Revolucioni i parë për taksat

Shkëndija që erdhi nga protesta e banorëve të Kukësit kundër tarifës së rrugës dhe revolta e pakënaqësisë. Si kanë ndryshuar tarifat e shërbimit dhe taksat gjithnjë në rritje në vend, që nuk po përkthehen në zhvillim ekonomik. A do të zgjerohet harta e reagimit popullor, “kalërimi” i pakënaqësisë nga opozita dhe a po lëkundet pushteti i fortë i Ramës

Nga Sebi Alla

Ndërsa në Kukës shkatërroheshin e digjeshin sportelet e një kompanie private që vilte taksën në Rrugën e Kombit, kryeministri Edi Rama, enkas bënte disi karshillëk, në një takim “live” në qytetin e Vlorës. Fliste për investime të mëdha, porte, aeroporte e rrugë moderne që do i japin zhvillim vendit. Nuk guxoi asnjë nga stafi i madh i tij që t’i tregonte kryeministrit atë që po ngjante në Kukës, pavarësisht se nuk i mbante vendi. Flit e flit dhe vetëm pas takimit u informua për atë që kish ndodhur. Policë të lënduar, njerëz të acaruar, sportele të djegura dhe për një natë, një pjesë e madhe e shqiptarëve u bënë “kuksianë”… Revolta këtë herë nuk ndodhi nga thirrjet mirëfilltës politike, por reagimin popullor kundër rritjes së taksave dhe tarifave të tjera të shërbimit. Në mbrëmjen e 31 marsit, Rama mbajti konferencë të gjatë, plot emocion dhe me zë të dridhur, zgjodhi të ndante protestën masive duke etiketuar dhunuesit si vandalë, ndërsa qytetarët e tjerë pjesëmarrës të painformuar, duke mbajtur vetë përgjegjësinë për nxitimin e pamenduar. “Pa dashur të justifikohem u kam kërkuar ndjesë publike banorëve dhe do u kërkoj sërish sa herë që të flas për këtë temë, por jemi nisur nga praktika ndërkombëtare. Duke qenë një eksperiencë e parë, nuk kemi qenë të përgatitur se çfarë do të sillte një risi e tillë. Nuk do të fusim pagesën nëse nuk sqarojmë asnjë banor dhe derisa që të jemi të qartë me atë që do bëjmë. Do të arrijmë besoj që ta lehtësojmë barrën e tyre në mënyrë të ndjeshme dhe ta bëjmë të funksionojë sistemin”, deklaroi Rama, duke e kuptuar qartë se këtë herë arroganca nuk kishte më vend dhe batutat e njohura, nuk i vinin në ndihmë. Po kështu Rama foli për varfërinë, që e kuptonte mirë vuajtjen e shumë shqiptarëve, por gjithçka kishte ndodhur nga një nxitim, pasojat e të cilit janë më të mëdha se vetë “kryengritja Kalimash”. Këtë herë çështja taksë, mund të kthehet në kauzë të madhe popullore, rreziku i së cilës mund të çojë vendin në kaos. Kreut të qeverisë në një situatë të tillë nuk do i nevojitet të luajë taktikisht (kjo mund ta shpëtonte për pak kohë), por të ndryshojë rrënjësisht formën qeverisëse dhe mbi të gjitha, të marrë në konsideratë zemërimin popullor, që vjen jo vetëm nga shtrenjtimi i jetesës nëpërmjet taksave të shtuara, por edhe arroganca vendimmarrëse dhe mospërfillja që iu bëhet qytetarëve.

Rënia e një miti, taksat që nxitën protestat

“Ky popull nuk ngrihet kur iu rriten taksat, u shtohet tarifa e ujit, energjisë apo shërbimet e tjera. Populli shkon si “dele” para kutive të votimit dhe më pas katër apo tetë vjet, ankohet me veten, në shtëpi apo në kafenetë ku bëhet ‘politikë e madhe’, për qeverinë që zgjodhi”. Të paktën ky ishte perceptimi masiv në më shumë se 28 vite demokraci me qytetarët shqiptarë. Por 31 marsi 2018, mund të jetë një pikë ndryshimi se: “kur të rriten taksat, kur qeveria ka arrogancë dhe e bën nismën fakt të kryer pa u konsultuar dhe marrë parasysh ndikimin negativ në jetën qytetare, revolta është e pandalshme”. Vijimi i protestave të mëvonshme konfirmuan se revolta e banorëve të Kukësit që u prekën drejtpërdrejt nga tarifa në “Rrugën e Kombit”, nuk është një kryengritje lokale. Pa u shuar çështja Kukës, në Ballsh ish-punëtorët e revoltuar shpërthyen dyert e Uzinës së Përpunimit të Naftës dhe kërkuan pagat e prapambetura dhe rihapjen e uzinës, pasi janë të papunë dhe kanë mungesë të theksuar të ardhurash. Të enjten, në katër akset kryesore të vendit pati tubime të mëdha në bllokim të rrugëve dhe për herë të parë, qytetarët nuk u ndanë. Edhe ata që mbetën në trafik për orë të tëra nuk shkaktuan asnjë lloj revolte. Pavarësisht se nuk preferuan t’iu bashkoheshin politikanëve të opozitës, aprovonin këtë mënyrë të mosbindjes civile. Këtë mësim për të mos iu bërë pësim në mandatin e dytë qeverisës, kryeministri Rama tashmë duhet ta ketë të qartësuar. Dhe frika ndihet. Reagimi erdhi pikërisht nga më të bindurit, shtresa poshtë e qytetarëve, biznesi i vogël dhe të varfrit, që përveç mungesës së një pune, vuan edhe pasojat e taksës së rritur, tarifave të shërbimit të shtrenjta dhe mbi të gjitha mungesën e shpresës se e nesërmja do jetë më e mirë. Ai PR (piar) e propagandë e madhe qeveritare për një “Shqipëri rozë” apo për “Shqipërinë që duam”, nuk ngjit, sepse shkëndijat e një reagimi masiv janë dhënë. Vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama nisi reformën e madhe fiskale në vend dhe për të mbushur arkën e lënë bosh nga paraardhësi, hodhi sytë nga rritja e taksës së qarkullimit. Rritja ishte e madhe nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër karburant. Arsyet që parashtroi qeveria për ndryshimin e kësaj takse ishte nevoja në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Gjithashtu u vu në zbatim edhe taksa progresive mbi të ardhurat, në një lloj mënyre ishte taksë e punës. Nisi edhe vjelja nëpërmjet “forcës së ligjit” e të gjitha borxheve të prapambetura të energjisë apo ujit. Ishin të shumta arrestimet e qytetarëve që kishin lidhje të paligjshme të energjisë, u shkëput rryma për shumë familje dhe mes varfërisë u detyruan të marrin borxh për të shlyer detyrimet e prapambetura, një më një. Po asokohe revoltë nuk pati. Këto “reforma të dhimbshme” siç i konsideronte kryeministri Rama në atë kohë, ishin të nevojshme për rimëkëmbjen e ekonomisë. Në fillim, kryeministri u konsiderua “vizionar” që nuk po mendon për të mbajtur pushtetin gjatë edhe mes anarkisë së mospagimit të detyrimeve, por të bënte shtet. Nuk u mjaftua me kaq, pasi përveç taksave kombëtare, erdhën edhe tarifat dhe taksat e reja të bashkive, gjithnjë e në rritje. Duke filluar nga 1 prilli, shkalla e taksës mbi ndërtesat do njohë rritje të ndjeshme. Në vitin 2018, qytetarët do të paguajnë 21 milionë euro më shumë taksë prone. Në projektbuxhetin e vitit 2018, Ministria e Financave parashikon që të ardhurat totale nga taksa e pronës të jenë 8.1 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 54% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Ndërsa në 2019-n, kur kjo taksë do të vilet e plotë gjatë gjithë vitit dhe kadastra do të jetë më e plotë, pritet që qytetarët dhe bizneset të paguajnë 8.7 miliardë lekë. Barra më e lartë e taksës së pronës do të jetë për banorët e kryeqytetit. Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2018 parashikon që të ardhurat nga taksa e pronës do të arrijnë 2.5 miliardë lekë, ose sa 31% e totalit të taksës së pronës që pritet të mblidhet në gjithë vendin. Familjet në kryeqytet do të paguajnë në 2018-n rreth 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë. Po ende është shpejt për të ndjerë rëndesën dhe ajo do vijë në fundin e këtij muaji. Duke filluar nga 1 prilli, ulet pragu i bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Tashmë shumë biznese të vogla, që më shumë konsiderohen si vetëpunësim, do të detyrohen të ulin qepenat dhe shpallin falimentin. Ende nuk ka një shifër ekzakte, pasi të dhënat janë kontradiktore, por mendohet se mbi 25 për qind e biznesit të vogël është në një faliment ende të pashpallur, pikërisht për rritjen e pragut të pagesës së TVSH-së. Gjithashtu bizneseve të vogla i vihet një tjetër barrë me taksën e tabelës apo të shfrytëzimit të hapësirës. Por kush mendon se vetëm biznesit do t’i “kërruset shpina” nga barra e taksave, është i gabuar. Tarifat e reja do të ndihen edhe te qytetarët. Kjo nëpërmjet tarifës së rritur të ujit, taksës së banesës, taksës së arsimit dhe rritjes së taksës së gjelbërimit. Në total Bashkia Tiranë llogaritet se do arkëtojë nga tarifat e reja mbi bizneset dhe qytetarët një shumë prej 25 milionë euro në vit.

Opozitë me kauzë të gjetur…

Nëse beteja e qeverisë do ishte vetëm me opozitën, në çdo “përballje” fitorja shkonte në favor të mazhorancës së vetme aktuale. Thuajse në çdo përplasje, Rama dhe qeveria e tij mundi të nënshtronte kundërshtarin. Tashmë situata duket e ndryshuar, pasi më shumë se një ringjallje e forcave opozitare, është dobësim i qeverisjes. “Prisni deri në pranverë se do e shihni ku do shkojë Edi Rama”, -tha tre muaj më parë kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Kësaj radhe parashikimi i doli, pasi edhe vetë nuk e beson se një revoltë e vogël në afërsi të tunelit të Kalimashit do jepte shkëndijën e ngritjes kokë edhe të opozitës. Tashmë protestat po synohen që të merren në dorë nga forcat politike opozitare duke “vjedhur” kauzën qytetare dhe është në momentin e saj më të mirë për t’u ringritur. Opozita ka bërë thirrje për mosbindje civile, çka nënkupton refuzimin për pagimin e taksave, bllokim të rrugëve apo mosnjohjen e autoritetit shtetëror. Në çiltërsinë e deklaratave të disa politikanëve opozitarë, është artikuluar qëndrimi se: “ne do jemi në ballë të protestave, pasi nëse lejojmë që ato të udhëhiqen nga populli, mund të ketë pasoja të rënda”. Dhe një e vërtetë është në këtë gjykim analitiko-politik, por më së pari opozita duket se duhet të riorganizohet dhe kuptojë qartë mesazhin që vjen nga poshtë. Nga ana tjetër, kryeministri mund të shohë si shpëtim momental, (për të fituar kohë që të ndryshojë diçka në mënyrën qeverisëse), hapjen e negociatave për në BE. Ardhja e personaliteteve të BE-së në Shqipëri, në një periudhë që vendi po mbushej me protesta, mund të jetë një mënyrë që ky vend i vogël i Ballkanit Perëndimor të ruajë një stabilitet, të paktën në fushën e rendit. Të ndodhur në frikën e një Shqipëria të destabilizuar, “lupa” e BE-së nuk do jetë aq e përqendruar në plotësimin strikt të kritereve, ndaj mund të ofrohet një dorë tërheqje për të mos rënë në greminë. Një sinjal për konsum politik ditor qeverisë i erdhi edhe nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Dje dha mesazhe paqeje, që në një lloj mënyrë godiste të dyja palët, arrogancën qeveritare, por edhe opozitën që të mos nxiste dhunë. “Të evitohen tensionet e panevojshme dhe konfliktet. Jam përpjekur të jap mesazhet e duhura por dua të theksoj se ne nuk kemi luksin as të këpusim një lule meqenëse kanë nisur të çelin për shkak të pranverës dhe për shkak të dëmeve që ka pësuar vendi nga mungesa e dialogut dhe fryma e përjashtimit. Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë mirëstudiuar. Është e drejtë e çdo qytetari të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes vendore për çdo taksë që paguajnë apo shërbim që duhet t’u ofrohet”, -tha Meta, ndërsa i pyetur se si e gjykonte aksionin e ndërmarrë nga opozita për mosbindje civile u shpreh se: “Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse mazhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët”. Në qëndrimet e tij është politikisht korrekt, për shkak të staturës që i jep posti. Politika më e keqe në këtë rast do të ishte sfumimi i një revolte, duke ndjekur rrugën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ndodh që edhe për çështje taksash të nisë një revolucion politik, që këtë herë vjen nga qytetarët e thjeshtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bloodlands: Suela Bako, horrori që e bëri të besojë

Më 22 shtator filmi “Bloodlands” projektohet në kinema “Millenium”/ Me rolin e...
Read More