Refugjatët sirianë si mjet presioni

Miliona sirianë gjenden në Turqi si refugjatë. Ata jetojnë në kushte të rënda dhe gjendja është e tensionuar.

Nga kufiri turko-sirian njoftohet gjithnjë e më shpesh për keqtrajtime të refugjatëve. Një video e regjistruar kohët e fundit me celular tregon se si të rinj sirianë rrihen dhe shkelmohen nga ushtarët turq pasi kalojnë kufirin. Edhe Mahmuti, refugjat nga Siria që jeton në Stamboll, tregon se në kufirin Siri-Turqi ai dhe refugjatët e tjerë janë keqtrajtuar nga ushtarët turq: “Njëri nga ushtarët ma vuri pushkën në tëmth dhe më tha të them lutjen time të fundit. Pastaj ai shkoi te të tjerët dhe u tha të njëjtën gjë. Ne filluam të qanim, njërin e zuri paniku dhe filloi të klithte për mëshirë. Pas dhjetë minutash, ushtari e uli armën dhe tha se po bënte vetëm shaka.”

Sulme raciste ndaj refugjatëve

Organizatat e të drejtave të njeriut janë të alarmuara. Edhe në qytetet e mëdha turke janë shtuar sulmet raciste ndaj refugjatëve. Situata e pasigurt e viktimave ndikon në atmosferën armiqësore. “Për refugjatët është e vështirë që të marrin status ligjor në Turqi. Përveç kësaj, disa parti politike në vend janë shprehur në mënyrë të përsëritur me deklarata negative dhe të rreme për refugjatët sirianë. Kjo krijon një klimë në të cilën sulme të tilla mund të shtohen edhe më shumë.” – thotë Andrew Gardner nga Amnesty International.

Kontrolle të rrepta

Qyteti bregdetar turk jugor i Mersinit është vetëm dy orë me makinë nga kufiri sirian. Jo shumë kohë më parë, këtu ankoronin rregullisht gjatë natës varkat e kontrabandistëve, tregojnë peshkatarët e Mersinit. Tani, rojet bregdetare turke kontrollojnë me rreptësi. Por shumë turq i kanë të huajt halë në sy. “Dy vjet më parë ata ishin ende të papunë. Por tani shumë kanë hapur nga një dyqan dhe shpesh i kanë punët më mirë se ne! ” – thotë një peshkatar turk.

Turqia i përdor refugjatët si mjet presioni

Të qëndrojnë në Turqi apo të vazhdojnë për në Evropë? Ndër refugjatët që janë strehuar në Mersin, mendimet janë të ndara. Një çift nga Siria veriore do të largohet nga Turqia sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ka frikë se qëndrimi ndaj refugjatëve në Turqi mund të ndryshojë për keq. “Ne jetojmë nga dita në ditë. Herë pas here punojmë në fusha. Por nuk flasim gjuhën dhe jemi të huaj këtu,” – thotë një grua sirane. “Shitëm gjithçka në Siri. Me paratë do të përpiqem ta largoj veten dhe familjen time nga këtu.” – shton i shoqi.

Sirianë të tjerë duan të presin, sepse nuk e shohin Turqinë vetëm si një vend të madh bujar. “Turqia na përdor ne refugjatët si mjet kërcënimi kundër Evropës. Kjo s’më pëlqen. Prandaj unë preferoj të kthehem në vendin tim sa më shpejt të jetë e mundur.” – thotë një refugjat tjetër.

Vetëm 20 vetë në muaj janë mesatarisht të gatshëm të paguajnë deri në 600 dollarë për të kaluar ilegalisht në Evropë, tregon një trafikant sirian. Vetëm nëse, acarohen mosmarrëveshjet politike midis Evropës dhe Turqisë, si tani, biznesi nis të lëvizë përsëri: “Sepse atëhere nuk ka më kontrolle kaq të rrepta nga policia dhe roja bregdetare. Dhe ne kemi sërish më shumë kërkesa nga refugjatët.”

Shkruar Nga
More from Revista User

Aksident i rëndë, autobusi i ‘Ali Demit’ përplas këmbësorin

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku një person...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.