Rekomandimi për negociatat, frymëmarrje për momentin e vështirë të qeverisë

Nga Ervis Iljazaj

Kryeministri Rama doli në një konferencë për shtyp për të komentuar rekomandimin pa kushte për hapjen e negociatave, dhe, ishte vështirë të fshihte një lloj çlirimi politik, për momentin, që për hir të së vërtetës, nuk është fort i mirë për qeverinë në shumë aspekte.

Sepse, përtej lajmit të mirë për Shqipërinë, procesi i integrimit ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm për politikën e brendshme. Shpeshherë palët politike dështimet apo sukseset në këtë drejtim i kanë përdorur për efekte elektorale dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. Edhe në këtë moment po ndodh e njëjta gjë. Mazhoranca po e përdor si një sukses të qeverisë, ndërsa opozita, edhe pse e përshëndet rekomandimin, nuk lë pa përmendur të gjitha problematikat apo kushtet që duhet të plotësojë qeveria deri në qershor kur do të mblidhet Këshilli i Ministrave Europianë.

Duke qenë se, shoqëria shqiptare është në pjesën më të madhe të saj proeuropiane si asnjë shoqëri tjetër e rajonit, me këtë fakt, politika luan betejën e saj politike nëpërmjet integrimit europian.

Në këtë kuptim, duket se e ka nxjerrë qeverinë nga momenti jo i mirë që po kalonte, duke filluar që nga protestat e qytetarëve të Kukësit, e deri te çështja e barrës fiskale të rritur.

Mirëpo, kjo frymëmarrje për qeverinë o të vazhdojë deri në Qershor, në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli Europian i Ministrave të Jashtëm. Deri atëherë, qeveria shqiptare ka një sërë problematikash për të zgjidhur dhe një sërë çështjesh që presin përgjigje prej saj.

Rekomandimi pa kushte për hapjen e negociatave nuk është pa domethënie për sa i përket progresit të saj, ashtu sikurse mendojnë një pjesë e opinioni publik, por, në të njëjtën kohë, nuk ka vend as për ekzaltimi, siç paraqitet në kampin e mazhorancës. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i përvishemi punës, pasi ende nuk është thënë fjala e fundit për marrjen e statusit.

Për shembull, një nga kushtet kryesore që raporti përmbante, ishte zbatimi i Reformës në Drejtësi, që për hir të së vërtetës, ishte një nga arsyet kryesore të këtij rekomandimi pozitiv, me gjithë dyshimet apo skepticizmin që ka rreth saj. Me zbatim BE nënkupton ndërtimin e organeve të reja që parashikohen në këtë Reformë, siç janë SPAK apo Byroja e Hetimit Kombëtar. Për të realizuar këtë objektiv, kërkohet një vullnet politik nga të dyja palët, vullnet i cili, ka munguar. Jo vetëm kaq, por politika shqiptare ka bërë çdo gjë të mundur për ta penguar Reformën. Këto janë organe të cilat do të merren me hetimin e pushtetarëve të lartë dhe kjo është e vetmja gjë që pritet nga institucionet e Bashkimit Europian. Nëse politika shqiptare do ta lejojë zbatimin e Reformës apo jo, kjo mbetet për t’u parë.

E megjithatë, rekomandimi për hapjen e negociatave, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe për rajonin. Në këtë moment të vështirë për ekzistencën e Bashkimit Europian dhe euroskepticizmit që ekziston në shumë vende, institucionet e BE-së në këtë mënyrë japin një mesazh të rëndësishëm. Mesazhin që, Europa, përtej çdo debati, nuk i ka hequr sytë nga Ballkani, duke u treguar e vendosur për ta bërë pjesë të saj këtë rajon. Dhe, në këtë moment jo të sigurt gjeopolitik, atashimi pranë Europës, është e vetmja rrugë që shpëton Shqipërinë nga çdo linjë tjetër gjeopolitike të pasigurt dhe të dëmshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Flet mjekja: Sëmundjet reumatizmale zbulohen vonë; si t’i njohim shenjat

Në një intervistë për “Mapo”, dr. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe, shpjegon shenjat...
Read More