të shpenzimeve. Ndryshimet e bëra janë: Rritja e huamarrjes neto nga sektori energjetik me 3 miliardë lekë, për të mundësuar përmbushjen e nevojës për energji elektrike deri në fund të 2017. Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë dhe kalimi i një fondi 1 miliard lekë si kontigjencë tek projektet e investimeve publike. Rritjen e zërit “shpenzime personeli” me 300 milionë lekë, si pasojë e akomodimit të politikës së rritjes së pagave dhe ndryshimeve strukturore të disa institucioneve. Reduktimi i shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik. Rritjen e shpenzimeve korente me 200 milionë lekë për të përballuar kryesisht shpenzime të lidhura me përfaqësimin e Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të Gjykatave Ndërkombëtare, për të evituar krijimin e detyrimeve të prapambetura, shpenzimet të lidhura me emergjencat civile. Reduktimin e shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 600 milionë lekë, duke u bazuar në realizimin faktit të 6-mujorit të parë të vitit 2017. Reduktimin me 200 milionë lekë të pagesë së papunësisë, nisur nga niveli i ulët i realizimit në 6-mujorin e parë. Shtimin me 1.2 miliardë lekë të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave, që do të përdoret vetëm për emergjencat qe lidhen me faktorë natyrorë. Shtimin me 500 milionë lekë të fondit të shpronësimeve që është një nga elementet më të rëndësishme në progresin e projekteve të infrastrukturës publike.

Të dhënat e Buxhetit 2017

Për 2017 të ardhurat totale në buxhet janë parashikuar 436.4 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% në raport me buxhetin e 2016. Të ardhurat tatimore planifikohen 398.2 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 6%. Tre zërat që do të mbajnë peshën kryesore në rritjen e të ardhurave janë tatimi mbi fitimin, me rritje 4.4 miliardë lekë, taksa nacionale, që pritet të sjellë 4.4 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet dhe tatimi mbi të ardhurat personale me shtesë prej 3.7 miliardë lekë. TVSH, që është dhe zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, është parashikuar me 2.9 miliardë lekë rritjeje. Ndërkohë në total, qeveria ka planifikuar të shpenzojë përgjatë vitit 2017, 469.5 miliardë lekë, me një zgjerim prej 4.3% në krahasim me vitin e kaluar. Fondi për politikat e reja të pagave është rritur me 6 miliardë lekë dhe për pensionet 2.9 miliardë lekë. Shpenzimeve kapitale janë 71.6 miliardë lekë. Ndërkohë në buxhetin e këtij viti qeveria ka planifikuar 40.6 miliardë lekë si shpenzime për buxhetin lokal ku rënien më të fortë e kanë grantet për buxhetin lokal, të planifikuara 13.5 miliardë lekë. Shpenzimet për pagesat e papunësisë janë 100 milionë lekë dhe ndihma ekonomike 20.5 miliardë lekë. Deficiti buxhetor për vitin 2017 është parashikuar 2.6% të PBB nga 2.1% e PBB që ka qenë në vitin 2016.

Ndryshimet e tenderave

Përveç ndryshimit të buxhetit, shumë shpejt qeveria pritet të  lirojë edhe tenderat publik. Që përpara zgjedhjeve qeveria ka kufizuar prokurimet publike duke lejuar institucionet të kryejnë vetëm tenderat emergjentë dhe ata që marrin miratimin e kryeministrit. Masa shtrënguese u zgjat edhe pas zgjedhjeve deri në përfundimin e plotë të tranzicionit. Ndërkohë dje APP ka njoftuar ndryshimin e sistemit. Sipas tyre autoritetet kontraktore duhet të japin arsye në të gjitha rastet kur vendosin të anulojnë një procedurë prokurimi. Ndryshimet që APP ka bërë në sistem ndalen në tre aspekte. Së pari, lidhur me rivlerësimet. Sipas agjencisë në shumë raste operatorët i mbyllin në sistem procedurat pa pritur afatet e ankimimit ligjor. Për këtë është shtuar një funksionalitet i ri. Së dyti, në shumë raste autoritetet kontraktore, anulojnë procedurat në sistem. Për të kuptuar arsyet që çojnë në këtë vendim APP ka vendosur si opsion përshkrimin e arsyeve që çojnë në këtë vendim.  Së treti, ka raste kur operatorët bëjnë të njëjtat oferta dhe për të evituar rastet e “përplasjeve” me të njëjtën shifër APP ka shtuar mundësinë që operatorët të njoftohen.

Struktura e qeverisë Rama 2

Kabineti i ri qeveritar është më i vogël se ai i mandatit të kaluar. Ekonomia dhe Financat tashmë janë shkrirë në një dikaster të vetëm, i cili do të drejtohet nga ministrit Arben Ahmetaj, dhe ky përbën edhe ndryshimin më të rëndësishëm në qeveri. I po këtij niveli është edhe shkrirja e ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Komunikacionit, me ministrinë e Energjetikës, e cila do të jetë nën drejtimin e Damian Gjiknurit. Praktikisht ajo do të quhet Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës. Edhe ministria e Mjedisit shton kompetencat, duke marrë nën “kujdestari” edhe Turizmin, një ministri që do të drejtohet nga Blendi Klosi. Një tjetër shkurtim i rëndësishëm është edhe shkrirja e Ministrisë së Punës, Rinisë dhe Çështjeve Sociale e cila nuk do të ekzistojë më dhe do të copëtohet në tre dikastere të ndryshme. Në këtë mënyrë kabineti Rama 2 ka tre ministri më pak nëse nuk marrim në konsideratë ministrat e shtetit që janë shtuar. Mbi këtë strukturë të qeverisë do të ndërtohet më pas edhe piramida e institucioneve të varësisë, mes të cilëve do të ketë shkrirje të shumta siç është për shembull krijimi i institucionit të pronës që vjen si bashkim i hipotekave, drejtorisë së kthimit të pronës dhe drejtorisë së legalizimeve.

KABINETI “RAMA 2”

Kryeministër: Edi Rama

Zv-Kryeministre – Senida Mesi

Ministër i Jashtëm – Ditmir Bushati

Ministër i Brendshëm – Fatmir Xhafaj

Ministër i Mbrojtjes – Olta Xhaçka

Ministria e Drejtësisë – Etilda Gjonaj

Ministria e Kulturës – Mirela Kumbaro

Ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës -Arben Ahmetaj

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë – Lindita Nikolla

Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social – Ogerta Manastirliu

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës – Damian Gjiknuri

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Niko Peleshi

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – Blendi Klosi

Ministër Shteti për Shqiptarët jashtë kufijve – Pandeli Majko

Ministër Shteti për Sipërmarrjen – Sonila Qato

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një Orientim për Maturantët!

“Kur mendja dhe pasioni hahen në një trup të brishtë, në dhjetë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.