Rekurset, 300 dosje nuk dërgohen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës shkarkon nga detyra kryesekretaren dhe një punonjëse të administratës dhe përgatit kallëzim penal ndaj tyre. 300 dosjet e fshehura i përkasin një periudhe 10-vjeçare dhe janë kryesisht për çështje pronash, padi për marrëdhënie pune apo shpërblim dëmi. Zbulimi rastësor është bërë në fillim të këtij muaji gjatë transferimit të dosjeve nga Gjykata e Tiranës drejt Arkivit Shtetëror të Lundrës, por lajmi është mbajtur i fshehtë.

Gjykata e Tiranës është përfshirë nga një skandal i paprecedent me fshehjen e dosjeve të cilat duhet t’i dërgoheshin për shqyrtim Gjykatës së Lartë. Edhe pse me vonesë, zbulimi është bërë nga kryetarja e Gjykatës, e cila ka vendosur shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të kryesekretares dhe një sekretare të sektorit përkatës.

Bëhet fjalë për rreth 300 dosje të cilat do t’i nënshtroheshin rekursit të paraqitur nga palët në Gjykatën e Lartë dhe për pasojë duhet të merreshin në shqyrtim nga kjo gjykatë. Por kjo nuk ka ndodhur pasi dosjet janë gjetur në ambientet e Gjykatës së Tiranës, ku mbaheshin për arsye ende të pasqaruara, duke penguar kështu dhënien e drejtësisë për palët e përfshira në këto procese gjyqësore.

Ky fakt pranohet edhe nga kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajro, e cila thotë se janë të paktën 300 dosje të cilat nuk janë përcjellë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Nga këto dosje, 299 u përkasin proceseve civile dhe 1 është dosje penale. Edhe pse qytetarët janë ankuar për vonesa në shqyrtimin e kërkesave të tyre nga Gjykata e Lartë, as kjo gjykatë dhe as ajo e rrethit gjyqësor nuk kanë marrë asnjë masë.

U desh zhvendosja e arkivit të Gjykatës drejt arkivës shtetërore të Lundrës që të zbulohej skandali i cili dyshohet se ndodh prej të paktën 10 vitesh. Burime pranë Gjykatës së Tiranës konfirmojnë për “Mapo” se me urdhër të kryetares së kësaj gjykate përgjatë muajit korrik është kryer zhvendosja e dosjeve drejt Arkivës së Lundrës. Kjo për shkak të mungesës së ambienteve në dy godinat e Gjykatës së Tiranës.

Asokohe kryetarja e Gjykatës e kontaktuar nga BIRN për zhvendosjen e dosjeve jashtë kritereve të përcaktuara tha se dosjet i ishin nënshtruar inventarit të plotë. “Ne kemi bërë inventarin e dosjeve dhe ngritur një grup pune prej 5 vetash që po merren me transferimin e tyre. Ne thjesht po bëjmë transferimin e tyre dhe të jeni të sigurt që nuk do të humbasë asnjë dosje”, pati deklaruar për BIRN kryetarja e Gjykatës së Tiranës më datë 2 gusht të këtij viti, kohë gjatë të cilës po kryhej procesi i transferimit.

Por edhe pse ishte konstatuar fshehja e dosjeve, për më shumë se një muaj gjykata tentoi të mbajë të fshehtë lajmin që i ka kaluar kufijtë e skandalit. Plot 300 procese gjyqësore nuk i kanë kaluar të gjitha hallkat e drejtësisë duke iu mohuar kështu qytetarëve dhënien e drejtësisë. Koshiente për atë që ka ndodhur, drejtuesja e institucionit e ka konsideruar shkelje fshehjen e dosjes dhe ka marrë masa administrative për dy punonjës të kësaj gjykatë.

Kryesekretarja dhe një sekretare janë shkarkuar nga detyra, ndërsa po përgatitet edhe një kallëzim penal ndaj tyre për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për këtë rast është njoftuar prokuroria, por nuk ka ende informacione nëse ka nisur një hetim që do të sqaronte nëse këto dosje janë fshehur me qëllim për të shmangur shqyrtimin e tyre në Gjykatën e Lartë apo ka qenë pakujdesi e administratës së gjykatës. Sipas burimeve pranë kësaj gjykate mësohet se këto dosje i përkasin një periudhe 10-vjeçare dhe janë kryesisht çështje që lidhen me pronat, punësimin, padi shkaktim dëmi etj.

Veç kallëzimit penal ndaj dy vartësve të shkarkuara kreu i Gjykatës së Tiranës ka urdhëruar dhe kontrollin e të gjitha procedurave për dosjet e lidhura me rekurset në Gjykatën e Lartë përgjatë periudhës 2008-2015. Mosdërgimi i këtyre dosjeve në gjykatën e Lartë rezulton se ka krijuar një kalvar të pafundmë pritjesh për qytetarët të cilët në më shumë se një dekadë presin për drejtësi dhe nuk gjejnë zgjidhje. Sipas procedurës së parashikuar në ligj, për çdo proces gjyqësor që zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, çdo ankim nga palët duhet të depozitohet po në këtë gjykatë. Ky rregull vlen për ankimet në apel, si dhe për rekurset në Gjykatën e Lartë.

Është Gjykata e Shkallës së parë e cila pasi merr një rekurs nga palët, brenda afatit të përcaktuar në ligj duhet të dërgojë dosjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Por kjo procedurë nuk është respektuar për 300 dosje dhe ky skandal u zbulua rastësisht gjatë kohës së transferimit të dosjeve nga gjykata në arkiv. Pavarësisht ankesave të qytetarëve që prisnin drejtësi për vite me radhë, as Gjykata e Lartë dhe as Gjykata e Shkallës së parë nuk kishin kryer një verifikim apo hetim administrative mbi dosjet që mbaheshin të fshehura.

Ky zbulim i bërë nga vetë gjykata vjen pikërisht në momentin kur ministri i Drejtësisë ende në detyrë paralajmëroi një inspektim për procedurën dhe kushtet e zhvendosjes së dosjeve nga Gjykata e Shkallës së Parë drejt Arkivës Shtetërore në Lundër. Ky proces nisi në muajin korrik dhe dosjet janë transferuar në thasë plastmasi e kuti kartoni të pashoqëruara nga procesverbalet e inventarit sikundër përcakton ligji.

Thasët më pas ngarkoheshin në fugonë të cilët i transportonin dosjet drejt Lundrës. Edhe pse ligji për Arkivat dhe urdhri i ministrit të Drejtësisë përcaktojnë qartë ruajtjen dhe transferimin e dosjeve, në rastin e Gjykatës së Tiranës, këto procedura nuk janë respektuar.

Sipas urdhrit të ministrit të Drejtësisë, për rregullimin dhe funksionimin e arkivave të gjykatave, kryetari i gjykatës duhet të kërkojë leje për transferimin e dosjeve për shkak të mungesës së hapësirës së ambienteve ku ato ndodhen. Institucioni përgjegjës që lejon dhe kontrollon procedurën e transferimit është Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor që është nën vartësinë e Ministrisë së Drejtësisë.

Por punonjës të arkivës së Gjykatës së Tiranës, të cilët folën në kushte anonimati, i thanë BIRN se ndryshe nga sa përcakton ligji, ajo çka ato kanë bërë është thjesht futja e dosjeve nëpër thasë dhe më pas dërgimi i tyre në magazinat e Lundrës. Askush nuk ka firmos një inventar apo ka bërë dhe evidentimin të dosjeve, siç parashtrohet në ligjin për arkivat dhe urdhëresat e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa ministri i Drejtësisë në detyrë, Gazmend Bardhi, tha se nuk kishte dijeni për transferimin e dosjeve, por premtoi se do të inspektonte gjithë procesin e ndjekur nga Gjykata e Tiranës. Ende nuk ka të dhëna nëse ky proces ka nisur ose jo, por transferimi i dosjeve, pavarësisht mënyrës dhe procedurës, zbuloi një skandal të padëgjuar më parë në Gjykatën e Tiranës: 300 dosje nuk janë dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Barcelonë, furgoni përplasi turmën e njerëzve në sheshin ‘Katalunja’. Akt terrorist

  Një furgon është përplasur me dhjetëra njerëz në qendër të Barcelonës...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.