Revoltohen në Kosovë, Bushati: Nuk ishte votë kundër SHBA


Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar me anë të një deklarate, duke mbrojtur qëndrimin e Shqipërisë në rezolutën e OKB-së që u kërkon Shteteve të Bashkuara që të tërhiqen nga njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Bushati thotë se vota pro rezolutës, nuk është votë kundër SHBA.

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet.

Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, deklaron ai.

Kryediplomati shton gjithashtu se rezoluta e kaluar të premten u referohet katër rezolutave të mëhershme të Këshillit të Sigurimit.

“Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne.

Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”, vijon ai.

Kritikat për këtë votë pro, Bushati i quan trillime, që përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneriteti me SHBA.

“Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi”, deklaron ministri i Jashtëm.

Por pozicionimi i Tiranës zyrtare kundër Uashingtonit ka bërë bujë të madhe në Kosovë, ku admirimi për Shtetet e Bashkuara është i madh, i ushqyer fort nga fakti që ishte Amerika nismëtarja e ndërhyrjes së NATO-s gjatë konfliktit, duke mos pritur miratimin e Kombeve të Bashkuara.

Jehona e lëvizjes së Tiranës zyrtare ishte e madhe në Kosove, sipas gazetës “Express”, që citon presidentin Hashim Thaçi të deklarojë se Prishtina do të ishte rreshtuar në krah të Uashingtonit në çdo rrethanë.

“Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës, pa marrë parasysh si kanë votuar të tjerët”, citohet të ketë thënë ai.

E njëjta gazetë përcjell mesazhin e një aktivisti të zëshëm shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, që e konsideron votën e Shqipërisë si një gabim diplomatik, i cili do të ketë pasoja. Shqipëria, sipas tij duhet të abstenonte.

E përditshmja përmend po kështu edhe një status të shqiptaro-amerikanes së parë të zgjedhur këshilltare në shtetin e Nju Jorkut, Lisa Milicaj, mikesha – siç thuhet aty – e presidentit Trump, e cila e quan të “turpshëm” vendimin e Shqipërisë.

Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Serbia e Turqia ishin në grupin që votoi pro rezolutës, ndërsa Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Rumania zgjodhën rrugën e sheshtë të abstenimit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Moratoriumi i pyjeve: Në 2 vjet vetëm një gjobë që… nuk vilet

Ndonëse moratoriumi i pyjeve premtonte masa të ashpra ndaj abuzuesve, në qarkun...
Read More