Revolta e Spaçit, Visar Zhiti: “Hekuran Isai urdhëroi që sytë e dy të pushkatuarve, t’i jepen Ministrisë”

Po bëhen gati 35 vjet që nga revolta e Spaçit. Një prej dëshmitarëve të gjallë në ngjarje, na rikthen sot pas në kohë. Visar Zhiti, në një rrëfim rrëqethës, na tregon fatin tragjik të kësaj revolte, ku mbetën 4 të pushkatuar e 100 të ridënuar. Deri te qeni i kampit u pushkatua sepse “mori anën e të burgosurve”.

Një tjetër fakt tronditës është urdhri i Hekuran Isait, që sytë e dy të dënuarve me pushkatim t’i jepeshin Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore. Zhiti kujton me dhimbje ato kohë, por edhe më shumë periudhën e postdemokracisë, gjatë së cilës, ish-të dënuarit, apo të persekutuarit, nuk arritën të përfaqësohen, madje të përdoren, dhe sot të ndihen po aq të persekutuar si më parë, veçse me metoda demokratike.

VISAR ZHITI
DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga jugu, zv/komisari a ç’dreqin është, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve.

Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze… Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg.

Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06… Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte… Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain.

Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriget, lugët? Dhe me heqjen e së drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Nga që votuesit këtu janë të vdekur…

* * *

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar edhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do shembin ngrehinat, shkallët, do përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më. Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do e mbushin me tela me gjemba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë akoma më e rëndë?

Të dënuar malet përreth, uji, ajri. Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do u vënë rregulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund të heqin televizorin, – mirë do të bëjnë, – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë. I dënuar në një burg të dënuar.

NË DOSJEN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

Për revoltën e Qafë-Barit: “Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…” (Fjalia e fundit e nënvizuar.) Akuza e Prokurorisë Pukë: “Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit: Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi.

Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

PUSHKATIMI: SOKOLI DHE TOMA

…Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të Policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë: Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3, datë 3.6.1984, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën.

Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën… Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit.

Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja: Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt” I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtë- sia!” Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej… Ku i vratë? Flisni! Hapeni gojën që ta hapim gropën për të varrosur dy shokët tanë, dy njerëz. T’u hedhim nga një trëndafil, por dhe ata mua m’i dënuan.

SYTË… E BOTËS

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’i jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”. Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë?

Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë.

Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve. Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare! Botë Edip, qorre, ulëri e masakruar në fundin tënd!

KOHA POSTDIKTATORIALE. MASHTRIM DHE REVANSH URREJTJEJE…

Kaq. Kjo ishte një pjesë nga dëshmia ime për revoltën dhe atë pak liri tragjike, që u arrit brenda telave me gjemba, me policë e gardianë të përzënë, që nuk zgjati dhe aq, që bëhej a s’bëhej një ditë e plotë, me një gëzim të zi, që na zbuloi sërish se ata nuk ishin aq të fortë, të drejtë kurrën e kurrës, por barbarë. Ishin të rrëzueshëm, por i mbanin në këmbë rrethanat, të pasurit e një kampi komunist sa gjysma e Euro-Azisë e më gjerë, por dhe e keqja e tyre ngulmuese dhe injoranca kryeneçe.

Jo s’e nuk dinin e nuk kishte shkolla, diktaturat mbahen dhe me intelekt, por edukata, që donin ta bënin kombëtare, ishte rrjedhojë e ideologjisë së luftës së klasave, urrejtje, goditje dhe mbyllje. Gjë që solli shkretim shpirtëror e për pasojë edhe mental. Sistemi u bë i tillë, që puna shtohej dhe bashkë me të dhe varfëria, ngriheshin fabrika e propagandohej mirëqenia kolektive, jo e individit, pra, e askujt. Vetëm makineritë e dhunës ishin ato që funksiononin perfekt.

Dhe burgu s’ishte veç aq, ajo dita e revoltës, me atë akt e ato britma, por një përditshmëri infernale me vite e vite, ku dukej se s’ndodhte asgjë, një rrethim mizor, një turmë apokaliptike, mosshpresë dhe vuajtje, uri e skajshme ndanë minierave si ato të rendit skllavopronar. Puna jonë rraskapitëse nuk u shpërblye asnjëherë, pra u grabit, nuk e kam fjalë për dëmshpërblimet. Shto pastaj dënimet e përditshme, hetuesitë prapë, torturat, vrasjet, pushkatimet, flakja në baltën pa emër, etj., etj. Dhe si për të na riedukuar gjoja, por për të bërë “shpëlarjen e truve” si një tjetër torture plus, na lexonin çdo ditë nga librat mediokër të diktatorit Enver Hoxha, etj., etj.

E keqja s’përmbahej dot, veç brenda telave me gjemba. Ajo përhapej në të gjithë vendin duke kaluar dhe në breza të tjerë e kohë tjetër, kur Shqipëria nisi të ndryshonte, ndërkaq kishte rënë “Muri i Berlinit” dhe gjithë perandoria komuniste. Po lejoheshin revoltat, të studentëve, të qytetarëve, befas u krijuan shpejt e shpejt parti të tjera, etj. U hapën burgjet politike, por të burgosurve politikë u druheshin. Duheshin idealet e tyre, vuajtja e tyre, më shumë sesa ata vetë. Teksa vendosej demokracia dhe po punohej për sistemin kapitalist, përgjithësisht punohej me ata në krye që kishin qenë kundër kapitalizmit, kundër demokracisë dhe pronës private, etj.

Gjithsesi, rëndësi kishte ndryshimi dhe përparimi i vendit, kështu na dukej. Dhe u bënë ndryshime, si nuk u bënë? Edhe neve që vinim nga burgjet dhe internimet, po gjenim përkrahje, hapur, po futeshim nëpër punëra gjithandej, fëmijët po shkonin në universitete, etj., na dhanë shtëpi, megjithëse na i mbajtën çmimin e tyre të lartë nga dëmshpërblimi i vonuar e i ngadaltë. Na emëruan në administratën shtetërore, te burgjet, në polici e diplomaci, deri edhe ministra, kryetarë Parlamenti. Më së shumti, ish-të persekutuarit iu bashkuan Partisë Demokratike, shpesh e më shpesh i afruan te kreu, por pa qenë kurrë në krye, gjithkund, por dhe duke i sprapsur pak e nga pak, gjithnjë e më shumë.

Siç e thamë, duheshin idetë e tyre, ëndrra e tyre, vuajtja e tyre, aleatët e tyre, edhe morali i tyre, por jo ata vetë. Ndërsa do të duhej që pikërisht fryma e tyre, e asaj që del mbi vuajtjet, e dëshirës për liri e botë, ta tejpërshkonte gjithë kohën tonë. Mbase dhe ne duhej të ishim më bashkë, të vetorganizoheshim e jo të na organizonin. Pasi iku frika e ndëshkimit e të gjithë u vërsulën të rrëmbenin copëra Shqipërie nga “legjislatura në legjislaturë”, teksa disa majmeshin pabesueshëm shumë e shumica mbetej dëshpërueshëm po aq e varfër, nga klani i shndërruar, si majtas dhe djathtas, te disa me paranojën dhe nostalgjinë e së dikurshmes, zgjohej, si bisha brenda vetes, po ajo mënyrë harbute e të vepruarit.

E kaluara luftohej me metodat e së kaluarës, por në kushtet demokratike. Motori i dikurshëm i historisë, ai i luftës së klasave, pra, i luftës civile në kohë paqeje, ndizej herë pas here. Ngaqë vendi s’u tregua i aftë të dënonte klasën e krimeve për gjithë ato gjëma të kryera, ajo urrejtje po derdhej te koha e tanishme e te bartësit e saj. Ata që e pësonin më shumë, ishin ata që donin t’i përdornin më shumë, të përndjekurit, më të margjinuarit sot, më të ikurit.

Atavizmi i urrejtjes shndërrohej herë në indiferencë institucionale dhe herë në nëpërkëmbje, institucionale dhe kjo. Vinte nga “krahu i majtë” më shumë, ndërkohë ai dha së fundmi më shumë këste dëmshpërblimi, por dhe nga “i djathti”, që ndonjëherë na ngjante si një krah i majtë i ngulur djathtas dhe “epoka jonë” na është dukur po aq e përçudnuar.. Mashtrimi postdiktatorial është po aq i madh sa dhuna në diktaturë dhe kjo bën që të shihen me një lloj mosbesimi zhvillimet demokratike nga ne. Duhet fryma jonë patjetër nëpër institucione, nga ajo që valëviste flamurin pa yll në revoltën e Spaçit.

Jo se institucionalisht nuk ka pasur pjesëmarrje në tubime e përkujtime e dekorime të të persekutuarve, por do të mjaftonin ndoca për të kuptuar antifrymën, madje dhe ndonjë, p.sh., koleg i uniformave ushtarake të diktaturës, i cili dhe ka dashur të risillte shtatoren e diktatorit, atje ku populli e shkuli dhe e zvarriti, e megjithatë arriti ta bëjnë President, e theksoj: ta bëjnë, që në praktikat e tij, të ushtruara si Kreu i Shtetit, ka qenë hapur, realisht, fizikisht kundër të persekutuarve.

LIRIA… PËR TË QENË I KEQ

Ka liri, liri shumë për të qenë i keq e gjithnjë e më pak për të qenë i mirë. Dhe mbeturinat enveriste mezi ç’kanë pritur raste të tilla të nxjerrin kthetra e dhëmbë, brirë e antena, edhe ato televizive, dhe, – të detyruar të flasim me gjuhën e tyre nga që të përthithin në grackën e tyre, – ata shprazin tërë qelbje mendimesh e ndjesish sadiste duke e mbushur me smog ekologjinë pluraliste të ideve.

Sa më hiçër, po që çoç u duket vetja, aq më zell skëterror përshfaqin, vjellin pa censurë, vargje-vargje, me mallkime ateistike, sa ua kalojnë në ligësi dhe parashikimeve të idolëve klasikë të tyre, sekretarë e shefa, kaloqe e nishane gjithfarësoj, vampirë e hiena e shtërpinj të parritur, por po të kishin kushtet e plota që të metamorfëzoheshin, do të bënin të zaliseshin dhe magjistricat e Makbethit, vetë Makbethin dhe Zonjën e tij të zezë, çdo vejushe diktatori, që shtiren si të sojshëm, të atij soji të pasoj, lapërdharë dhe bushtra me buzët të kuqe si nga një gjakpirje, tumore ideologjikë, maisësh të plagëve të hapura prej atyre që ata i pollën, helmatisës të komunikimit të zakonshëm njerëzor, që nga bisedat e thjeshta në rrugë e deri tek ato në rrjetet sociale e në median e përditshme.

Nga shkaku i klimës së prishur, i idiolatrisë së kobshme, i realitetit pështjellues, ku s’ka drejtësi deri në fund, me korrupsion deri në fund, me liderë të kapur nga vetvetja, që tërhiqen, që i tërheqin, me vetingun shqetësues, me tranzicionin që nuk mbaron ashtu si autostradat tona, që asnjëra nuk është e mbaruar e gjitha, me plantacionet e kanabisit e bandit e tyre, etj., etj., Shqipëria duket sikur jeton më shumë në ish-kohë, si në një tablo të përmbysur, ku njihen ish-të persekutuarit e ripersekutohen me forma më “demokratike”, por jo ish-persekutorët, lart e më lart ata, ku ende ka ishpronarë, por jo posedues të moralit e të ligjeve universale të njeriut, e kam fjalën thjesht për të vërtetën e të drejtën, etj., etj., aq sa rrojtja pranë shtriganëve e shtrigave të kësisojshëm, të qenit bashkëkohës me ta, është një tjetër dënim.

Të vjen dëshpërimisht keq, që prej tyre të duket se i përkasim një si vendi me ish-njerëz, me ish-vëllezër… Fali o Zot, se s’dinë ç’bëjnë ose dinë vetëm atë që ua pëshpërit djalli i tyre. Prandaj dhe ikin e duan të ikin aq shumë, sa më larg. Ata që s’munden, tërhiqen dhe heshtin për të mos u bërë si ata, mbeten të varfër dhe ndodh të çmenden ose të vrasin veten.

…Dhe mes fëmijëve të pafajshëm, të mrekullueshëm si janë fëmijët të gjithë, adoleshentëve ëndërrimtarë, e të rinjve që duan të bëjnë për vendin me shpresë e guxim, dalin engjëj paralajmërues, që s’dihet me ç’forcë të mistershme të Hyut, zgjedhin të mërgojnë qiejve. Kujtoj që njëri prej tyre, me të atin në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, na ka lënë dhe klithmën: “Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë…”. Të tretën! Duhet! Ne, gjithë të dënuarit nga “ata” e jo nga Zoti, besojmë e presim…
/Panorama

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mustafa Nano: Natyra plastike e besimit fetar në Shqipëri (në Ballkan)

Letërkëmbimi Mapo-Danas - Nga Mustafa Nano I dashur Zoran, Festivali europian i këngës,...
Read More