Rekordet e Fevziut

Mbrëmjen e fundit të Gushtit 1997, në një studio modeste pa kamerat me karel e spotet e shumta të ndriçimit, pa monitorët super të mëdhenj, pa grafikët e kompjuterizuar, pa antena të mëdha e pajisje dixhitale, pa transmetime në “Full HD”, pa internet e celularë, pa shkopin magjik drejtuar të ftuarve… filloi rrugëtimin emisioni televiziv më jetëgjatë në Shqipëri “Opinion”, drejtuar nga Blendi Fevziu. Sot, pas 20 vitesh nga emisioni i parë, Fevziu e rikthen atë mbrëmje, duke improvizuar edhe njëherë studion, me të ftuarit e tij të parë edhe pse asgjë nuk është më si atëherë. Në karrigen e deputetit të vrarë Azem Hajdari është ulur e bija, Rudina. Më tej Luan Hajdaraga, kryetar i Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut në atë kohë dhe Neritan Ceka, që ishte Ministër i Brendshëm. Përballë është sigurisht Blendi Fevziu.

Kështu nis maratona e festës së këtij përvjetori, me një video të 31 gushtit të vitit 1997, transmetimin e hyrjes së emisionit “E diela Debat”, që më vonë mori emrin “Opinion”.

Në monitor shfaqen  imazhe me ngjyra disi të zymta që përcjellin atmosferën e atij viti të mbrapshtë për Shqipërinë. ..”Mirëmbrëma” e thënë me një farë frike që duket se vjen prej dritave të kuqe të kamerave që janë ndezur për të transmetuar një debat për ç’armatosjen e Shqipërisë,  drejtpërdrejt në studion numër 1 të Televizionit Publik Shqiptar….Nuk duket aq i zhdërvjellët dhe herë pas here ka nevojë të shohë skaletën. Është Blendi Fevziu dhe hera e tij e parë në ekran para 20 vitesh. Ka ndryshim shumë të madh dhe është e natyrshme.

Një rrugë e gjatë, përmes së cilës Blendi Fevziu tregoi pushtetin e vërtetë të medias, për faktin e thjeshtë se arriti të bënte studion e “Opinion” arenën më të ndjekur të debatit në Shqipëri.

Aty duan të jenë të gjithë: kryeministra, presidentë, ministra, njerëz të pushtetshëm, artistë, sociologë, biznesmenë… . Sepse aty dëgjohesh e shihesh më shumë, promovohesh dhe fiton statusin e figurës publike. Dhe të gjithë këta shkojnë e vijnë, ndërsa “Opinioni” i Fevziut mbetet aty, duke rritur vazhdimisht pushtetin. Është pushteti mediatik.

“Nuk di të them nëse Fevzo është gazetari më i mirë në Shqipëri, por më duket se është më i ndjekuri. Për shembull në universitet shumica e studentëve të gazetarisë, kanë model shqiptar frymëzimi Blendi Fevziun….Popullariteti që ka krijuar me “Opinion”, ku të rinjtë siç rrallë ndodh në botë, janë nga ndjekësit më aktivë, them se ka ndikuar që ne shqiptarët të vazhdojmë të jemi kaq të lidhur pas emisioneve politike.

Por mendoj se Fevziu i ka dhënë zë çdo çmendurie politike dhe deri tek muhabetet e kafeneve, për hir të audiencës. Nëse e marrim si model suksesi patjetër që është  më perfekti, duke marrë parasysh që ka aftësinë që të transmetojë përmes televizionit një karakter të thjeshtë. Me sa kam kuptuar, politikanët e akuzojnë se nuk është i pavarur dhe anon, publiku e ndjek masivisht sepse ndoshta e sheh si neutral kur bën pyetje të guximshme. Pra ka marrë atë që do çdo gazetar. Të ndiqet dhe të kuptohet ashtu si ai do”. Është ky një opinion krejt i sinqertë e pa asnjë ndikim nga një gazetare e re, por shumë e talentuar. Rashë dakord me të që mos ia publikoj emrin sepse dihet, ose do thonë për të “po i bën furça Fevzos”, ose mund të thotë Fevziu: “Është herët për të vlerësuar kur sapo ke dalë nga auditori…”, e “ose” të tjera.

Gjithsesi, mu duk më i godituri  nga reagimet e disa gazetarëve të rinj që i ftova në këtë bashkëpunim në tekstin që i paraprin një interviste mjaft interesante të Blendi Fevziut për Revistën “Mapo”.

Si çdo gazetar i famshëm Fevziu ka ndoshta edhe numrin më të madh të kritikëve, madje nga të gjitha pozicionet: që nga divani i shtëpisë, deri tek kolltuku i kryeministrit.

Kryeministri Rama përpiqet ta sulmojë vazhdimisht sa here ndeshet me të në Opinion. E ka cilësuar dikur si “salloni mediatik” apo “Dhoma e dytë” kur Berisha ishte kryeministër. Ndërsa vetë Berisha e ka braktisur “Opinionin”. Prej pesë vjet që nuk shkon aty pas “sherrit” që ka nisur për një intervistë në janar të vitit 2013. Më herët, Berisha ka dhënë intervistat e tij më të rëndësishme pikërisht aty.

Ndërsa Basha pranon çdo ftesë të mundshme në “Opinion” dhe pyetet atje me të njëjtin agresivitet si dhe Rama.

Në “Opinion” bëhet politikë, aty bëhet sherr i madh, ku gra e burra debatojnë herë me qetësi e herë duke bërtitur, aty ku “shkopi” i Fevzos vendos “diktatin” për të ndarë hesapin mes sherrxhinjve.

Këto ditë “Opinion” i Blendi Fevziut feston 20-vjetorin në një aktivitet madhështor, ku pritet të ketë shumë të ftuar, por pamundur të jenë prezent të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj arene të rëndësishme të debatit në shoqërinë shqiptare.

Po cili është fillimi i Blendi Fevziut?

Nuk e ka për dëshirë të pranojë se ka hyrë shpejt në histori, sepse ka qenë student dhjetori. Ai e quan veçse takim me historinë. Por me sa duket, ishte një takim që i hapi rrugën për të hyrë nëpër të gjitha skutat e politikës e për t’ia rrëfyer publikut të vërtetat apo gjysëm të vërtetat e politikës aq konfliktuale, aq të ndërlikuar e aq unike të shqiptarëve në tranzicion. Një karrierë intensive, e pandalur asnjëherë, që prej kohës kur fjala e lirë nisi rrugën e saj me gazetën Rilindja Demokratike.

Ndodh rrallë që shkrimi i parë i një gazetari të kapë atë audiencë që nuk do të mund ta kapë më kurrë. Ishte shkrimi i parë në gazetën RD, në numrin e parë të saj, i cili u shit në 100 mijë kopje, por që në fakt u lexua nga thuajse të gjithë shqiptarët. Siç e thotë me modesti vetë Fevziu: “Ka të bëjë me momentin, e jo më shumë me autorin.”

Pas një përvoje rreth 7-vjeçare në median e shkruar, Blendi Fevziu nisi emisionin “E diela debat” më 31 gusht 1997 në ekranin e TVSH-së. Pak kohë më pas emri u shndërrua në “Opinion”, për të vazhduar deri sot, kur shënon 2480 emisione. Duhet të ketë shumë pak personalitete të Shqipërisë, të të gjitha fushave, që nuk kanë shkelur në “Opinion”.

Historik do të mbetet debati Nano-Berisha në vitin 2002. Ishte koha kur pakkush e besonte se ata do të mund të shtrëngonin duart, pasi konfliktualiteti politik mes tyre kishte arritur në skaj. Është një rekord i shënuar vetëm në “Opinion”. Një traditë që nuk vazhdoi dot, sepse konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri ka vazhduar. Liderët hezitojnë të përballen mes tyre në “Opinion”.

Katër herë në javë, nga e hëna në të enjte, është shumë impenjative, kur i shtohet fakti se trajtohen përgjithësisht temat e ditës. Është një punë intensive që deri më sot askush nuk ka mundur ta sfidojë. Ata që kanë tentuar, janë lodhur shpejt.

Por Blendi Fevziu nuk sfidon vetëm në ekran. Ai ka shënuar rekorde shumë të rëndësishme edhe si autor. Janë 12 libra të botuara dhe ndër to më i shituri është ai për diktatorin Enver Hoxha, i botuar nga “UET Press”. Është shitur në 200 mijë kopje dhe vazhdon ende të kërkohet në treg. Ka shkruar edhe një libër për “Ahmet Zogun” që gjithashtu është shitur në sasi të jashtëzakonshme.

Por “Pjedestale për Statuja” është për Fevziun krenaria e tij, sepse: “Ai nuk është thjesht një libër i imi. Ai është një prej momenteve më të rëndësishme të krejt jetës sime.”

Blendi Fevziu ka shënuar shumë rekorde, duke nisur me shkrimin e parë në media, emisionin e parë “live”, librin e parë, numrin e intervistave, numrin e të ftuarve në “Opinion”, numrin e emisioneve në “Opinion”, numrin e të gjithë librave të botuar, sasinë e shitjeve … e shumë rekodre të tjera. Rreth 20 të tilla, ato më të rëndësishmet, do t’i gjeni në një rrëfim mjaft interesant për këtë numër të revistës Mapo.

Revistën e gjeni në çdo pikë shitje.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Moldavja që nxiti Kutelin: Me ‘Këngë e britma nga qyteti i djegur’

Nadia, gruaja baloshe  moldave e frymëzoi për të mbledhur këngët popullore, edhe pse qyteti...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.