Reforma tatimore: Revolucionarizim apo evolucion fiskal?

Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe ekuilibri ekonomik në Shqipëri mund të arrihet vetëm me harmonizimin e barrës fiskale; rritjen e qarkullimit dhe stokut të kapitalit në vend, rritjen e eksportit cilësor të mallrave e shërbimeve me një politikë që reflekton kuptimin real të efektivitetit me qëllime vizionare kombëtare brenda saj.

Nga Eduart Gjokutaj

Disproporcionet strukturore në prodhim dhe tregti dhe një nevojë e menjëhershme për investime të vazhdueshme; normat e fitimit të larta mbi shumë mallra konsumi dhe shërbime; një bilanc negativ i tregtisë me jashtë; borxhi publik ende i larte; papunësia në nivelet e 14%, një problem i pazgjidhur ende; shuma të vogla të kursimeve dhe investimeve tregojnë në përgjithësi për ruajtjen e një status quo kërcënuese ndaj ekuilibrit ekonomik të brishtë në mjaft segmente të ekonomisë shqiptare. Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe ekuilibri ekonomik ne Shqipëri mund të arrihet vetëm nëse politika makroekonomike do të ketë synim të saj nga njëra anë kufizimin e furnizimit të parasë në qarkullim në formën aktuale dhe një rritje reale të nivelit të interesave (të cilat përgjithësisht po tentohet, por nuk po realizohen). Nga ana tjetër, harmonizimi i barrës fiskale apo më mirë shpërndarja e barabartë e saj; rritja e qarkullimit dhe stokut të kapitalit në vend, si dhe rritja e eksportit cilësor të mallrave e shërbimeve duhet të udhëhiqet nga një politikë që reflekton kuptimin real të efektivitetit dhe qëllime vizionare kombëtare brenda saj. Rezultantja dhe suksesi i gjithë politikës ekonomike dhe fiskale duhet të jetë rritja e të ardhurave për frymë. Faktikisht, disa vendime të suksesshme administrative si politika monetare dhe fiskale kanë patur synim të ndikojnë në minimizimin e pasojave negative të çekuilibrimit ekonomik. Por, këto masa të marra të veçuara nuk mund ta përmirësojnë situatën ekonomike kushedi çfarë. Eksperienca ndërkombëtare sugjeron se është e vështirë të inkurajohet rritje ekonomike dhe krijimi i një ekuilibri ekonomik pa liberalizimin real ekonomik e fiskal. Parë në këtë kuadër në ekonominë e tregut të lirë, tatimet dhe taksat, si influencuese direkte në shpërndarjen e të ardhurave dhe burimeve financiare luajnë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e ekonomisë dhe nxitjen e zhvillimit të saj. Format e taksimit dhe shuma e barrës fiskale kanë një efekt të drejtpërdrejtë mbi shumën dhe strukturën e konsumit dhe kursimeve të qytetarëve, mbi shumën dhe strukturën e investimeve të huaja e vendase, por dhe mbi prodhimin dhe tregtinë. Ndërkohë, efekti negativ i taksimit varet nga madhësia dhe struktura e shpërndarjes së barrës fiskale dhe shkakton fenomene të tilla ekonomike, si: disproporcione industriale midis qyteteve dhe zonave në prodhimin e mallrave e shërbimeve dhe kufizim të shumes së investimeve të huaja duke nxitur njëkohësisht dhe ekonominë informale në vend.

Reforma tatimore dhe efektet reale të saj

Në dekadën e fundit shumë vende të tjera kanë qenë të detyruara të nisin reforma fiskale. Objektivi dominues për këto reforma fiskale ka qenë minimizimi i disproporcioneve, përmirësimi i efektivitetit dhe stimulimi i rritjes ekonomike. Efekti që do të kishin këto reforma për taksat mendohet të ishte neutraliteti dhe ndërhyrja sa më pak në faktorët që veprojnë në treg. Reforma tatimore që është pjesë e reformës fiskale duhet të synojë gjithashtu në eliminimin e disbalancimit të buxhetit, rishpërndarje të drejte të barrës fiskale, lehtësimin e praktikave të vlerësimit dhe mbledhjes së tatimeve dhe përmirësimin e shpërndarjes së të ardhurave. Në vendin tonë administrata tatimore është orientuar për të ecur pikërisht në këto drejtime sipas objektivave në a) zgjerimin e bazës së taksapaguesve që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale dhe aplikim të përqindjeve nga më të ulëtat e vendeve të rajonit; b) zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që paguajnë tatimin mbi fitimin dhe aplikimi i përqindjes ndër më të ulëtat e vendeve përreth nesh; c) përshtatje të ligjit të TVSH-se me direktivën europiane duke u nisur nga ndryshimet në strukturën e të ardhurave tatimore; d) perfeksionimin e administratës tatimore duke luftuar elementet negative të korrupsionit dhe paaftësisë administruese të punonjësve të saj. Veçanërisht, për vitin e ri fiskal, evoluimi tatimor shqiptar duhet të përqendrohet në futjen e rregullave transparente dhe eficiente të vlerësimit dhe mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale, TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin, duke u nisur nga fakti se këto tatime gjenerojnë çekuilibrime të shumta ekonomike, si: rritje të aktiviteteve ekonomike që nuk regjistrohen dhe transaksioneve barter*, rritje e evazionit fiskal, rrjedhje të kapitalit, përdorim masiv të valutave të huaja, reduktim të depozitave bankare. Gjithsesi, mungesa e një tradite të marrëdhënieve institucionale midis qeverisë dhe bizneseve dhe burimet e kufizuara administrative të autoriteteve tatimore si dhe trajtimi financiar i këtyre burimeve si një forcë, që duhet mirëkuptuar dhe mirëtrajtuar në vështirësitë që ndesh duhet të përbëjnë shqetësimin kryesor në zbatimin e një politike revolucionarizuese në tatime të qeverisjes aktuale shqiptare.

Marrëdhënie administratë-qeverisje

Mostrajtimi i administratës fiskale, si një ndër administratat kryesore në gjithë administratën publike do të rriste pjesërisht koston e zbatimit të operacioneve të saj kryesore si dhe humbjen e një pjese të të ardhurave të parashikuara për shkak të mos ruajtjes dot të kompaktësisë përballë gjithë biznesit (të ndershëm apo jo), që ajo ka për detyrë ta administrojë. Në kuadrin e zbatimit të një reforme tatimore duhet luftuar për realizimin e transparencës. Kjo transparencë është e lidhur me qëllimet e administratës tatimore me rregulla të përcaktuar dhe të deklaruar që në fillim të zbatimit të praktikave nëpërmjet buletineve. Shpallja për secilën degë e nëndegë të ekonomisë dhe secilën zonë të vendit të objektivave tatimore për mbledhjen e të ardhurave do të ulte në masë gjykimet personale subjektive dhe do të rriste formën e pagesës së tatimeve vullnetarisht. Për administratën tatimore është e nevojshme që tradita e negociatave dhe marrëveshjeve për tatimet duhet mbyllur. Reforma tatimore kërkon një rikonceptim të koordinimit të marrëdhënieve ndërmjet qendrës dhe rajoneve tatimore duke u bazuar te dialogu. Kjo reformë duhet të shtrihet dhe në rritjen e autoritetit administrativ të saj nëpërmjet argumentimeve që duhet të vendosë përballë misioneve të ndryshme ndërkombëtare monitoruese. Megjithatë, suksesi varet nga kërkesat e tatimpaguesve, vullneti i politikës, përgatitja serioze në formate studimore, largpamëse dhe rezultative të drafteve ligjore, nga momenti i duhur, shpejtësia dhe këmbëngulja. Çdo iniciues i revolucionarizimit duhet ta ketë parasysh mbi të gjitha se çdo reformë tatimore kërkon një përshtatje sa më autentike me normat e përgjithshme të kushteve sociale dhe ekonomike të zonave të vendit. Për këtë qëllim, ndoshta duhet arritur në pika kompromisi midis disa grupimeve politike, biznesmenëve dhe popullsisë, apo midis teorisë dhe ekonomisë aktuale dhe ambientit social.

Marrëdhëniet administratë-tatimpagues

Ndër konkluzionet e arritura nga lobingjet industriale është se tarifat tatimore të ulura janë më mirë se ato të ngritura. Këto tarifa të aplikuara në këtë mënyrë do t’i shërbenin më mirë rishpërndarjes së të ardhurave, që është detyrë e shtetit duke vendosur një sistem fiskal më të vërtetë progresiv. Duke qenë se mentaliteti i mbartur nga e kaluara është se shteti duhet të garantojë sa më shumë shërbime nuk është e mundur që të realizohet pa kontributin fiskal të gjithsecilit në buxhetin e shtetit. Në ndryshimin e këtij mentaliteti do të shërbente dhe një riorientim i politikës fiskale për të ardhurat personale. Për të ulur çrregullimet me tatimin mbi të ardhurat personale, reforma për këtë pikë duhet të përcaktojë se shuma vjetore e mirëqenies personale në çdo formë të arritjes së saj dhe në çdo formë të shfaqjes së kësaj mirëqenieje (aktive të luajtshme apo të paluajtshme) do të jetë pjesë e tatimit të tyre. Për të ardhurat e buxhetit, tatimi mbi të ardhurat personale duhet të bëhet më i rëndësishmi pas TVSH-së, nisur nga përhapja e madhe e formave të krijimit të të ardhurave personale si dhe mosaplikimit të tatimeve në bazë të gjerë deri më sot mbi këto të ardhura. Të ardhurat personale janë një matje e saktë e kapacitetit personal për të konsumuar dhe kursyer. Tatimi mbi këto të ardhura personale synon rritjen e të ardhurave fiskale për shtetin dhe shpërndarje të barrës fiskale me efekte depolarizuese në shoqërinë shqiptare. Megjithëse, matja e potencialit real të të ardhurave personale është një detyrë e vështirë për t’u realizuar në këtë drejtim mund të gjenden pika standarde për ngushtimin e mundësive të fshehjes së tij. Gjendja e mallrave, amortizimet e ligjshme dhe përpjesëtimet midis biznesit dhe shpenzimeve të konsumit personal zakonisht luajnë një rol parësor në matjen e kujdesshme të të ardhurave personale. Por, nisur dhe nga të ardhurat tatimore nga TVSH-ja vlen të thuhet se dhe në këtë drejtim duhet një këndvështrim i ndryshëm i administrimit të tyre. Nisur nga lidhja e ngushtë që kanë llojet e tatimeve me njëri-tjetrin duhet analizuar dhe efektivizuar edhe tërheqja dhe shtytja që kanë ato mes tyre. Kjo është ngushtësisht e lidhur me vendin dhe kohën e kryerjes së të ardhurave tatimore. Ndjekja e këtyre të ardhurave në kohën kur ato krijohen do të çonte në mbledhje të tyre me kosto të ulët dhe delegimin e funksioneve të bashkëpunimit dhe vetëkontrollit direkt te tatimpaguesi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hapja e negociatave do të ishte si një notë kaluese me hatër

Nga Mustafa Nano Mazhoranca ka krijuar një lloj pritmërie lidhur me procesin...
Read More