Revolucioni kulturor kinez pushton shkollën

Nga Namir Lapardhaja

Arsimi do të duhej të ishte një ndër sektorët që politika dhe axhenda e saj e ditës duhet t’i qëndronte larg, mirëpo, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri, duke e shndërruar atë në pre të fasadës dhe të propagandës.

Urdhri i nxjerrë i ministres së Arsimit për anketim të të gjithë mësuesve për të matur dhe vlerësuar punën e drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave është pjesë e kësaj propagande, e cila nëse vijon kështu e nuk merret me thelbin e problemeve që ka shkolla e arsimi në vend, do të vijojë të lyejë së jashtmi vetëm fasadën e një godine të shkalafitur përbrenda.

Mësuesit për nga vete natyra janë shtresë që nuk reagojnë e të ngrenë zërin për ato që u ndodhin përditë, mirëpo kjo nuk është arsye për të mos u shqetësuar për zhvillimet e fundit në fushën e arsimit.

Urdhri i zonjës Nikolla nuk bazohet në asnjë nen të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i cili në asnjë pikë të tij nuk parashikon një anketim të tillë për vlerësim të punës së drejtuesve të shkollës ose për matjen e performancës së tyre.

Në këtë kuptim, urdhri është absurd. Po ashtu, edhe zbatueshmëria e tij.

Është një proces i pakuptimtë dhe i pazbatueshëm realisht, gjë që mund të nxjerrë rezultate të padrejta dhe jo reale, në mos të gabuara. Shumë nga mësuesit do të votonin shumë mirë pikërisht drejtorin më të paaftë, sepse një drejtor i aftë të hap punë. Nuk do të ishte çudi që turma sot ndërsa votonte të fillonte e të bërtiste “drejtorët në litar”.

Ky proces vjen pasi vetë Kryeministri Rama më shumë se një herë në daljet e tij publike dhe në takimet me mësues ka paralajmëruar furtunë shkarkimesh për drejtorët e shkollave sikur të ishin ata problemi i vetëm i shkollës.

Vetëm pak kohë më parë, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, veç të tjerash, shefi i qeverisë teksa fliste për reformën e arsimit përmendi edhe atë se “nuk do vendosim ne drejtorë shkollash siç i do partia… Drejtorë shkollash do vendosen mes mësuesish të shkëlqyer që kanë dalë në konkurs”.

Cili është ky konkurs që paska përzgjedhur “300 mësuesit më të mirë për të zëvendësuar 300 drejtorët më problematikë”, duke iu referuar fjalëve të zotit Rama në atë takim, por edhe në takime të tjera me ketë tematikë?

Nga ajo që kuptohet nga fjalët e zotit Rama, bëhet fjalë për konkursin e zhvilluar më 23 janarin e vitit të shkuar, ku mësuesit në të gjithë vendin iu nënshtruan një provimi, i cili përfshinte katër fusha: planifikimin e mësimdhënies, të nxënit, etikën e komunikimit dhe zhvillimin profesional.

Pavarësisht se sot zoti Rama thotë tjetër gjë, në atë kohë u tha se ai provim bëhet për arsye që mësuesit të kenë mundësi të trajnohen në fushat ku shfaqin probleme dhe të aftësohen më mirë profesionalisht.

Përzierja dhe ngatërrimi i dy problemeve që, në thelb, nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin është ose paaftësi e qeverisë aktuale për t’i konceptuar dhe orientuar drejt shqetësimet reale të arsimit në vend, ose pas saj fshihet diçka tinëzare dhe e motivuar vetëm politikisht.

Edhe nëse do t’i besonim fjalëve të zotit Rama se “300 drejtorët më problematikë do të zëvendësohen nga 300 mësuesit më të mirë” (të dalë në provimin e mësipërm, që nuk kishte lidhje dhe nuk sqaronte që bëhej për pozicionin e drejtuesit të shkollës) dhe për një moment të abstragojmë e të themi se te këta mësuesit më të mirë të dalë nga ky provim, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë arsimtarë të rinj, të cilët nuk kanë në arsim më shumë se 2-3 vite punë, a e di zoti Rama se çfarë kriteresh duhet të plotësojnë mësuesit për t’u bërë drejtorë në bazë të ligjit Nr. 69/2012, dt. 21.06.2012? A e di zoti Kryeministër se një ndër kriteret për drejtuesin e shkollave është edhe kategoria “Mësues i kualifikuar”, d.m.th. të ketë jo më pas se 5 vjet punë në arsim?!

Përgjatë kësaj kohe shkolla ka funksionuar me drejtuesit e saj, të cilët për më shumë se një vit rresht janë trajnuar nga Instituti i Lidershipit, në inaugurimin e të cilit mori pjesë edhe vetë zonja Nikolla si ministre e Arsimit.

Ky investim në burime njerëzore nuk mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit dhe vetëm për arsye propagandistike, meqenëse këtë qeveri e ka kapur marria e të ashtuquajturës bashkëqeverisje me popullin dhe për prerje kokash të çdo drejtuesi institucioni dhe funksionari drejtues, me justifikimin se kështu i pëlqen popullit (eh, sa gjëra bëhen në emrin tënd, o popull!) dhe kështu mund të shfryhet sadopak valvula e pakënaqësisë së tyre.

Arsimi në ditët e sotme ka mjaft probleme, të cilat duhet të trajtohen me ftohtësi dhe me profesionalizëm, larg politikës dhe propagandës së ditës.

Nuk janë e nuk mund të jenë problem i arsimit në Shqipëri drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave, të cilët po vetë nga kjo mazhorancë janë emëruar, po ashtu, nëpërmjet “konkursesh” që çuditërisht kanë shpallur fitues ata që janë komanduar më parë në ato detyra dhe nga një parti e vetme politike ose edhe nga një ish-parti bashkëqeverisëse.

Do ishte çmenduri e madhe nëse e gjithë kjo gjë do të bëhej vetëm për të hequr disa drejtorë shkollash, të emëruar në ato pozicione nga LSI-ja dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë të Partisë Socialiste. Ose edhe të hiqen disa drejtorë e të vihen disa të tjerë vetëm për të ndryshuar fasadën e shkollës, duke e propaganduar këtë si reformë të qenësishme dhe si ndryshim të madh.

Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Arsimit duhet të shohë kurrikulën mësimore, ta modernizojë atë në të gjitha lëndët dhe ta pasurojë me të rejat dhe zhvillimet bashkëkohore. Duhet të shohë buxhetin për arsimin, investimet në burime njerëzore dhe përmirësim të rrogës së mësuesve në të gjithë hallkat e sistemit arsimor, gjë që do të bënte që degët e mësuesisë të ishin të preferuara dhe të përzgjedhura jo vetëm prej nxënësve mesatarë dhe të dobët, por nga nxënësit shumë të mirë, çka do të reflektonte nesër drejtpërdrejt në cilësinë e mësuesve të ardhshëm. Mësuesve aktualë t’u jepte mundësi të trajnoheshin e përmirësoheshin profesionalisht nëpërmjet trajnimesh reale dhe të vërteta e jo sa për të kaluar radhën apo sa për të fituar disa kacidhe nga ana e trajnuesve. Mësuesve t’u ofrohen mundësi botimesh për fushat e tyre, gjë që do t’iu jepte atyre mundësi reale për të treguar aftësitë e tyre për sa i përket lëndës, por edhe fushave të metodikës së mësimdhënies.  T’u krijojë mundësi dhe lehtësira mësuesve për sa i përket mësimdhënies e mos t’ua vështirësojë punën e tyre nëpërmjet punës së pa vlerë me dokumentacion të pafundmë dhe që, në thelb, nuk ka asnjë lidhje me misionin e mësuesit.

Vetëm një reformë e thellë, e mirëmenduar dhe e drejtuar saktë drejt problemeve, do ta nxirrte arsimin shqiptar prej çoroditjes dhe do ta fuste në shinat e normalitetit, ngase gjithçka tjetër që bëhet e që tenton të përqendrohet vetëm te fasada të sjell ndër mend Revolucionin Kulturor kinez. E produkti i tij dihet mjaft mirë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Buxheti i shtetit për opozitën duhet të jetë më shumë sesa debatet mbi kriminalitetin

Nga Ervis Iljazaj Opozita shqiptare me sa duket debatin për buxhetin e...
Read More