Revolucioni i tetorit të Ramës


Mbyllja e lojërave të fatit, ndalimi i pijeve alkoolike dhe energjike për çdo person nën 18 vjeç, si dhe përgatitja e një pakete antishpifje që prek edhe median janë tri vendimet “revolucionare” të Edi Ramës. Pse pikërisht tani dhe çfarë ka ndryshuar tek antikomformisti Edi Rama pas pesë vitesh qeverisje. Flasin Fitim Zekthi dhe Ilir Kalemaj

Nga Nevila Perndoj

Plot një vit më parë, Lulzim Basha tundi para kamerave dosjen voluminoze të autoriteteve italiane për hetimin e një bande narkotikësh ku akuzohej grupi i “Habilajve”. Në dosjen prej 416 faqesh, opozita pretendoi se ishte përfshirë edhe emri i Saimir Tahirit, asokohe ministër i Brendshëm. Debati për Tahirin vijon ende, ndërsa opozita e ka shtuar zërin e dosjeve, me emra ministrash të rëndësishëm të qeverisë “Rama”, si Damian Gjiknuri e Arben Ahmetaj. Së fundmi, dosja hetimore “339” po përdoret rëndom nga PD-ja kundër Vangjush Dakos, kryebashkiakut më të suksesshëm të socialistëve dhe njeriut të afërt të Edi Ramës.

Duke e përsëritur me bollëk këtë term, në perceptimin publik po krijohet ideja se segmente të caktuara të qeverisjes po mbërthejnë ushtrimin e pushtetit.

Tundja e dosjeve, një marifet i vjetër i opozitës, është ajo që e bezdis më shumë Ramën sot e mot, qysh kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, e kur Sali Berisha akuzonte se prokuroria flinte mbi dosjet e tij.

“Dosjet” e opozitës kanë ngacmuar sërish vëmendjen publike dhe vetë kryeministrin…

***

“Babale-Xhafaj, përgjim apo aktrim?!”, tema e emisionit Opinion në një nga ditët e tetorit. Për “Babalen” flitej edhe në emisionin “Open” të Eni Vasilit e cila e intervistoi në Kosovë, Albert Veliun. Edhe emisioni “Arena” apo “360 gradë” e Artur Zhejit në Ora News ziente me histori “Babale”-je. “News 24”, gjithashtu.

Në kulmin e zhurmës ku veç e vërteta nuk dihet, Edi Rama u shfaq në podiumin e kryeministrisë, hapi dosjen, iu drejtua kamerës dhe në lartësinë e zërit të tij sfumoi debatin e ditës.

“…Duke nisur nga data 31 dhjetor do pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë, përfshi dhe bastet sportive, baste me kuaj, qen apo çdo kafshe tjetër…Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar…”, -tha befas Rama.

Referuar shifrave të tij, nisma ligjore e qeverisë prek 70% të popullsisë. “Në këtë histori nuk ka të majtë e as të djathtë e aq më shumë ‘ne”, nënvizon ai. Rama po synon të zhdukë një ves, që, sipas tij, është mallkim për 92% të grave shqiptare. Ai pranoi se kjo iniciativë nuk ishte e papritur edhe pse koha u pa e tillë. Përpjekjen e tij për të ndaluar kazinotë elektronike, Rama e përcolli në fillim të mandatit të parë (me operacionin “Fundi i Marrëzisë”). Atëbotë bastet nuk ishin pjesë e debatit socialist. Gjithçka ndryshoi këtë muaj sepse për Ramën koha është tani, paçka se shumë syresh nuk e lidhin me qëllimin e vërtetë.

“Nga 928 pika bastesh në vitin 2013, Shqipëria numëron 4230 të tilla. Pra, katër herë më shumë”, pretendon opozita. Edhe analisti Ilir Kalemaj mëton ndër radhë se, “lufta ndaj pikave të basteve dhe kazinove duket më tepër si një akt klientelist apo i ndërmarrë emocionalisht sesa realisht i studiuar, ndonëse i mirëpritur nga segmente të gjera të popullatës”.

***

Iniciativa e Edi Ramës vjen në një kohë kur dosja “Babale” e përgatitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, po përfshihet në histori debati me emra drejtuesish policie, kakofonie të dhënash, e dëshmi të rreme, por jo vetëm. Vangjush Dako, kryebashkiaku që ka fituar prej vitesh Durrësin dhe mik i kreut të ekzekutivit është përfshirë në rrjetën e akuzave të njëpasnjëshme të opozitës që e lidhin me mundësinë e përfshirjes së tij në një tjetër patate të nxehtë; dosja e “Avdylajve”. Në ekranet televizive po shfaqen copëza të shkëputura përgjimesh, që më e pakta vënë në pikëpyetje integritetin moral të njeriut që Rama e ka mbështetur fort publikisht. Vetëm një vit më parë, kritikëve të Vangjush Dakos, Rama do t’u kthente përgjigje me shprehjen e kollajshme në kësi rastesh; “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”.

Andaj “lufta” e Edi Ramës me besëtytninë sociale se ky shtet nuk bëhet, opozitën e dosjeve e akuzave dhe vetë median që po angazhohet në publikime përgjimesh, sapo ka filluar.

Për analistin Fitim Zekthi, Ramës nuk i volitet gjë tjetër veçse një zhurmë e madhe. “Kjo zhurmë është ligji antishpifje, ai kundër basteve dhe kundër alkoolit”.

***

Rama lajmëroi një tjetër nismë ligjore me impakt social.

“Jemi duke diskutuar edhe një masë tjetër që ka të bëjë me alkoolin. Për të gjithë lokalet që tregtojnë alkool, në rast se do të kapen duke i tregtuar alkool një vajze apo një djali apo një grupi të rinjsh nën moshën 18 vjeç, do të merren masa drastike ndaj lokalit, deri në mbyllje për 1 vit kur është e përsëritur”, -tha Rama në një takim me banorët në Laprakë. “Lokalet nuk mund të jenë klasa alternative e atyre fëmijëve që prindërit i nisin në shkollë për të mësuar edhe që përfundojnë nëpër lokale gjatë orëve të mësimit… Mbushur lokalet me 15-vjeçarë e 16-vjeçarë që pinë alkool”, nënvizoi ai. Nisma e Ramës do të trajtohet gjerësisht në fillim të muajit janar. Por Ilir Kalemaj e shikon me skepticizëm. “Nisma kundër pijeve alkoolike për adoleshentët deri 18 vjeç duke i shtuar asaj si qershi mbi tortë dhe pijet energjike dhe me gaz, është një legjislacion social mjaft i guximshëm që mbart risqet e veta, ndaj dhe vendet më të zhvilluara sot janë matur dhjetë herë dhe kanë prerë një herë në këtë drejtim, ndërsa te ne zhvillime të tilla ndodhin overnight, me ‘urdhër të peshkut’ dhe natyrisht mandej nuk implementohen”.

***

Nuk mbetet pas as iniciativa e tretë e Ramës e risjellë sa herë

ka debat për mazhorancën, paketa antishpifje: “Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!”.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se kjo është e drejtë. Nisma vjen në një kohë skepticizmi të lartë ndaj medias (jo vetëm në Shqipëri) ku njerëzit po ngopen me akuza e kundër akuza, duke pozicionuar keqas vetëm militantizmin e duke e bërë më skeptike e të pakënaqur elektoratin gri. Prandaj edhe Rama po synon t’i japë rëndësi një audience të gjerë. “Nga duam ta tërheqim vëmendjen?! Ku është vëmendja?! Nga Babalja? Na iku Babalja nga ekrani. Nuk po e ndjek më populli me interes telenovelën…Çfarë po bëjmë ne? Ne po bëjmë atë që nuk e ka bërë askush në 20 e kusur vite. Ne po bëjmë luftë frontale me të këqija të rrënjosura thellë në këtë shoqëri, që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u mundur sa hap e mbyll sytë, por që po luftohen si kurrë më parë”.

A do të ketë po aq impakt sa fjala e tij edhe vota në favor të kësaj mazhorance në zgjedhjet e afërme lokale? Kjo pritet për t’u parë. Disa i kanë përgjigjet që tani. Fitim Zekthi thotë se tek Edi Rama nuk ka ndryshuar asgjë, dhe se impakti i këtyre vendimeve do të jetë i papërfillshëm. Ndërsa Ilir Kalemaj e sheh të vështirë rezultatin: “Është gjithsesi vështirë të parashikosh se si do jetë fati i mbramë i zgjedhjeve lokale, nëse koalicioni me shumicë numerike i opozitës do arrijë të thyejë bastione të forta të zgjedhjeve të kaluara si Durrësi apo Elbasani, do arrijë të ruajë bashkitë aktuale apo do të pësojë disfatën e radhës nga një pushtet që ka në dorë edhe grurin (të fortët), edhe arrën (thasët e miellit)”.

 

Zekthi: Rama nuk ka ndryshuar, ai ka shqetësim vetëm propagandën

Analisti Fitim Zekthi i shikon me kriticizëm vendimet e tetorit të Ramës. Sipas tij, Rama nuk ka asnjë bindje politike dhe nuk ndjek asnjë princip

Z.Zekthi, Rama është njohur prej vitesh si njeri antikomformist, që paralelisht ka jetuar (me koshiencën e tij) një jetë prej anarkisti…Megjithatë ai gëzon popullaritet te njerëzit aq sa atij i kanë besuar një mandat të dytë qeverisës. Pyetja që lind është se çfarë ka ndodhur me Ramën pas 5 vitesh që drejton vendin? Vetëm brenda një muaji, ai i ka shpallur luftë veseve, si mbyllje bastesh dhe lotarish, ka paralajmëruar një nismë të re kundër pijeve alkoolike (për ata nën 18 vjeç), si dhe do t’i përcjellë opinionit publik një iniciative ligjore që lidhet me “vetërregullimin” e fjalës së lirë… A keni një koment për këto lëvizje të befasishme të Ramës?

Në momentin që flasim mendoj se Rama përpiqet të perceptohet sikur ka popullaritet. Njerëzit jetojnë në vështirësi të mëdha ekonomike, kanë probleme të thella me papunësinë, njerëz nga bota e krimit, vulgar dhe hajdutë gjithfarësoj janë në zemër të vendimeve të mëdha ekonomike apo politike. Në masë dërrmuese njerëzit duan të largohen nga vendi, dhe po largohen nga vendi. Mendohet se janë larguar në 6 vitet e qeverisë “Rama” më shumë se 300 mijë vetë çka do të thotë se janë larguar rreth 15 për qind e popullsisë që sipas censusit gjendej në Shqipëri në vitin 2011.

Nga viti 1990 deri në 2013 mendohet se janë larguar 1 milion njerëz. Pra, për 23 vjet janë larguar 1 milion njerëz dhe për 6 vjet janë larguar 300 mijë njerëz. Në qeverinë e tij numri i njerëzve që ikin është disa herë më i lartë se para tij. Kjo tregon se ai vetëm popullor nuk është. Në qoftë se e keni fjalën që Rama është i famshëm, rri gjithë ditën në televizor, bën spektakël, bën gallatë, tallet, thumbon, sulmon, vishet me lule dhe ngjyra… etj., atëherë po. Ai është i famshëm. Sa i takon mandatit që ju thoni se ia dhanë njerëzit kjo nuk është e vërtetë. Ai i vodhi zgjedhjet, i bleu ato me para dhe njerëz që vinin nga krimi. Tani po zbulohen ngadalë. Më parë ishin Habilajt që thanë se Saimir Tahirit i duhen 20 milionë euro për zgjedhje. Përgjimet në Lezhë tregojnë se vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka blinte vota, përgjimet në Durrës tregojnë së Vangjush Dako blinte vota me njerëz të arrestuar si trafikantë ndërkombëtarë droge etj. Pra Rama me mjetet që ka, me mediat, paratë, krimin dhe spektaklin që jep përpiqet të perceptohet si popullor. Për ta bërë, ai lëviz nga fushatat e “qeverisjes me popullin”, deri te çështje që janë popullore dhe rreket të hiqet si mbrojtës i madh i të mirës kundër të keqes, i virtytit kundër vesit. Pra, nuk ka asnjë ndryshim te Rama. Është ai që ka qenë. Një njeri që ka shqetësim vetëm propagandën, që nuk ka asnjë bindje politike, që nuk ndjek asnjë princip në mënyrën se si vepron mjafton që të ruajë dhe zgjerojë pushtetin.

Rama nuk ka treguar se i ka bindjet e tij politike të motivuara nga një moral i tillë apo të prejardhura nga një moral i tillë që dënon vesin, që dënon kumarin, që dënon alkoolin. Përkundrazi, Rama është i njohur si njeri që është kulturalisht pro lirive të tilla, pra pro lirive për të mëkatuar në një farë mënyre.

A mendoni se vendimet e tetorit të Ramës, po merren pas një qeverisjeje të gjatë (pra që nuk i bënte dot gjatë mandatit të parë), apo rrethanat politike, akuzat me përgjime dhe ngjarje që e cenuan mazhorancën me timon të vetëm, e çuan atë në një ridimensionim të vendimeve sa të debatueshme aq edhe populiste…?

Vendime të tilla vijnë në një kohë që qeveria nuk ka më asnjë narrativë. Asnjë element tjetër propagandistik nuk prodhon diskutim ose nuk e çon diskutimin atje ku do Rama. Gjatë gjithë shtatorit dhe gjatë këtyre ditëve të tetorit Rama dhe qeveria e tij janë vënë në akuzë për lidhje me krimin, për përkrahje të krimit, kanë shpërthyer disa çështje si ajo Xhisiela, udhëtimet me çarter të Taulant Ballës me një trafikant, përgjimi i vëllait të ministrit Xhafa, përgjimi i kryetarit të Bashkisë, Dako etj.

Gjithë kjo dallgë akuzash dhe gjithë lufta e opozitës e ka përmbytur plotësisht qeverinë dhe Ramën dhe atij i duhet një zhurmë e madhe. Kjo zhurmë është ligji antishpifje, ai kundër basteve dhe kundër alkoolit.

Si kryetimonieri i qeverisë, Rama i ka marrë përsipër vetë nismat e bashkë me to edhe risqet. Çfarë impakti mendoni se do të kenë në popull këto vendime për qeverisjen e tij, kur testi i parë janë zgjedhjet vendore të vitit që vjen?

Duhet të themi se në kushtet kur jemi tani, pra në kushte të pandryshuara me ato kur u mbajtën zgjedhjet vjet Rama do t’i blinte votat lehtë, siç bëri. Një parti konkurron me një parti, një politikan me një politikan por një parti kundër një organizate politike që nuk ka asnjë kufi ndarës me mafien apo me njerëz të trafikut të drogës apo me njerëz që vijën nga aktivitete të ndryshme kriminale nuk mund konkurrojë. Duhet që PS-ja të garojë si parti dhe duhet që Rama të garojë si politikan. Pra, duhet që biznesi që vjen nga krimi të mos financojë blerjen e votave, biznesi që vjen nga lejet e ndërtimit apo nga hashashi të mos blejë vota dhe duhet që deputetët që vijnë nga krimi të mos jenë aktorë zgjedhorë. Si tha djali i deputetit Rraja me pranga në duar “do ta shohë Basha në zgjedhje”. Sa i takon impaktit të këtyre vendimeve unë mendoj se ai do jetë i papërfillshëm. Njerëzit e kuptojnë shumë lehtë se pse i bën Rama këto gjëra. Ata e dinë mirë se si qeveris ai sepse po i ikin nga Shqipëria apo e shohin në tryezat e familjeve çdo ditë. Nuk ka mbetur asgjë nga Rama në qoftë se i heq atij mbështetjen e njerëzve dhe paratë që vijnë nga krimi. Nuk është as vetë Rama.

 

Kalemaj: Vendimet e Ramës, sjellje “shvejkiane” me nota të forta populizmi

Analisti Ilir Kalemaj bën një radiografi të vendimeve të tetorit të Ramës

Z.Kalemaj, Edi Rama është njohur prej vitesh si njeri antikomformist, që paralelisht ka jetuar (me koshiencën e tij), një jetë prej anarkisti…Megjithatë ai gëzon popullaritet te njerëzit aq sa atij i kanë besuar një mandat të dytë qeverisës. Pyetja që lind është se çfarë ka ndodhur me Ramën pas 5 vitesh që drejton vendin? Vetëm brenda një muaji, ai i ka shpallur luftë veseve, si mbyllje bastesh dhe lotarish, ka paralajmëruar një nismë të re kundër pijeve alkoolike (për ata nën 18 vjeç), si dhe do t’i përcjellë opinionit publik një iniciative ligjore që lidhet me “vetërregullimin” e fjalës së lirë… A keni një koment për këto lëvizje të befasishme të Ramës?

Edi Rama është pushtetmbajtësi më jetëgjatë i këtij vendi i emëruar fillimisht ministër Kulture në 1998-ën, mandej i zgjedhur kryebashkiak në 2000-shin dhe i rizgjedhur dhe dy herë të tjera përpara se të bënte nja dy vite sabatike si kryetar i opozitës dhe të rikthehej si kryeofiqar i vendit në 2013-ën. Sot 5 vjet më pas, ndjen që graviteti i pushtetit po i shkakton kostot e para serioze, pasi tepsia për vete ka dhe detyrimin e xhevap-dhënies po vetë. Erozioni në elektorat nuk mund kurrsesi të përmbushej me dajret e turit veror të llogari-dhënies me regji nga lart dhe rëndimi i situatës kriminale në vend kërkonte zhvendosjen e projektorëve diku tjetër. Ndaj nevoja për rishpikjen e vetes dhe forcës politike që drejton në vjeshtën e parakohshme të patriarkut. Lufta ndaj pikave të basteve dhe kazinove si një premtim i pambajtur i 5 viteve më parë kur filloi “Fundi i Marrëzisë” duket më tepër si një akt klientelist apo i ndërmarrë emocionalisht sesa realisht i studiuar, ndonëse i mirëpritur nga segmente të gjera të popullatës. Pavarësisht kësaj, “Prohibicioni” edhe historikisht, edhe krahasueshmërisht, ka dështuar si një politikë publike edhe në vende ku vullneti politik ka qenë ku e ku më sipëror se te ne. Nisma kundër pijeve alkoolike për adoleshentët deri 18 vjeç duke i shtuar asaj si qershi mbi tortë dhe pijet energjike dhe me gaz, është një legjislacion social mjaft i guximshëm që mbart risqet e veta, ndaj dhe vendet më të zhvilluara sot janë matur dhjetë herë dhe kanë prerë një herë në këtë drejtim, ndërsa te ne zhvillime të tilla ndodhin overnight, me “urdhër të peshkut” dhe natyrisht mandej nuk implementohen. Këto dy shashka politike, patën si bashkëshoqëruese edhe të tretën, e censurës mbi fjalën e lirë, e mveshur me një term Orëellian si “paketa antishpifje” që nuk është gjë tjetër, veç përpjekje për të intimiduar jo vetëm opozitën, por edhe pak zërat e lirë kundër pushtetit që çdo shoqëri demokratike duhet t’í ruajë si sytë e ballit. Përpjekjet për të mbyllur gojën kundërshtarëve politikë me gjoba të dhëna nga një gjyqësor nën presion nuk i shërbejnë demokracisë dhe të drejtës së fjalës e cila në kushtetutën tonë dhe të vendeve demokratike liberale sot në botë është e barasvlershme me lirinë e jetës dhe shenjtërinë e pronës private.

A mendoni se vendimet e tetorit të Ramës, po merren pas një qeverisje të gjatë (pra që nuk i bënte dot gjatë mandatit të parë), apo rrethanat politike, akuzat me përgjime dhe ngjarje që e cenuan mazhorancën me timon të vetëm, e çuan atë në një ridimensionim të vendimeve sa të debatueshme aq edhe populiste…?

Vendimet politike të tetorit revolucionar të Ramës mbartin sa rrezikun e rritjes së autoritarizmit dhe arrogancës së pushtetit nga njëra anë, aq edhe një sjellje “shvejkiane” me nota të forta populizmi që me dritëshkurtësinë e tyre veç politika zhvillimore nuk mund të prodhojnë. Në vend që të ketë një fokus në përgatitjen e kuadrit ligjor dhe ngritjes së kapaciteteve teknike për të hapur kapitujt e negociatave me BE-në, duke marrë seriozisht procesin aktual të screen-ingut, apo të përmbushjes funksionale të arkitekturës së sistemit në drejtësi ku SPAK dhe Byroja e Hetimit janë ende larg krijimit, KLGJ dhe KLP ende larg konstituimit dhe Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese aktualisht të paralizuara dhe jashtë funksionit, qeveria ka zgjedhur të merret “me mustaqet e Çelos”. Insistimi i pabesueshëm dhe interesimi për ta kthyer Teatrin Kombëtar në një gërmadhë për të tjetërsuar pronën publike përmes akteve klienteliste është një shenjë tjetër e miopisë politike të një mazhorance arrogante dhe të kapur nga interesa okultë.

Si kryetimonieri i qeverisë, Rama i ka marrë përsipër vetë nismat e bashkë me to edhe risqet. Çfarë impakti mendoni se do të kenë në popull këto vendime për qeverisjen e tij, kur testi i parë janë zgjedhjet vendore të vitit që vjen?

Rama, partia dhe qeveria janë shkrirë pak a shumë në një, duke marrë atributet për sukseset e propaganduara por edhe kostot e konsumimit të pushtetit. Natyrisht i adhuruar nga pasuesit dhe demonizuar nga armiqtë politikë. I konsideruar “enfant terrible” i tranzicionit shqiptar por edhe rrufjan politik që ta shet sapunin për djathë. I quajtur artisti që mahniti Parisin por edhe ish-mësuesi i vizatimit që përfundoi thonj paprerë brigjeve të Senës përpara se të katapultohej në krye të institucionit të dytë më të fuqishëm politik në vend dhe të mbështetej hapur nga dyshja Nano-Meta të cilët investuan te ky rishtar që nuk zhgënjeu por provoi dhe ia doli t’í tejkalonte sponsorët e tij politikë. Është gjithsesi vështirë të parashikosh se si do jetë fati i mbramë i zgjedhjeve lokale, nëse koalicioni me shumicë numerike i opozitës do arrijë të thyejë bastione të forta të zgjedhjeve të kaluara si Durrësi apo Elbasani, do arrijë të ruajë bashkitë aktuale apo do të pësojë disfatën e radhës nga një pushtet që ka në dorë edhe grurin (të fortët), edhe arrën (thasët e miellit).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hipokrizia e arsimit të lartë falas

Nga Klodian Tomorri Ideja e arsimit të lartë falas është joshëse, jo...
Read More