Revolta: Rama bën ofertën, studentët vazhdojnë protestën



Kryeministri Rama për dy orë del live në Facebook duke iu premtuar dialog dhe vendosmëri për të zgjidhur të tetë kërkesat e paraqitura. Studentët refuzojnë prerazi negociatat dhe i japin ultimatum deri sot në orën 16:00 për plotësimin e kërkesave. Shtrihet reagimi, protesta edhe në Shkodër, Lezhë dhe Kavajë.

Për dy orë pa shkëputje, kryeministri Edi Rama u foli “live” nga Facebook-u studentëve, duke ofruar dialog dhe dhënë premtime, madje edhe më shumë se çfarë kërkuan studentët. Por kjo “ofertë” nuk është pranuar nga studentët protestues, që për pesë ditë radhazi kanë braktisur auditorët e fakulteteve dhe pushtuar sheshin pranë Ministrisë së Arsimit. Për të tetë pikat që kanë paraqitur studentët, Rama tha se ishte i gatshëm që t’i diskutonte me ta. Pavarësisht tërheqjes së qeverisë dhe thirrjes së kryeministrit për të biseduar, qoftë edhe pa e shkëputur protestën, studentët i kthyen përgjigjen e menjëhershme: “Nuk ka negociata, plotëso tetë kërkesat tona”!. Sikurse edhe pritej, Rama gjithashtu ka bërë të ditur se të gjithë administratorët e emëruar nga qeveria pranë fakulteteve të ndryshme të vendit ishin të shkarkuar për kaosin e krijuar. Gjithashtu këto “poste” ua ofroi studentëve, por këta të fundit e vijuan protestën edhe pas premtimeve të gjata të kryeministrit. Ditën e sotme përfaqësitë e studentëve shprehen se ajo do jetë edhe më e madhe nga ditët e tjera. Fryma e krijuar nga protestat e studentëve, që lindën nga një Vendim i Këshillit të Ministrave që detyronte studentët të paguanin për provimet e mbartura, shkaktoi “efekt zinxhir”, ku në Shkodër, Lezhë dhe Kavajë qytetarët kanë dalë në rrugë duke protestuar për uljen e çmimit të naftës. “Nuk e kemi venduar ne atë VKM, por ka qenë një kërkesë e dekanëve që në mars. Prandaj unë i kam dhënë urdhër Ministres që të thirrë në mbledhje urgjente dekanët, për të biseduar me ta. Fajin e kanë këta dekanë që nuk informojnë studentët”-deklaroi Rama. pikërisht kjo VKM u bë shkak që të nisin reagimet studentore, që tashmë jo vetëm kanë rritur kërkesat e tyre, por po e kthejnë reagimin në frymë popullore kundër mënyrës së qeverisjes. Premtimet dhe ofertën për dialog kryeministri i dha, por pozita gjendet nën trysninë e protestave, ndërsa opozita dje ka tentuar që të bashkohet me kauzën e studentëve, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të tyre që partitë të mos përzihen me ta.

Rama premton dhe ofron dialog, studentët e refuzojnë

Që në nisje të fjalimit të tij të gjatë dhe dukshëm nën trysni, kryeministri përveç ofrimit të zgjidhjes, ka akuzuar kundërshtarët politik se po e keqpërdorin këtë protestë të drejtë të studentëve. “Të flasim si njerëz. Ju pres kur të doni, si të doni, sa të doni. Jam i gatshëm të flasim. Ta bëjmë bashkë si njerëz, jo si profile fallco në facebook. Me keni gati ne çdo orë. Kjo nuk është betejë mes studenteve dhe qeverise. Jemi bashkë në këtë beteje”-deklaroi Rama. Kreu i qeverisë ka prekur çdo pikë të kërkesave të studentëve duke u dhënë të drejtë në disa dhe pranuar gjendjen ende mjaft të rëndë sit ë kushteve ashtu edhe të problemit të korrupsionit nga ana e pedagogëve apo edhe të drejtuesve që menaxhojnë fondet. “Nëse ulemi për dialog mund të bëjmë më shumë se përgjysmim të tarifave. Përveç përgjysmimit, në bazë të meritokracisë mund tu ofrojmë falas tarifat (subvencion 100%) atyre që janë në ndihmë ekonomike dhe atyre që janë me 9 dhe 10”, theksoi Rama. Po ashtu në fjalën e tij, Rama ka premtuar dhe se përveç rishikimit të tarifave për disa kategori studentësh, ai ka thënë se do të rishikojë dhe pagesën për konviktet. “Plan konkret për kampusin e Tiranës, është bërë konkursi më 2015 dhe Bashkia e Tiranës është gati që të ndërhyjë qoftë për qytetin studenti, qoftë për kampusin e ri. Ndërkohë 18 milionë euro për ndërhyrje falë KFV për qytetin studenti. Por pse mos të rishikojmë edhe tarifat që paguajnë studentët që jetojnë në konviktet ku nuk është vendosur dorë deri më sot? Do ishte e ndershme, edhe pse nuk është kërkuar nga studentët”, deklaroi Rama. Një tjetër “ofertë e pakërkuar” erdhi nga kryeministri, duke premtuar punësimin e studentëve ekselentë menjëherë pas përfundimit të fakultetit në një nga institucionet shtetërore, sipas profilit që kanë. “Mund te krijonim 1000 vende pune në ministri për studentet që mbarojnë me 9 dhe 10”, -tha ai. Ndërkohë që për Bordet e Administrimit të Universiteteve, Rama ka thënë se: “Do të shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Administrimit. Por unë nuk bëj asnjë lëvizje, po nuk erdhët këtu dhe po nuk folëm bashkë. Jo të rrini e të këndoni këngët e Monikës e të Lulit në Bulevard. Ju më sillni një emër të një studenti, që doni ju dhe do ta vendosim direkt, por jo të rrini aty”, shtoi me tej Kryeministri. Aty ku kreu i qeverisë është stepur lidhet pikërisht me autonominë e fituar me ligj nga ana e fakulteteve të cilët kanë të drejtën që të vendosin për tarifat sipas vetëmenxhimit të parashikuar prej tyre.

Protestat, Shkodra, Kavaja dhe Lezha bllokojnë rrugët

Të inspiruar nga protestat e studentëve, disa qindra banorë të Shkodrës, Lezhës dhe Kavajës protestuan dje kundër rritjes së çmimit të naftës, duke bllokuar akset rrugore për një orë. Gjithashtu janë hedhur edhe parulla kundër qeverisë dhe protestuesit kanë bërë thirrje që përsëri ditën e sotme të mblidhen për të vijuar demonstrimin e tyre, kundër rritjes së çmimit të karburanteve apo edhe të ushqimeve. Në aksin qendror hyrës në qytetin e Shkodrës janë dëgjuar thirrje si “Poshtë Edi Rama”, “Poshtë komunistat” dhe “Qeveri e hajnave”. Në Kavajë protestuesit kanë bllokuar autostradën Durrës-Rrogozhinë. Protestuesit me automjetet e tyre kanë ndaluar në autostradë duke bllokuar rrugën, ndërsa shprehen se janë në mbështetje të studenteve dhe po ashtu protestojnë për çmimin e naftës. Në lidhje me këto protesta Rama e ka gjetur mundësinë për të bërë politikë, duke i konsideruar personat që dolën në rrugë si punonjës të bashkive përkatëse. “Interesante. Punonjësit e bashkisë Lezhë protestojnë si fermerë, të bashkisë Shkodër si shoferë dhe të bashkisë Kavajë si franceze. Studentët s’duhet të dialogojnë, po duhen mbajtur peng me çdo kusht që të përdoren si qendër graviteti e revolucionit të Lulit&Monikës. Jo politikë?”- shkruan Rama. për kryeministrin problem mbetet fryma e krijuar nga studentët në Tiranë, ndërsa reagimet e tjera me prirje politike konsiderohen prej tij të “menaxhueshme”.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha foli dhe këshilloi Partinë Demokratike nga pozitat e senatorit

Nga Ervis Iljazaj Ka shkaktuar një furtunë mediatike intervista e Sali Berishës...
Read More