Reformat e rëndësishme që presin mandatin e ri të Ramës

Nga Ervis Iljazaj

Megjithëse sezon pushimesh, debatet, parashikimet dhe spekulimet për seksionin e ri politik që pritet të fillojë në shtator nuk kanë munguar. Të gjitha këto debate janë fokusuar te detaje që në një farë mënyrë nuk kanë asnjë rëndësi për sa u përket politikave apo reformave të mëdha që i duhen vendit. Më shumë se një analizë për politikat, ato janë marrë me spekulime të qëndrimit ende në detyrë të ministrave teknikë apo turin e dëgjesave publike të Ramës, që nuk tregojnë asgjë se si do të jetë mandati i ri katërvjeçar i Ramës.

Përtej këtyre diskutimeve, duke parë realitetin politik dhe momentin në të cilin ndodhet Shqipëria, janë të domosdoshme më së paku tri reforma të mëdha që duhen aprovuar sa më shpejt të jetë e mundur, të cilat kërkojnë dhe bashkëpunim politik, për ta futur vendin në një kurs normal politik dhe ekonomik.

Pikë së pari, konteksti dhe sistemi politik aktual shqiptar ka nevojë për ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual, i cili ka krijuar një personalizim të politikës në nivele maksimale. Ky sistem zgjedhor ka krijuar një Parlament që për fat të keq është kthyer në një organ ratifikues të vendimeve qeveritare dhe nuk ushtron asnjë funksion tjetër kushtetues. Gjysma e parlamentarëve janë të emëruar nga Kryetari i Partisë dhe si të tillë nuk mbajnë përgjegjësi përpara elektoratit të tyre por ndaj atij që i fut apo jo në listë. Kur flitet për sistemet zgjedhore ka dy probleme të cilat duhen përballuar, problemi i përfaqësimit dhe ai i qëndrueshmërisë të qeverisjes. Ka nga ata, që besojnë që një sistem zgjedhor duhet të përfaqësojë në mënyrë strikte të gjitha realitetet e një shoqërie, sado të vogla të jenë ato. Për këtë arsye është i preferueshëm sistemi proporcional. Disa të tjerë mendojnë që duhet një normë e cila të sigurojë qëndrueshmërinë e qeverisë dhe mos ta fusë atë në kriza të vazhdueshme. Sistemi aktual nuk garanton asnjërën nga këto dy funksione. As atë të përfaqësimit dhe as atë të qëndrueshmërisë së qeverisjes. Për këtë arsye duhen ndryshuar në mënyrë urgjente. Për shembull mund të aplikohet një sistem mazhoritar i pastër ose një proporcional kombëtar me prag të lartë. E rëndësishme është që të jetë një ligj i cili të garantojë ekuilibrat e përfaqësimit politik dhe qeverisjes.

Pikë së dyti, reforma në administratë. Një nga problemet më të mëdha që ka patur Shqipëria gjatë tranzicionit është padyshim mungesa e një administrate publike efikase, e cila ka qenë një nga pengesat e zhvillimit ekonomik. Administrata publike në Shqipëri në radhë të parë ka vuajtur nga një fryrje e saj me shumë ente, agjenci apo drejtori të cilat përveçse harxhojnë paratë e taksapaguesve nuk kryejnë asnjë punë me vlerë. Një administratë që përtej dembelizmit të saj është dhe një aparat i stërmadh burokratik që rropat bizneset dhe qytetarët nëpër zyrat e shtetit. Edi Rama këtë betejë e ka nisur fill mbas fitores i vetëm të zgjedhjeve të 25 qershorit. Megjithatë, reforma në administratë kërkon një vizion përtej denoncimeve dhe shkarkimeve publike. Nuk ka rëndësi nëse i shërben si instrument për të rritur popullaritetin e tij apo jo, e rëndësishme është që këtë betejë ta zhvillojë me seriozitetin dhe këmbënguljen e duhur. Vetëm nëse ndërtojmë një administratë publike e cila të jetë e aftë të dëgjojë dhe shikojë nevojat e shoqërisë dhe t’iu përgjigjet atyre në kohën dhe mënyrën e duhur, do të kemi mundësi të mendojmë për raportin e ri që duhet të ekzistojë midis shtetit dhe shoqërisë, i cili duhet të futet në një dimension të ri në funksion të zhvillimit.

Pikë së treti, është e domosdoshme reforma në disa sektorë shërbimesh që kanë ngelur ende për nga mënyra e funksionimit dhe logjikës etatiste të trashëguar nga mendësia komuniste. Nëse ka një gjë që Shqipëria ende e vuan është mungesa e krijimit të kapitalizmit të mirëfilltë. Krijimi i tregjeve është zgjidhja dhe jo problemi siç e konsiderojnë shumë prej nostalgjikëve të etatizmit. Edhe në shumë sektorë që konsiderohen ende të mira publike, si: uji, arsimi apo shëndetësia ka nevojë për rikonceptimin e tyre në bazë të logjikës kosto-përfitim-shërbim. Dhe këtu nuk bëhet fjalë të privatizojmë ujin apo ndonjë burim tjetër natyror, por shërbimet e tyre që të jenë sa më efikase.

Këto janë tri problematika që Shqipëria nuk i ka zgjidhur ende. Aprovimi i këtyre tri reformave do ta fuste atë në një sistem politik të qartë, me një administratë efikase si dhe me një logjikë ekonomike të cilën duhet ta aplikojmë menjëherë. Në të kundërt, do të vuajmë nga një bllokim konstant ekonomik dhe politik për shkak miopisë dhe populizmit politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy vendimet e drejta të Lulzim Bashës

Nga Ervis Iljazaj Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh dy vendimet politike...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.