Rekomandimet e EITI, kambana financiare e alarmit

Nga Enio Civici

“Popujt e pasur me minerale, janë popuj të varfër në para”. Kësaj aksiome të urtësisë botërore, që për shumë vjet ka shoqëruar historinë e njerëzimit, prej më shumë se 15 vjetësh po i jep përgjigje Iniciativa për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. EITI (Extractive Indistries Transparency International) është një standard shumë i rëndësishëm botëror, i cili mbështetet dhe operon sipas një “koalicioni” të gjerë mes qeverive, kompanive dhe shoqërisë civile. 51 shtete, pa lidhje fizike me njëra-tjetrën si SHBA apo Shqipëria, mbi 2.3 trilionë dollarë të publikuara si dhe mbi 332 pasqyra vjetore fiskale të analizuara. Këto janë vetëm pak nga puna e jashtëzakonshme mbi të cilën bazohet kjo organizatë ndërkombëtare e specializuar në spektrin e nëntokës. Dhe këtu flas për naftën, gazin natyror dhe mineralet. Shqipëria gëzon dy nga këto pasuri por pak ka përfituar prej tyre. Objektivi primar i EITI është pikërisht transparenca e të gjithë pagesave dhe marrëveshjeve ndërmjet kompanive, shtetit dhe aktorëve të tretë. Transparencë e cila vjen si domosdoshmëri për të matur impaktin në shoqëri dhe në buxhetin e shtetit nga shfrytëzimi i burimeve tona minerare. Janë jo të pakta lajmet, mendimet dhe mbi të gjitha shqetësimet që janë gjeneruar gjatë viteve të fundit lidhur me operimin e kompanive private në këtë sektor dhe marrëdhënies së tyre me zyrtarët e shtetit apo me komunitetet pranë të cilave funksionojnë. Çështje të ndryshme si numri dhe vlerat e licencave, kostot e investimeve, pagesat e taksave, rikthimin e fitimit, përgjegjshmërinë sociale dhe shumë të tjera në secilën herë zënë faqet e para të gazetave, portaleve dhe televizioneve. Shqipëria është anëtarësuar me të drejta të plota në EITI në vitin 2011, por publikimet e raporteve mbi nëntokën shqiptare kanë nisur që në vitin 2009. Praktika ligjore, bazuar dhe në memorandumet e bashkëpunimit mes sekretariatit shqiptar të EITI, kërkon gjashtëmujorin e dytë të vitit për të publikuar raportin e një viti më parë. Kështu që për momentin mund të diskutojmë mbi raportin e vitit 2015, si dhe mbi disa të dhëna paraprake të vitit 2016. Por pavarësisht momentin kalendarik, ashtu si në shumë fusha në Shqipëri, rekomandimet mbetet në fuqi për shumë kohë pasi pak gjëra ndryshojnë. Kushtet dhe saktësimet numerike të pasqyrave financiare, zbatimi i kuadrit ligjor, akordimi i shifrave mes organeve shtetërore, krijimi i regjistrit kombëtar të licencave, vlerësimi i rezervave kombëtare si dhe kontrolli i investimeve të kompanive në spektrin social janë vetëm disa nga rekomandimet. Nëse do të përfshihemi më thellë në rekomandimet e EITI për Ministrinë e Energjisë, Ministrinë e Financave, për AKBN dhe për vetë kompanitë operuese mund të kujtojmë çështjen e mosakordimit të pasqyrave financiare të raportuara tek EITI dhe shifrave që rezultojnë në tatime. Gjithashtu, rekomandohet që kompanitë të raportojnë te Ministria e Energjisë dhe Industrisë për secilën licencë më vete. Nëpërmjet krahasimit të pagesave për çdo licencë me nivelin e prodhimit dhe tatimit, MEI mund të përftojë një bazë të mjaftueshme të dhënash për buxhetimin e të ardhurave dhe analizën e efektivitetit të politikave fiskale në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Gjithashtu, një problem tjetër është vonesa e raportimit nga vetë institucionet shqiptare, të cilat ashtu si për shumë fusha, kur vjen çështja për kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore, nuk gëzojnë mundësi të mëdha. Aktualisht duket se është e nevojshme që të shtohen kategoritë e informacionit lidhur me sektorët nxjerrës si nafta, mineralet dhe hidroenergjia. Përtej statistikave financiare institucionet përgjegjëse, si p.sh. ministritë, por dhe AKBN apo të tjera, duhet të investohen në grumbullimin e të dhënave si informacion për rezervat, vendburimet, strukturën aktuale dhe madhësinë e industrisë apo aktiviteteve të rëndësishme kërkimore. Më tej me interes është dhe kontributi i industrisë në ekonomi, punësimi dhe niveli i eksporteve, totali i të ardhurave gjeneruar nga industria nxjerrëse, transfertat midis shtetit dhe pushtetit vendor, studimet e kryera mbi impaktin mjedisor dhe social, informacioni publik për alokimin e licencave, regjistrin e të licencuarve, pronarët përfitues, si dhe kushtet e kontratës. Një tjetër udhëzim i sekretariatit EITI por që përbën interes për të gjithë ne është dhe vlerësimi i rezervave kombëtare natyrore. Unë e di që kostot e një operacioni të tillë janë shumë të mëdha, por pavarësisht kësaj është e rëndësishme të mësojmë më shumë mbi vlerën e përgjithshme të pasurisë kombëtare shqiptare. Në fund por jo nga rëndësia, mbetet i detyrueshëm krijimi i një regjistri publik të përditësuar me të gjitha licencat dhe subjektet që i përfitojnë. Qëllimi i këtij regjistri, përveç transparencës është padyshim dhe lehtësia e identifikimit të të ardhurave që duhet të përfitojë shteti prej pasurisë natyrore që gëzon.

Këto dhe shumë rekomandime të tjera janë kërkesat që një organizatë ndërkombëtare si EITI kërkon nga qeveria, kompanitë dhe shoqëria shqiptare. Është një punë minimale por me impakt madhështor mbi mënyrën se si do të administrojmë pasurinë e vetme që na ka dhënë natyra. Tek sa i kushtojmë pafund vëmendje zgjedhjeve politike dhe përplasjeve partiake ndoshta duhet të hedhim sytë më shpesh dhe te kontributi financiar që pasuria e nëntokës jep në jetët tona.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si e themeluan Basha e Rama Republikën e V-të

Nga Alfred Lela Asnjë burrë për be nuk abstenoi, nuk refuzoi, nuk...
Read More