Regjistrimi në universitet: Hapat për të fituar degën që doni

Maturantët në të gjithë vendin janë përfshirë nga ethet e zgjedhjes më të rëndësishme të jetës së tyre; dega që do të studiojnë që përcakton në një farë mënyre dhe profesionin e tyre në të ardhmen.

Edhe 6 ditë kanë mbetur nga përfundimi i afatit të parë të regjistrimeve, deri më 29 korrik, dhe të rinjtë shqiptarë duhet të nxitohen me mençuri në plotësimin e formularit të regjistrimit që të mos përballen me ndonjë surprizë të pakëndshme, të mos fitojnë degën që duan për shkak të ndonjë gabimi në plotësimin e këtij formulari.

Pasi të kenë vendosur se cila është dega e tyre e preferuar, hapi i parë që duhet të kenë parasysh është vendosja e preferencave të tyre në formular, emri i degës dhe i universitetit, ku ata dëshirojnë të vijojnë studimet e larta.

Këtë mundësi do ta kenë vetëm maturantët që e kanë mesataren e përgjithshme mbi notën 6, sipas kritereve të miratuara nga Ministria e Arsimit. Nxënësit me notë mesatare poshtë 6-ës mund të studiojnë në kolegjet profesionale të larta, por jo në universitetet shqiptare.

Hapi i parë që duhet të kryejnë kandidatët për vitin e ri akademik është pagesa e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 (dy mijë) lekë në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare elektronike të QSHA­së: www.qsha.gov.al.

Faza e parë e regjistrimit parashikon plotësimin e formularit online sipas datave për të gjitha rrethet.  Çdo maturant aksesohet në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; email etj.

Ministria ka sqaruar se janë nga 1 deri në 10 preferenca në formular. Maturantët mund të zgjedhin të plotësojnë një ose dy, por jo më shumë se 10. Në këtë pikë nuk ka rëndësi renditja e preferencave, pasi universitetet do t’i zgjedhin studentët e ardhshëm në bazë të kritereve të tyre të mesatares dhe në bazë të kërkesave që kanë për çdo degë.

Faza e dytë është shpallja e fituesve.

Kjo do të bëhet më datë 28 Gusht 2017 dhe maturantët mund të kërkojnë emrat e tyre në faqet e universiteteve ku kanë aplikuar,  por edhe në faqen e qendrës së shërbimeve arsimore.

Data 29 gusht shënon dhe nisjen e regjistrimit për në universitet aty ku është shpallur fitues. Ky afat përfundon më 11 shtator.

Por maturantët duhet të jenë të vëmendshëm pasi kanë vetëm 48 orë kohë për t’u paraqitur pranë universitetit ku janë shpallur fitues.

“Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda afatit 48 orësh, ai humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë”, thuhet në udhëzim.

Nga ana tjetër udhëzimi i ministrisë iu jep mundësinë që nëse ndryshojnë mendje ata kanë mundësinë të çregjistrohen nga zgjedhja e parë për të provuar një mundësi të dytë me një aplikim të ri në raundin e dytë. Këtë veprim mund ta bëjnë vetëm më datë 12 shtator me një kërkesë me shkrim pranë universitetit përkatës.

Një shans i dytë

Të gjithë ata që nuk kanë fituar të drejtën e studimit në raundin e parë, kanë pasur provime të maturës për vjeshtë ose nuk kanë fituar degën që kanë dëshiruar ka dhe një shans të dytë e raundin e dytë të regjistrimeve që nis më 15 shtator dhe përfundon më 22 Shtator 2017.

“Sigurisht që në raundin e dytë duhet të bëjnë llogaritë shumë mirë, si qëndrojnë shanset për të fituar”, thotë Rezana Vrapi, drejtore e AKP-së.

Nga data 1 tetor deri më 14 tetor të gjithë ata që janë shpallur fitues në këtë raund mund të regjistrohen.

Kujdes! Kur plotësoni preferencat tuaja në aplikim mos u nisni vetëm nga dëshira dhe prirjet tuaja, por llogarisni dhe mesataren që keni duke e përballur me kriteret që çdo degë kërkon për kandidatët e saj. Degë të caktuara, për shembull, si Mjekësia kërkojnë një mesatare të lartë për t’u pranuar në universitet.

Gjimnazistët para 2017-ës dhe ata që vijnë nga jashtë

Studimet në universitet për vitin akademik 2017-2018 nuk penalizojnë ata që kanë përfunduar gjimnazin në vitet e mëparshme dhe për ata të rinj që vijnë nga jashtë vendit.

Ja çfarë parashikon udhëzimi i ministrisë për këta kategori:

“Për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm përpara vitit shkollor 2016-2017 dhe që kanë aplikuar me formularin A1 Z, nga drejtoritë e institucioneve arsimore, ku ata kanë kryer aplikimin, hidhen deri më 30 qershor 2017 në Portalin Online të Maturantit të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të  gjitha viteve të arsimit të mesëm.

Për të gjithë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe që kanë aplikuar me formularin AIZ, nga drejtoritë e institucioneve arsimore, ku ata kanë kryer aplikimin, hidhen deri më 30 qershor 2017 në Portalin Online të Maturantit të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të  gjitha viteve të arsimit të mesëm.

Kriteret për aplikim për universitet:

  1. Maturantët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm;
  2. Plotësojnë kriterin e notës mesatare 6;
  3. Plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga IAL-të, për programet e studimit për të cilat aplikojnë;
  4. Nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer.

Nuk dini çfarë dege të zgjidhni?! UET iu vjen në ndihmë me këshillim karriere

Maturantët shqiptarë që kandidojnë për universitet në vitin akademik 2017-2018 duhet të jenë shumë të kujdesshëm në plotësimin e formularëve dhe llogaritë që bëjnë për të fituar degën e studimit që duan. Por maturantët në dilemë për zgjedhjen e degës puna është dhe më e vështirë.

Universiteti Europian i Tiranës ka disa zyra të posaçme dhe pedagogët e tij që u vijnë në ndihmë maturantëve me këshillim karriere.

Sekretarja e Përgjithshme e UET-it, Holta Heba, thotë se zyrat e këtij universiteti do të jenë në dispozicion të çdo të riu që kërkon ndihmë që nga plotësimi i formularit online dhe deri te zgjedhja e degës ku ai ka më shumë prirje dhe ku mund të fitojë në bazë të mesatares.

“Për këtë arsye UET ofron mbështetjen e vet me zyrën e pranimeve, por dhe pedagogët konsultues sipas programeve. Ndodh që një nxënës është në dilemë për përzgjedhjen e degës, mund të ketë dy preferenca, sigurisht UET ofron konsulta me pedagogët, zyrat e këshillimit, se cila do të ishte zgjedhja e duhur për këtë maturant”, thotë ajo.

Heba këshillon maturantët që të mos gabojnë në plotësimin e formularit të aplikimit.

“Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë plotësimit të formularit dhe të zgjedhin degën e caktuar, të mos bëjnë gabime në përzgjedhjen e degës së preferuar. Kanë të drejtë të zgjedhin deri në 10 degë dhe në bazë të nr. të kuotave të çdo universiteti, përcaktojnë degën e përzgjedhur, të cilën duhet ta deklarojnë, në momentin që e kanë fituar”, shpjegon ajo.

Po çfarë ndodh nëse një maturant del fitues në të 10 degët që ka shënuar në fletë?

“Sigurisht që duhet të shkojë të përzgjedhë degën më të preferuar. Nëse ajo është brenda limitit  të kuotave të atij universiteti, se mund të ndodhë dhe e kundërta, që kuotat të jenë plotësuar dhe ai të zgjedhë një degë tjetër, nga ajo e preferuara.  Ose kanë mundësinë e raundit të dytë”.

Sipas Hebës në raundin e dytë aplikojnë janë dy kategori, ata që janë të pakënaqur me raundin e parë ose personat që kanë patur për të shlyer provime vjeshte.

Çfarë duhet të bëjë një maturant që të vijë në UET?

“Maturanti duhet ta cilësojë mirë, të tregohet i kujdesshëm, të vendosë programin e studimit që kërkon të ndjekë të parin dhe universitetin.  Në momentin që i del emri në listë si fitues në UET duhet të vijë të bëjë regjistrimin në programin e dëshiruar. Se nuk mund të ndodhë që studenti të regjistrohet në dy programe. Më pas dokumentet, sipas detyrimeve ligjore, i dorëzon tek ai program, te një shkollë, dhe pajiset me numër matrikulli vetëm nga institucioni ku do të studiojë dhe në atë degë që do përzgjedhë”.

Heba beson se këtë vit nuk do ketë amulli siç ndodhi një vit më parë, pasi maturantët janë bërë të njohur me këtë sistem aplikimi dhe regjistrimi prej kohësh.

Sekretarja e Përgjithshme e UET-it thekson se pranimet në këtë universitet do të bëhen në bazë të kuotave të miratuara nga ministria.

Pas “vijës së kuqe” nuk mund të ketë pranime, ndaj ajo këshillon maturantët që kanë si zgjedhje këtë universitet që pasi t’u dalë emri në listën e fituesve të mos presin, të mos rrezikojnë, për të zgjedhur programin e dëshiruar.

Hapat e regjistrimit në UET:

Raundi I

20-29 Korrik,  maturantët plotësojnë formularin me 10 preferencat

23 Gusht,  vijnë listat nga ministria për Raundin  I

28 Gusht, universiteti dërgon listat e aplikantëve që kanë zgjedhur UET dhe vëmë vijën të kuqe

29 Gusht -11 Shtator janë regjistrimet e Raundit I

12 Shtator është data e çregjistrimeve sipas kërkesave të studentëve

13 Shtator,  universiteti dërgon regjistrimet e Raundit I dhe kuotat e paplotësuara

Raundi II

15-22 Shtator,  maturantët plotësojnë formularin me 10 preferencat për Raundin II

27 Shtator,  vijnë listat nga ministria për Raundin  II

30 Shtator, universiteti dërgon listën e aplikantëve që kanë zgjedhur UET dhe vëmë vijën të kuqe

1 Tetor -14 Tetor janë regjistrimet e Raundit II

4 Tetor  është data e çregjistrimeve sipas kërkesave të studentëve

20 Tetor,  universiteti dërgon regjistrimet e Raundit II dhe kuotat e paplotësuara

15 Nëntor dërgohen listat përfundimtare të Bachelorit në Ministri

UET, kuotat për çdo degë:

Bachelor:

Juridik i Përgjithshëm 175
Financë-Bankë 200
Menaxhim Biznesi- 175
Informatikë Ekonomike 225
Shkenca Politike 70
Marrëdhënie Ndërkombëtare 50
Psikologji 70
Sociologji – Antropologji Sociale 35
Komunikim dhe Marrëdhënie Publike 75
Komunikim Dizajn 35
Drejtësi 35
Marrëdhënie Publike 50
Shkenca Politike 25
Marrëdhënie Ndërkombëtare – Diplomaci 25

Master Profesional

Drejtësi 35
Marrëdhënie Publike 50
Shkenca Politike 25
Marrëdhënie Ndërkombëtare – Diplomaci 25
Mësuesi 35
Psikologji Shkollore 35
Financë 120
Marketing 50
Menaxhim Biznesi 90
Informatikë e Aplikuar 75
Qeverisje e Korporatave 25

Master i Shkencave

E Drejtë Private dhe Biznesi 70
E Drejtë Publike dhe Ndërkombëtare 70
Komunikim – Marrëdhënie Publike 25
Shkenca Politike 25
Marrëdhënie Ndërkombëtare 25
Shkencat e Edukimit 35
Psikologji 25
Financë, Banka 125
Administrim Biznesi 75
Informatikë Ekonomike 75
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ta pranojmë misionin shqiptar të Donald Lu deri në fund

Nga Ervis Iljazaj Sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.