Rënia e euros, Civici: 3 faktorët që po ndikojnë, çfarë pritet të ndodhë

 

Rënia e vazhdueshme e euros në tregun tonë të këmbimit ka shkaktuar jo pak shqetësim tek ata që e përdorin këtë monedhë në aktivitetin e tyre të përditshëm apo që kursimet i kanë në këtë monedhë.

Ndërsa euro ka prekur kuotën e 131.8 lekëve, niveli më i ulët i viteve të fundit, frika është për një dobësim të mëtejshme të saj. Se çfarë do të ndodhë me saktësi, askush nuk e di.

Por Adrian Civici, president i Universitetit Europian të Tiranës dhe një ndër ekspertët më të mirë të tregjeve financiare në Shqipëri analizon situatën në tregun e këmbimit valutor, duke dhënë edhe parashikimin e tij për të ardhmen e afërt të euros.

Cilët janë faktorët e rënies së euros?

Rënia e vlerës së euros në raport me lekun, në këto momente mendoj se ndikohet nga 3 faktorë kryesorë. Së pari, reflekton bollëkun relativ të ofertës ose sasisë së eurove disponibël në qarkullim në raport me kërkesën për euro në tregun monetar në Shqipëri.

Kjo shkaktohet nga sasia e madhe e eurove që vijnë nga remitancat, turizmi, investimet e huaja dhe riciklimi i eurove nga tregu paralel informal, i eurove me origjinë informale dhe pastrimi i parave. Nga ana tjetër, kërkesa relativisht e ulët për investime të brendshme apo konsum në euro.

Së dyti, ndryshimet në politikën monetare të Eurozonës, ku duken shenja të një përpjekje për zhvlerësimin e euros në kundër përgjigje të politikës amerikane të zhvlerësimit të dollarit. Në tregjet monetare ka shumë sinjale të rifillimit të një lufte të re monedhash, sidomos përplasja euro- dollar.

Së treti, mendoj se po shkaktohet edhe nga një interpretim i gabuar që po i bëhet kërkesës së Bankës së Shqipërisë për uljen e nivelit të eurizimit. Ka raste kur individë apo biznese po nxitojnë të shkëputen nga euro me mendimin e gabuar se ajo është monedhë që duhet përdorur gjithnjë e më pak.

Si e parashikoni ecurinë e monedhës europiane?

Mendoj se do të vazhdojë të ketë një ecuri të lehtë rënëse deri në nivelet 129 -130 lek/ euro, aq më tepër që po t’i referohemi treguesve tendencialë sezonalë, në periudhën maj – shtator, euro gjithmonë është shfaqur relativisht më e dobësuar ne raport me lekun.

Cili është ndikimi i një euroje të dobët në ekonominë shqiptare?

Ndikimi është i shumëfishtë. Një euro më e dobët ndikon pozitivisht në koston e importeve nga Eurozona. E bën më të lirë koston e kredive për individët dhe biznezet që aktivitetin dhe të ardhurat bazë i kanë në lek, ndërsa kreditë i kanë në euro.

Ul përqindjen e borxhit publik. Pra, e lehtëson koston e borxhit. Ul fuqinë blerëse të individëve e familjeve, që disponojnë euro dhe i përdorin ato masivisht për konsumin e përditshëm.

Nga ana tjetër, si ndikime negative do të evidentoja rritjen e kostos së eksporteve dhe penalizimin e eksportuesve dhe sektorëve prodhues vendas, që punojnë për eksport, si dhe uljen e vlerës së depozitave që janë në euro në sistemin tonë bankar./Aurora Sulce/Ekonomix.al/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Protesta, PD publikon ‘hartën’ e familjeve mafioze shqiptare, blindohet Tirana para protestës

  Protestuesit e Partisë Demokratike shpalosën një tjetër instalacion para Ministrisë së...
Read More