Rezistenca e Bashës

Kuvendi shtyn votimin për reformën zgjedhore. PD bllokon punimet dhe mbledh grupin parlamentar. Ruçi përjashton Bashën për një ditë.

 

Pas një dite debati të tensionuar në Kuvend që përfundoi me shtyrjen e kërkesës së PD-së për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore (shoqëruar me debat), grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk mori mbrëmë një vendim, por diskutoi si mundësi që seanca e radhës për këtë çështje të mbahet ditën e hënë dhe jo të enjten siç paralajmëroi kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, pas përfundimit të seancës. “Seanca e përcaktuar është e enjtja tjetër”, -tha Balla për mediat. Megjithatë, grupi parlamentar demokrat diskutoi për të shfrytëzuar çdo hapësirë kushtetuese dhe ligjore për fillimin sa më shpejt të punës për reformën zgjedhore.

Por për kryeministrin Edi Rama, debati i PD-së është pa përmbajtje.

“S’kanë ide, duan sherr. U dhamë konsensus për atë që donin, po prapëseprapë e bllokuan foltoren. A di të ma thotë kush si mund të ndihmohen?”, komentoi mbrëmë Rama në Facebook.

Por çfarë ndodhi gjatë seancës së djeshme në Kuvend?

Parlamenti duhet të vendoste dje për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, sipas një kërkese të dorëzuar zyrtarisht nga PD. Për këtë temë, PD kishte kërkuar edhe debat duke depozituar madje emrat në sekretarinë e Kuvendit.

Edhe LSI-ja kërkoi të njëjtën gjë, pra debat, por në një kohë tjetër. “…Ne nuk jemi të përgatitur për diskutime”, -tha kryetari i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili. Ai kërkoi shtyrjen e debatit për javën e ardhshme. Ruçi e hodhi në votim propozimin e Vasilit duke marrë kësisoj edhe mbështetjen e socialistëve.

“…Ju vini të papërgatitur për debat për një arsye të thjeshtë; sepse ju nuk e doni debatin. Dhe ti ngre kartonat këtu për t’i mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Mblidhni Konferencën e Kryetarëve tani. Opozita kërkesën e ka bërë konform rregullores. Ky parlament nuk është pronë e mazhorancës, nuk është pronë e jotja, është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe funksionon vetëm në bazë të rregullores dhe jo kartonëve që ngre ti këtu. Prandaj, ndërprit tani seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve, konstato kush ka përgjegjësinë për këtë problem. E ke mbi tavolinën tënde listën e folësve të opozitës. Është njoftuar tash 4 ditë debati parlamentar për zgjedhjet…”, reagoi Basha nga foltorja e Kuvendit.

“Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij parlamenti…”, vijoi ai. Basha nuk lëvizi prej foltores, edhe kur Ruçi kishte njoftuar ndërprerjen e seancës. I rrethuar nga deputetët e tjerë të PD-së kjo situatë vijoi gjatë, duke sjellë për pasojë ndërprerjen për të dytën herë radhazi të seancës nga kreu i Kuvendit.

Më pas, Ruçi tha se ishte i detyruar që të përjashtonte Bashën nga punimet, situatë kjo që solli edhe bllokimin e seancës.

PD-ja nuk lëvizi nga foltorja e Kuvendit deri në orën 18:00 kur u njoftua fillimi i punimeve. Gjatë këtij harku kohor u fol për një mundësi negocimi mes palëve që seanca për reformën të zhvillohej ditën e hënë. Por mbrëmja në Kuvend tregoi se negociatat nuk kishin dalë me zgjidhje. Punimet zgjatën vetëm pak minuta me deputetët e PD-së të ngritur në këmbë afër foltores dhe me votimin me shpejtësi nga deputetët e mazhorancës të pikave të rendit të ditës që përfshinin ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare.

Në fund të seancës, Ruçi tha se Basha ishte përjashtuar vetëm për seancën e djeshme.

Në bazë të rregullores, kryetari i Kuvendit ka të drejtë që të thërrasë byronë e Kuvendit për një masë përjashtimore prej 10 ditësh, në rast se deputeti vijon të pengojë punimet e rregullta të Kuvendit. Ruçi në këtë rast bëri një kthesë. “…Sa për sqarim duke qenë se deputeti i ndëshkuar është për herë të parë, po kështu dhe për herë të parë deputet, njoftoj deputetët dhe opinionin publik që nuk po ushtroj kompetencën që më jep rregullorja, si kryetar i Kuvendit për të thirrur Byronë e Parlamentit për të marrë masa akoma më të ashpra për situatën e sotme. Seancën e deklaroj të mbyllur, mirupafshim!”, -tha Ruçi.

Por deklarata e tij nuk e ka qetësuar situatën.

“…Javën e kaluar, Edi Rama i preu zërin dhe figurën Parlamentit. Sot urdhëroi ministrin e Sigurimit të Shtetit të aplikonte format e diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës. Parlamenti është vendi ku opozita ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për debat dhe fjalën e lirë. Nëse kjo e drejtë shkelet, nëse Rregullorja e Parlamentit shkelet, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë frikë të përballen me të vërtetën e Shqipërisë nën thundrën e krimit të bërë njësh me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, atëherë ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt…”, -tha Basha për mediat.

Kryetari i demokratëve foli për “atentat ndaj demokracisë”. “…Me fjalë të tjera, nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe, dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën troç; paqja sociale është e rrezikuar, bashkekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta por, detyrimi, t’iu bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre”, -tha ai.

Tjetër qëndrim mbajti PS-ja. Taulant Balla tha se rregullorja u zbatua.

“Kuvendi po hyn në një bindje që respektimi i rregullores duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Çdo grup të respektojë edhe grupet e tjera. PS dhe LSI në respekt të asaj që ishte vendosur e morën vendimin për ta shtyrë. Bashës i sugjeroj që të konsultojë rregulloren e Kuvendit, nuk e ka të drejtë që të kërkojë thirrjen e Konferencës së Kryetarëve. Konferenca është organ konsultativ sepse vendimet e saj i referohen seancës, pasi është ajo që merr vendimet…”, -tha Balla.

Por deputetët demokratë do të ngrenë një grup pune me juristë për të evidentuar shkeljet e rregullores në seancën e djeshme nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Reforma strukturore, qeveria riformaton Buxhetin 2017

Buxheti do të ndryshohet për të financuar ndryshimet që kryeministri Rama ka...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.