Republika e legalizimeve

Nga Gentian Kaprata  -Memo Sovranit

Këtë të martë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, doli në një ‘Deklaratë për Shtyp’. Ai nuk iu njoftoi shqiptarëve përmbylljen e plotë të procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje, sikurse Kryeministri dhe ai vetë ju kishte premtuar pak më tepër se 4 vite më parë. Por, ai renditi një sërë arritjesh të jashtëzakonshme të institucionit të tij në këtë proces të rëndësishëm për dimensionin territorial dhe urban të vendit. Dhe këtë e bëri me shifra. Shifra të shprehura në mënyra të ndryshme, por që në asnjë rast nuk mund t’u kontrollohet vërtetësia përderisa i vetmi vend ku mund të aksesohen është institucioni i ALUIZNI-t, transparenca publike e të cilit përcaktohet nga i njëjti zyrtar që i shpalli ato. Sidoqoftë, ka një të dhënë që mund të verifikohet lehtësisht, përderisa nuk varet nga ky institucion. Ky është pohimi hyrës i deklaratës, ‘Në këto ditë të fundit të këtij mandati, dëshiroj të ndaj me ju disa rezultate të arritura në këto 1000 ditë’.

Nëse ka një gjë që është lehtësisht e kuptueshme është fakti se ALUIZNI nuk funksionon vetëm prej 1000 ditësh. E konvertuar kjo e dhënë zyrtare do të thotë 33 muaj, apo rreth 14 muaj më pak se çfarë deklaron Kryeministri për kohështrirjen e përgjegjësisë së tij qeverisëse. Është kjo kontradiktë aritmetikore, që jo vetëm dërrmon besimin publik mbi të dhënat e ecurisë së procesit, por edhe që rikthen për të disatën herë problematikën e përgjegjshmërisë publike të zyrtarëve të lartë shqiptar. Nëse ALUIZNI në këtë mandat qeverisës ka ushtruar aktivitet për 33 muaj kurse qeveria për 47, atëherë kush mban përgjegjësi për paratë publike që dolën për rroga dhe shpenzime të këtij institucioni për 14 muajt e tjerë?! Po për rrogat e punonjësve ‘të prapambetur në punë’ për periudhën kohore që kur individualisht janë vlerësuar si të tillë deri në momentin kur kolektivisht do të zëvendësohen, si pasojë e ‘ristrukturimit të burimeve njerëzore’?!

Në fakt, ajo që nuk mund të anashkalohej nga kjo deklaratë për shtyp është pjesa ku u parashtrua e ardhmja! ‘Gjetja e zgjidhjeve për objektet për të cilat legjislacioni aktual nuk e lejon legalizimin e tyre. Bash për këto arsye jemi duke përgatitur një bllok ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore’ , deklaroi Drejtori për përfshirjen në proces të 160 mijë ndërtime të tjera pa leje. Që në fakt janë më shumë se gjysma e atyre që janë në proces legalizimi prej 11 vjetësh. Pasi bënë “legalizimin e trojeve” të vilave e pallateve në bregdet të dhëna si tokë bujqësore ‘atij që e punon’ apo me qira për 99 vjet për të ‘stimuluar veprimtari turistike’, qeverisja që po bën Shtet po na rifut në hapësira antikushtetuese. Ajo që bën sikur nuk kupton qeverisja është fakti i thjeshtë se është antikushtetuese të shpronësosh një pronë private me paratë publike për ta riprivatizuar në favor të një privati tjetër, dhe koston financiare t’ia dërgosh buxhetit publik.

Prej 11 vjetësh kjo ka qenë filozofia dhe morali i qasjes qeverisëse ndaj procesit të legalizimeve, shto ujë e shto miell! Ndërsa procesi pothuajse mbetet në vendnumëro, qeveritë ose shtojnë vitet e zbatimit ose zgjerojnë spektrin urban të shtrirjes së efekteve të këtij ligji. Kufirin kohor për ndërtimet pa leje nga 2006 e shtynë deri në 2014, më tej shpikën konceptin e padëgjuar të “legalizimit të truallit”, tashmë duket se do heqin edhe kufizimet për shkaqe urbane, mjedisore, të trashëgimisë e të sigurisë rrugore. Se kush do të jenë ato, shumëkush që njeh dinamikën ligjore të sektorit mund t’i parashikojë, por askush nuk mund t’i dijë saktësisht përderisa nuk u prezantuan në konferencën për shtyp. Megjithatë një gjë është e sigurt, si rrjedhim logjik i kësaj mënyre qeverisëse të të menduari e të vepruari, shoqëria shqiptare po zëvendëson plotësisht doktrinën shkencore të planifikimit të zhvillimit me praktikën antilogjike të legalizimit të post-zhvillimit.

Duken si fjalë goje por kjo është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një kombi. Është nga ato të këqija për të cilat i gjithë kombi duhet të ngrihet në këmbë për t’i luftuar. Në të kundërt, të gjithë po heshtin! Opozita e re nuk ka asnjë koment. Asnjë shqetësim nuk i vjen asaj nga kjo fatkeqësi. Nuk shqetësohet as për zonat e mbrojtura, as për turizmin, as për qytetet dhe as për sistemin e infrastrukturës kombëtare që duket se do të dëmtohen materialisht. Por as për dëmin kulturor kombëtar. Nuk janë të shqetësuara dhe nuk kanë asgjë për të thënë edhe qindra OJQ-të e OJF-të e mjedisit, arkitekturës e urbanistikës, zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore. Bile heshtin edhe qytetarët e thjeshtë, taksat e të cilëve në vend që të bëhen rrugë, ujësjellës, kopshte, shkolla e spitale, shkojnë për ndryshime të pronësisë së trojeve midis privatësh të detyruar nga autoriteti shtetëror, por pa lidhjen më të vogël me ‘interesin e rëndësishëm publik’!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mimoza Ahmeti: Kopshtijet e Monesë

Si të mos mjaftonin tablotë në mure, të mëdhaja në shtrirje, befas...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.