Reputacioni në rrezik i dy madamave të drejtësisë

Nga Ervis Iljazaj

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Kryeprokurorja Arta Marku, janë vënë sot në qendër të një lumi akuzash nga ana e opozitës për lejimin e ekstradimit në shtetin italian të një personi kyç në hetimin e çështjes Habilaj, duke rrezikuar kështu reputacionin e tyre apo duke krijuar dyshime të mëdha për misionin e tyre në dy nga institucionet më të rëndësishme për të zbatuar Reformën në Drejtësi.

Një përfolje e tillë në një moment kaq delikat për Reformën në Drejtësi, duke hedhur dyshime për procese të caktuara nuk i bën aspak mirë kontekstit në të cilin ndodhet drejtësia sot.

Prova më e madhe për mazhorancën për të treguar se vërtet ka vullnet për zbatimin e Reformës në Drejtësi apo për Kyrprokuroren e re, janë pikërisht dosjet e nxehta të momentit, si dosja Tahiri. Në këtë kuptim të dyja zonjat e drejtësisë, nuk duhet të lënë asnjë pikë dyshimi në punën e tyre.

Pa hyrë në detaje teknike juridike të procesit të ekstradimit, Ministria e Drejtësisë apo prokuroria duhet të tregonin përpjekje plus për mos ta lejuar këtë ekstradim. Në fakt as njëri dhe as tjetri institucion nuk tregoi vullnetin për të mbajtur personin ekstraduar, i cili është kyç në çështjen Tahiri. Thjesht si Ministria e Drejtësisë ashtu edhe Prokuroria e lejuan këtë ekstradim edhe pse ai cenon hetimet mbi çështjen Tahiri, pa bërë asnjë “rezistencë”.

Ministria e Drejtësisë u justifikua me faktin se ekstradimi i Nazer Seitaj ishte me vendim gjykate. Në fakt edhe mund të qëndrojë si argument, sepse ekstradimi i një personi nuk vendoset nga Ministria e Drejtësisë, por nga Gjykata. Është Gjykata në një shtet të së drejtës që jep një të drejtë apo vendos një penalitet, institucionet e tjera vetëm i zbatojnë.

Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për ekstradimin e personit në fjalë, është një vendim skandaloz, pasi gjëja e parë që shikon një Gjykatë për të vendosur ekstradimin apo jo është nëse personi në fjalë është dënuar apo ka një procedim të hapur penal në Shqipëri. Këtë gjë e di dhe një student i vitit të parë i juridikut. Në këtë kuptim pesha më e madhe skandalit në këtë rast është vendimi i Gjykatës të Tiranës dhe jo e Ministrisë së Drejtësisë, pasi ministria vetëm ekzekuton vendimet e kësaj gjykate.

E megjithatë, përtej justifikimit juridik që mund të qëndrojë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, në këtë rast, si Ministria ashtu edhe Kryeprokuroria duhet të tregonin më së paku vullnetin për të mbajtur në Shqipëri personin në fjalë, si provë për të mos cenuar asnjë çështje të rëndësishme të momentit, siç është ajo e dosjes Tahiri.

Sepse në këtë moment që po flasim të dyja institucionet duhet të tregonin vullnetin e mirë në të dyja drejtimet. Në aspektin politik nga ana e Ministrisë, që mazhoranca i qëndron fort zbatimit të reformës duke e shprehur me veprime, dhe në aspektin juridik të prokurorisë, e cila duhet të bënte më shumë për të mbajtur këtu një person që do i shërbente hetimit të çështjes Tahiri.

Momenti kërkon që, disa veprime nga ana e drejtësisë, por edhe e politikës të kalojnë përtej aspekteve teknike juridike, dhe të shfaqin vullnetin se vërtet kanë për synim zbatimin e një reforme pa dallim ngjyrash politike, dhe të barabartë për të gjithë.

Për të gjitha këto arsye, Etilda Gjonaj dhe Arta Marku, dy zonjat që kanë marrë përsipër drejtësinë shqiptare, duhet të na tregojnë më shumë për të na bindur dhe për të tejkaluar çdo paragjykim që tashmë çdo ditë e më shumë shtohet mbi to.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E drejta dhe liria

Nga Klementin Mile, Revista Mapo Ndërsa filozofët politikë janë marrë me pyetjet...
Read More