Replikat e plota: Bushati dhe Zheji kundër Muç Nanos

Shpërthen polemika pas shkrimit të Mustafa Nanos për analistët që mbështetin linjën e ashpër të PD-së. Zheji: Rezistenca e Lubonjës, unike, duhet shpallur i paprekshëm. Bushati: Pushtetet banditeske mund të luftohen edhe me mënyra banditeske. Nano: Lubonja, teveqel me syze. Bushati i fton berishianët që tërheqjen e Ramës ta lexojnë si një shenjë frike

Andi Bushati dhe Artur Zheji replikuan ashpër dje me Mustafa Nanon, i cili në një shkrim për MAPO akuzoi opinionbërësit se po i frynin pa të drejtë zjarrit të një përplasjeje në vend, ndërsa po inkurajonin një politikë që ai e quajti rapsodike. Nano në tekst, edhe pse nuk përmendej si emër akuzonte Fatos Lubonjën se i kishte sugjeruar kreut të opozitës “të krijonte bandat e tij” dhe e quan për këtë teveqel. “…ata nuk duhet t’i bëheshin krah kësaj kulture politike të nivelit rapsodik”, shkruan Nano, duke iu referuar në masë mbështetësve të bojkotit që PD ka ndërmarrë.

Nanos i janë përgjigjur dje menjëherë Andi Bushati dhe Artur Zheji. I pari ka mbrojtur qëndrimet e tij, duke pretenduar se ishte keqkuptuar dhe keqinterpretuar prej parashkruesit. Ndërkohë Zheji ka marrë në mbrojtje Fatos Lubonjën, i cili sipas tij vijon të persekutohet politikisht. “Ndërsa ata që e sulmojnë Lubonjën, në një rrethanë apo në një tjetër, mbrojnë një sistem kundër një tjetri, sulmojnë Lubonjën për të relativizuar dhe për të vënë në diskutim përfundimet e analizave të tij, që në këtë periudhë që jetojmë, bëhen gjithmonë e më dramatike”, shkruan Zheji, ndërsa i cilëson këto qëndrime si “sulme verbale” me “një tendencë linçimi”. Ndërkohë Andi Bushati, pasi ka argumentuar se qëndrimet e tij janë të paanshme, thotë se i qëndron idesë se “pushtetet banditeske mund të luftohen edhe me mënyra banditeske”. Bushati po ashtu, rendit në formë pikëpyetjesh një sërë akuzash për qeverinë, ndërsa këmbëngul se qëndrimet e tij ishin “reduktuar sipërfaqësisht, të thjeshtëzuara deri në deformim dashakeq”.

Kur gara politike merret për një duel rapsodik

Nga Mustafa Nano

Gara politike në Shqipëri është mbajtur prore në nivelin e një ndeshjeje rapsodike. Është parë si një provë force e jo si një ballafaqim idesh. Palët kanë synuar t’i futin frikën apo të mos i tremben njëra-tjetrës dhe opinioni publik ka bërë çmos ta ushqejë këtë logjikë. S’ke ç’i bën! Kjo është kultura e shoqërisë shqiptare, e cila nga ana e vet ka pjellë një elitë kulturore, politike, mediatike etj., që nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të operojë me termat “frikacak”, “burracak”, “i paburrë”, dhe të ndihet e mbrojtur/e pambrojtur nga një udhëheqës që e inkurajon/shkurajon ballafaqimin fizik mes palëve. Ishte interesante të shihje reagimin e shumë vetëve pas njoftimit të kryeministrit se zgjedhjet në Kavajë do të shtyhen. E nuk është se u referohem rrjeteve sociale, që u pushtuan nga ngazëllimi i demokratëve dhe nga dëshpërimi i socialistëve. Jo, u referohem titujve të gazetave, të shkrimeve, komenteve etj., të bëra apo të shkruara nga njerëz që kanë peshë në procesin e opinionbërjes. Këta të fundit do duhej të bënin çmos jo vetëm të ulnin gjakrat e palëve, por edhe t’i jepnin munxët konceptimit rapsodik të dialektikës demokratike. Në fakt kanë bërë të kundërtën.

Protesta e PD-së e ngritur mbi një ultimatum (ultimatumi është shprehja më sintetike e kulturës rapsodike në politikë) u pa si një gjë normale dhe e natyrshme që në krye të herës. E me këtë logjikë u mbështet dhe u përshëndet nga disa gazetarë e intelektualë publikë, të cilët i kanë qëndruar afër Bashës, janë takuar me të, i kanë shkuar në zyrë, kanë folur në telefon, e kanë vizituar në çadër dhe gjatë gjithë kohës kanë mbështetur ultimatumin: “Nëse qeveria nuk largohet, zgjedhje nuk do të ketë”. Të krijohet përshtypja se në asnjë rast nuk janë ndalur për t’i bërë vetes, në një moment vetëshqyrtimi, ndonjë pyetje: “Prit, mos kjo që po bëjmë është pa kuptim dhe e rrezikshme? Si u bëka kjo punë që kryeministri të ikë se kështu dashka një turmë e caktuar”? Çfarë kanë bërë, ka qenë tjetër. E kanë inkurajuar Bashën të rrijë në çadër. “U fute që u fute? Tani nuk ke rrugë tjetër, veçse të rrish në atë çadër deri në… ditën e kiametit”. Dhe sa herë që kanë pikasur ndonjë ndërdyshje a dilemë te Basha, në një formë a në një tjetër i janë turrur me fjalët: “Nëse tërhiqesh, veç Holanda të pret”! Ia bënë këtë Holandën sikur të jetë një gulag. Unë ku ta gjeja ta kisha Holandën si opsion në këtë jetën time. Mirëpo nuk jam aq me fat. Dhe pas kësaj, Basha trimërohej dhe lëshonte fraza të tipit: “Duan luftë? Luftë do të bëhet”! Hëm! Flet për luftën si të jetë fjala për një festival. Ai qoftë!

Dhe lanë të kuptohet se këtë luftë do ta nisnin në Kavajë. Personalisht, nuk besoj se mund ta bënin këtë luftë. Qejfi mund t’ua ketë patur e mund t’ua ketë, por nuk kanë takat. Me siguri, nuk u dalin llogaritë. Kryeministri i anuloi zgjedhjet, sidoqoftë. Duke na kapur në befasi të gjithëve me këtë vendim. Nuk u kuptua pse i anuloi. Ato sipas meje, nuk do duhej të anuloheshin. Nëse ka patur një plan për t’i prishur, duhej t’i kishin lënë t’i prishnin. E pas kësaj, të vepronte ligji, tak e tak e tak. Dhe me “tak e tak e tak” kam parasysh ndalime dhe përcjellje për në gjyq, e jo vrasje “për kapërcim gardhi” apo një 21 janar të dytë, siç priste Andi Bushati të bëhej. “Rama nuk lejoi që në Kavajë të bëhej 21 janari i tij”, ia bënte Bushati në një artikull të shkruar menjëherë pas deklaratës së tërheqjes së Ramës. Po pse xhanëm çdo protestë mund t’u shndërroka në 21 janar? Ku dreqin gjendet kjo logjikë? Apo te eposi i kreshnikëve, ku thuhet “ça ke ba n’mue, due me ta ba”?

Për të patur një 21 janar, nuk mjafton një turmë e zemëruar. Logjikën e kundërt e kanë patur ata idiotë a të liq, që pas 21 janarit 2011, për të përligjur e relativizuar krimin monstruoz të kryeministrit, bënin pyetjen: ok, por kush i çoi njerëzit para kryeministrisë? Dhe Andi nuk ka qenë në grupin e atyre që e bënin këtë pyetje atëmot. Ka qenë në krahun tjetër dhe qoftë edhe për këtë duhet ta dijë se, për të patur një 21 janar, përveç turmës së zemëruar, duhet që në zyrën e kryeministrit të jetë një shkërdhatë që s’e ka për gjë të shtjerë mbi njerëzit. Mirëpo një shkërdhatë të tillë nuk e kemi më në atë zyrë. E prandaj, nuk ka për të pasur një 21 janar të dytë. Ka ikur koha kur shtihej mbi qytetarët. Të gjithë e kanë të qartë që ajo kohë ka ikur. Dhe do duhej t’i gëzoheshin këtij lajmi. Mirëpo, jo. Nuk duan t’i gëzohen. Të japin përshtypjen se do donin shumë të ndodhte një 21 janar i dytë dhe prandaj janë si të shastisur. Sepse Rama u ka dalë nga skema. Ai nuk është nga ata të ballafaqimeve. Nuk i përket botës së rapsodive, nuk është nga ata që thotë: “Po më fton në duel? Më prit në mejdanin e Kavajës, atëherë! Merr edhe gjogun e topuzin me vete”! Personalisht, jam i lumtur që kemi një kryeministër që, në këtë drejtim, është kështu si është.

Por kjo nuk do të thotë se ka bërë mirë që u tërhoq në Kavajë. Ai nuk ka pse ta kërkojë apo nxitë ballafaqimin dhe këtë nuk po e bën, por të mos tërhiqej në Kavajë nuk ishte baras me një hedhje doreze. Atje ishin lajmëruar një palë zgjedhje dhe ato zgjedhje do duhej të bëheshin. Nëse dikush do të vendoste të pengonte mbajtjen e zgjedhjeve, ai dikush do të përgjigjej sipas ligjit. Nëse ky “dikush” është një turmë prej disa mijëra vetash, përgjegjësi do mbanin që të gjithë, por mbi të gjitha organizatori. Ky i fundit do duhej të trajtohej si të gjithë kundërvajtësit e tjerë. Dhe me kundërvajtësit nuk merret kryeministri. Merret polici, ligji, prokurori, gjyqtari. Shkurt, tërheqja nga zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë gjëja e duhur. Ato zgjedhje do duhej të ishin mbajtur. Edhe sikur të kish sinjale se kanë dashur t’i prishin, ato do duheshin mbajtur. E shumta që një kryeministër do duhej të bënte në këtë rrethanën e fundit, do të ishte t’u bënte thirrje mbështetësve të vet të votonin, e të futeshin nëpër shtëpia, në mënyrë që të shmangej një konflikt civil. Gjëja duhej lënë mes shtetit e atyre që kanë dashur, nëse kanë dashur, të prishin zgjedhjet.

Sidoqoftë, kryeministri e pa të udhës të tërhiqej. Ndoshta e kanë informuar për gjëra që ne s’mund t’i marrim me mend, ndoshta këtë tërheqje e ka menduar si një hile të vetën, si një mënyrë për t’ua futur kundërshtarëve, si një mënyrë për t’iu shuar etjen me një gllënjkë ujë tani e për t’i lënë të thahen nga etja më 18 qershor (kryeministrin nuk e kemi rapsodik, por hilanjoz e tinëzar e kemi), ndoshta… Ka plot arsye për këtë tërheqje, e cila sido që t’i vijmë rreth, është kjo që është, d.m.th. një tërheqje. Unë nuk e kuptoj, për të mos thënë që në varësi të motivimit, edhe e qortoj. Por fjala në fund të fundit është për një tërheqje, me fjalë të tjera, për një gjest të padëmshëm, një gjest jo luftarak, një gjest paqeje, një gjest që i ikën kulturës rapsodike të ballafaqimit.

Mirëpo, kultura e ballafaqimit është aty. Kjo kulturë nuk zhbëhet me një gjest. Në shkrimin e vet, Bushati (po ndalem pak te Bushati, pasi ka ca kohë që nuk e kuptoj) i ftonte berishianët që tërheqjen e Ramës ta lexonin si një shenjë frike të tijën dhe se prandaj, thoshte, këmbëngulni, pasi keni për t’ia dalë. “Siç është tërhequr për shumë gjëra, do tërhiqet edhe nga posti i kryeministrit”, thoshte ai në thelb në shkrimin që e kish mbushur me termat “frikacak, i paburrë, i zbythur, ankthioz etj”. Ishte një shkrim që më tronditi. Do duhej, sipas meje, të ishte i shqetësuar për faktin që në ditën e zgjedhjeve në Kavajë ishte lajmëruar një protestë, një provë e madhe force. Në ditën e zgjedhjeve nuk mund të bëhen protesta. Mund të bëhet çdo gjë, por jo protesta. Këto të fundit mund të bëhen në të gjitha ditët e vitit, por jo në ditën e zgjedhjeve. Sepse ndryshe i bie që gjërat t’i zgjidhim si Muji e Halili që i dilnin bajlozit në mejdan apo që nuk linin shkja pa pre. Dhe duket se është kjo që kërkon Bushati. Në mënyrë të çuditshme. Në programin e Ylli Rakipit nja dy ditë para tërheqjes së kryeministrit prej idesë së zgjedhjeve në Kavajë, Bushati tha se “pushtetet banditeske luftohen me dhunë, pasi nuk ka mënyrë tjetër…”. Nuk është se i ka shkarë kjo frazë. Përkundrazi, është një frazë që është në harmoni me qëndrimet që ka mbajtur gjithë këto javët e fundit. Më 14 prill, ka qenë aq i sigurt se zgjidhja ka qenë vetëm çadra dhe ultimatumi i lëshuar prej saj për dorëheqjen e Ramës, sa e ka porositur Bashën të mos ulet me Ramën në tavolinë për negociata, pasi ky i fundit – po citoj germë për germë nga shkrimi i tij i datës 14 prill 2017 – “është i papranueshëm si palë në dialog; çdo lloj bisedimi me Ramën në tryezë do të ishte një parodi; nëse Basha e bën këtë gjë, ai duhet të bëjë gati valixhet e të ikë në Holandë”. Prapë Holanda, kampi i famshëm i përqendrimit. Siç shihet, Bushati as si palë në një negociatë të mundshme nuk e ka llogaritur kryeministrin. I ka lënë këtij të fundit vetëm një opsion. Të ikë. Të avullojë. Në mos, të largohet pa zgjedhje. Pse? Sepse kështu na dashka Bushati. Nuk e kam parë asnjëherë Bushatin kaq dilusional. Duket se është duke jetuar në një realitet politik të vetin, në të cilin përballë njëri-tjetrit janë, jo vetëm trimi e dhjaksi, por edhe engjëlli me djallin. Kuptohet trimi e engjëlli është Basha. Shumë guximtare si tezë kjo e Bushatit. Por është edhe më guximtare teza e një gazetari tjetër, që ka qenë në burg gjatë komunizmit (po, po, është pikërisht ai që keni në mendje), i cili në një bisedë me Bashën, i ka thënë këtij të fundit: “Ka vetëm një zgjidhje në këtë mes; PS-ja ka krijuar bandat e saj; ju të PD-së duhet të krijoni bandat tuaja”. Çfarë gallate! Lëre që ushqen logjikën e ndeshjes rapsodike, por edhe i thënka kreut të PD-së që të krijojë bandat e tij!!!! More teveqel me syze! Po ende nuk e ke marrë vesh që PD-ja vetë është nëna e bandave?

Basha ka tentuar, në fakt, të afrojë rreth vetes të gjithë ata që, për një arsye a një tjetër, janë kundër Ramës. Dhe ia ka dalë. Nuk i është dashur të lodhet shumë, merret vesh. Ca e ca, për të rrëzuar Ramën, do ishin të gatshëm të bënin edhe më shumë se sa një flirt me Bashën, sidomos në këtë situatë kur, për një trill e kombinacion rrethanash, perspektiva e Ramës në zyrën e kryeministrit duket paturpësisht e gjatë. Dhe në këtë pikë duhen mirëkuptuar. Kjo perspektivë është një sëkëlldi edhe për mua. Por edhe sikur të mos i mirëkuptoja, asgjë të keqe nuk ka në këtë mes. Është një zgjedhje e tyre dhe pikë. Unë nuk do ta bëja këtë zgjedhje, por është ok, nuk kam se ç’të them. Nuk mund t’i jap të drejtë vetes të qortoj të tjerët për zgjedhjen që bëjnë. Kështu, këta miq mund t’i premtonin Bashës mbështetje me okë, meqenëse rrëzimin e Ramën e shohin si një imperativ historik, por … Këtu është hera e një kritike që unë kam: ata nuk duhet t’i bëheshin krah kësaj kulture politike të nivelit rapsodik.

Në terma konkretë, ata nuk duhet të binin dakord me ultimatumin e Bashës drejtuar kryeministrit: Ose jep dorëheqjen, ose në këtë vend nuk do të ketë zgjedhje. Unë e di që u ka pëlqyer, unë e di që u ka lëngëzuar goja, ndoshta edhe ndonjë gjë tjetër përveç gojës, kur kanë përfytyruar ditën që Rama do largohej nga zyra nën presionin e Bashës (se si mund të ndodhë, veç këta e dinë), por kjo nuk duhej menduar si një zgjidhje. Jo vetëm sepse është e pamundur, por edhe sepse është jashtë manualeve të praktikës e të teorisë së demokracisë. Të veprosh me ultimatume të tilla është si t’i vësh një minë sistemit politik, dhe për rrjedhojë është si ta futësh vendin në një qorrsokak… rapsodik. Kur kreu i PD-së u ka parashtruar idenë e vet, ata duhej t’i kishin thënë: “Ah jo, të gjitha të lejohen e do na kesh pas për këtë qëllim të madh, që t’ia tregojmë vendin narkobanditit, por kjo jo”. Atë që po bëjnë prej javësh të huajt, përfshirë edhe Joseph Daul, teksa thonë se “vetëm bojkoti nuk duhet konsideruar një opsion”, duhej bërë edhe në Tiranë nga këta miq të Bashës.

Post Scriptum: Ka shumë njerëz në të djathtë që po presin një lajm të mirë. Mirëpo, nuk ka për të pasur një lajm të mirë për ta. Gjërat i kanë bërë në mënyrë të tillë që nuk ka se si të ketë një lajm të mirë. Gjërat do të rrjedhin krejt kundër dëshirës së tyre. Botuar në Mapo

Fati i hidhur i Fatos Lubonjës dhe ata që do të harrohen përreth tij…

Nga Artur Zheji

Fatos Lubonja është sot përsëri një i persekutuar politik. Ashtu sikundër ishte deri para viteve ‘90. Ky është padyshim një fat i hidhur për Lubonjën, por edhe një tregues për regresin herë të dukshëm dhe herë të padukshëm ku po zhytet shoqëria shqiptare.

“Del në ekran kryeministri dhe thotë për të dhe për gazetarët e tjerë, se ju hani pula dhe vrisni pula dhe flisni kodra pas bregut”. Dhe as kush nuk reagon, për të mbrojtur gazetarin e fyer nga kryeministri, që ha peshk, ngjala, këput broçkulla, shkarravit, kanabizon, jep me koncesione të dyshimta gjysmën e Shqipërisë, shkatërron, vë dinamit e tritol aty ku do, ngre piramida dhe shkatërron arkeologjinë aty ku i teket, vetë intervistohet, vetëpëlqehet pa kufi dhe përsëri, gabim e paskan ata, që vënë gishtin në plagët që hap ai.

Ngrihet sot, miku im, Mustafa Nano dhe e fyen publikisht Fatosin, për mendimet e tij. U ngrit dje Henri Çili po ashtu. Jam dakord, është e vështirë të ndash gjithmonë të njëjtat mendime me Fatosin. Unë jam një nga ata, që kam rënë dakord, por edhe kam debatuar fort me të, në kohëra të ndryshme. Por ka diçka ndryshe në ekuacionin e debatit publik me Lubonjën. Idetë e tij, qofshin këto edhe të “gabuara” në periudha të ndryshme, të papërshtatshme apo radikale, nuk “fabrikohen për llogari të të tretëve” apo interesa palësh.

Në të vërtetë Lubonja, thotë të vërtetat e tij apo sendërton analizat e tij, që mund të jenë të gabuara për disa, por duke ndjekur në mënyre të pavarur rrjedhën logjike të shqisave dhe të mendjes së tij. Sepse Lubonja nuk e sulmon Ramën, për t’i shërbyer Bashës dhe nuk e sulmon Bashën, për t’i shërbyer Ramës.

Ndërsa ata që e sulmojnë Lubonjën, në një rrethanë apo në një tjetër, mbrojnë një sistem kundër një tjetri, sulmojnë Lubonjën për të relativizuar dhe për të vënë në diskutim përfundimet e analizave të tij, që në këtë periudhë që jetojmë, bëhen gjithmonë e më dramatike.

Personalisht kam qenë jo rrallë, në kahe të kundërta mendimi dhe debati, me qëndrimet dhe përfundimet e analizave të tij. Por kam rrahur mendimet dhe nuk kam “rrahur” kurrë Lubonjën, përse e mendon kështu ose ashtu. Sulmet verbale ndaj tij sot, janë një tendencë linçimi, të vetë personit Lubonja dhe kjo është e rëndë dhe vërteton alarmin që vetë Fatosi jep në media.

Sepse mendoj që kur fillon kryqëzata e linçimit personal ndaj një figure si Fatos Lubonja, që ka virtyte, histori dhe rezistencë personale të papërsëritshme, dekadenca e një shoqërie është fundosur në llum dhe në mjerim. Asnjë gazetar dinjitoz, nuk e ka sulmuar ndonjëherë Mustafa Nanon, kur aludonte jo pak herë që Sali Berisha duhej hequr qafe me çdo kusht që të shpëtonte Shqipëria. Dhe lexova me keqardhje çfarë dhe si shkruante Muçi për Fatosin, edhe pa i përmendur emrin. Nëse nuk do të kishte një fushatë të mirëfilltë dhe të porositur kundër Lubonjës dhe nëse do të ishin në sherrin e një debatit televiziv, epitetet e Muçit mund të mbiquheshin edhe normale dhe do të merrnin një përgjigje të drejtpërdrejtë nga vetë Lubonja.

Por më duket nën nivelin e asaj që unë mendoj se përfaqëson Mustafa Nano, që të hedhësh fyerje personale për kolegun, ndërkohë që ka të gjithë të drejtën, për të hedhur poshtë mendimet e tij. Unë vetë jam bërë objekt i rëndë sulmesh, me porosi ose me pasion, nga vetëdija apo nga padija, për shkak të bindjeve ose për shkak të keqdashjes. Herë jam përgjigjur dhe herë kam heshtur.

Porse Lubonja, rezistenca morale dhe individuale e të cilit është unike ndër të gjallët në Shqipëri, si person, duhet shpallur i paprekshëm. Konkurroni apo djallosini idetë e tij, do të keni punë me Kohën dhe do të rrezikoni të harroheni shpejt në memorien e përgjithshme kombëtare, por nuk lejohet të “ulet steka”, e të preket e të fyhet personi i tij, që ka marrë realisht kaq pak vlerësime, në këtë Shqipëri banditësh, të fortësh dhe drogaxhinjsh me pushtet. Marrë nga 360grade.al

Për Muç Nanon dhe “engjëllin” Basha 

Nga Andi Bushati

Lexova sot një shkrim të Muç Nanos, për konfliktin Rama-Basha dhe për rolin e ekzagjeruar që më jepte mua dhe disa zërave të tjerë publikë, që sipas tij i hidhnin benzinë kësaj flake. I pashë me kujdes disa shtrembërime apo interpretime abuzive të qëndrimeve që kam mbajtur. I këqyra me vëmendje vërejtjet e tij se qenkam bërë i pakuptueshëm dhe se jetuakam në një realitet politik të shpikur. I nënvizova me durim konstatimet se në këtë betejë ku ndeshen “dhjaksi” dhe “djalli”, pra Rama në njërën anë, me “trimin” dhe “engjëllin”, Basha në anën tjetër, unë sipas Muçit paskërkam zgjedhur këtë të dytin (lexo poshtë).

Dhe sado absurde, të reduktuara sipërfaqësisht, të thjeshtëzuara deri në deformim dashakeq, të më duken këto teza, vendosa t’i përgjigjem kolegut tim për një arsye të thjeshtë. Pasi pavarësisht të gjithave, pavarësisht se shumë herë nuk kemi rënë dakord, e di që në fund të fundit, Muçi thotë mendimin e tij. Po të ishte ndryshe, po të qe si në rastin e botuesit te gazetës ku shkruan, i cili idetë i ka lënë peng të interesave, as nuk do të denjoja t’i përgjigjesha, siç edhe kam bërë realisht. Po në këtë rast është ndryshe. Prandaj po e vijoj këtë polemikë.

Po e nxis këtë debat edhe për një arsye tjetër, sepse fatkeqësisht e di që nuk janë të paktë ata që mendojnë njësoj si kolegu im Nano. Le ta nisim nga e para, pra nga konkluzioni i Muçit se unë e shikuakërkam Bashën si të mirin dhe Ramën si të keqin. Pra njërin si “engjëll” dhe tjetrin si “djall”.

Konstatimi është në mos i nxitur nga pandershmëria për të zhvlerësuar opinionin e tjetrit, së paku nga mosinformimi për tezat e atij me të cilin ke vendosur të replikosh.

Unë mendoj se në këtë betejë është e pamundur të bëhet ndarja të mirë dhe të këqij. Në të virtytshëm dhe shkërdhata. Për mua në këtë konflikt janë përballë dy specie të ngjashme. Pikërisht se mendoj kështu, që kur nisi kjo krizë, pra në 18 shkurt, kam mbajtur të njëjtin qëndrim. Qëndrimin që besoj e ndaj njësoj me Muç Nanon, se kjo është një qeverisje e dështuar, kleptokrate dhe abuzive. Pra, shkurt është një dështim. Por ama një dështim i ambalazhuar mirë me marketingun që i bëjnë mediat e blera totalisht, në një aleancë të pathyeshme me oligarkët të cilëve iu ka falur koncesione 10-vjeçare dhe leje ndërtimi mbi 20-katëshe, në një kompromis të plotë me narkotrafikantët.

Nga ana tjetër, ama, nuk kam nguruar të theksoj se edhe një qeverisje e tillë, sado e koracuar që të duket, mund të mundej nëse dikush do të kishte moralin dhe aftësinë për të mbrujtur një frymë popullore kundër saj. Në këtë prizëm kam konstatuar se opozita e Bashës, nuk është e aftë për këtë mision. Për një qind e një arsye, për faktin se nuk është shkëputur dot nga praktikat më të këqija të berishizmit, se nuk ka ditur të rinovohet, se nuk ka bërë mea colpa për Gërdecin, 21 janarin, Armon, Albpetrolin, vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë, kam theksuar se kjo opozitë nuk është e aftë ta mundë pushtetin e mbështetur me para droge dhe media klanore të Ramës.

Prandaj, që në fillim kam mbrojtur idenë se para se të bëjë opozitë false dhe t’i sigurojë kryeministrit sfondin e një farse demokratike, PD-ja do të bënte mirë të mos futej në zgjedhje. Pra, unë kam mbështetur idenë se është më mirë një PD e ngujuar në çadër, se sa një opozitë si ajo që i bëhet Putinit në Rusi. Gjendja aktuale në Shqipëri, ku qeveria ka rrëmbyer pushtete ekstrademokratike dhe ku opozita është moralisht e pabesueshme, e bëjnë të pamundur një garë reale. Atëherë më mirë të mos kemi zgjedhje fare, se sa të kemi një konkurrim fiktiv. Atëherë më mirë Rama t’i marrë të gjitha siç është përpjekur këto katër vite dhe opozita ta humbasë edhe pushtetin e të qenit pakicë.

Ky pra ka qenë thelbi i qëndrimeve të mia. Jo ai që thotë Nano. Jo ai i Bashës së bardhë dhe Ramës së zi. Natyrisht, ndonëse i kam parë të dy njësoj me ngjyra të errëta, kam qenë i bindur se ata kanë të drejtën të kenë zgjedhje të ndershme, të rregullta dhe të barabarta. Ashtu si dy kriminelë që përfitojnë nga ligji njësoj me dy burra të ndershëm. Ashtu sikurse dy skuadra futbolli, që sado të dobëta apo defektoze të jenë, nuk mund të penalizohen duke u caktuar një gjyqtar të anshëm.

Dhe këtu, procesi zgjedhor i 18 qershorit nuk ka asnjë shans të qe i barabartë. Në një kohë kur gjithë TV-të e mëdha janë kapur nga qeveria, kur gjithë biznesmenët e mëdhenj do financojnë fushatën e Ramës që ka ndikuar në shumëfishimin e pasurisë së tyre, ndërkohë që trafikantët nuk renditen kurrë me opozitën, ç’zgjedhje të ndershme mund të kishte? Këtë ide kam mbrojtur unë. Dhe besoj se fakti se kam këmbëngulur se edhe një “i keq” si Basha ka të drejtë të trajtohet me të njëjtët rregulla dhe të njëjtat të drejta si “i keqi” tjetër, kryeministri i vendit, nuk besoj se më bën as palë, as më pak të pavarur.

Duke sqaruar këtë pozicion bëhet më i thjeshtë edhe shpjegimi i akuzave të tjera që më bën Nano. Ai më rendit te radikalët, duke përmendur idenë time se me Ramën nuk bëhet dialog. Po a ka ekstremitet këtu? A është Rama një njeri i dialogut? A e prishi ai dialogun me opozitën për reformën territoriale që e ndau Shqipërinë sipas interesave të tij dhe të Ilir Metës? A bëri ai dialog për ligjin konsensual të nëpunësve civilë qe e shkallmoi sapo erdhi në pushtet? Ka dhe raste të tjera. Po le t’iu shmangemi krahasimeve të tij me opozitën dhe ta marrim Ramën në raport me faktorët e tjerë në shoqëri?

A bën ai dialog me shoqërinë civile që kur proteston për çështje të mjedisit apo të trashëgimisë iu thotë shkoni bëni parti?

A bën ai dialog brenda familjes së vet politike, të cilës pas çerek shekulli i suprimoi edhe zgjedhjet e brendshme?

A bën ai dialog me gazetarët kur shëtit studio më studio dhe i quan media të kazanit dhe të korruptuar?

A bën ai dialog me qytetarët të cilëve u premton kur i merr votat “zero ndërtime” në Tiranë dhe pastaj vazhdon e mbush qytetin me gradaçela?

A bën ai dialog me protestuesit kundër importit të plehrave, të cilëve u pat bërë premtimin elektoral se kjo nuk do të ndodhte kurrë?

A bën ai dialog me ekologjistët kur vendos të ndërtojë edhe nëpër zonat e mbrojtura natyrore?

Ja pra, kjo kronologji faktesh më ka bërë mua të besoj se Edi Rama është i paaftë të dialogojë. Me Lulzim Bashën jo e jo, por as me ata që nuk ka pse i sheh si kundërshtarë dhe armiq. Dhe që të arrish në këtë konkluzion, përpara se të kesh kompleksin se i shërben Bashës, unë besoj se duhet të kesh krenarinë se po i shërben të vërtetës.

Po e njëjta fabul përsëritet edhe në akuzën tjetër që më bën kolegu im për nxitje dhune, lidhur me një thënie në emisionin “Të paekspozuarit”: se pushtetet banditeske mund të luftohen edhe me mënyra banditeske.

Po po, citimi është i drejtë dhe i qëndroj. E kam thënë disa herë dhe përsëris të njëjtën tezë që prej janarit 2011. Dhe jam koshient për atë që bëj. Sepse e di që jetoj në një vend ku gjithnjë faji i vihet atij që proteston dhe jo atij që abuzon në zyrë. Sepse e di që shkruaj dhe flas këtu, ku më e kollajshme është të nxish opozitën se sa të pickosh nga pak pushtetin.

Kështu ishte edhe në 21 janar siç e kujton me të drejtë Muçi. U ngrit gjithë ajo zhurmë e ububushme (që përfundoi me vrasje) se dikush donte në rastin më të keq të thyente një xham, ndërsa në mëkatin më ekstrem të gërvishtte një gardh. E pastaj? Po sikur të arrinin ta bënin ç’gjëmë e madhe do të qe? Asgjë më shumë se sa do të shihej më mirë në sy të shqiptarëve se gjendja qe shumë më e rëndë se ajo që përshkruante Berisha dhe mediat e tij. Se kartolina e vendit të qetë dhe normal do të grisej sado pak. Prandaj megjithëse vetë nuk do ta bëja kurrë, nuk do t’i shihja si armiq të kombit ata që do të hidhnin një gur të paligjshëm më tepër. Një pushtet arbitrar dhe abuziv duhet të marrë edhe ndonjë të gërvishtur në fytyrë.

Të njëjtin mendim kam pasur edhe për Kavajën. Nuk do të bënte keq grisja e fotografisë se aty po zhvilloheshin zgjedhje normale? Ku zgjedhje normale? Aty ku kandidati i PS-së kishte caktuar edhe një konkurrent fals, që u tërhoq sapo dha urdhër Rama? Ku zgjedhje normale? Aty ku ishte kryebashkiak Ervisi, i cili i la fillimisht vendin gruas së ortakut dhe më pas caktoi në garë zëvendësin?

Cila është dhunë më e madhe, ajo që po ndodhte në zyrat e pushtetit në Kavajë apo një shkop i paligjshëm i ngritur në ajër? Ja pikërisht për këtë, kam qenë i mendimit se as pushteti i Berishës dje dhe as ai i Ramës sot, nuk mund të trajtohen me respektin e pushteteve legjitimë. Pikërisht për këtë, kam refuzuar t’i quaj tradhtarë të kombit, të porosive të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ata që duan ta gërvishtin llakun e kartolinave që pikturojnë qeverisjet.

Këto qëndrime kam mbajtur unë. Dhe të besosh kështu nuk mendoj se i shërben idesë se Rama është “djall” dhe Basha është “engjëll”, siç më akuzon Muç Nano. Jo jo aspak. Unë vetë nuk kam as pikën e dyshit se të dy janë njësoj. Se kur gjenden në pushtet prodhojnë të njëjtat mëkate, ndërsa kur janë në opozitë, qahen për të njëjtat padrejtësi.

Prandaj nuk e kuptoj se si një këndvështrim i tillë i thënë kaq ashpër dhe kaq troç, mund të shtyjë dikë të të radhisë me njërën nga palët. Pikërisht këtë gabim ka bërë sipas meje edhe kolegu im Muç Nano.

Sinqerisht dua të besoj se në këtë konkluzion ka arritur, nga pakujdesia që ka treguar ndaj qëndrimeve të mia. Nga leximi sipërfaqësor i atyre që kam thënë dhe kam shkruar. Pasi versioni tjetër do të qe ta kishte bërë nga pozita e të qenit palë. Nga këndvështrimi i atij që megjithëse e kritikon Ramën, nuk do ta shohë të bjerë nga pushteti. Nga optika e atij që mishin ta kafshon, por kockën ta ruan. Nga pozicioni i atij që është i gatshëm të mbështesë që të gjithë qelbësirat të vazhdojnë të qeverisin këtë vend. Dhe në këtë rast kjo replikë do të qe një goditje nën brez. Marrë nga Lapsi.al

Shkruar Nga
More from revista mapo

Homo Corruptus dhe Kanabis

Nga Roland Lami* Lufta ndaj trafikut të drogës dhe kultivimit të hashashit...
Read More