REQUIEM/ “Si s’të desha pak më shumë…”


Nga Ndue Ukaj – Poezia- dashuri e përhershme për fjalën, njeriun, mungesën. Një melodi shpirti, që na zgjon në agimet e bukura, si cicërima e zogjve që tregojnë madhështinë e fushave dhe të maleve, ku paqja shtrihet si në tregimet për Edenin.
Poezia- kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bën shtegtarë nëpër kohë e hapësirë, dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, në një botë kontrastesh të mëdha, ku mes ardhjesh dhe pritjesh, ka shtegdalje që çojnë drejt lumturisë apo humnerës. Dhe, nëpër këto rrugë të thepisura, pirgje, merr jetë poezia, përmes dridhmave të shpirtit të poetit, që nuk pranë së dashuri, qoftë edhe kur heshtat e dhimbjes e shporojnë zemrën e tij dhe të botës përreth tij.

Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për njerëzimin, për një shoqëri më humane, dhe për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës. Ajo, ka fuqi ta bëjë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç ka treguar poeti i madh, Fatos Arapi, dhe siç tregon poezia kumbuese “Si s’të desha pak më shumë”; fuqinë e të cilit varg e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, kjo poezi, buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret atë të drejtohet ka portat e dashurisë, për të dashuruar pafund.

Ikja e Fatos Arapit, na tregon edhe njëherë, ç’pasuri e madhe është poezia, dhe sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi, siç ngjet në poezinë, “Në Tiranë ka vetëm tiranë”:

“Në Tiranë të vrasin të gjithë

një shëtitje me veten të vret.

Mos ndill kujtimin në Tiranë,

është tmerrësisht i pamëshirshëm.-Të vret.

Mos guxo të shohësh në sy lirinë në Tiranë,-

dielli i syrit shuhet, shkërmoqet e zbehet.

Ti i barabartë me lirinë? Mos e beso!

Lira të vret.”

Forca e poetit është më e madhe sesa marrëzia që vret dhe ai do Tiranën, lirinë, ndonëse e vrasin.Fatos Arapi, poeti i përkorë, ka shkruar poezi të ndiera, me një figuracion mbresëlënës e timbër kumbues, në të cilën ndihen telat e zemrës së njeriut që e do jetën, njeriun, natyrën, paqen, atdheun, gjuhën, detin, dhe çdo gjë të bukur, dhe që nuk dorëzohet përballë shëmtisë, urrejtjes.

Pa dyshim, Fatos Arapi është poet i madh, në kuptimin e plotë të fjalës, që i dha poezisë shqipe forcë, sensibilitet, figura e ide inovative, përmes shumë librash të shkëlqyer dhe një mori poezish antologjike, që kanë hyrë në panteonin e vlerave më sublime të poezisë shqipe. Me vargje të bukura, poeti Arapi, ka kënaqur dhe lumturuar mijëra lexues, dhe po ashtu, ka tronditur mijëra të tjerë. Sepse, vargjet e tij, janë si ato buqeta të zgjedhura lulesh, që i mbajmë në duar për ditë të shënuara, por edhe si muzikë e përmortshme, për ditë të hidhura. Po, lexuesi i kultivuar e ndien artin e tij dhe drithërimat shpërthyese, në çaste gëzimi e dëshpërimi, kur dërdëllitjet e shpirtit, e shpijnë njeriun në qiejt e lumturisë apo ato të dëshpërimit- në skëterrë. Dhe poeti di që, mjeshtërisht, realitetet ekzistenciale, të ëmbla apo të hidhura, t’i shndërrojë në realitete estetike, që buçasin dhe lëshojnë tinguj të bukur. E, këto mund t’i bëjë vetëm një shpirt i madh, një talenti i zoti, i pajisur me talent, që fenomenet e jetës di t’i shndërrojë në melodi, në këngë, në vargje kumbuese, që bartin mesazhe dhe japin kumte shpirti.
Poezia e Arapit, të grish ka madhështia, siç të grish deti, dashuria e dëlirë dhe e pakusht, natyra dhe peizazhet e saj, dhe gjuha fisnike e metaforave të sofistikuara. Po, ajo thërret, kumbon, siç thërrasin kambanat e një katedrale madhështore, të hyjmë në të, të banojmë në të, dhe ta ndiejmë peshën e artit madhështor, të korit të jetës, të engjëjve që zbresin në figura dhe na tregojnë rrugët e jetës.

Poezia e Arapit, na thërret të shtegtojmë në botën humane, të pastërtisë së gjuhës, ku dashuria është ajo jeta e kristaltë, që asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ashtu siç nuk është jeta. Prandaj, poeti shkruan se nuk ka fuqi as të trishtohet:

Jam një anije një spirancë

Mes erërave të egra të kundërta

Peshqit llafazanë shurdhojnë qiellin

Më jepini ju një copë ironie,

Se nuk i gjej dot në vetën time,

Një copëz ironi…”

Poeti i madh, Fatos Arapi, iku në një vjeshtë plot ngjyra dhe pas vete la ngjyra të bukura dhe të pashlyeshme poetike, siç është poezia e jashtëzakonshme “Deti”, në të cilën, gjuha e detit dhe dallgët e tij, me tërë madhështinë, zbresin në figura poetike kumbuese, që përshkruajnë lidhjet e poetit me detin, që është fantastik, i madhërishëm dhe e ndjek pas.

Poeti Arapi ka shkruar shumë poezi antologjike, por e veçantë si tematikë dhe ligjërim, është poezia “Gloria Victis (Lavdi humbësve)”, në të cilën rrëfen për humbësit e mëdhenj, që mund të jenë fate individuale, kolektive apo kombëtare. Ai shkruan për ata që vërtiten nëpër sitat e jetës, mes kontrasteve poetike, që e përcjellin jetën në secilën stinë dhe kohë:

Sepse ne jemi humbësit e mëdhenj,.

Artin e shkëlqyer të humbjes

Ne e kemi ngritur në fat.

Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.

Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.

Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.

Në gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim.

….

Të tjerët vetëm fitojnë,

Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë

Është një mollë e artë dhimbjeje.”

Poeti Arapi, si askush, ka treguar ç’është Atdheu, dhe si duhet t’i blatohemi atij, me dashuri pa kushte, ashtu siç i blatohet ai Tiranës që ka tiranë dhe që të vret, por që nuk mund ta mposhtë në misionin e tij për ta bartë kryqin e dashurisë:

“Atdheu është dhimbje , është dhimbje.
Një prill i pikëlluar ne shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi
E mban – dhe te mban ty ne shpirt
.”

Në rrugëtimin e tij poetik, Arapi shquhet për një gamë poezish të bukura për jetën dhe përplasjet që shfaqen në të, në rrugë ndarjesh e pritjesh:

Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh
.”

Krejt e veçantë është gama e poezive kushtuar dashurisë, në të cilën Arapi ka treguar ç’është kjo forca e madhe, që i jep jetës e vargut shkëlqim:

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë

Ndërkaq, telat e zemrës së poetit, në mënyrë të perfeksionuar, shpërthejnë në vargjet fantastike:

Ti do të më dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër,
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër
!

Dashuria është temë e përhershme e poezisë së tij, përmes të cilës ai bart në sferën ligjërimit artistik, ndjesitë e thella për femrën, të cilën e konsideron si frymëmarrje, e pulsi i së cilës peshon fort në vargje kumbuese, siç është poezia “Ti do të vish”, ku dashuria e tij, në rrethin e pritjes, bëhet dritëhije e gëzimit, të frymëmarrjes dhe të shpresës.

Poeti Fatos Arapi iku, dhe, siç shkruan vetë në poezinë “Lamtumirë

Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im
.”

Po, ai iku i heshtur, si rrallëkush, dhe tani është copëza e ndritshme e peizazhit në atdheun tonë kulturor dhe estetik.

Fatos Arapi, pas vetes la një varg veprash poetike, dëshmi të artit të madh, dhe shumë poezi antologjike, me të cilat ka gdhendë emrin e tij me shkronja të arta në letërsinë shqipe.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kujdes! Gjatë shtatzënisë duhet 50% më shumë jod

Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe në Poliklinikën...
Read More