Replika e Henri Çilit me Berishën: Doktor, ke braktisur idetë e djathta për arsimin, ke huazuar ato të komunistëve të vjetër e të rinj si Artan Fuga dhe Arlind Qorri

Administratori i UET i përgjigjet ish-kryeministrit Berisha në lidhje me thirrjen e tij për hetimin e spotit publicitar të UET të ndaluar nga AMA fundjavën e shkuar. Çili shprehet se debati rreth personave është i pavlerë, duke ftuar ish-kryeministrin dhe aktorët e tjerë që casus-i të shndërrohet në një debat idesh për reformën në arsimin e lartë.

Nga Henri Çili

Ish-kryeministri Sali Berisha, pardje në një status në Facebook, ka bërë thirrje për hetim nga Prokuroria të një spoti televiziv të Universitetit Europian të Tiranës, i ndaluar në mënyrë të paligjshme nga AMA, ku thuhet: “Mos harxhoni kohën kot në universitetet shtetërore!”. Pa i hyrë thelbit dhe detajeve të këtij debati, do të doja shumë shkurt të merresha me konsiderata të tjera të statusit të Berishës kur bëhet fjalë për Universitetin Europian të Tiranës, të cilin ai e quan “Universiteti Kristaq Rama” (për ironi dikur qarqet e majta e quanin “Universiteti Argita Berisha”, propaganda politike përdor të njëjtët terma).

Së pari, personalisht për aq investim sa kam pasur në jetën publike nuk më shkon fare, po fare të shahem apo të replikoj me ish-kryeministrin Berisha. Kam depozituar në publik aq shumë vlerësime e konsiderata, të cilave nuk u heq asnjë presje për kohën dhe rrethanat në të cilat jam shprehur, ndaj është absurde të thosha qoftë edhe një fjalë të keqe për Berishën, ndryshe nga lumi i sharjeve e fyerjeve që nuk shkojnë me staturën e një Presidenti, por që doktori lëshon për mua dhe Universitetin Europian të Tiranës në statusin e tij. 

Së dyti, nuk është e nevojshme të jap ndonjë shpjegim në lidhje me kredencialet etike, cilësore, morale, ligjore të UET-it. Universiteti Europian i Tiranës, është një universitet në sytë e publikut tashmë prej 12 vjetësh, njihet prej më shumë se 15 mijë studentësh dhe më shumë se 1 mijë pedagogësh, që kanë qenë aty. Nuk do mend që cilësia, standardet “fully met”, pra plotësisht të plotësuara, të certifikuara nga akreditimi i kompanisë britanike QAA, në prill 2017, dhe çdo parametër tjetër i Universitetit Europian të Tiranës është i qartë, i njohur dhe me rekordet përkatëse. S’po them për njohjen personale që ju keni rreth UET, apo për meskinitë e tilla që pedagogia e zonja Argita Berisha ka dhënë mësim vetë te ne, apo detaje të tilla si libri interesant i mbesës Dasara, në UET Press. 

Së treti, duhet të bëj një saktësim të termave. Zoti Berisha është një politikan dhe si i tillë gjuha e tij, ose mekanizmi me të cilin punon politika, është inkoherenca. Ndërsa unë jam një individ privat, njeri i lirë dhe një grup interesi, gjuha vepruese të cilit është pikërisht koherenca.

Gjej aq shumë kontradikta në konsideratat dhe idetë e Berishës, për aktorët, faktorët apo çështjet publike në Shqipëri dhe nuk gjej personalisht asnjë inkoherencë në lidhje me idetë e mia; demokracinë, liberalizimin apo tregun e arsimit të lartë. Kam thënë dhe kam shkruar gjithnjë të njëjtën gjë. Përfshi edhe në editorialin e MAPO, në cilësinë e botuesit në zgjedhjet e 23 qershorit. “Shqipërisë, i duhet ideja liberale, Shqipërisë i duhet lidershipi i Sali Berishës”.

Historia nuk mund të ndryshohet për askënd: Sali Berisha, ish-kryeministri i vendit është një personazh historik për jetën tonë publike, me merita të jashtëzakonshme, përfshi këtu edhe për sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri. Të mos harrojmë që z. Berisha ishte autori i liberalizimit të sektorit të arsimit të lartë, duke dhënë një numër të madh licencash gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij, rreth 40 të tilla; është autor dhe mbështetës shumë i madh i ideve për Reformën e Arsimit të Lartë. Madje teza e Milton Friedman për sistemin e “voucher”- është sjellë në debatin publik nga kryeministri Sali Berisha.

Po ashtu, Berishës i takon një mirënjohje në lidhje me akordimin e së parës licencë për Shkollën Doktorale në Shqipëri , që iu dha UET-it, e që shënoi një nga momentet historike për arsimin e lartë në Shqipëri; demonopolizimin e titujve akademikë, që i gëzonte deri atëherë vetëm Universiteti Shtetëror, i themeluar si një monopol për kontrolluar elitën akademike shqiptare edhe 25 vjet pas rrëzimit të komunizmit.

Ndaj, në këtë dritë, lidhur me këto tri përjashtime ajo që më intereson fort është një debat idesh me ish-kryeministrin Berisha. Një debat idesh të llojit; A duhet të ruajmë monopolin e sektorit shtetëror në arsimin e lartë në Shqipëri, që aktualisht përbën afërisht 90 % të tregut të edukimit të lartë apo duhet të krijojmë tregun e arsimit të lartë, të barabartë, konkurrues, aksesibël për të gjithë operatorët, pavarësisht nga origjina, historia apo mënyra e themelimit? Kjo është çështja.

Po përpara kësaj, më bën shumë përshtypje, se përse ish-kryeministri Berisha, i afishuar publikisht, gjerësisht, me idetë më të avancuara, gjatë kohës kur ishte kryeministër për liberalizimin e arsimit të lartë, për tregun e arsimit, për parimin “paraja ndjek studentin” etj. etj., sot i ka braktisur tërësisht dhe u është afruar ideve të komunistëve të vjetër si Artan Fuga dhe të komunistëve të rinj si Arlind Qorri për “arsimin e lartë falas”, për monopolin e sistemit shtetëror e shumë e shumë gjëra të kësaj natyre. Kjo në të vërtetë është shumë zhgënjyese, për mua personalisht, por dhe për këdo besoj që e ka parë Sali Berishën si një aleat për tregun e lirë në këtë vend me traditë të gjatë osmane dhe puniste.

Le t’i rikthehemi debatit! Po, sipas meje, është kundër interesit publik dhe kundër interesit të qytetarëve dhe studentëve që të vazhdojë konkurrenca e pabarabartë e universitetit shtetëror ndaj universiteteve private; është kundër interesit publik të pengohet më tej ndërtimi i tregut të edukimit në këtë vend dhe përgjithësi në tregjeve të shërbimeve publike, ende monopol i shtetit, ose ku shteti ka një prezence dominante.

Universiteti shtetëror konkurron në mënyrë krejtësisht të pandershme në tregun e edukimit, duke marrë të gjitha fondet publike, duke përdorur të gjitha asetet publike, që janë të taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, taksapaguesit që përdorin arsimin privat, paguajnë dyfish taksa; paguajnë për të mbajtur sistemin shtetëror dhe për të paguar studimet e fëmijëve të tyre, duke mos marrë mbrapsht nga taksat që paguajnë atë që iu takon për shkollimin e fëmijëve, të lirë për ta përdorur në cilin universitet që dëshirojnë, qoftë ai i themeluar nga shteti, nga kisha apo xhamia, nga sipërmarrësit private apo nga ente jofitimprurëse.

Universiteti shtetëror konkurron në mënyrë të pandershme në Shqipëri sepse nuk paguan asnjë taksë. Universiteti shtetëror konkurron në mënyrë të pandershme, sepse deri vitin e kaluar ka pasur edhe monopolin e gradave shkencore – vetëm Ligji i Ri i hyrë në fuqi më 2015 –n krijon premisat që titujt mund t’i japin edhe universitetet privatë që përmbushin disa kushte. Universiteti shtetëror është krejtësisht i paakredituar dhe ka programe plotësisht të paakredituara. Dhe sot bën një konkurrencë të pandershme në raport me universitetet private që i kanë të gjitha programet të akredituara dhe që për këtë harxhojnë kapacitete administrative dhe paguajnë taksa dhe tarifa përkatëse. Duhet të kujtojmë që sot e kësaj dite Ambasada Amerikane nuk jep viza për studentët e universiteteve shtetërore, sepse janë të paakredituar – përjashto procesin e fundit, të saponisur me agjencinë britanike.

Universiteti shtetëror krijon një konkurrencë krejt të pandershme ndaj sektorit, sepse trashëgon dhe përdor të gjitha asetet publike, të cilat janë ndërtuar me taksat e të gjithë shqiptarëve. Universiteti Shtetëror sot ka një cilësi mizerabël. Të gjithë e dimë dhe është hipokrite të mos e themi. Përjashto pedagogë ose personalitete të rëndësishme të shkencës dhe akademisë shqiptare që, me pasionin e tyre në kushte shumë të këqija, vazhdojnë të mbajnë idealin akademik. Universiteti shtetëror është i mbytur krejt nga korrupsioni, nga shitblerja e provimeve – me dhjetëra procese hetimore janë nëpër prokurori. Universitetet shtetërore janë të mbytur me tenderë, me veprime të paligjshme, për shkak se drejtuesit e universiteteve shtetërorë, në 20 e ca vjet, veprojnë me të njëjtat mënyra siç veprojnë të gjithë zyrtarët, drejtorët apo gjyqtarët e këtij shteti.

Universitetet shtetërore e çojnë dëm materien gri që marrin. Shërbimi ndaj studentit, cilësia e mësimdhënies, kushtet financiare dhe mungesa e kërkesës së llogarisë janë indikatorët që bien në sy apriori në universitetet shtetërore. Universitetet shtetërore sot, nën idenë që ofrojnë tarifa falas, praktikisht falas apo çmime të subvencionuara, japin injorancë, krijojnë një formalizëm dhe falsitet të përbindshëm.

Universitetet shtetërore, me prezencën e tyre jashtëzakonisht të madhe, janë bllokuesit themelorë të cilësisë së burimeve njerëzore, për të cilat vuan aq shumë tregu i punës në vend.

Të gjitha këto janë kundër interesit publik. Përkundër kësaj, pro interesit publik është trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve të përfshira në sektorin e arsimit të lartë. Këta subjekte kushtetutshmërisht kanë të drejta të barabarta; kanë të drejtë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë për studentë dhe fonde, kanë të drejtë të kenë tarifa dhe kosto transparente dhe jo të fshehura, kanë të detyrimin t’u japin mundësi studentëve t’i zgjedhin ata. Jo për shkak se janë falas, thuajse falas apo të subvencionuara, por për shkak të cilësisë së tyre.

Është në interesin publik që tregu i edukimit më në fund të krijohet dhe gara nën një monitorim të rreptë e të paanshëm të shtetit-autoritetit publik-të fillojë e të çojë përpara cilësinë e edukimit në Shqipëri.

Po, është e vërtetë që shumica e vendeve të BE-së –edhe pse kudo ka një lëvizje –ka një sistem publik. Sigurisht, shumë më të decentralizuar dhe shumë më cilësor se ky që kemi ne, për shkak të kulturës lokale. Por, është po ashtu e qartë që universitetet e vendeve kontinentale –pjesë e BE-së, përjashto Britaninë që tani është jashtë BE-së –janë absolutisht pakrahasueshëm më pak cilësor sesa universitetet e hapësirës anglosaksone.

Të gjitha renditjet e besueshme, ajo e Times Higher Education apo ajo e Shangait , në çdo 100 universitetet më të mira, më shumë se 90 % e tyre i përkasin modelit anglosakson të edukimit dhe jo modelit kontinental, ku nuk ka konkurrencë dhe ku nuk ka treg edukimi sepse tarifat janë të subvencionuara. Modeli kontinental është një gangrenë, një prapambetje e Europës kontinentale dhe në këto shoqëri është debat shumë i madh.

Çfarë do të bëjmë? A do të vazhdojnë të kopjojmë modele të cilat janë për vete të dështuara dhe përpiqen të reformohen? Cili është interesi publik; të vazhdojmë të përsërisim dhe të humbim kohë pas një prapambetjeje kaq të madhe në lidhje me ndërtimin e tregut të edukimi të lartë apo të zgjedhim modelet më të avancuara? Ky është një debat që ia vlen të bëhet. Ne duhet të kalojmë pa hezitim te modeli anglosakson sepse nuk jemi shtet i pasur; sepse duhet kërkuar pjesëmarrja e të gjithë shoqërisë për të financuar më mirë arsimin e lartë; sepse nuk kemi një kulturë administrimi të këtyre institucioneve; sepse ato i kemi sot e kësaj ditë afërsisht si ndërmarrjet shtetërore dhe kooperativa bujqësore të komunizmit. I kemi praktikisht por të përdorim termin e Friedman “ishuj të mbetur të socializmit”, siç e quante ai dikur NHS, sistemin shtetëror shëndetësor anglez.

Ruajtja e sektorit shtetëror në thuajse të njëjtët parametra dhe vonesa e pafundme e aplikimit të reformës së arsimit të lartë, është një nga dëmet më të pallogaritshme që po i shkaktohet vendit dhe rinisë shqiptare. Si i tillë, një debat idesh mbi vazhdimin e monopolit shtetëror në arsimim e lartë, arsimin e lartë falas që e propozojnë komunistët e vjetër si Artan Fuga dhe komunistët e rinj si Arlind Qorri, është ta vendosësh veten në pozita shumë regresive për interesin publik. Ky debat idesh, është një debat shumë i mirëpritur, është një debat që jo vetëm ia vlen të zhvillohet por që publiku i dha një përgjigje në zgjedhjet e 25 qershorit. Ai program, apo ai opsion i opozitës, që propozonte anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë për t’u kthyer në kushtet e mëparshme, nuk u votua. Por jo vetëm kaq. Problemi i madh në lidhje këtu është një proces i adoptimit apo infektimit të programit të opozitës së Partisë Demokratike me ide puniste, ambientaliste, me ide të sektorit publik aspak të djathta, aspak të tregut, aspak të liberalizmit, është një problem jashtëzakonisht shqetësues. Si lideri historik i të djathtës shqiptare dhe si njeri me merita të mëdha në përmbysjen e komunizmit dhe ndërtimin e tregut të lirë në Shqipëri, ju zoti Berisha keni rol dhe përgjegjësi të madhe. 

Së fundi, shqetësimi që kam është se një parti politike dhe një lider politik, e ka problemin me kundërshtarin dhe jo me grupin e interesit dhe operatorët privatë, aq më tepër një parti e djathtë. Po është e vërtetë; Edi Rama është duke “vjedhur” gjithnjë e më shumë programin liberal të Partisë Demokratike dhe është duke e katandisur forcën që rrëzoi komunizmin në Shqipëri në një parti që kujdeset për “libra falas për të gjithë”, për “mensat falas” dhe “arsimin e lartë falas”. E gjitha kjo është një përgjegjësi historike për dobësimin dhe tjetërsimin e doktrinës së djathtë të PD-së. Në vend që PD të tejkalojë aspektet reformuese, të ndrojtura dhe të natyrës së Rrugës së Tretë, të kryeministrit ideologjikisht hileqar Edi Rama, duke qenë plotësisht e djathtë, plotësisht liberale në reformimin e shtetit, ekonomisë shqiptare dhe sektorit publik, Partia Demokratike për kundërpeshë të zgjedhjes që ka bërë Rama, për Rrugën e Tretë, po shkon te Rruga e Dytë, te socialdemokracia banale, socialdemokracia e tejkaluar, të cilën po e braktis vetë e Majta e jo më ta adaptojë një parti e Djathtë. Ky debat idesh është me interes publik të zhvillohet, përfshi këtu edhe për interesin e Partisë Demokratike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Skënderbeu ishte shqiptar me nënë serbe. Ç’ka këtu për t’u tërbuar?

Nga Mustafa Nano U bë shumë zhurmë lidhur me një thënie timen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.